Seminare dhe Institute
Mësimi 107: Doktrina e Besëlidhje 102


Mësimi 107

Doktrina e Besëlidhje 102

Hyrje

Deri në janar të vitit 1834, Kisha qe rritur me më shumë se 3.000 anëtarë. Kjo rritje krijoi nevojën për më shumë udhëheqje që të administronte punët e Kishës. Më 17 shkurt 1834, njëzet e katër priftërinj të lartë u mblodhën në shtëpinë e Jozef Smithit për një konferencë, në të cilën u organizua këshilli i parë i lartë i Kishës. Orson Hajdi, nëpunësi i mbledhjes, vuri në dukje se këshilli i lartë mund të kishte bërë disa gabime në protokollin e mbledhjes. Si rrjedhim, këshilli votoi që Profeti duhej të bënte çdo korrigjim të nevojshëm. Jozef Smithi e kaloi ditën tjetër, 18 shkurtin, duke bërë një rishikim të frymëzuar të atyre protokolleve të fillimit. Protokollet u ndryshuan dhe u pranuan ditën vijuese, më 19 shkurt. Tani të gjendura te Doktrina e Besëlidhje 102, këto protokolle përvijojnë ngritjen e këshillave të lartë dhe japin udhëzim për presidencat e kunjit dhe këshillat e lartë kur ata ushtrojnë disiplinë për njerëzit që kanë kryer shkelje të rënda. (Vini re se mund të autorizohen edhe presidencat e distriktit e këshillat e distriktit për t’i ndjekur këto procedura.)

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 102:1–5

Organizohet këshilli i parë i lartë i Kishës

Lexojeni me zë të lartë rrëfimin vijues të treguar nga Presidenti Harold B. Li:

Presidenti Harold B. Li

“Disa vite më parë … unë shërbeva si president kunji. Ne kishim një rast shumë të rëndë që duhej të paraqitej përpara këshillit të lartë dhe presidencës së kunjit, i cili përfundoi në shkishërimin e një njeriu që kishte lënduar një vajzë të re të bukur. Pas një sesioni që zgjati pothuaj gjithë natën e që përfundoi me atë masë, mëngjesin vijues unë shkova në zyrën time mjaft i lodhur dhe u përballa me vëllanë e këtij njeriu, të cilin ne [e takuam në këshill] një natë më parë. Ky burrë tha: ‘Dua t’ju them se vëllai im nuk qe fajtor për atë që ju e akuzuat’.

‘Si e dini ju që ai nuk ishte fajtor?’ e pyeta unë.

‘Sepse u luta dhe Zoti më tha se ai qe i pafajshëm’, u përgjigj burri” (Teachings of Harold B. Lee, red. Clyde J. Williams [1996], f. 420–421).

  • Sipas mendimit tuaj, si mund të ketë marrë burri një përgjigje [që ishte] në kundërshtim me vendimin e marrë nga presidenca e kunjit dhe këshilli i lartë?

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 102, përmban parime që na ndihmojnë të kuptojmë se si presidencat e kunjit dhe këshillat e lartë kërkojnë të dinë vullnetin e Zotit për mënyrën se si t’i ndihmojnë anëtarët e Kishës që kanë kryer shkelje të rënda.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 102:1. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se çfarë është një këshill i lartë.

  • Çfarë është një këshill i lartë? (Një grup prej 12 priftërinjsh të lartë të kryesuar nga “një ose tre presidentë”. Në Kishë sot, një president kunji dhe këshilltarët e tij kryesojnë mbi një këshill të lartë.)

Shpjegoni se këshilli i lartë i përshkruar te Doktrina e Besëlidhje 102, ishte i ndryshëm në disa mënyra nga këshillat e lartë që janë sot në kunje. Ai kishte juridiksion të përgjithshëm në Kirtland të Ohajos e në zonat përreth dhe kryesohej nga Presidenca e Parë. Megjithatë, kur anëtarësia e Kishës u rrit, u organizuan kunje dhe presidencat e kunjeve dhe këshillat e lartë u thirrën për të administruar Kishën brenda kufijve të vetë kunjit të tyre.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 102:2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar qëllimin e një këshilli të lartë dhe se si caktohet ai.

  • Si caktohet një këshill i lartë? Cili është qëllimi i tij?

Pasi studentët t’i përgjigjen pyetjeve më sipër, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Një këshill i lartë caktohet me anë të zbulesës për të zgjidhur vështirësi të rëndësishme që ngrihen në Kishë. Shpjegoni se “vështirësi të rëndësishme” përgjithësisht i referohet situatave në të cilat anëtarët kanë bërë shkelje të rënda.

Shpjegoni se rrëfimi i Presidentit Li në fillim të mësimit jep një shembull të një përgjegjësie të këshillit të lartë: të veprojë si një këshill disiplinor i Kishës, nën drejtimin e presidencës së kunjit. Për ta ndihmuar klasën ta kuptojë qëllimin e këshillave disiplinorë, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese. Vëreni klasën të dëgjojë tre qëllimet e këshillave disiplinorë të Kishës.

“Shkeljet më të rënda, të tilla si: dhunime të rënda të ligjit civil, dhunimi i bashkëshortit/es, dhunimi i fëmijës, kurorëshkelja, kurvërimi, përdhunimi dhe incesti, shpesh kërkojnë disiplinë zyrtare të Kishës. Disiplina zyrtare e Kishës mund të përfshijë kufizimin e privilegjeve të anëtarësisë në Kishë apo humbjen e anëtarësisë në Kishë. …

… Qëllimet e këshillave disiplinorë janë: 1] të shpëtojë shpirtrat e shkelësve, 2] të mbrojë të pafajshmit dhe 3] të ruajë pastërtinë, integritetin dhe emrin e mirë të Kishës.

Disiplina e Kishës është një proces i frymëzuar që ndodh gjatë një periudhe kohe. Nëpërmjet këtij procesi dhe nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, një anëtar mund të marrë falje të mëkateve, të rifitojë paqen e mendjes dhe të marrë fuqi për të shmangur shkelje në të ardhmen” (Të Vërtetë Ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 67–68).

  • Cilët janë tre qëllimet e këshillave disiplinorë të Kishës?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 102:4. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar fraza që përshkruajnë mënyrën se si anëtarët e një këshilli të lartë duhet ta përmbushin thirrjen e tyre. Pastaj ftojini studentët të raportojnë atë që kanë gjetur.

Doktrina e Besëlidhje 102:6–34

Vendosen procedurat për një këshill disiplinor

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 102:6–11, duke u thënë studentëve se këto vargje shpjegojnë se si duhet të funksionojë një këshill i lartë kur nuk janë të pranishëm të gjithë anëtarët e tij. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 102:12–14 për të mësuar se si zgjidhen për të folur anëtarët e një këshilli të lartë në një këshill disiplinor. Pastaj ftojini studentët të raportojnë atë që kanë gjetur.

  • Çfarë do të thotë të hedhësh short? (Në këtë rast, do të thotë se anëtarët e këshillit tërheqin numrat nga 1 deri në 12.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 102:15–18 dhe vëreni klasën të kërkojë arsyet përse një këshill i lartë i tërheq numrat.

  • Çfarë mësojmë nga vargjet 15–16 rreth mënyrës se si duhet të drejtohen këshillat disiplinorë? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruajeni në tabelë sa më poshtë: Në Kishën e Jezu Krishtit, këshillat disiplinorë duhet të drejtohen sipas barazisë dhe drejtësisë.)

  • Nëse një këshilltar i lartë tërheq një numër çift gjatë një këshilli disiplinor, cila është përgjegjësia e tij? Si e tregon kjo shqetësimin e Zotit për anëtarët e Kishës që kryejnë mëkat të rëndë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 102:19. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që duhet të bëjë presidenti i këshillit pasi ta dëgjojë çështjen nga të dyja palët. Pastaj ftojini studentët të raportojnë atë që kanë gjetur.

  • Si do ta ndihmonte presidentin e kunjit për të marrë një vendim, të dëgjuarit së pari të anëtarëve të këshillit të flisnin për interesat e të akuzuarve si edhe për interesat e Kishës?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli dhe ftojeni klasën të vërejë atë që bën presidenti i këshillit përveçse dëgjon të dyja palët për çështjen:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Dëshiroj t’ju siguroj … që unë mendoj se nuk jepet kurrë një gjykim përpara se të bëhet lutja. Masa kundër një anëtari është një çështje shumë serioze për t’u marrë vetëm nga gjykimi i njerëzve dhe veçanërisht prej një njeriu të vetëm. Duhet të ketë udhëheqje të Shpirtit, e kërkuar me zell dhe më pas të ndiqet, nëse duhet të ketë drejtësi” (“In … Counsellors There Is Safety”, Ensign, nëntor 1990, f. 50).

  • Çfarë bën presidenti i kunjit përveçse dëgjon të dyja palët e një çështjeje?

  • Sipas vargut 19, çfarë i kërkon presidenti këshillit që të bëjë pasi ai merr një vendim?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 102:20–22, duke shpjeguar se këto vargje japin udhëzime rreth asaj që duhet bërë nëse ka pasiguri rreth vendimit.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 102:23. Kërkojini klasës që ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që duhet bërë në rastet kur çështjet doktrinore janë të paqarta. Ftojini studentët të raportojnë atë që mësojnë.

  • Cila e vërtetë jepet mësim në vargun 23? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti ia zbulon mendjen e Tij atyre që kryesojnë mbi këshillat disiplinorë.)

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 102:27–34, duke shpjeguar se vendimet e këshillit disiplinor të kunjit mund të apelohen në Presidencën e Parë.

Rishikoni me studentët rrëfimin e treguar nga Presidenti Harold B. Li në fillim të këtij mësimi.

  • Te kush do të kishit më shumë mirëbesim – te presidenca e kunjit dhe këshilli i lartë apo te njeriu që e sfidoi vendimin e tyre?

  • Bazuar te të vërtetat që keni mësuar në studimin tuaj për Doktrinën e Besëlidhjen 102, përse ne mund të vendosim mirëbesim te vendimet e marra nga këshillat disiplinorë të Kishës?

Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të ftoni një student që ta lexojë me zë të lartë pjesën e mbetur të rrëfimit të Presidentit Li:

Presidenti Harold B. Li

“I kërkova atij të hynte në zyrën time dhe u ulëm, dhe e pyeta: ‘A e keni problem nëse ju bëj disa pyetje vetjake?’

Ai tha: ‘Sigurisht që jo.’ …

‘Sa vjeç jeni?’

‘Dyzet e shtatë.’

‘Çfarë priftërie mbani?’

Ai tha që mendonte se ishte mësues.

‘A e mbani Fjalën e Urtësisë?’

‘Epo, jo.’ …

‘A e paguani të dhjetën tuaj?’

Ai tha: ‘Jo’ – dhe nuk kishte ndërmend ta bënte për aq kohë sa ai … burrë të qe peshkopi i lagjes Tridhjetë e Dy.

Unë thashë: ‘A merrni pjesë në mbledhjet tuaja të priftërisë?’

Ai u përgjigj: ‘Jo, zotëri!’ …

‘As në mbledhjet tuaja të sakramentit nuk merrni pjesë?’

‘Jo, zotëri!’

‘A i bëni lutjet tuaja familjare?’ dhe ai tha jo.

‘A i studioni shkrimet e shenjta?’ Ai tha se vështrimi i tij ishte i dobët dhe nuk mund të lexonte shumë. …

‘Epo, atëherë,’ thashë unë, ‘pesëmbëdhjetë nga burrat më të mirë që jetojnë në kunjin Pioner u lutën mbrëmë. … dhe të gjithë burrat ishin të bashkuar. … Tani ju, që nuk bëni asnjë nga këto gjëra, ju thoni se u lutët dhe morët një përgjigje të kundërt. Si do ta shpjegonit këtë?’

Pastaj ky njeri më dha një përgjigje çka mendoj se ishte përsosmërisht e duhura. Ai tha, ‘Mirë, Presidenti Li, mendoj se duhet ta kem marrë përgjigjen nga burimi i gabuar’” (Teachings of Harold B. Lee, f. 421–422).

Merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj lidhur me arsyen përse ne mund t’u besojmë vendimeve të presidencave të kunjit dhe këshillave të lartë në Kishë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 102. Këshillat disiplinorë të Kishës

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi sa më poshtë rreth këshillave disiplinorë të Kishës:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Anëtarët ndonjëherë pyesin përse mbahen këshillat disiplinorë të Kishës. Qëllimi është i trefishtë: të shpëtojë shpirtin e shkelësit, të mbrojë të pafajshmin dhe të ruajë pastërtinë, integritetin dhe emrin e mirë të Kishës.

Presidenca e Parë ka udhëzuar se këshillat disiplinorë duhet të mbahen në rastet e vrasjes, incestit, [dhunimit të fëmijës (seksualisht ose fizikisht),] ose braktisjes së Kishës. Një këshill disiplinor duhet të mbahet edhe kur një udhëheqës i njohur i Kishës kryen një shkelje të rëndë, kur shkelësi është një dhunues i cili mund të jetë kërcënim për persona të tjerë, kur individi shfaq një model të përsëritur të shkeljeve të rënda [dhe] kur një shkelje e rëndë njihet gjerësisht. …

Këshillat disiplinorë mund të mblidhen edhe për të marrë në shqyrtim qëndrimin e një anëtari në Kishë pas një shkelje të rëndë, të tillë si: aborti, operacioni transeksual, vrasje në tentativë, përdhunimi, abuzimi seksual me dhunë, shkaktimi me dashje i dëmtimeve të rënda fizike tek të tjerët, kurvërimi, marrëdhëniet homoseksuale … dhunimi i/e bashkëshortit/es, braktisja e qëllimshme e përgjegjësive familjare, plaçkitja, grabitja, shpërdorimi, vjedhja, shitja e drogave të paligjshme, mashtrimi, dëshmia e rreme ose betimi i rremë. [Një këshill disiplinor mund të mblidhet edhe kur një shkelës është fajtor për praktika të rënda të mashtrimit, përfaqësimeve të rreme apo formave të tjera të mashtrimit ose pandershmërisë në veprimet tregtare.]

Këshillat disiplinorë nuk thirren për të gjykuar raste civile apo kriminale. Vendimi i një gjykate civile mund të ndihmojë për të përcaktuar nëse duhet të mblidhet një këshill disiplinor i Kishës. Megjithatë, vendimi i një gjykate civile nuk dikton vendimin e një këshilli disiplinor.

Këshillat disiplinorë nuk mbahen për gjëra të tilla si mospagimin e së dhjetës, mosbindjen ndaj Fjalës së Urtësisë, mospjesëmarrjen në Kishë apo mospranimin e mësuesve të shtëpisë. Ato nuk mbahen për falimentimin e bizneseve apo mospagimin e borxheve. Ato nuk janë hartuar për të zgjidhur mosmarrëveshje midis anëtarëve. As nuk mbahen për anëtarë të cilët kërkojnë që emrat e tyre të hiqen nga dokumentet e Kishës apo [që bëhen më pak aktivë]. …

Një këshill disiplinor fillon me një lutje të hapjes, ndiqet nga një deklaratë e arsyes përse po mblidhet këshilli. Anëtarit/es i kërkohet të tregojë në terma të thjeshtë e të përgjithshëm për shkeljen dhe të shpjegojë ndjenjat e tij apo të saj, dhe se çfarë hapash pendimi ka marrë ai ose ajo. Anëtari mund të përgjigjet për t’i qartësuar pyetjet e udhëheqësve. Pastaj ai ose ajo largohet dhe udhëheqësit mblidhen së bashku, luten dhe arrijnë në një vendim.

Këshilli merr në shqyrtim shumë faktorë, të tillë si: nëse janë dhunuar besëlidhjet e tempullit apo të martesës; nëse është dhunuar një detyrë mirëbesimi apo autoriteti; përsëritjen, seriozitetin dhe madhësinë e shkeljes; moshën, pjekurinë dhe përvojën e shkelësit; interesat e viktimave të pafajshme dhe të pjesëtarëve të pafajshëm të familjes; kohën midis shkeljes dhe rrëfimit; nëse rrëfimi qe apo jo i vullnetshëm; dhe provën e pendesës.

Ata që ulen në këshill duhet ta mbajnë çdo gjë shumë të fshehtë dhe ta trajtojnë çështjen me shpirtin e dashurisë. Synimi i tyre nuk është shpagimi; përkundrazi, është që ta ndihmojnë anëtarin të bëjë ndryshimet e nevojshme për të qëndruar i pastër përpara Perëndisë edhe një herë.

Vendimet e këshillit duhet të merren me frymëzim. Një këshill mund të arrijë në një nga katër vendimet: 1) asnjë masë, 2) kohë sprove zyrtare, 3) përjashtim nga shoqërimi ose 4) shkishërim.

Edhe nëse është kryer një shkelje, këshilli mund të vendosë të mos marrë asnjë masë në atë kohë. (Anëtari/ja do të nxitej që të merrte këshillë të mëtejshme nga peshkopi i tij apo i saj.)

Koha e sprovës zyrtare është një gjendje e përkohshme e disiplinës, e vendosur si një mënyrë për ta ndihmuar anëtarin që të pendohet plotësisht. Drejtuesi kryesues i këshillit saktëson kushtet nën të cilat mund të përfundojë koha e sprovës. Gjatë kohës së sprovës, peshkopi ose presidenti i kunjit mban lidhje të ngushta për ta ndihmuar individin të përparojë.

Vendimi i tretë që këshilli mund të marrë është ta përjashtojë nga shoqërimi anëtarin. Përjashtimi nga shoqërimi [ka për qëllim të jetë] i përkohshëm, edhe pse jo domosdoshmërish i shkurtër. Personat e përjashtuar nga shoqërimi e ruajnë anëtarësinë në Kishë. Ata nxiten të marrin pjesë në mbledhjet publike të Kishës, por nuk kanë të drejtë të ofrojnë lutje publike apo të japin biseda. Ata nuk mund të mbajnë një detyrë në Kishë, të marrin sakramentin, të votojnë për mbështetjen e drejtuesve të Kishës, të mbajnë një rekomandim tempulli apo ta ushtrojnë priftërinë. Megjithatë, ata mund të paguajnë të dhjetën e ofertat dhe të vazhdojnë të veshin veshjen e brendshme të tempullit nëse e kanë marrë dhurimin [indaumentin].

Shkishërimi është gjykimi më i ashpër që mund të marrë një këshill disiplinor i Kishës. Personat e shkishëruar nuk janë më anëtarë të Kishës. Prandaj, atyre iu mohohen privilegjet e anëtarësisë në Kishë, duke përfshirë mbajtjen e veshjeve të brendshme të tempullit dhe pagimin e së dhjetës e ofertave. Ata mund të marrin pjesë në mbledhjet publike të Kishës, por, ashtu si edhe personat e përjashtuar nga shoqërimi, pjesëmarrja e tyre në mbledhje të tilla është e kufizuar. Personat e përjashtuar nxiten që të pendohen dhe të jetojnë në mënyrë të atillë që të kualifikohen për një pagëzim të mundshëm” (“A Chance to Start Over: Church Disciplinary Councils and the Restoration of Blessings”, Ensign, shtator 1990, f. 15–16).

Doktrina e Besëlidhje 102:18. Të drejtat e akuzuesit dhe të të akuzuarit

Në vitin 1840, Profeti Jozef Smith dha udhëzime për këshillat e lartë lidhur me të drejtat e atyre që janë akuzuar për mëkat. Parimet që ai dha mësim vazhdojnë të zbatohen sot në këshillat disiplinorë të Kishës. Ai dha mësim:

Profeti Jozef Smith

“Këshilli nuk duhet të gjykojë asnjë çështje pa qenë të pranishme të dyja palët, ose pa pasur mundësinë që të jenë të pranishme; as nuk duhet ta dëgjojnë ata ankesën e një personi përpara se çështja e tij të sillet për gjykim; as nuk duhet të lejojnë që emri i ndonjë njeriu të zbulohet përpara Këshillit të Lartë pa qenë i pranishëm personi dhe i/e gatshëm/me të mbrojë veten e tij apo të saj; që mendja e këshilltarëve të mos priret pro apo kundër ndonjë njeriu, për çështjen e të cilit ata ndoshta duhet të veprojnë” (në History of the Church, 4:154). Nëse një palë apo dëshmitari kryesor nuk është në gjendje të marrë pjesë në një këshill disiplinor, drejtuesi kryesues e fton atë të dorëzojë një deklaratë të shkruar.