Seminare dhe Institute
Mësimi 86: Doktrina e Besëlidhje 84:1–44


Mësimi 86

Doktrina e Besëlidhje 84:1–44

Hyrje

Në shtator të vitit 1832, misionarët u kthyen në Kirtland të Ohajos, pas predikimit të ungjillit në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtij takimi të gëzueshëm, Profeti Jozef Smith mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 84. Ai e mori zbulesën gjatë dy ditëve: 22 dhe 23 shtatorit të vitit 1832. Në këtë manual, seksioni 84 ndahet midis tre mësimeve. Ky mësim i parë përqendrohet tek udhëzimet e Zotit rreth priftërisë dhe mënyrës se si priftëria mund të na përgatitë që të marrim gjithçka që ka Ati Qiellor.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 84:1–30

Zoti shpall se një tempull do të ndërtohet dhe shpjegon qëllimet e priftërisë

Nëse është e mundur, sillni në klasë një kopje të linjës së autoritetit të priftërisë të një burri (tuajën ose të një pjesëtari të familjes). (Ju mund të doni ta kopjoni linjën e autoritetit në tabelë.) Ndihmojini studentët të kuptojnë se një linjë e autoritetit të priftërisë tregon se si autoriteti i priftërisë është dhënë nga një mbajtës i priftërisë te tjetri, nga Jezu Krishti te një mbajtës i priftërisë sot.

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 84 përmban një zbulesë rreth priftërisë dhe se si ajo i bekon fëmijët e Atit Qiellor. Pjesa e parë e zbulesës paraqet linjën e priftërisë së Moisiut. Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë në heshtje Doktrinës e Besëlidhjeve 84:6–19 dhe të kërkojnë se si Moisiu mund ta gjurmonte autoritetin e tij të priftërisë deri te Perëndia.

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme që autoriteti i priftërisë të shtrihet në një linjë të drejtpërdrejtë duke shkuar deri te Perëndia? (Shih Hebrenjve 5:4.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 84:17. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë frazën që përshkruan natyrën e përjetshme të priftërisë (“nuk ka fillim të ditëve apo fund të viteve”). Ju mund të doni të dëshmoni se priftëria është fuqia e përjetshme dhe autoriteti i Perëndisë, dhe të shprehni mirënjohjen tuaj që Perëndia ia ka dhënë këtë fuqi njerëzimit për përfitimin e fëmijëve të Tij.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 84:19–22. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë bekimet që mund të marrim nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke.

  • Sipas vargjeve 19–22, cilat bekime mund t’i marrim nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke? (Studentët mund të japin disa përgjigje. Sigurohuni që ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Në ordinancat e Priftërisë Melkizedeke, shfaqet fuqia e perëndishmërisë. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)

  • Cilat nga ordinancat shpëtuese duhet të kryhen me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke? (Konfirmimi, dhënia e Priftërisë Melkizedeke, indaumenti [dhurimi] i tempullit dhe vulosja në tempull. Renditini këto ordinanca në tabelë.) Si e keni parë fuqinë e perëndishmërisë të shfaqet në këto ordinanca?

  • Sipas vargut 22, përse është e rëndësishme që ne t’i marrim ordinancat e Priftërisë Melkizedeke? (“Fuqia e perëndishmërisë” që manifestohet në këto ordinanca, do të na lejojë ta shohim fytyrën e Perëndisë dhe të jetojmë.)

Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Që të bëhemi si Perëndia dhe të banojmë në praninë e Tij, ne duhet t’i marrim ordinancat e Priftërisë Melkizedeke.

Referojuni listës së ordinancave të Priftërisë Melkizedeke në tabelë.

  • Cilat prej këtyre ordinancave mund të merren vetëm në tempull?

Pasi studentët të përgjigjen, lexojeni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Tempulli është objekti i çdo aktiviteti, çdo mësimi, çdo hapi përparues në Kishë. … Ordinancat e tempullit janë absolutisht vendimtare. Ne nuk mund të kthehemi tek lavdia e Perëndisë pa to” (“Përgatituni për Bekimet e Tempullit”, Ensign, tetor 2010, f. 41).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 84:23. Kërkojini klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojë se çfarë bëri Moisiu për t’i përgatitur njerëzit e tij që ta shihnin fytyrën e Perëndisë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Ju mund të doni të shpjegoni se fjala shenjtëronte do të thotë të pastrojmë dhe të bëjmë të shenjtë. Ne shenjtërohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 84:24–30 duke shpjeguar se ngaqë fëmijët e Izraelit i ngurtësuan zemrat e tyre, ata e humbën mundësinë për ta marrë Priftërinë Melkizedeke dhe ordinancat e shoqëruara me të në këtë jetë. Megjithatë, Zoti vazhdoi t’i ndihmonte ata të përparonin. Ai e lejoi priftërinë më të ulët, ose Priftërinë Aarone, që të vazhdonte me ta (shih DeB 84:26–27).

Doktrina e Besëlidhje 84:31–44

Zoti jep mësim betimin dhe besëlidhjen e priftërisë

Kërkojini një studenti që mban priftërinë, t’iu përgjigjet pyetjeve vijuese:

  • Si jeni bekuar ju ngaqë e mbani priftërinë? Si jeni bekuar ju ngaqë njerëz të tjerë e mbajnë priftërinë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 84:31–32. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar frazën që përdori Zoti për t’iu referuar atyre që e mbajnë priftërinë.

  • Si iu referua Zoti atyre që mbajnë priftërinë? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se fraza “bijtë e Moisiut” iu referohet atyre që mbajnë Priftërinë Melkizedeke dhe që fraza “bijtë e Aaronit” iu referohet atyre që mbajnë Priftërinë Aarone.)

Shkruajeni frazën vijuese në tabelë: Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë.

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 84:33–44 njihet si betimi dhe besëlidhja e priftërisë. Këto vargje përvijojnë: 1) besëlidhjet që i bën një njeri kur ai merr priftërinë, dhe 2) premtimet që Zoti i bën ndaj mbajtësve besnikë të priftërisë.

Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse ata që e marrin priftërinë do të , atëherë Perëndia do të .

Ftojini studentët ta studiojnë në heshtje ose në dyshe Doktrinën e Besëlidhjet 84:33–44. Kërkojuni atyre ta plotësojnë thënien në tabelë duke u bazuar në këto vargje.

  • Si e plotësuat thënien? (Studentët duhet të dallojnë parimin vijues: Nëse ata, të cilët marrin priftërinë, do t’i lartësojnë thirrjet e tyre, do ta ndjekin Zotin dhe shërbëtorët e Tij dhe do t’ua vënë veshin fjalëve të jetës së përjetshme, atëherë Perëndia do t’i shenjtërojë ata dhe do t’iu japë gjithçka që Ai ka.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ne e lartësojmë priftërinë tonë dhe e zmadhojmë thirrjen tonë kur shërbejmë me zell dhe entuziazëm në ato përgjegjësi, tek të cilat ne thirremi me anë të autoritetit të duhur. … Ne e lartësojmë thirrjen tonë, ne e zgjerojmë aftësinë e priftërisë sonë kur i ndihmojmë njerëzit në vështirësi dhe iu japim forcë atyre që ligështohen. … Ne e lartësojmë thirrjen tonë kur ecim me ndershmëri dhe integritet” (“Magnify Your Calling”, Ensign, maj 1989, f. 48–49).

Shpjegoni se kur marrim thirrje në Kishë, ne kemi mundësinë ta përgatitim veten dhe të tjerët që t’i marrim ordinancat shpëtuese të priftërisë. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Presidenti Tomas S. Monson

“Si e lartëson dikush një thirrje? Thjesht duke kryer shërbimin që i përket asaj. … Shpresoj me gjithë zemrën dhe shpirtin tim që çdo i ri, i cili e merr priftërinë, do ta nderojë atë priftëri dhe do të jetë i vërtetë ndaj mirëbesimit që iu tregua, kur iu dha ajo priftëri” (“Priesthood Power”, Ensign, nëntor 1999, f. 49, 51).

  • Cilat janë disa mënyra se si mbajtësit e Priftërisë Aarone i lartësojnë thirrjet e tyre në priftëri?

  • Kur jeni bekuar ju, sepse dikush e ka lartësuar thirrjen e tij ose të saj?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se bekimet e betimit dhe besëlidhjes së priftërisë nuk janë vetëm për mbajtësit e priftërisë. Bekimet më të mëdha të Perëndisë u vijnë burrave dhe grave, të cilët vulosen me njëri-tjetrin në tempull. Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Një ditë Motra Nelson dhe unë do të banojmë së bashku në praninë e familjes sonë dhe të Zotit përherë e përgjithmonë. Ne do të kemi qenë besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempull dhe ndaj betimit e besëlidhjes së priftërisë, të cilat na kanë siguruar, sipas fjalëve të Zotit, që ‘gjithçka që Ati im ka, do t’[ju] jepet [juve]’ (DeB 84:38).

Motrat besnike marrin pjesë në bekimet e priftërisë. Mendoni për ato fjalë ‘gjithçka që Ati im ka’. … Do të thotë që asnjë shpërblim tokësor – asnjë sukses tjetër – nuk mund të dëmshpërblejë për begatitë që Zoti do t’i dhurojë mbi ata që e duan Atë, i zbatojnë urdhërimet e Tij (shih Moroni 4:3) dhe durojnë deri në fund (shih DeB 14:7)” (“Identity, Priority, and Blessings”, Ensign, gusht 2001, f. 10).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë premtimet e veçanta që Zoti i bën, si pjesë të betimit dhe besëlidhjes së priftërisë, shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Zoti premton të …

Ftojini studentët ta rilexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 84:33–34, 38, 42. Kërkojuni atyre të përcaktojnë bekimet që Zoti i premton si pjesë e betimit dhe besëlidhjes së priftërisë. Ju mund të dëshironi t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Ata mund të përmendin se Zoti do: 1) të na shenjtërojë me anë të Shpirtit (shih vargun 33); 2) t’i ripërtërijë trupat tanë (shih vargun 33); 3) të na numërojë mes farës së Abrahamit – me fjalë të tjera, do të na japë bekimet e premtuara Abrahamit dhe pasardhësve të tij (shih vargun 34); 4) të na bëjë të zgjedhurit e Tij (shih vargun 34); 5) të na japë gjithçka që ka Ati (shih vargun 38); dhe 6) t’iu japë engjëjve përgjegjësi lidhur me ne (shih vargun 42). (Ndërkohë që studentët përmendin premtimin te vargu 38, ju mund të doni t’i nxitni ata të mendojnë për tiparet dhe lavdinë e Perëndisë, jo për zotërimet materiale. Për shembull, ne mund ta marrim të vërtetën e Tij, dashurinë e Tij, gëzimin e Tij dhe paqen e Tij. Ne mund të bekohemi nëpërmjet një plotësie të fuqisë së Tij.)

Ftojini studentët të tregojnë përse priftëria është domethënëse për ta. Merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj për bekimet e priftërisë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 84:3–5. “Këtë brez”

Te Doktrina e Besëlidhje 84:3–5 ne lexojmë zbulesën e Zotit se një tempull do të ndërtohej në qytetin e Jerusalemit të Ri në shtetin e Misurit. Në këtë zbulesë, të dhënë në vitin 1832, Zoti tha se tempulli do të ndërtohej në “këtë brez” (DeB 84:4–5). Ai tempull nuk është ndërtuar ende, por Zoti i ka urdhëruar shenjtorët e Tij që të ndërtojnë shumë tempuj të tjerë. Zoti e ka shfajësuar popullin e Tij përkohësisht nga ndërtimi i tempullit në qytetin e Jerusalemit të Ri (shih DeB 124:49–51).

Lidhur me frazën “këtë brez”, Presidenti Jozef Filding Smith shkroi:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Kjo thënie ka qenë një bllok pengues për disa njerëz dhe ka pasur interpretime të ndryshme të kuptimit të një brezi. Mendohet prej disa njerëzve se një brez është njëqind vjet; nga të tjerë se është njëqind e njëzet vjet; nga të tjerë se një brez, siç u shpreh në këtë dhe shkrime të tjera të shenjta, i referohet një periudhe kohore që është e papërcaktuar. Shpëtimtari tha: ‘Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë’. Ky nuk ishte një referim ndaj një periudhe vitesh, por ndaj një periudhe ligësie. Një brez mund të ketë kuptimin e kohës së kësaj periudhe të tanishme ungjillore. Për më tepër, thënia cilësohet në këtë zbulesë sipas citimit të mësipërm. ‘Sepse në të vërtetë ky brez nuk do të kalojë’, etj. Nuk është qëllimi ynë për të dhënë ndonjë interpretim për këtë shprehje, por që të themi se këto çështje janë në duart e Zotit dhe Ai do t’i përmbushë qëllimet e Tij kur Ai ta gjykojë se koha ka ardhur” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:337).

Doktrina e Besëlidhje 84:24–25. “Ai e largoi … Priftërinë e Shenjtë”

Te Doktrina e Besëlidhje 84:25, ne lexojmë se Zoti e largoi priftërinë e shenjtë nga mesi i fëmijëve të Izraelit, të cilët ishin me Moisiun në shkretëtirë. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se Zoti “e largoi Priftërinë Melkizedeke, që e administron ungjillin, nga mesi i tyre, në kuptimin që ajo nuk vazhdoi dhe nuk u kalua nga një mbajtës i priftërisë te tjetri në një kuptim normal dhe të zakonshëm të fjalës. Çelësat e priftërisë u larguan me Moisiun, kështu që çfarëdo shugurimi i ardhshëm i priftërisë kërkonte autorizim të veçantë hyjnor” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 1:60).

Presidenti Ezra Taft Benson shpjegoi më tej:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Ne mësojmë nëpërmjet Përkthimit prej Joseph Smith-it se Zoti … e udhëzoi Moisiun: ‘Unë do ta largoj priftërinë nga mesi i tyre; [si edhe] urdhëri[n] [t]im [të] shenjtë, dhe ordinancat e tij’. (PJS Eksodi 34:1; theksimi i shtuar.)

Kjo priftëri më e lartë, me ordinancat e saj shoqëruese, u largua prej Izraelit deri në kohën e Jezu Krishtit. …

Midis Moisiut dhe Krishtit vetëm profetë të caktuar e zotëruan të drejtën për priftërinë më të lartë dhe për bekimet që mund t’i sillnin njerëzit në praninë e Perëndisë” (“What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, Ensign, gusht 1985, f. 9).

Doktrina e Besëlidhje 84:28. I shuguruar nga një engjëll

Në thënien vijuese, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i referohet Doktrinës e Besëlidhjeve 84:28 dhe shpjegon se kur Gjon Pagëzori ishte tetë-ditësh [në moshë], ai u shugurua, ose u zgjodh, për të përmbushur një mision – ai nuk u shugurua në priftëri në atë kohë. Gjoni u shugurua për ta përmbysur mbretërinë e Judenjve dhe për të përgatitur udhën e Zotit. Një engjëll shpalli se ai do ta bënte atë.

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Lluka tha: ‘Fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë’. Më vonë është Gjoni që thotë: ‘Ai që më dërgoi të pagëzoj [me] ujë, më tha’ këto dhe ato gjëra. (Gjoni 1:33.) Kush e dërgoi atë, ne nuk e dimë. Ne vërtet e dimë se ‘ai u pagëzua ndërsa ishte ende fëmijë [domethënë, kur ai ishte tetë vjeç] dhe në kohën që ishte tetë ditë [në moshë], u shugurua nga engjëlli i Perëndisë në këtë fuqi [vëreni re mirë, jo në Priftërinë Aarone, por] për t’i dhënë fund mbretërisë së Judenjve dhe për ta drejtuar udhën e Zotit përpara fytyrës së njerëzve të tij, për t’i përgatitur ata për ardhjen e Zotit, në dorë të të cilit jepet gjithë fuqia’. (DeB 84:24.) Nuk e dimë se kur ai e mori Priftërinë Aarone, por në mënyrë të dukshme ajo i erdhi atij pas pagëzimit të tij, në çfarëdo moshe që ishte e përshtatshme dhe përpara se të dërgohej nga dikush, të cilin ai nuk e përmend me emër, për të predikuar e pagëzuar me ujë” (The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 1:384–385).

Doktrina e Besëlidhje 84:33–44. Vetëbesimi nëpërmjet betimit dhe besëlidhjes së priftërisë

Presidenti Henri B. Ajring foli për vetëbesimin që mbajtësit e priftërisë duhet të kenë kur hyjnë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë:

Presidenti Henri B. Ajring

“Ngritja deri në mundësitë e betimit dhe të besëlidhjes sjell më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë: jetën e përjetshme. Ky është një qëllim i Priftërisë Melkizedeke. Nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve kur e marrim priftërinë, dhe përtëritjes së tyre në ceremonitë e tempullit, neve na premtohet nga një betim i bërë nga Ati ynë Qiellor, Elohimi, se do të fitojmë plotësinë e lavdisë së Tij dhe do të jetojmë siç jeton Ai. Ne do të kemi bekimin e qenies të vulosur në një familje përgjithmonë me premtimin e rritjes së përjetshme. …

… Janë të paktën dy arsyet pse duhet më shumë të ndiheni të sigurt sesa të frikësuar nga ndëshkimet që do të pasonin qoftë nga dështimi në mbajtjen e betimit dhe e besëlidhjes ose nga vendimi për të mos i pranuar. Qoftë nëse ju pranoni betimin dhe besëlidhjen dhe ju duken tepër të vështira apo, nëse nuk arrini të përpiqeni, ndëshkimi është po ai. Prandaj nuk ka dyshim se rruga më e mirë, e juaja dhe e imja, është të marrim priftërinë e shenjtë dhe të përpiqemi me gjithë zemrën tonë të mbajmë besëlidhjet e saj. Nëse zgjedhim të mos përpiqemi, ne sigurisht do ta humbasim mundësinë për jetë të përjetshme. Nëse përpiqemi dhe me ndihmën e Perëndisë kemi sukses, ne do të fitojmë jetë të përjetshme.

Ka akoma një arsye tjetër për të vendosur tani që ju do të përpiqeni me gjithë zemrën tuaj të cilësoheni për këtë betim e besëlidhje dhe të keni besim se ju do të keni sukses. Perëndia ju premton ndihmë dhe forcë që, nëse ushtroni besim, do t’ju japin sukses.

Më lejoni të përshkruaj disa bekime që do t’i merrni kur ecni përpara me besim.

Së pari, vetë fakti që juve ju është ofruar betimi dhe besëlidhja, vërteton që Perëndia ju ka zgjedhur duke njohur forcën dhe aftësinë tuaj. Ai ju ka njohur që keni qenë me Të në botën e shpirtrave. Me njohjen e Tij qysh më parë të forcës tuaj, Ai ju ka dhënë mundësinë të gjeni Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit dhe t’ju ofrohet priftëria. Ju mund ta ndieni besimin, sepse ju keni fakte të besimit të Tij te ju.

Së dyti, kur ju do të përpiqeni të mbani besëlidhjet tuaja, Shpëtimtari ka premtuar ndihmën e Tij personale. Ai ka thënë se kur ju përparoni në respektimin e priftërisë: ‘Atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart’ [DeB 84:88]” (“Besimi dhe Betimi e Besëlidhja e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 61–62).