Mësimi 150
Pionierët me Karroca Dore, 1856–1860
Hyrje
Shenjtorët që mbërritën në luginën e Solt-Lejkut në vitin 1847, iu futën punës për të zhvilluar burime bujqësore dhe burime të tjera për emigrantët e ardhshëm. Në shtator 1851, Brigam Jangu dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë përsëritën thirrjen që të gjithë shenjtorët që jetonin në Ajoua dhe përreth botës të mblidheshin në luginën e Solt-Lejkut. Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme iu përgjigjën me shumë sakrifica thirrjes së Presidentit Jang. Anëtarë nga Të Dymbëdhjetët u dërguan për të mbikëqyrur emigrimin dhe në vitin 1852, në shtegun për në luginën e Solt-Lejkut, udhëtuan më shumë shenjtorë se në çdo vit tjetër. Përveç kësaj, shumë shenjtorë udhëtuan për në luginën e Solt-Lejkut me kompani të karrocave të dorës midis viteve 1856 dhe 1860.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shenjtorët i binden këshillës për t’u mbledhur në luginën e Solt-Lejkut
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur atyre u është kërkuar të udhëtojnë rreth 2.090 kilometra në këmbë ndërsa tërheqin një karrocë dhe u lejohet të sjellin vetëm 7,7 kilogramë të sendeve vetjake. Pyetni se kush nga klasa do të dilte vullnetar për udhëtimin.
Tregojuni studentëve një fotografi të një karroce dore ose vizatoni në tabelë ilustrimin shoqërues. Shpjegoni se në vitin 1856, Presidenti Brigam Jang propozoi që emigrantët duhej të udhëtonin duke përdorur karroca dore në vend të qerreve për shkak të vështirësive financiare. Karrocat e dorës ishin shumë më pak të shtrenjta dhe do t’u lejonin më shumë shenjtorëve që të emigronin. Midis viteve 1856 dhe 1860, pothuaj 3.000 shenjtorë zgjodhën që të udhëtonin për në perëndim, përgjatë rrafshnaltave të Shteteve të Bashkuara për në Juta, duke i tërhequr sendet e tyre vetjake në karroca dore. Shumica e kompanive të karrocave të dorës ngarkuan pajisje, sende vetjake dhe pak ushqime në karrocat e dorës dhe ecën nga qyteti i Ajouas në Ajoa deri në Solt-Lejk-Siti të Jutës. Tre kompanitë e fundit e filluan udhëtimin e tyre në Firence të Nebraskës.
Paraqitni një kuti ose një kovë me artikuj që në total peshojnë rreth 7,7 kilogramë. Lërini disa studentë t’i ngrenë artikujt. Shpjegoni se një i rritur që udhëtonte në një kompani të karrocave të dorës lejohej të sillte 7,7 kilogramë të sendeve vetjake. Çdo fëmijë mund të sillte rreth 4,5 kilogramë. Sendet vetjake përfshinin veshje dhe artikuj të tjerë. Sendet peshoheshin për çdo individ dhe çdo gjë që e kalonte atë kufi peshe hidhej poshtë.
-
Në qoftë se ju do të kishit qenë njëri prej këtyre pionierëve të karrocave të dorës, çfarë zotërimesh materiale do kishit zgjedhur të sillnit? Përse?
-
Si mendoni ju, përse shenjtorët qenë të gatshëm të sakrifikonin kaq shumë për të shkuar në Juta?
Megjithëse udhëtimi qe i vështirë, tetë nga dhjetë kompanitë e karrocave të dorës, midis viteve 1856 dhe 1860, e përfunduan udhëtimin me sukses. Por në vitin 1856, kompania e katërt dhe e pestë e karrocave të dorës u nisën nga fundi i stinës dhe përjetuan sprova të mëdha. Ato ishin kompania e karrocave të dorës Uilli, e udhëhequr nga Xhejms G. Uilli dhe kompania e karrocave të dorës Martin, e udhëhequr nga Eduard Martin. Pasi udhëtuan pothuaj 1.600 kilometra në perëndim të Ajouas, kompanitë patën mangësi shumë të mëdha në ushqime dhe pajisje. Në tetor, të dyja kompanitë i zunë stuhi të ashpra dimri lart në rrafshnaltat e Uajomit, të cilat e penguan përparimin e tyre. Këta shenjtorë vuajtën tmerrësisht nga i ftohti dhe bora tej mase e madhe. (Merreni parasysh të paraqitni fotografi të pionierëve të karrocave të dorës, të tilla si Pionierët e Karrocave të Dorës i Afrohen Luginës së Solt-Lejkut [Libri i Figurave Artistike (2009), nr. 102; shih edhe LDS.org].)
Nëse është e mundur, jepuni studentëve një kopje të rrëfimit vijues të Aaron dhe Elisabeta Xheksonit. Shpjegoni se familja Xhekson po udhëtonte me kompaninë Martin, e cila zakonisht ishte rreth 160 kilometra prapa kompanisë Uilli. Ftojeni një student ta lexojë rrëfimin me zë të lartë. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar prova të besimit të Aaronit dhe Elisabetës.
-
Çfarë tha Elisabeta se vuajtja e saj për hir të ungjillit do të bënte për të? Çfarë mendoni se do të thotë fraza “shenjtërohen për të mirën time”? (Vuajtja e saj do të bëhej e shenjtëruar dhe e shenjtë në dobi të saj.)
-
Çfarë mund të na ndodhë nëse duhet të vuajmë me durim për hir të ungjillit? (Shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse vuajmë me durim për hir të ungjillit, ai mund të na shenjtërojë për mirë. [Shih DeB 122:7; 2 Nefi 2:2.])
-
Edhe pse ju mund të mos vuani ashtu siç vuajti Elisabet Xheksoni, në ç’mënyrë mund t’ju duhet të vuani për hir të ungjillit? Si mund të bekoheni nëpërmjet këtyre përvojave?
Shpjegoni se gjatë ditëve pasuese pasi Aaron Xheksoni vdiq, kompania Martin shkoi përpara rreth 16 kilometra. Shumë njerëz vdiqën gjatë kësaj kohe. Një natë, gjatë kësaj pjese të udhëtimit, asnjë njeri nuk kishte forcë të mjaftueshme për t’i ngritur çadrat. Elisabet Xheksoni u ul mbi një gur me një nga fëmijët në prehrin e saj dhe me nga një fëmijë në secilën anë të saj. Ajo mbeti në atë pozicion deri në mëngjes. Elisabeta u shkurajua. Pastaj, në natën e 27 tetorit, ajo pati një përvojë që i dha shpresë për shpëtim. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues dhe kërkojini klasës të dëgjojë atë që mësoi Elisabeta në ëndërr.
“Mund të jetë e kuptueshme që në rrethana të tilla të pafavorshme, unë isha bërë e dëshpëruar. Isha larg 9 656 deri në 11 265 kilometra larg vendlindjes sime, në një vend malor të egër e shkëmbor, në një gjendje të pashpresë, terreni i mbuluar me dëborë, uji i mbuluar nga akulli dhe unë, me tre fëmijë jetimë, me pothuaj asgjë për t’i mbrojtur nga stuhitë e pamëshirshme. Kur shkova në shtrat atë natë, duke qenë data 27 tetor, pata një zbulesë mahnitëse. Në ëndërr, bashkëshorti më qëndroi pranë dhe tha – ‘Gëzohu, Elisabet, shpëtimi është afër’” (Leaves from the Life of Elizabeth Horrocks Jackson Kingsford f. 8; shih edhe history.lds.org).
Thuajuni studentëve se ëndrra u përmbush kur shpëtuesit nga Solt-Lejk-Siti e arritën kompaninë Martin ditën vijuese.
Shpjegoni se më 4 tetor 1856, disa javë përpara se stuhitë e dimrit të godisnin kompanitë e karrocave të dorës, udhëtarët i raportuan Presidentit Brigam Jang se kompanitë e pionierëve ishin ende në rrafshnalta dhe mijëra kilometra larg. Të nesërmen, në shërbesën e së dielës, Brigam Jangu foli për shpëtimin e këtyre pionierëve të karrocave të dorës. Ftojeni një student të lexojë segmentet vijuese nga fjalimi i tij. Kërkojini klasës të dëgjojë për një parim që Presidenti Jang po u mësonte shenjtorëve. (Nëse është e mundur, jepuni studentëve një kopje të kësaj thënie në mënyrë që të mund ta ndjekin.)
“Shumë prej vëllezërve dhe motrave tona janë në rrafshnalta me karroca dore dhe ndoshta shumë prej tyre tani janë rreth 1.100 kilometra larg nga ky vend, dhe ata duhet të sillen këtu, ne duhet t’u dërgojmë ndihmë atyre. …
Kjo është feja ime; ky është urdhri i Frymës së Shenjtë që unë zotëroj, që është të shpëtoj njerëzit. … Ky është shpëtimi që tani po kërkoj, t’i shpëtojmë vëllezërit tanë që tani kanë gjasa të vdesin ose të vuajnë tmerrësisht, nëse nuk u dërgojmë ndihmë.
Unë do t’i thërras Peshkopët këtë ditë, nuk do të pres deri nesër, as deri pasnesër, për 60 grupe me mushka të mira dhe 12 ose 15 qerre … [si edhe] 12 ton miell dhe 40 karrocierë të aftë, përveç atyre që tërheqin qerret. …
Unë do t’ju them të gjithëve ju se besimi, feja dhe shprehja e fesë suaj, nuk do të shpëtojnë asnjë shpirt prej jush në mbretërinë çelestiale të Perëndisë sonë, nëse nuk zbatoni parime të tilla të drejta si ato që po ju mësoj tani. Shkoni dhe sillini këta njerëz tani nga rrafshnaltat” (“Remarks”, Deseret News, 15 tetor 1856, f. 252).
-
Çfarë u mësoi shenjtorëve Presidenti Brigam Jang? (Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të kuptojnë se si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet t’i ndihmojmë ata që janë në nevojë.)
Shpjegoni se shumë burra e gra u përgjigjën dhe brenda dy ditësh nga fjalimi i Presidentit Jang, burrat u larguan për të gjetur emigrantët, duke ngarë qerre të ngarkuara me furnizime.
-
Në ç’mënyrë një përpjekje e tillë shpëtuese mund të ketë qenë një sakrificë për shenjtorët në luginën e Solt-Lejkut?
-
Cilat janë disa nga sakrificat që ne mund të bëjmë për t’i ndihmuar njerëzit me nevoja fizike?
-
Cilat janë disa nga sakrificat që mund të bëjmë për t’i ndihmuar njerëzit me nevoja shpirtërore?
Ftojeni një student të lexojë zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B Hinkli. Kërkojini klasës të mbajë vesh për mënyrat shtesë se si mund t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë.
“Jam mirënjohës që sot asnjë nga njerëzit tanë nuk ka ngecur në malësitë në Uajoming. Por unë e di se midis nesh ka shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe që e meritojnë të shpëtohen. Misioni ynë në jetë, si ndjekës të Zotit Jezu Krisht, duhet të jetë një mision shpëtimi. Ka të pastrehë, të uritur, të pashpresë. Gjendja e tyre është e qartë. Ne kemi bërë shumë. Ne mund të bëjmë më shumë për t’i ndihmuar ata që jetojnë në skajet e mbijetesës.
Ne mund t’u shtrijmë dorën atyre që janë zhytur në moçalin e pornografisë, imoralitetit të madh dhe drogave. Shumë njerëz janë bërë kaq të varur, saqë kanë humbur kontrollin e fatit të tyre. Ata janë të mjeruar dhe të shkatërruar. Ata mund të shpëtohen dhe të mbrohen. …
Sot nuk është se ne duhet të shqetësohemi për ata që janë lart në rrafshnaltat e Uajomit. Ne duhet të shqetësohemi menjëherë për ata përreth nesh, në familjet tona, në lagjet dhe kunjet tona, dhe në mëhallat e bashkësitë tona” (“Our Mission of Saving”, Ensign, nëntor 1991, f. 59).
-
Kur e keni parë dikë që t’i ndihmojë ata me nevoja shpirtërore ose fizike? Në ç’mënyrë ndihmuan ata?
Ftojini studentët të përsiatin dhe të luten për të ditur se si mund ta ndihmojnë dikë tjetër. Ju mund t’u jepni atyre një çast për t’i shkruar mendimet e tyre në fletoren e klasës apo në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Për t’i ndihmuar studentët të shohin se ne bekohemi kur i durojmë sprovat me besim, ftojeni një student të lexojë rrëfimin vijues:
Në vitin 1856, Frensis dhe Betsi Uebster kishin para të mjaftueshme që të udhëtonin për në Juta me qerre, por ata ia dhuruan paratë e tyre një fondi që ishte krijuar për të ndihmuar shenjtorët që emigronin për në Juta (Fondi i Qarkullueshëm i Emigrimit). Dhurimi i tyre u lejoi nëntë individëve të tjerë të udhëtonin me karrocë dore. Frensisi dhe Betsi, që po prisnin një fëmijë, udhëtuan për në Solt-Lejk-Siti me kompaninë e karrocave të dorës Martin dhe vuajtën së bashku me pjesën tjetër të kompanisë.
Vite më vonë, ndërsa Vëllai Uebster u ul në klasën e Shkollës të së Dielës, ai i dëgjoi disa anëtarë të Kishës t’i kritikonin udhëheqësit e Kishës për tragjedinë e karrocave të dorës. Në pamundësi për ta përmbajtur veten, ai u ngrit dhe dëshmoi për bekimet e të qenit pjesë e kompanisë së karrocave të dorës Martin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dëshminë e Frensis Uebsterit dhe kërkojuni studentëve të përcaktojnë një mënyrë me anë të cilës u bekuan ata që vuajtën me kompanitë e karrocave të dorës.
“Ju kërkoj ta ndalni këtë kritikë sepse po diskutoni për një çështje për të cilën nuk dini asgjë. Faktet e ftohta historike nuk zënë vend këtu sepse ato nuk japin shpjegimin e duhur për pyetjet në fjalë. A ishte gabim që kompanitë e karrocave të dorës u nisën në fund të stinës? Po. Por unë isha në atë kompani dhe gruaja ime qe në të. … Ne vuajtëm përtej gjithçkaje që ju mund të përfytyroni dhe shumë njerëz vdiqën nga ekspozimi ndaj të ftohtit dhe urisë. Por a keni dëgjuar ndonjëherë një të shpëtuar nga ajo kompani që të shqiptojë ndonjë fjalë kritikuese? …
Kam vështruar shumë herë pas për të parë se kush po e shtynte karrocën time, por sytë e mi nuk panë askënd. Unë e di se Engjëjt e Perëndisë qenë atje.
A më erdhi keq se zgjodha të vija me karrocë dore? Jo. As atëherë, as edhe një minutë të jetës sime që atëherë. Çmimi që paguam për t’u njohur me Perëndinë ishte një privilegj që ta paguanim dhe unë jam mirënjohës që pata privilegjin të vija në Sion me Kompaninë e Karrocave të Dorës Martin” (në William R. Palmer, “Pioneers of Southern Utah”, The Instructor, vëll. 79, nr. 5 [maj 1944], f. 217–218).
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga dëshmia e Frensis Uebsterit? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i durojmë me besnikëri vuajtjet, ne mund të njihemi me Perëndinë.)
-
Çfarë lloj qëndrimesh apo sjelljesh keni parë tek ata që e kanë duruar vuajtjen me besnikëri? Në çfarë mënyrash jeni njohur me Perëndinë nëpërmjet sprovave që keni hasur?
Ftojini disa studentë që të tregojnë dëshminë e tyre për një prej parimeve të mësuara sot në mësim. Ju mund të doni të shtoni vetë dëshminë tuaj.