Mësimi 29
Doktrina e Besëlidhje 21
Hyrje
Nën drejtimin e Profetit Jozef Smith, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua zyrtarisht më 6 prill 1830, në shtëpinë e Piter Uitmer Plakut, në Fajet të Nju-Jorkut. Pothuaj 60 njerëz morën pjesë në mbledhje, e cila u përbë nga lutja, mbështetjet, shugurimet, administrimi i sakramentit dhe konfirmimet. Në këtë mbledhje, Jozef Smithi mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 21. Në këtë zbulesë, Zoti shpalli thirrjen dhe përgjegjësinë e Jozef Smithit dhe i udhëzoi anëtarët e Kishës t’ia vinin veshin fjalës së tij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 21:1–3
Jozef Smithi caktohet si profet dhe shikues i Kishës
Merreni parasysh t’i kërkoni klasës të këndojë “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin” (Himne, nr. 13) si pjesë të kohës së përditshme shpirtërore. Teksa e filloni mësimin, përmendeni këtë himn dhe bëni pyetjen vijuese:
-
Cilat janë disa arsye që ju ndiheni mirënjohës për një profet?
Shpjegojuni studentëve se në studimin e tyre të Doktrinës dhe Besëlidhjeve 21, ata do të mësojnë të vërteta që mund ta rritin kuptueshmërinë e tyre për rolin e profetëve. Për t’u dhënë studentëve pak kontekst historik për këtë zbulesë, përmblidheni informacionin e dhënë në hyrjen e këtij mësimi.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 21:1. Vërini studentët ta ndjekin duke kërkuar titujt me anë të të cilave Jozef Smithi do të njihej. Pastaj vërini studentët të raportojnë atë që gjetën.
-
Çfarë do të thotë që Zoti e thirri Jozef Smithin për të qenë një shikues?
-
Çfarë do të thotë që Zoti e thirri Jozef Smithin për të qenë një profet?
Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë këta tituj dhe përgjegjësitë që i shoqërojnë ata, ftojini dy studentë të lexojnë me zë të lartë përshkrimin vijues të një shikuesi dhe profeti. Kërkojuni që ta lexojnë çdo thënie me ngadalë, duke ndaluar shkurtimisht në fund të çdo fjalie. Vëreni pjesën tjetër të klasës të dëgjojë për fjali që janë kuptimplote për ta dhe të përgatiten që të shpjegojnë arsyen.
“Një shikues është një person i cili sheh me sytë shpirtërorë. Ai e dallon kuptimin e asaj që duket e pakuptueshme [e paqartë ose e fshehur] për të tjerët; prandaj ai është një përkthyes dhe sqarues i së vërtetës së përjetshme. Ai e parasheh të ardhmen prej së shkuarës dhe të tashmes. Këtë ai e bën nëpërmjet fuqisë së Zotit që vepron drejtpërdrejti nëpërmjet tij, ose tërthorazi me ndihmën e mjeteve hyjnore të tilla si Urimi dhe Thumimi. Shkurt, ai është një person i cili shikon, i cili ecën në dritën e Zotit me sytë hapur” (John A. Widtsoe, Evidences and Reconciliations, përmb. G. Homer Durham, 3 vëll. në 1 [1960], f. 258).
Një profet është “një njeri i cili është thirrur nga Perëndia dhe flet për Të. Si lajmëtar i Perëndisë, një profet merr urdhërime, profeci dhe zbulesa nga Perëndia. Përgjegjësia e tij është t’i bëjë të njohur njerëzimit vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë dhe të tregojë kuptimin e marrëdhënieve të tij me ta. Një profet e denoncon mëkatin dhe paratregon pasojat e tij. Ai është një predikues i drejtësisë. Me raste, profetët mund të frymëzohen për të parashikuar të ardhmen për të mirën e njerëzimit. Megjithatë, përgjegjësia e tij kryesore, është të japë dëshmi për Krishtin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profet”, scriptures.lds.org).
Pasi të lexohet çdo përkufizim, ftojini disa studentë të shpjegojnë se cilat fjali u bënë përshtypje.
Përpara se të vazhdoni, mund të jetë e dobishme të diskutoni shkurtimisht me studentët përkufizimet e mëposhtme për titujt e tjerë të dhënë në vargun e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve 21:
Përkthyes: dikush që 1) i kthen fjalët e shkruara apo të thëna në një gjuhë tjetër ose 2) i jep kuptim më të qartë një përkthimi ekzistues duke e përmirësuar apo duke e korrigjuar atë ose duke rivendosur një tekst të humbur (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthej”, scriptures.lds.org).
Apostull: një dëshmitar i veçantë i Jezu Krishtit për mbarë botën (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Apostull”).
Plak: “titulli i duhur, i dhënë të gjithë mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke” dhe dikujt që është thirrur për të qenë një shërbestar kohëplotë për Jezu Krishtin (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Plak”).
-
Si ju ndihmojnë titujt e dhënë Jozef Smithit për të kuptuar rolin e tij të rëndësishëm në Rivendosjen?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 21:2–3, duke kërkuar atë që Perëndia e frymëzoi Jozef Smithin të bënte. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që mësuan. (Studentët duhet të shprehin të vërtetën se Perëndia e udhëzoi Jozef Smithin që të rivendoste Kishën e Jezu Krishtit.)
-
Si mendoni, përse është e rëndësishme të dimë se Jozef Smithi u thirr nga Perëndia për të rivendosur dhe udhëhequr Kishën e Jezu Krishtit?
Tregojuni studentëve fotografinë Vëllai Jozef (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 87; shih edhe LDS.org) dhe dëshmoni për të vërtetën që diskutuat më lart.
Doktrina e Besëlidhje 21:4–9
Anëtarët e Kishës duhet t’ia vënë veshin fjalëve të Jozef Smithit
Kujtojuni studentëve se Zoti e dha këtë zbulesë ditën që u organizua Kisha. Fakti që kjo zbulesë u dha në këtë ditë të posaçme, i jep asaj një domethënie të veçantë.
Shkruani në tabelë fjalët dhe frazat e mëposhtme nga Doktrina e Besëlidhje 21:4–5 (mos i përfshini përkufizimet në kllapa):
kisha (anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si në kohën e Jozef Smithit edhe në tonën)
të tij (në mënyrë të veçantë Jozef Smithit, por mund t’i drejtohet edhe Presidentit të tanishëm të Kishës)
fjalëve dhe urdhërimeve (mund t’u drejtohet të gjitha mësimeve dhe këshillave të një profeti, përfshirë udhëzimet e veçanta, të dhëna nga Zoti nëpërmjet profetit)
plot durim e besim (mund të nënkuptojë se ne mund të mirëbesojmë plotësisht te mësimet e profetit, se nuk duhet të jemi kritikues ndaj tij, se duhet ta ndjekim këshillën e tij pavarësisht nga të metat vetjake që ai mund të ketë dhe se duhet t’i presim me durim bekimet e premtuara)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 21:4–5 dhe të përsiatin kuptimin e fjalëve dhe të frazave në tabelë. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetini studentët se si do t’i përkufizonin këto fjalë dhe fraza. Ju mund të doni të përdorni përkufizimet në kllapa për të drejtuar diskutimin. Më pas bëni pyetjet vijuese:
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 21:4–5, cilit prej mësimeve të profetit duhet t’ia vëmë veshin? (Ne duhet t’ua vëmë veshin “[të gjitha] fjalëve dhe urdhërimeve të tij”.)
-
Përse mund të kërkojë ndonjëherë durim e besim vënia vesh ndaj fjalëve të një profeti?
-
Si ju ndihmon dijenia se profeti merr këshilla dhe urdhërime nga Zoti për t’i pranuar fjalët e tij “plot durim e besim”? (DeB 21:5).
Ftojeni çdo student të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 21:6, duke kërkuar tri bekimet që u jepen atyre që i pranojnë fjalët e profetit me durim e besim. (Ju mund të shpjegoni se një kuptim i fjalës dridhen është të shkëputen ose të lirohen gjëra nga një mbështetëse apo një mbajtëse. Pra, një interpretim i këtij vargu mund të jetë që kur qiejt dridhen “për të mirën [tonë]”, zbulesat dhe bekimet “lirohen” dhe derdhen mbi ata që i ndjekin profetët e gjallë.)
-
Si do t’i përmblidhnit premtimet e dhëna atyre që ua vënë veshin fjalëve të profetit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Nëse ia vëmë veshin fjalëve të profetit, ne do të jemi të mbrojtur ndaj kundërshtarit. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Në ç’mënyrë vënia vesh ndaj fjalëve të profetit i “shpërnda[n] fuqitë e errësirës”?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë parimin që sapo e përcaktuan, ftojeni njërin prej tyre të lexojë me zë të lartë fragmentin vijues mbi daljen në takime (apo një tjetër fragment që e zgjidhni ju) nga broshura Për Forcën e Rinisë. Kërkojini pjesës tjetër të klasës që të dëgjojë me kujdes dhe të përcaktojnë këshillën profetike dhe bekimet e premtuara. Pasi studenti të ketë mbaruar së lexuari, ftojini studentët të raportojnë atë që kanë përcaktuar.
“Takimi është një aktivitet i planifikuar që e lejon një të ri dhe një të re ta njohin më mirë njëri-tjetrin. Në kulturat ku takimi është i lejueshëm, ai mund t’ju ndihmojë të mësoni dhe praktikoni aftësitë shoqërore, të krijoni miqësi, të keni argëtim të shëndetshëm dhe më në fund të gjeni një shok/shoqe të përjetshëm/e.
Ju nuk duhet të dilni në takime derisa të mbushni të paktën 16 vjeç. Kur filloni të dilni në takime, dilni me një ose disa çifte të tjera. Shmangni daljen e shpeshtë në takime me të njëjtin person. Krijimi i marrëdhënieve serioze shumë herët në jetë mund të kufizojë numrin e njerëzve të tjerë që do takoni, dhe mbase mund t’ju çojë në imoralitet. Ftojini prindërit tuaj të njihen me ata me të cilët dilni.
Zgjidhni të dilni në takime vetëm me ata që kanë standarde të larta morale dhe në shoqërimin e të cilëve ju mund të mbani standardet tuaja. Kujtoni se një i ri dhe një e re në një takim janë përgjegjës për të mbrojtur nderin dhe virtytin e njëri-tjetrit” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 24–25; shih edhe LDS.org).
-
Kur jeni bekuar ju apo dikush që ju e njihni, ngaqë ua keni vënë veshin fjalëve dhe urdhërimeve të profetit të gjallë?
Nxitini studentët të përsiatin atë që duhet të bëjnë për të marrë bekimet e premtuara te Doktrina e Besëlidhje 21:6. Sigurojini ata se, kur ua vënë veshin fjalëve të profetit me zell, ata do të marrin bekime të mëdha tani dhe në përjetësi.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 21:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar dëshirat dhe sjelljet e drejta të Profetit Jozef Smith.
-
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Profetit Jozef Smith?
-
Si mendoni se gjejnë zbatim këto vargje edhe për Presidentin e tanishëm të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Doktrina e Besëlidhje 21:10–12
Oliver Kaudëri njihet si një plak dhe predikues
Tregojuni studentëve se në mbledhjen e parë të Kishës, Oliver Kaudëri u shugurua si plak nga Profeti Jozef Smith dhe Profeti u shugurua si plak nga Oliver Kaudëri. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 21:10–12.
Ju mund të doni të vini në dukje se në vargun 10, Zoti iu drejtua Oliver Kaudërit si “apostulli im” (shih edhe DeB 20:2–3). Shpjegoni se në greqisht, apostull do të thotë “dikush i dërguar përpara” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Apostull”, scriptures.lds.org). Oliver Kaudëri u dërgua përpara nga Jezu Krishti dhe u urdhërua që të dëshmonte për Shpëtimtarin. Megjithëse Oliverit iu dhanë përgjegjësi apostolike, ai nuk ishte anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Megjithatë, ai ndihmoi në kërkimin e burrave që u thirrën si anëtarë të atij kuorumi kur ai u organizua në vitin 1835.
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 21:11, çfarë iu kërkua Oliver Kaudërit të bënte? (Të mbante emrin e Zotit.)
-
Çfarë do të thotë për ju të mbani emrin e Zotit?
Përfundojeni mësimin e sotëm duke i nxitur studentët të veprojnë ndaj nxitjeve që marrin lidhur me mënyrat se si mund ta mbajnë emrin e Zotit dhe ta përfaqësojnë Kishën në familjet e tyre, në komunitetin e tyre dhe në botë.