Mësimi 23
Doktrina e Besëlidhje 18:17–47
Hyrje
Jozef Smithi e mori këtë zbulesë për veten e tij, Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin në qershor të vitit 1829. Pasi i thirri të dy burrat që të shpallnin pendim, Shpëtimtari u mësoi atyre rëndësinë e marrjes mbi vete të emrit të Tij. Ai përmendi thirrjen së afërmi të Dymbëdhjetë Apostujve dhe dëshirën që ata do të kishin për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit “me qëllim të plotë të zemrës” (DeB 18:27). Më pas Zoti i dha Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit përgjegjësinë për të kërkuar burra që mund të shërbenin si anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 18:17–25
Jezu Krishti jep mësim se emri i Tij është i vetmi emër me anë të të cilit ne mund të shpëtohemi
Ftojini një ose dy studentë që t’i shkruajnë mbiemrat e tyre në tabelë. Bëjuni studentëve pyetjet vijuese:
-
Çfarë do të thotë për ju mbiemri juaj?
-
Çfarë privilegjesh dhe përgjegjësish vijnë me atë emër? (Privilegjet mund të përfshijnë një vend për të jetuar, dashuri në familje, siguri dhe të qenit i rritur në Kishë. Përgjegjësitë mund të përfshijnë të ndihmuarit për ta mbajtur shtëpinë të sigurt, trajtimin e pjesëtarëve të familjes me respekt, bërjen e punëve të shtëpisë dhe sjelljen nder emrit të familjes.)
Kujtojuni studentëve se Zoti i thirri Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin për të shpallur pendim (shih DeB 18:6, 9, 14). Shpjegoni se pasi Zoti u dha atyre këtë udhëzim, Ai u foli rreth privilegjeve dhe përgjegjësive të marrjes mbi vete të emrit të Tij.
Kopjojeni tabelën vijuese në dërrasë, por mos i përfshini përgjigjet në rreshtin e fundit. Ftojini studentët ta kopjojnë tabelën në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 18:17–25 dhe të përcaktojnë privilegjet dhe përgjegjësitë që vijnë me marrjen mbi vete të emrit të Jezu Krishtit. Kërkojuni atyre të shkruajnë atë që kanë zbuluar në rreshtin e fundit të tabelës.
Privilegjet |
Përgjegjësitë |
---|---|
Të marrim Frymën e Shenjtë dhe të mësohemi nga Ai T’i ftojmë të tjerët të pagëzohen dhe të durojnë deri në fund Të marrim shpëtimin në mbretërinë e Atit |
Të kemi besim, shpresë dhe dashuri hyjnore Të shmangim grindjen me kishat e tjera Të themi të vërtetën me qartësi Të pendohemi dhe të durojmë deri në fund |
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 18:23, përse është e rëndësishme që të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Emri i Jezu Krishtit është i vetmi emër me anë të të cilit ne mund të shpëtohemi. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë këshillën e Plakut Ballard për mënyrën se si duhet ta marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit:
“Ne e marrim mbi vete emrin e Krishtit në ujërat e pagëzimit. Ne e përtërijmë efektin e atij pagëzimi çdo javë ndërsa marrim sakramentin, duke treguar gatishmërinë tonë për të marrë mbi vete emrin e Tij dhe duke premtuar se gjithmonë do ta kujtojmë Atë (shih DeB 20:77, 79) …
Neve na është kërkuar të qëndrojmë si dëshmitarë të Tij. … Kjo do të thotë se ne duhet të jemi të gatshëm t’u tregojmë të tjerëve se cilin ndjekim dhe Kishës së kujt i përkasim: Kishës së Jezu Krishtit. Ne me siguri dëshirojmë ta bëjmë këtë me një frymë dashurie dhe dëshmie. Ne duam ta ndjekim Shpëtimtarin duke shpallur me thjeshtësi e qartësi, por sidoqoftë me përulësi se ne jemi anëtarë të Kishës së Tij” (“Rëndësia e një Emri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 79–80).
-
Në ç’mënyrë sugjeroi Plaku Ballard, ne duhet t’u tregojmë të tjerëve se ndjekim Jezu Krishtin?
-
Në Doktrina e Besëlidhje 18:19–20, Zoti i urdhëroi Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin të kishin besim, shpresë e dashuri hyjnore dhe të shmangnin grindjen me kishat e tjera dhe anëtarët e tyre. Si mendoni, përse është e rëndësishme që ne t’i bëjmë këto gjëra si ndjekës së Jezu Krishtit?
Ju mund të doni t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se te Doktrina e Besëlidhje 18:20, fraza “kish[a e] djallit” nuk i referohet një kishe të veçantë. Ajo i referohet çdo personi, grupi, organizate ose filozofie që punon kundër Kishës së Jezu Krishtit dhe shpëtimit të fëmijëve të Perëndisë.
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një mënyre se si mund t’u tregojnë të tjerëve se ata e ndjekin Jezu Krishtin.
Doktrina e Besëlidhje 18:26–47
Zoti zbulon thirrjen dhe misionin e Dymbëdhjetë Apostujve
Shpjegoni që Zoti foli për burra [të tjerë] përveç Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit, të cilët do të merrnin mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe do të shpallnin ungjillin e Tij. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 18:27–32 dhe të shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese. (Shkruajini këto pyetje në tabelë përpara orës mësimore ose përgatitini si fletushka për shpërndarje për secilin student.)
Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, kërkojuni studentëve që të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e parë të shkruar në tabelë. Pastaj bëni pyetjen vijuese:
-
Si mendoni, çfarë do të thotë të marrësh mbi vete emrin e Jezu Krishtit me qëllim të plotë të zemrës?
Ftojini disa studentë që të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e dytë të shkruar në tabelë. Një parim që studentët duhet ta dallojnë, është që Dymbëdhjetë Apostujt e Zotit thirren për t’ia predikuar dhe administruar ungjillin të gjithë botës. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:37–39. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar përgjegjësinë që Perëndia i dha Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit.
-
Çfarë i urdhëroi Zoti të bënin Oliverin dhe Dejvidin? (Të kërkonin burra që Zoti do t’i thërriste si anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në ditët e mëvonshme.)
-
Si do të ishin ata të aftë të dinin se cilët duhej të thirreshin si Apostuj? (Apostujt e ardhshëm do të demonstronin dëshirat dhe veprat për të cilat kishte folur Zoti.)
Shpjegoni se edhe Martin Harrisi mori përgjegjësinë për t’i kërkuar të Dymbëdhjetë Apostujt. Anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në ditët e mëvonshme u thirrën më 14 shkurt 1835, pothuaj pesë vjet pas organizimit zyrtar të Kishës. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 18 na ndihmon të kuptojmë rëndësinë e këtij kuorumi duke përvijuar rolin e Apostujve në Kishën e Jezu Krishtit.
Ftojini studentët të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e tretë të shkruar në tabelë, duke u kërkuar atyre të thonë anëtarët e tanishëm të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nëse është e mundur, paraqitni fotografi të këtyre burrave. Fotografitë janë të gjindshme në botimet e majit dhe të nëntorit në Ensign dhe Liahona dhe në lds.org/church/leaders.
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Përpara se studenti të lexojë, shpjegoni se Plaku Holland i dha këto përshtypje në fjalimin e tij të parë në konferencën e përgjithshme si një Apostull i sapothirrur.
“Qartësisht, emocioni im më i madh dhe kuptueshmëria më e gëzueshme nga të gjitha gjërat që kam kuptuar, është që unë kam mundësinë, ashtu siç e shprehu edhe Nefi, të ‘flas për Krishtin, … [të] gëzohem në Krishtin, … [të] predikoj për Krishtin, [dhe të] profetizoj për Krishtin’ (2 Nefi 25:26) kudo që mund të jem dhe me këdo që mund ta gjej veten, derisa fryma e fundit e jetës sime të jetë larguar. Me siguri nuk mund të ketë qëllim më të lartë apo privilegj më të madh se sa ai i të qenit ‘[dëshmitar i] veçantë [i] emrit të Krishtit në gjithë botën’ (DeB 107:23).
… Përtej fjalëve të mia dhe mësimeve e dëshmisë së dhënë, jeta ime duhet të jetë pjesë e asaj dëshmie për Jezusin. Vetë qenia ime duhet të pasqyrojë hyjnueshmërinë e kësaj pune. Nuk do të mund të duroja nëse ndonjë gjë që mund të them apo bëj ndonjëherë, ta zvogëlojë në ndonjë mënyrë besimin tuaj te Krishti, dashurinë tuaj për këtë kishë, apo respektin që ju mbani për apostullimin e shenjtë.
Unë ju premtoj – ashtu siç i kam premtuar Zotit dhe këtyre vëllezërve të mi – se do të përpiqem të jetoj i denjë për këtë mirëbesim dhe do të shërbej në përmasën e plotë të aftësisë sime” (“Miracles of the Restoration”, Ensign, nëntor 1994, f. 31).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:27.
-
Në ç’mënyrë ju ndihmon dijenia se ata që shërbejnë si Apostuj kanë marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit me qëllim të plotë të zemrës? Si mund ta ndjekim shembullin e tyre?
Ftojini një ose dy studentë që t’ju ndihmojnë me një veprimtari. Lidhuni sytë këtyre studentëve ose kërkojuni atyre të mbyllin sytë e tyre. Ftojini disa studentë të tjerë të lexojnë me radhë duke folur me zë normal. Kërkojini një studenti me sy të mbyllur të thotë emrat e atyre që flasin. Pastaj bëni pyetjen vijuese:
-
Përse disa zëra janë më të lehtë për t’u njohur se të tjerët? (Studentët mund të venë në dukje se sa më shpesh e dëgjojmë një zë, aq më i njohur dhe më i dallueshëm bëhet ai.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:34–36, 47. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë një mënyrë që Zoti tha se ne mund ta dëgjojmë zërin e Tij. (Mund t’ju duhet të shpjegoni se te vargu 34, fraza “këto fjalë” i drejtohet zbulesave në Doktrinën e Besëlidhjet.)
-
Sipas këtyre vargjeve, si mund ta dëgjojmë zërin e Zotit? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por sigurohuni që parimi vijues është i qartë: Ne mund ta dëgjojmë zërin e Jezu Krishtit kur i lexojmë shkrimet e shenjta me anë të fuqisë së Shpirtit. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
-
Në ç’mënyrë studimi i shkrimeve të shenjta na ndihmon ta dëgjojmë zërin e Jezu Krishtit?
Ndihmojini studentët të kuptojnë se ne mund ta dëgjojmë zërin e Zotit në mënyra që nuk janë të dëgjueshme për veshët tanë. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim ndjenja dhe mesazhe për mendjen dhe zemrën tonë (shih DeB 8:2–3).
Referojuni të vërtetës që keni shkruar në tabelë.
-
Si mund të ndikojë kjo e vërtetë te mënyra se si mendoni për shkrimet e shenjta? Si mund t’ju udhëheqë ajo ndërsa zgjidhni kohën dhe vendin në të cilin ju i lexoni shkrimet e shenjta?
-
Kur e keni ndier Zotin t’ju frymëzojë teksa keni lexuar ose përsiatur shkrimet e shenjta?
Nxitini studentët t’i studiojnë shkrimet e shenjta çdo ditë dhe të jenë të zellshëm për të kërkuar dhe kuptuar zërin e Zotit. Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 18:40–47 duke shpjeguar se Zoti pohoi që Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe anëtarë të ardhshëm të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve do të merrnin bekime të mëdha nëse do të ishin besnikë në zbatimin e urdhërimeve të Tij. Ju mund të doni ta mbyllni këtë mësim duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar me studentët.