Mësimi 41
Doktrina e Besëlidhje 36–37
Hyrje
Më 9 dhjetor 1830, dy ditë përpara se të pagëzohej Eduard Partrixhi, Zoti i dha atij një zbulesë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Në këtë zbulesë, e cila tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 36, Zoti e fali Eduard Partrixhin për mëkatet e tij dhe e thirri të predikonte ungjillin. Zoti gjithashtu dha një urdhërim për të gjithë mbajtësit e priftërisë që të predikonin ungjillin. Pak kohë pas marrjes së kësaj zbulese, Jozef Smithi mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 37, në të cilën Zoti i urdhëroi shenjtorët të largoheshin nga Nju-Jorku dhe të mblidheshin në Ohajo.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 36:1–3
Zoti e fal Eduard Partrixhin për mëkatet e tij dhe e thërret atë të predikojë ungjillin
Sillni në klasë një valixhe (ose një çantë shpine) që përmban artikuj që mund t’i nevojiten një misionari kur shërben në një mision kohëplotë. Për shembull, ju mund të përfshini shkrimet e shenjta, këmisha të bardha, kollare, këpucë të mira dhe një kopje të manualit Predikoni Ungjillin Tim. Tregojuni studentëve valixhen e mbyllur dhe ftojini të përfytyrojnë se është paketuar për një misionar, që po shkon për të shërbyer në një mision kohëplotë. Pyetini se çfarë mund të presin që të ketë në valixhe. Më pas hapeni valixhen dhe tregoni përmbajtjen e saj. (Ose ju mund t’i ftoni studentët të punojnë në dyshe për të bërë një listë ose për të vizatuar figura të artikujve që misionarët mund të kenë nevojë në misionet e tyre.)
Shpjegoni se ka gjëra të tjera që iu nevojiten misionarëve, të cilat nuk futen domosdoshmërisht në një valixhe (apo në një çantë shpine). Zoti i përmendi disa prej këtyre gjërave në një zbulesë të drejtuar Eduard Partrixhit. Kjo zbulesë tani gjendet te Doktrina e Besëlidhje 36. Ftojini studentët të kërkojnë çfarë i nevojitet një misionari përpara se ai ose ajo të përgatitet për të shërbyer në një mision, teksa e studiojnë këtë zbulesë. (Ndërkohë që studentët përcaktojnë të vërteta gjatë këtij mësimi, ju mund të dëshironi t’i shkruani ato të vërteta në fletë letre. Më pas ngjitni me shirit ose me një gjilpërë fletët e letrës jashtë valixhes ose çantës së shpinës që studentët t’i shohin. Ju gjithashtu thjesht mund t’i renditni ato në tabelë).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë informacionin e mëposhtëm historik për Doktrinën e Besëlidhjet 36. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që e ndihmoi Eduard Partrixhin ta merrte vendimin për t’u pagëzuar.
Brenda pak javësh pas mbërritjes së Plakut Oliver Kaudëri dhe shoqëruesve të tij në Ohajon verilindore, shumë njerëz ishin pagëzuar në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Edhe pse gruaja e Eduard Partrixhit, Lidia, ishte mes atyre që ishin kthyer në besim dhe ishin pagëzuar nga misionarët, Eduardi ende nuk ishte tërësisht i bindur. Ai dëshironte të takohej me Profetin Jozef Smith përpara se të merrte vendim. Ai dhe Sidni Rigdoni mbërritën në Uoterlu të Nju-Jorkut, ndërkohë që Jozef Smithi ishte në mes të një predikimi. Kur Profeti kishte mbaruar së foluri, Eduardi u ngrit në këmbë që të fliste. Ai raportoi se në udhë e sipër për në Uoterlu, ai kishte folur rreth karakterit të familjes Smith me fqinjët pranë fermës së familjes Smith në Mançester. I kënaqur me atë që kishte mësuar, Eduardi pyeti nëse Jozefi do ta pagëzonte atë. Ai u pagëzua dy ditë më vonë, më 11 dhjetor 1830. (Shih Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 197, 199, 224.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 36:1 duke kërkuar atë që Zoti i tha Eduard Partrixhit pasi ishte pagëzuar.
-
Çfarë bekimi mori Eduard Partrixhi? (Zoti ia fali mëkatet.)
-
Çfarë përgjegjësie do të kishte Eduardi pasi ai u pagëzua?
-
Si mendoni, përse është e rëndësishme për ata që thirren për të predikuar ungjillin që të pendohen dhe të falen për mëkatet e tyre?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë përse është e rëndësishme për misionarët e ardhshëm që të pendohen për mëkatet e tyre, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se kur Plaku Holland i përdor frazat “luani për kundërshtarin” dhe “vishni uniformën e Shpëtimtarit”, ai po e përqas betejën midis së mirës dhe të ligës me një ndeshje sportive.) Merreni parasysh të përgatitni një kopje të kësaj thënieje për secilin student.
“Në këtë betejë mes së mirës dhe së ligës, ju nuk mund të luani për kundërshtarin sa herë hasni në një tundim dhe pastaj të vishni uniformën e Shpëtimtarit në tempull dhe në kohën e misionit sikur s’ka ndodhur asgjë. … Nuk mund të talleni me Perëndinë. …
… Zoti ka vizatuar vija denjësie për ata që u thirrën të punojnë me Të në këtë punë. Asnjë misionar nuk mund t’i ftojë të tjerët të pendohen për shkelje seksuale, gjuhë përdhosëse apo për shikimin e pornografisë nëse nuk është penduar vetë më parë që i ka bërë këto gjëra. … Shpirti nuk do të jetë me ju dhe fjalët do t’ju ngecin në grykë ndërkohë që i thoni. Ju nuk mund të shtegtoni nëpër ato që Lehi i quajti ‘shtigje të ndaluara’ [1 Nefi 8:28] dhe të prisni që t’i drejtoni të tjerët për te ‘shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar’ [2 Nefi 31:18] – nuk mund të bëhet” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 45).
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë mund të bëjnë tani për të qenë të pastër për shërbimin misionar, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë ftesën vijuese për t’u penduar, gjithashtu nga Plaku Holland:
“Kushdo që të jeni dhe çfarëdo të keni bërë, ju mund të merrni falje. Secili prej jush … mund të lerë pas çdo shkelje me të cilën mund të ndesheni. Kjo është ‘mrekullia e faljes’, kjo është mrekullia e Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. Por ju nuk mund ta bëni pa një zotim veprues ndaj ungjillit dhe nuk mund ta bëni pa pendim, aty ku ai është i nevojshëm. Unë po ju kërkoj … të jeni aktivë dhe të jeni të pastër. Nëse është e nevojshme, unë po ju kërkoj të bëheni aktivë dhe të bëheni të pastër” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, f. 45).
Shpjegoni se, edhe pse Eduard Partrixhi ishte pagëzuar përpara marrjes së kësaj zbulese, ai nuk e kishte marrë ende dhuratën e Frymës së Shenjtë. Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 36:2–3 duke kërkuar atë që Zoti i tha Eduardit rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Bazuar në atë që Zoti i tha Eduard Partrixhit, përse ju nevojitet misionarëve Fryma e Shenjtë si shoqëruesi i tyre?
-
Sipas vargut 2, çfarë do t’i mësonte Fryma e Shenjtë Eduard Partrixhit? Çfarë mendoni se do të thotë të mësoni “gjërat paqësore të mbretërisë”? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, vërini të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 42:61.)
Ju mund t’i ftoni studentët të tregojnë përvoja që i kanë pasur kur Fryma e Shenjtë u ka mësuar atyre gjërat paqësore të mbretërisë. (Kujtojuni studentëve që disa përvoja janë tepër të shenjta apo vetjake për t’u treguar.)
Doktrina e Besëlidhje 36:4–8
Zoti jep një urdhërim lidhur me ata që thirren për të predikuar ungjillin
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 36:4–5, 7. Përpara se studenti të lexojë, vini në dukje se në këto vargje, Zoti po u flet “pleqve të kishës [së Tij]” (DeB 36:7). Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një përgjegjësi që Zoti ua dha mbajtësve të priftërisë.
-
Çfarë përgjegjësie u dha Zoti mbajtësve të priftërisë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Mbajtësit e priftërisë thirren për të predikuar ungjillin.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e kësaj të vërtete dhe se si gjen ajo zbatim në kohën tonë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson.
“Unë ju përsëris atë që profetët kanë dhënë mësim prej kohësh – që çdo i ri i denjë dhe i aftë duhet të përgatitet që të shërbejë në mision. Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë” (“Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 5–6).
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 36:5, çfarë kanë nevojë të bëjnë mbajtësit e priftërisë përpara se të shugurohen dhe të dërgohen për të predikuar ungjillin?
-
Si mund t’i tregojë një i ri Zotit se ai e përqafon urdhërimin për të predikuar ungjillin?
-
Cilin njihni që e ka përqafuar urdhërimin për të predikuar ungjillin? Si ka ndikuar shembulli i këtij personi te ju?
Ju mund të dëshironi të shpjegoni se, edhe pse shërbimi misionar kohëplotë është një detyrë priftërie, edhe të rejat mund të shërbejnë. Presidenti Tomas S. Monson tha:
“Një fjalë për ju motra të reja: ndonëse ju nuk keni të njëjtën përgjegjësi priftërore siç e kanë të rinjtë për të shërbyer misione kohëplota, ju gjithashtu jepni një kontribut të çmuar si misionare dhe ne e mirëpresim shërbimin tuaj” (“Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku”, f. 6).
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 36:6 duke kërkuar mesazhin bazë që Zoti i urdhëron misionarët e Tij ta japin mësim. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë frazën “rrobat e ndotura nga mishi”, shpjegoni se në Izraelin e lashtë veshjet që ndoteshin me sëmundje, digjeshin për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Në këtë varg, Zoti e krahason sëmundjen me mëkatin dhe si rrjedhim na urdhëron ta shmangim gjithçka që lidhet me mëkatin. (Shih Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:428.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 36:7. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën në të cilën mbajtësit e priftërisë duhet ta përqafojnë thirrjen e tyre.
-
Si mund ta “përqafojë [thirrjen e tij] me thjeshtësi zemre” një mbajtës i priftërisë? (Përgjigjet mund të përfshijnë qenien të zotuar ndaj thirrjes së tij dhe shërbimin me sinqeritet e integritet.)
Nëse keni shërbyer një mision kohëplotë, merreni parasysh të tregoni rreth përvojës suaj për ta predikuar ungjillin.
Doktrina e Besëlidhje 37
Zoti e urdhëron Kishën e Tij të mblidhet në Ohajo
Shpjegoni se, ndërkohë që Sidni Rigdoni dhe Eduard Partrixhi ishin kërkues të Kishës në Ohajo, përndjekja e shenjtorëve në Nju-Jork po rritej. Në disa raste, kërcënime u bënë ndaj jetës së udhëheqësve të Kishës dhe armiqtë e tyre po mblidheshin në fshehtësi për të komplotuar shkatërrimin e tyre (shih DeB 38:13, 28–29). Pranë fundit të dhjetorit të 1830-ës, pak javë pasi Sidni Rigdoni dhe Eduard Partrixhi mbërritën në Nju-Jork, Jozef Smithi mori një zbulesë në të cilën Zoti i urdhëroi shenjtorët që t’u largoheshin armiqve të tyre dhe të lëviznin për në Ohajo.
Ftojini tre studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 37:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar përgatitjet që Zoti dëshironte për Jozefin që t’i bënte përpara se të shkonte në Ohajo. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
-
Përse e urdhëroi Zoti Jozef Smithin të shkonte te shenjtorët në Kollsvill?
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje rreth lutjes? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimet vijuese: Nëse lutemi me besim, Zoti do t’iu përgjigjet lutjeve tona. Zoti shpesh i përdor të tjerët për t’iu përgjigjur lutjeve tona.)
-
Kur ka qenë një njeri tjetër një përgjigje ndaj lutjeve tuaja?
Siç nxiteni nga Shpirti, jepni dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet e diskutuara në këtë mësim. Ftojini studentët që të veprojnë sipas asaj që kanë ndier kur i studiuan këto zbulesa.