Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Organizatat dhe Programet e Kishës, Deklarata Zyrtare 2, Përshpejtimi i Punës për Shpëtim, Proklamata për Familjen dhe Profeti i Gjallë (Njësia 32)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Organizatat dhe Programet e Kishës, Deklarata Zyrtare 2, Përshpejtimi i Punës për Shpëtim, Proklamata për Familjen dhe Profeti i Gjallë (Njësia 32)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studentit të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Sa vijon është një përmbledhje e doktrinave dhe e parimeve që studentët i mësuan ndërsa studiuan njësinë 32. Kjo përmbledhje nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni për njësinë 32 përqendrohet vetëm në disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Organizatat dhe Programet e Kishës)

Në këtë mësim, studentët mësuan se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ndihmon Atin Qiellor që të bëjë të ndodhë jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij. Ata gjithashtu mësuan se të gjitha organizatat dhe programet e Kishës veprojnë nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë, të cilët mbajnë çelësat për të kryesuar. Studentët zbuluan se kur marrim pjesë në organizatat dhe programet e Kishës, ne marrim bekimet që janë në dispozicion nëpërmjet tyre. Ata më pas caktuan synime për ta përmirësuar pjesëmarrjen e tyre në organizatat ndihmëse dhe programet e Kishës.

Dita 2 (Deklarata Zyrtare 2)

Teksa studentët mësuan rreth zbulesës së vitit 1978, që ia shtriu priftërinë dhe bekimet e tempullit çdo anëtari të denjë të Kishës, ata mësuan se profetët kërkojnë udhërrëfimin e Zotit në drejtimin e Kishës dhe se Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës që iu jep profetëve të Tij në kohën e Tij të duhur.

Dita 3 (Përshpejtimi i Punës për Shpëtim)

Nga ky mësim, studentët mësuan se Zoti po e përshpejton punën e Tij për shpëtim. Gjithashtu mësuan se ata mund të marrin pjesë në përshpejtimin e punës së Zotit duke shpërndarë ungjillin, duke i studiuar shkrimet e shenjta dhe duke bërë punën në tempull dhe punën për historinë familjare.

Dita 4 (Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës)

Në këtë mësim, studentët përcaktuan doktrina e parime që lidhen me familjen, të tilla si ato që vijojnë: martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia; krijimi i jetës në vdekshmëri është një pjesë e shenjtë dhe e rëndësishme e planit të Atit Qiellor; dhe etërit e nënat kanë detyrim ta ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë në përgjegjësitë e tyre familjare. Studentët gjithashtu mësuan se Zoti do të na mbajë përgjegjës nëse nuk i përmbushim përgjegjësitë tona në familjet tona.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë bekimin e të qenit të udhëhequr nga një profet, shikues dhe zbulues i gjallë. Studentët do të studiojnë këshillën e kohëve të fundit nga Presidenti i Kishës, profeti i zgjedhur i Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zbulesa e vazhdueshme nëpërmjet një profeti të gjallë

Shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Cili është profeti më i rëndësishëm për ju?

Ftojeni klasën që ta përsiatë këtë pyetje dhe të dëgjojë për përgjigjen, ndërkohë që lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Profeti më i rëndësishëm, për aq sa na intereson ne, është ai që jeton në kohën dhe epokën tonë” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, New Era, maj 1975, f. 17).

  • Si mendoni ju, përse profeti i gjallë është profeti më i rëndësishëm për ne?

Pasi studentët të përgjigjen, vazhdoni leximin e thënies së Presidentit Benson:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Ky është profeti që ka udhëzimet e ditës së sotme nga Perëndia për ne. … Çdo brez ka nevojë për shkrimin e shenjtë të lashtë, së bashku me shkrimin e shenjtë të tanishëm nga profeti i gjallë. Si rrjedhim, leximi dhe përsiatja më e rëndësishme që duhet të bëni është ajo e fjalëve më të fundit, të frymëzuara nga zëdhënësi i Zotit. Kjo është arsyeja përse është thelbësore që ju të keni mundësi t’i gjeni fjalët e tij dhe t’i lexoni ato me kujdes në botimet periodike të Kishës” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, f. 17).

Shpjegoni se ne i mbështetim anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues. Megjithatë, Presidenti i Kishës është i vetmi njeri i cili autorizohet për t’i ushtruar të gjithë çelësat e priftërisë në tokë dhe i vetmi njeri i cili autorizohet të marrë dhe të shpallë zbulesa për të gjithë Kishën.

  • Në varësi të asaj që keni mësuar në mësimet e kohëve të fundit, kur ka shpallur Presidenti i Kishës zbulesa për të gjithë Kishën apo ka njoftuar ndryshime domethënëse në mënyrën se si vepron Kisha? (Përgjigjet mund të përfshijnë kur Presidenti Uillford Udraf botoi Manifestin lidhur me martesën me shumë gra [shih Deklarata Zyrtare 1], kur Presidenti Jozef F. Smith shpalli të vërteta të panjohura më parë rreth botës së shpirtrave pas vdekjes [shih DeB 138] dhe kur Presidenti Spenser W. Kimball shpalli se bekimet e priftërisë do t’iu viheshin në dispozicion të gjithë meshkujve të denjë të Kishës [shih Deklarata Zyrtare 2].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf. Nxiteni klasën të dëgjojë për një të vërtetë që lidhet me zbulesën në kohën tonë.

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Një nga mesazhet e lavdishme të Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit është se Perëndia vazhdon t’u flasë fëmijëve të Tij! Ai nuk fshihet në qiej, por flet sot ashtu siç bënte në kohët e lashta. …

Udhëzimet e paçmueshme të Perëndisë për njerëzimin gjenden në Bibël, në Librin e Mormonit, në Doktrinën e Besëlidhjet dhe në Perlën me Vlerë të Madhe. Përveç këtyre, Zoti na flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, ashtu siç do të bëjë Ai përsëri në … konferencën e përgjithshme” (“Why Do We Need Prophets?” Ensign, mars 2012, f. 4).

  • Çfarë doktrine lidhur me zbulesën na mësoi Presidenti Uhtdorf? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Zoti vazhdon të na flasë sot nëpërmjet profetit të Tij të gjallë. Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në tabelë.)

  • Ku mund t’i gjejmë fjalët e profetit të gjallë? (Përgjigjet mund të përfshijnë konferencën e përgjithshme, revistat e Kishës, LDS.org dhe mormonchannel.org.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e asaj që Zoti flet vazhdimisht nëpërmjet profetit të Tij të gjallë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhon Tejlor. Kërkojini klasës të dëgjojë arsyen përse zbulesa e vazhdueshme nëpërmjet profetëve është e rëndësishme.

Presidenti Xhon Tejlor

“Ne kërkojmë një pemë të gjallë – një burim të gjallë – inteligjencë të gjallë, që buron nga priftëria e gjallë në qiell, nëpërmjet priftërisë së gjallë në tokë. … Dhe që nga koha kur Adami mori fillimisht një komunikim nga Perëndia, … u deshën gjithmonë zbulesa të reja, të përshtatura ndaj rrethanave të veçanta në të cilat u vendosën kishat ose individët. Zbulesa e Adamit nuk e udhëzoi Noeun ta ndërtonte arkën e tij; as zbulesa e Noeut nuk i tha Lotit që ta braktiste Sodomën; as nuk folën asnjëra prej këtyre për largimin e fëmijëve të Izraelit nga Egjipti” (në The Gospel Kingdom, përzgj. G. Homer Durham [1987], f. 34; shih edhe DeB 1:30).

  • Sipas Presidentit Tejlor, përse kemi nevojë për një profet të gjallë? (Nëpërmjet profetit të gjallë, Perëndia na jep drejtim të posaçëm sipas nevojave dhe rrethanave të kohës.)

  • Si mund të ndikojë të kuptuarit e nevojës për zbulesë të vazhdueshme në mënyrën se si i dëgjoni ose lexoni fjalët e profetit të gjallë?

Ndjekja e këshillës së profetit të gjallë

Për t’i ndihmuar studentët që të diskutojnë këshillën e profetit të gjallë, zgjidhni një ose më shumë biseda nga konferenca e përgjithshme, që janë dhënë nga Presidenti i Kishës vitin e kaluar. Përgatitni një kopje të një bisede për secilin student në klasë. Jepuni studentëve kohë të kërkojnë doktrina dhe parime që profeti i gjallë po na mëson kohët e fundit.

Pasi studentët të kenë patur kohë të mjaftueshme për të lexuar, kërkojuni atyre të renditin doktrinat dhe parimet që Presidenti i Kishës po na mëson. Merreni parasysh t’i kërkoni një studenti që t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë dhe ta ndiejnë rëndësinë e doktrinave dhe parimeve që kanë përcaktuar, bëni disa ose të gjitha pyetjet që vijojnë:

  • Cilat nga këto parime ose doktrina e ndjeni se janë veçanërisht domethënëse për ju? Përse?

  • Në çfarë mënyrash po përpiqeni ju dhe familja juaj që ta ndiqni këshillën e profetit?

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ta studiojmë e ta zbatojmë atë që po na e mëson Presidenti i tanishëm i Kishës?

Shkruajini në tabelë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët që t’iu përgjigjen atyre në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Nga fjalët e profetit të gjallë që sapo keni studiuar, çfarë mesazhesh mendoni se Zoti dëshiron që të merrni?

Çfarë do të bëni për shkak të këshillës së kohëve të fundit të profetit?

Ftojini studentët të veprojnë sipas asaj që kanë shkruar. Dëshmoni që ndërsa e bëjnë këtë gjë, ata mund të kenë mirëbesim se Ati Qiellor do t’i bekojë. Nxitini studentët të studiojnë dhe të zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme mësimet e profetëve të gjallë.

Ftojini studentët të tregojnë dëshminë e tyre për profetët e gjallë.

Si një përfundim i këtij viti të seminarit, nxitini studentët ta vazhdojnë studimin e shkrimeve të shenjta çdo ditë. Nëse do ta ndjekin kursin e ardhshëm të seminarit, ju mund të sugjeroni që të fillojnë të studiojnë Dhiatën e Vjetër. Ju mund të doni të ftoni një student që të dëshmojë për bekimet që ai ose ajo ka marrë nëpërmjet vazhdimit të leximit të shkrimeve të shenjta çdo ditë edhe kur seminari nuk ka qenë duke u zhvilluar.