Seminare dhe Institute
Mësimi 99: Doktrina e Besëlidhje 94–96


Mësimi 99

Doktrina e Besëlidhje 94–96

Hyrje

Zoti e dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 94 më 2 gusht 1833 dhe i udhëzoi shenjtorët që të projektonin qytetin e Kirtlandit, të ngjashëm me mënyrën se si Ai i kishte urdhëruar ata ta projektonin qytetin e Sionit në Misuri. Zoti gjithashtu i urdhëroi shenjtorët të ngrinin një shtëpi për presidencën (një ndërtesë administrimi të Kishës) dhe një shtëpi shtypshkronje, përveç tempullit, të cilin Ai i kishte urdhëruar më parë shenjtorët që ta ndërtonin. Dy muaj më parë, më 1 qershor 1833, Jozef Smithi mori zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 95, në të cilën Zoti i ndëshkoi shenjtorët që po e vononin ndërtimin e tempullit. Doktrina e Besëlidhje 96 përmban udhëzimin e Zotit për ta caktuar Njull K. Uitnin që të “ngarkohet me përgjegjësi” (DeB 96:2) për pronën në të cilën tempulli i Kirtlandit do të ndërtohej.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 94

Zoti i urdhëron shenjtorët të ndërtojnë dy shtëpi dhe ripohon nevojën për ta ndërtuar tempullin

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se ata kanë mundësinë për të udhëtuar përmes një shteti me shumë qytete. Teksa udhëtojnë, ata vënë re se ka një stadium sportiv në qendër të çdo qyteti.

  • Çfarë mund të sugjerojë kjo rreth popullit të këtij shteti?

  • Nëse ju do të projektonit një qytet të madh, çfarë do të vendosnit në qendër të qytetit? Përse?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 94:1, 3, 10. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë tri ndërtesa që Zoti i urdhëroi shenjtorët t’i ndërtonin në Kirtland të Ohajos. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.

Planimetria e Kirtlandit

Përzgjedhje nga një plan i Kirtlandit të Ohajos rreth gushtit të vitit 1833. Tri ndërtesat në të djathtë përfaqësojnë Tempullin e Kirtlandit, një shtëpi në të cilën Presidenca mund ta kryente punën e saj dhe një shtypshkronjë.

  • Këto tri ndërtesa tregojnë se cilat gjëra janë të rëndësishme për Zotin? (Ordinancat e tempullit, puna e Presidencës së Parë për marrjen e zbulesave dhe për shërbesën ndaj Kishës, dhe shtypja e shkrimeve të shenjta dhe e veprave të tjera që urdhëron Zoti.)

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 94:13–17 duke shpjeguar se Zoti i udhëzoi Hajrëm Smithin, Rejnolds Kahunin dhe Xhered Karterin për të formuar një komitet ndërtimor për godinat e përmendura te Doktrina e Besëlidhje 94.

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 94:16 për të gjetur atë që Zoti ua tha shenjtorëve lidhur me ndërtimin e godinave për presidencën dhe për shtypshkronjën. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Si mendoni, përse ishte e rëndësishme që tempulli të ndërtohej përpara dy ndërtesave të tjera? Çfarë mund të na mësojë kjo rreth rëndësisë së tempujve? (Ju mund të doni t’i bëni me dije studentët se dy ndërtesat e tjera nuk u ndërtuan kurrë.)

Doktrina e Besëlidhje 95

Zoti i ndëshkoi shenjtorët për vonesën në ndërtimin e tempullit

Kujtojini studentët se Zoti fillimisht e dha urdhërimin për ta ndërtuar Tempullin e Kirtlandit te Doktrina e Besëlidhje 88:119, e cila u shënua më 27 dhe 28 dhjetor 1832. (Shkruajeni këtë datë në tabelë.) Ftojini studentët të kërkojnë në hyrjen e seksionit të Doktrina e Besëlidhjes 95 datën kur u dha kjo zbulesë. Kërkojuni atyre të llogaritin përafërsisht se sa kohë kaloi midis këtyre dy datave. Shpjegoni se gjatë kësaj kohe udhëheqësit e Kishës siguruan pronë në Kirtland, në të cilën ta ndërtonin tempullin. Megjithatë, deri më 1 qershor 1833, shenjtorët nuk e kishin filluar ndërtimin e tempullit, as madje përgatitjen e themelit.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 95:1–3. Kërkojini klasës të përcaktojë atë që Zoti u tha shenjtorëve lidhur me vonesën e tyre në ndërtimin e tempullit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.

  • Çfarë bën Zoti për ata që Ai i do? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Perëndia i ndëshkon ata që Ai i do. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që na e mësojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Çfarë do të thotë të ndëshkosh? (Të disiplinosh ose korrigjosh.) Sipas këtyre vargjeve, përse i ndëshkon Perëndia ata që Ai i do?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si priren të përgjigjen ata kur ndëshkohen apo korrigjohen nga dikush tjetër. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë tregimin vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrat se si disa prej shenjtorëve iu përgjigjën ndëshkimit të Zotit:

Pasi Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 95, udhëheqësit e Kishës mbajtën një konferencë për të diskutuar rreth ndërtimit të tempullit. “Disa ishin në favor të ndërtimit të një shtëpie me skelet druri, por të tjerët ishin të mendimit të ngrinim një shtëpi me trarë. Jozefi i kujtoi se ata nuk po ndërtonin një shtëpi për një njeri, por për Perëndinë; ‘dhe a do ta ndërtojmë ne, vëllezër’, tha ai, ‘një shtëpi për Perëndinë tonë, me trungje? Jo, unë kam një plan më të mirë sesa ai. Unë kam një plan për shtëpinë e Zotit, të dhënë nga vetë Ai.’” Pasi Jozefi e shpjegoi modelin e plotë të tempullit, të gjithë vëllezërit u emocionuan. Ata udhëtuan drejt vendit të ndërtimit, hoqën një gardh dhe e niveluan një tokë me grurë që ishte mbjellë më parë nga familja Smith. Pasi u pastrua gruri, Hajrëm Smithi “filloi gërmimin e një hendeku për murin”. (Lucy Mack Smith, History of Joseph Smith by His Mother, red. Preston Nibley [1958], f. 230, 231.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga këta shenjtorë rreth mënyrës se si t’i përgjigjemi ndëshkimit?

Vini në dukje se te vargu 3 Zoti e përshkroi vonesën e shenjtorëve në ndërtimin e tempullit si “një mëkat shumë të rëndë”. Ftojini studentët ta shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 95:5–6 për të parë se me çfarë i krahasoi Zoti mëkatet shumë të rënda. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që mësuan.

  • Si mund të jetë mospërfillja e urdhërimit të Zotit për ndërtimin e një tempulli, e ngjashme me “ec[jen] në errësirë në mes të ditës”? Si mund të jemi ne duke “ec[ur] në errësirë në mes të ditës”, në qoftë se zgjedhim të mos i përfillim urdhërimet e tjera?

Ftojini studentët ta lexojnë me një partner Doktrinën e Besëlidhjet 95:4, 8–9. Kërkojuni atyre të përcaktojnë arsyet përse Zoti i urdhëroi shenjtorët ta ndërtonin Tempullin e Kirtlandit. (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “që unë të mund të shkaktoj veprën time të mahnitshme” [vargu 4] mund t’i referohet mënyrës se si njerëzit që nuk besojnë në zbulesën, vizitimet qiellore dhe çështje të tjera shpirtërore mund ta shohin Rivendosjen e ungjillit si të mahnitshme.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth arsyes përse Zoti na ka urdhëruar që të ndërtojmë tempuj? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni ta shkruani në tabelë parimin vijues: Në tempuj, Zoti i përgatit shërbëtorët e Tij që të bëjnë punën e Tij dhe iu dhuron atyre fuqi.)

Shpjegoni se fjala dhuroj [indaument] do të thotë t’i jepet dikujt një dhuratë. Të jesh i dhuruar në tempull (të kesh marrë indaumentin) do të thotë të marrësh fuqi dhe dituri shpirtërore. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Presidenti Tomas S. Monson

“Deri sa të keni hyrë në Shtëpinë e Zotit dhe të keni marrë të gjitha bekimet që ju presin atje, ju nuk keni marrë gjithçka që Kisha ka për të ofruar. Bekimet tepër të rëndësishme dhe kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë janë ato bekime që i marrim në tempujt e Perëndisë” (“Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 93).

  • Cilat janë dy ordinanca shpëtuese që mund t’i marrim vetëm në tempujt e Perëndisë? (Dhurimi [indaumenti] i tempullit dhe vulosja e martesës.)

  • Cilat janë disa gjëra që mund t’i bëni tani për t’u përgatitur që t’i merrni këto ordinanca dhe bekime në tempull? (Përgjigjet mund të përfshijnë qenien besnikë ndaj ordinancave dhe besëlidhjeve që i keni marrë tashmë dhe të jetuarin gjithmonë të denjë për një rekomandim tempulli.)

Shpjegoni se ndërtimi i Tempullit të Kirtlandit ishte një detyrë e stërmadhe për shenjtorët. Në pjesën e parë të vitit 1833, kishte më pak se 200 anëtarë të Kishës në Ohajo dhe shumica prej tyre ishin të varfër. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 95:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti premtoi nëse shenjtorët do t’i zbatonin urdhërimet e Tij.

  • Çfarë premtoi Zoti nëse shenjtorët do t’i zbatonin urdhërimet e Tij?

Bëjeni me dije klasën se shenjtorët në Ohajo vazhduan me besim në premtimin e Zotit dhe e ndërtuan tempullin.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 11? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i zbatojmë urdhërimet, ne vërtet do të kemi fuqi për ta bërë atë që Zoti na kërkon të bëjmë.)

  • Cilat janë disa situata që mund të hasni, në të cilat ky parim mund të zbatohet? Kur e keni ndier se ju e morët ndihmën e Zotit për të bërë diçka, ngaqë i zbatuat urdhërimet?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 95:13–17 duke shpjeguar se Zoti dha udhëzime lidhur me përmasat dhe funksionet e dhomave të veçanta të Tempullit të Kirtlandit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë vargun 14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një mënyrë se si Zoti tregoi se Ai do ta përmbushte premtimin e Tij për t’iu dhënë atyre fuqi që ta ndërtonin tempullin. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën. (Ju mund të doni të vini në dukje se Zoti premtoi t’ua tregonte tre njerëzve se si duhej të ndërtohej tempulli. Këta tre njerëz ishin Presidenca e Parë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta shohin se si u përmbush ky premtim, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:

Jozef Smithi, Sidni Rigdoni dhe Frederik G. Uilliamsi u lutën së bashku dhe e panë tempullin në një vegim. Pasi e kishin parë pjesën e jashtme me hollësi, “ndërtesa u duk sikur erdhi tamam mbi [ta]” dhe ata panë pjesën e brendshme të ndërtesës, sikur ata të kishin qenë me të vërtetë brenda ndërtesës (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 289). Më vonë, kur tempulli po i afrohej mbarimit, Frederik G. Uilliamsi tha se dukej sikurse modeli që ai kishte parë në vegim, deri në hollësinë më të vogël, dhe ai nuk mund ta shihte ndryshim midis modelit dhe tempullit që u ndërtua.

  • Në këtë shembull, si u dha Zoti shenjtorëve fuqi për të bërë atë që Ai u kishte kërkuar atyre të bënin?

Doktrina e Besëlidhje 96

Njull K. Uitni caktohet që të marrë përgjegjësinë për të gjithë pronën e mbajtur nga Kisha

Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 96, Zoti udhëzoi që Peshkopi Njull K. Uitni duhej të ngarkohej me përgjegjësinë për pronën e mbajtur nga Kisha. Tempulli do të ndërtohej në vendin e caktuar nga Zoti dhe Peshkopi Uitni do ta ndante atë që mbetej nga prona në pjesë për ata që do të kërkonin një trashëgimi. Disa nga këto pjesë u caktuan për udhëheqësit e Kishës përgjegjës për botimin e zbulesave. Marrja e kësaj trashëgimie do t’i ndihmonte ata t’ia përkushtonin kohën e tyre bërjes së punës së Zotit, e cila përfshinte botimin e fjalës së Perëndisë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 96:4–5. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se si botimi i fjalës së Perëndisë do t’i ndihmonte shenjtorët. Ftojini studentët të raportojnë atë që mësuan.

Shpjegoni se në këtë zbulesë Zoti gjithashtu udhëzoi që Xhon Xhonsoni duhej të pranohej si anëtar i Ndërmarrjes së Bashkuar, e cila mbikëqyrte veprimet financiare, botuese dhe tregtare të Kishës.

Ftojini disa studentë ta përmbledhin atë që kanë mësuar nga ky mësim. Nxitini që të veprojnë sipas të vërtetave që kanë mësuar.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 95:1–2. “Ata që unë i dua, gjithashtu i ndëshkoj”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si ndëshkimi i Perëndisë është provë e dashurisë së Tij:

Plaku Dallin H. Ouks

“Dashuria e Perëndisë është aq e përsosur, sa Ai me dashuri na kërkon t’u bindemi urdhërimeve të Tij, sepse Ai e di se vetëm nëpërmjet bindjes ndaj ligjeve të Tij, ne mund të bëhemi të përsosur siç është Ai” (“Dashuria dhe Ligji”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 27).

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Edhe pse shpesh është e vështirë të durojmë, vërtet, ne duhet të gëzohemi që Perëndia konsideron se ia vlen koha dhe mundimi që të na korrigjojë.

Ndëshkimi hyjnor ka të paktën tre qëllime: 1) të na mbushë mendjen që të pendohemi, 2) të na pastrojë e shenjtërojë ne dhe 3) nganjëherë ta ridrejtojë orientimin e jetës sonë në atë që Perëndia e di se është një shteg më i mirë. …

Le të lutemi për korrigjimin e Tij të frymëzuar nga dashuria” (“Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 98, 100).

Doktrina e Besëlidhje 95:4. “Veprën time të mahnitshme”

Te fraza “veprën time të mahnitshme” flitet për atë që te Isaia 28:21 [quhet “punën e tij të pazakontë”], ku Zoti tha se Ai do t’i korrigjonte njerëzit që nuk besonin se kishin ndonjë nevojë të pendoheshin. Rivendosja e ungjillit dhe themelimi i Kishës së vërtetë mbi tokë është një ngjarje e mahnitshme, e padëgjuar, për njerëzit të cilët i konsiderojnë besimin te zbulesa, vizitimet qiellore dhe çështje të tjera shpirtërore që të jenë marrëzira. Mesazhi i Rivendosjes së ungjillit u predikohet shumë njerëzve që besojnë se tashmë e kanë të vërtetën. Disa nga këta njerëz mund t’i konsiderojnë përpjekjet tona të mahnitshme [apo të padëgjuara].

Doktrina e Besëlidhje 95:8–9. Çfarë është një dhurim [indaument] “me fuqi nga lart”?

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Një dhurim [indaument] është dhënia e një dhurate ose e një trashëgimie. Në Kishë zakonisht dhurimi [indaumenti] i referohet një ordinance të tempullit, në të cilën anëtarët bëjnë premtime të caktuara dhe në shkëmbim marrin një dhuratë të diturisë dhe fuqisë shpirtërore. Dhurimi [indaumenti] për të cilin flitet këtu, megjithatë nuk është njësoj si ceremonia e administruar në tempujt e mëvonshëm. Anëtarët e Priftërisë në Kirtland vërtet morën pjesë në një ‘dhurim [indaument] të pjesshëm, [sepse] ordinanca e plotë ishte ruajtur për një paraqitje të ardhshme kur një tempull, i caktuar për vetë punën e ordinancave, do të duhej të ndërtohej’ (Bruce R. McConkie, ‘A New Commandment: Save Thyself and Thy Kindred!’ Ensign, gusht 1976, f. 10). Dhurimi [indaumenti] i parë tërësor në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore iu dha Jozef Smithit në Nauvu më 4 maj 1842.

Dhurimi [indaumenti] i marrë në Kirtland përfshiu larjet dhe vajosjet, si edhe larjen e këmbëve për vëllezërit e priftërisë në detyrë. Zoti gjithashtu e derdhi Shpirtin e Tij, ose me fjalë të tjera u dhuroi atyre fuqi shpirtërore, dhe shumë njerëz morën zbulesa ose dhurata të tjera (shih History of the Church, 2:308–310)” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 226).