Mësimi 132
Doktrina e Besëlidhje 124:22–83
Hyrje
Më 19 janar 1841, Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një tempull në Navu të Ilinoisit. Në këtë zbulesë, të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 124, Zoti shpjegoi bekimet që do të ishin në dispozicion të shenjtorëve, në qoftë se ata do të ishin të zellshëm në ndërtimin e tempullit. Zoti gjithashtu i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin një shtëpi ku udhëtarët mund të qëndronin në Navu.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 124:22–41, 56–83
Zoti i urdhëron shenjtorët të ndërtojnë një tempull dhe një shtëpi për vizitorët në Navu
Përpara fillimit të orës mësimore, shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Çfarë është diçka që e keni kryer, e cila kërkoi një sasi të madhe kohe, përpjekjeje ose sakrifice nga ana juaj? Ndërsa studentët mbërrijnë, kërkojuni atyre të përgatiten për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Pas kohës shpirtërore, kërkojuni disa studentëve që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
-
Përse gjëja që kryet ia vlente kohën, përpjekjen ose sakrificën që ajo kërkoi?
Shpjegoni se në vitin 1841, një pjesë e madhe e shenjtorëve ishin rivendosur në Navu të Ilinoisit. Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:25–27, duke kërkuar atë që Zoti i urdhëroi shenjtorët në Navu të bënin.
-
Çfarë i urdhëroi Zoti shenjtorët të bënin?
-
Çfarë donte Zoti që shenjtorët të përdornin për ta ndërtuar tempullin?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyen që dha Zoti përse shenjtorët kishin nevojë të ndërtonin një tempull.
-
Përse shenjtorët kishin nevojë të ndërtonin një tempull? (Që të siguronin një vend ku Zoti të mund të vinte dhe të rivendoste plotësinë e priftërisë.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë frazën “plotësinë e priftërisë” te vargu 28, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:
“Çdo njeri që është besnik dhe do t’i marrë këto ordinanca e bekime, fiton një plotësi të priftërisë dhe Zoti ka thënë se ‘ai i bën ata të barabartë në fuqi dhe në pushtet, dhe në sundim’ [DeB 76:95; shih edhe DeB 88:107]. … Zoti ka bërë të mundur për çdo njeri në këtë Kishë, që, nëpërmjet bindjes së tij, ta marrë plotësinë e priftërisë nëpërmjet ordinancave të tempullit të Zotit. Kjo nuk mund të merret askund tjetër” (në Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:132–133).
Shpjegoni se të gjithë anëtarët e Kishës – burra e gra – mund ta marrin plotësinë e bekimeve të priftërisë nëpërmjet marrjes së të gjitha ordinancave të tempullit. Nëpërmjet këtyre ordinancave, ne mund të fitojmë të drejtën e marrjes së të gjitha bekimeve që Ati Qiellor dëshiron t’ua japë fëmijëve të Tij. Vini në dukje se rivendosja e ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit filloi në Tempullin e Kirtlandit, por nuk ishte kryer plotësisht. Ndërtimi i një tempulli në Navu do të lejonte që rivendosja e ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit të vazhdonte (shih DeB 124:28, 40–41).
-
Çfarë është një ordinancë? (Një veprim i shenjtë, ceremonial, i kryer nëpërmjet autoritetit të priftërisë.)
Shpjegoni se disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin dhe shumë prej këtyre ordinancave shpëtuese mund të kryhen vetëm në tempuj. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:29, duke kërkuar një prej këtyre ordinancave thelbësore të tempullit që Zoti tha se ishte e nevojshme të rivendosej. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.
Shpjegoni se më 15 gusht 1840, Profeti Jozef Smith fillimisht dha mësim se shenjtorët mund të kryenin ordinanca shpëtuese, si pagëzimi në emër të pjesëtarëve të vdekur të familjes së tyre dhe të miqve të tyre të vdekur, të cilët nuk e kishin pasur mundësinë për ta pranuar ungjillin (shih Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 413). Pas kësaj shpalljeje, shumë pagëzime për të vdekurit u kryen në lumin Misisipi apo në përrenjtë pranë.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:30–34. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar udhëzimin e Zotit lidhur me vendin ku duhet të kryhet ordinanca e pagëzimit për të vdekurit.
-
Ku tha Zoti se duhet të kryhet ordinanca e pagëzimit për të vdekurit me qëllim që të jetë e pranueshme prej Tij? Përse i lejoi Zoti shenjtorët të kryenin pagëzime jashtë tempullit përkohësisht?
Ju mund të doni të paraqitni një figurë të Tempullit të Navusë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 118; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se, pasi Jozef Smithi e mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 124, puna për tempullin përparoi me të shpejtë. Më 3 tetor 1841, pasi kati përdhes i tempullit qe përfunduar pjesërisht, Jozef Smithi u tha shenjtorëve: “Nuk do të ketë më pagëzime për të vdekurit, derisa ordinanca të mund të kryhet në Shtëpinë e Zotit. … Sepse kështu thotë Zoti!” (Mësimet: Jozef Smith, f. 501). Më 21 nëntor 1841, pasi një vaskë pagëzimi qe ndërtuar dhe përkushtuar në katin përdhes të Tempullit të Navusë, pagëzimet për të vdekurit rifilluan. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 251–252; Mësimet: Jozef Smith, f. 501–502.)
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 124, ku është i vetmi vend në të cilin plotësia e ordinancave të priftërisë mund të fitohet për shëlbimin si të të gjallëve ashtu edhe të të vdekurve? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Tempulli është i vetmi vend ku ne mund të fitojmë plotësinë e ordinancave të priftërisë për shëlbimin e të gjallëve dhe të të vdekurve.)
-
Si mund t’i kishte nxitur kjo doktrinë shenjtorët që të bënin sakrificat e nevojshme për të ndërtuar një tempull në Navu?
Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e kësaj doktrine, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson. (Ju mund të doni t’i jepni secilit student një kopje të thënies.)
“Ata që i kuptojnë bekimet e përjetshme, të cilat vijnë nga tempulli, e dinë se nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që t’i marrin ato bekime. Ata do të udhëtojnë në çfarëdo largësie, do të kapërcejnë çfarëdo pengese dhe do të durojnë çdo shqetësim. Ata e kuptojnë se ordinancat shpëtuese të marra në tempull, që na lejojnë të kthehemi një ditë tek Ati ynë Qiellor në një marrëdhënie familjare të përjetshme dhe që të na jepen bekime dhe fuqi që nga lart, ia vlejnë çdo sakrificë dhe çdo përpjekje” (“Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 92).
-
Çfarë sakrificash mund t’ju duhet të bëni që të jeni të denjë dhe të përgatitur për t’i marrë ordinancat e tempullit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:38–41. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë arsyen përse Zoti e urdhëroi Moisiun të ndërtonte një tabernakull në shkretëtirë dhe përse Ai e udhëzoi popullin e Tij që të ndërtonte një tempull në tokën e premtimit. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se Moisiu dhe populli i tij nuk kryen pagëzime për të vdekurit. Asnjë punë për të vdekurit nuk u krye derisa Shpëtimtari e nisi atë punë në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij.)
-
Sipas vargut 38, përse Zoti i urdhëroi izraelitët e lashtë të ndërtonin një tabernakull dhe tempuj?
Shkruani në tabelë dy pyetjet vijuese:
Caktojini studentët të punojnë në dyshe. Kërkojini secilit student që të zgjedhë një nga pyetjet në tabelë. Ftojini studentët t’u drejtohen partnerëve të tyre dhe ta bëjnë me radhë duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, bazuar tek ajo që ata kanë mësuar në Doktrina e Besëlidhje 124:25–41. Përveç kësaj, ju mund të doni t’i ftoni disa studentë që t’i tregojnë klasës idetë e tyre (ose ato të partnerit të tyre).
Ju mund të doni ta përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 124:22–24, 56–83 duke shpjeguar se, përveç tempullit, Zoti i udhëzoi shenjtorët të ndërtojnë një godinë tjetër, të quajtur Shtëpia e Navusë, ku mund të qëndronin vizitorët në Navu.
Doktrina e Besëlidhje 124:42–55
Zoti shpjegon se çfarë do të ndodhë nëse shenjtorët i binden urdhërimit për ta ndërtuar një tempull
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:42–45, duke kërkuar atë që Zoti tha se do të ndodhte nëse shenjtorët do ta ndërtonin tempullin dhe do t’i bindeshin zërit të Tij dhe zërit të shërbëtorëve të Tij. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 124:46–54 duke shpjeguar që Zoti u tha shenjtorëve se çfarë do të ndodhte nëse ata e ndërtonin tempullin, por më pas nuk i bindeshin zërit të Tij ose zërit të shërbëtorëve të Tij. Zoti gjithashtu shpjegoi se Ai do t’i pranonte përpjekjet e shenjtorëve për ta kryer veprën e Tij (përfshirë ndërtimin e tempujve), edhe nëse ata do të pengoheshin në bërjen e kësaj për shkak të përndjekjes që po hasnin.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:55. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti shpalli se shenjtorët do t’i provonin Atij nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimit të Tij për ta ndërtuar Tempullin e Navusë.
-
Sipas vargut 55, çfarë i provojmë Zotit kur iu bindemi urdhërimeve të Tij? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Zotit, ne provojmë besnikërinë tonë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)
Ftojini studentët të përsiatin mbi përpjekjen, kohën dhe sakrificën që nganjëherë shoqërohet me zbatimin e urdhërimeve të Zotit.
-
Si mund t’ju shtyjë mundësia për t’ia provuar besnikërinë tuaj Perëndisë që t’iu bindeni urdhërimeve të Tij?
-
Sipas vargut 55, çfarë bekimesh shtesë u premtoi Zoti shenjtorëve në qoftë se ata do të ndërtonin një tempull në Navu?
Vini në dukje se bekimet e nderit, pavdekësisë dhe jetës së përjetshme, të premtuara te vargu 55, janë të një natyre të përjetshme.
-
Përse është e rëndësishme të kuptojmë se bekimet që marrim për besnikërinë tonë ndaj Zotit mund të mos jenë të menjëhershme?
Ftojini studentët të përsiatin për raste në jetën e tyre kur ata kanë qenë të bindur ndaj një urdhërimi për shkak të dëshirës që të ishin besnikë dhe të besuar ndaj Atit të tyre Qiellor dhe Shpëtimtarit. Ftojini disa studentë që të tregojnë përvojat dhe ndjenjat e tyre për t’i treguar Zotit besnikërinë dhe besueshmërinë e tyre. Ftojini studentët të kërkojnë mundësi për ta provuar besnikërinë e tyre ndaj Zotit.