Seminare dhe Institute
Mësimi 5: Studimi i Shkrimeve të Shenjta


Mësimi 5

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Hyrje

Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të mësojnë se si ta kuptojnë më mirë kontekstin dhe përmbajtjen e shkrimeve të shenjta, të përcaktojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit që i përmbajnë shkrimet e shenjta, dhe t’i zbatojnë ato të vërteta në jetën e tyre. Teksa studentët i zbulojnë të vërtetat e përjetshme dhe veprojnë sipas të vërtetave të përjetshme që gjenden në shkrimet e shenjta, ungjilli mund të hyjë thellë në zemrat e tyre. Merrni parasysh mënyra për ta shqyrtuar materialin në këtë mësim gjatë gjithë vitit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Qëllimi i studimit të shkrimeve të shenjta

Përpara orës mësimore, vendosni një send të zakonshëm, të tillë si një laps, fletore shënimesh ose një libër himnesh diku në klasë në një vend të dukshëm. Zgjidhni një vendndodhje ku sendi nuk do të duket si pa vend ose ku mund të dallohet lehtësisht nga studentët. Fillojeni mësimin duke u thënë studentëve se ju keni humbur diçka dhe ju nevojitet ndihma e tyre për ta gjetur atë. Vërini të kërkojnë nëpër dhomë, por mos u thoni atyre se për çfarë po kërkojnë. Pasi studentët të kenë kërkuar pa sukses për një kohë të shkurtër, përshkruani atë për të cilën duhet të kontrollojnë dhe u kërkoni të përpiqen përsëri.

  • Përse ishte më e lehtë ta gjenit atë që po kërkonit herën e dytë?

Ngrini lart shkrimet tuaja të shenjta. Vini në dukje se, ashtu siç është më e lehtë ta kërkojmë diçka kur e dimë se për çfarë po kërkojmë, studimi ynë i shkrimeve të shenjta mund të jetë më domethënës kur e dimë për çfarë të kërkojmë teksa studiojmë.

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë atë, për të cilën duhet të kërkojmë kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë. Përpara se të lexojë studenti, kërkojini klasës të dëgjojë për diçka që gjithmonë duhet të jenë në gjendje ta gjejnë në shkrimet e shenjta nëse po kërkojnë për të. (Ju mund të dëshironi t’u jepni studentëve një kopje të kësaj dhe të thënieve të tjera profetike në këtë mësim.)

Presidenti Marion G. Romni

“Një njeri nuk mund t’i studiojë ndershmërisht shkrimet e shenjta pa mësuar parimet e ungjillit, sepse shkrimet e shenjta janë shkruar për t’i ruajtur parimet” (“The Message of the Old Testament”, [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të SAK-ut, 17 gusht 1979], f. 3, LDS.org).

  • Bazuar në këtë shpjegim nga Presidenti Romni, për çfarë duhet të kërkojmë kur i studiojmë shkrimet e shenjta?

  • Çfarë është një parim?

Pohoni ose i shtoni përgjigjet e studentëve duke e ftuar një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Përpara se të lexojë studenti, kërkojini gjysmës së klasës të dëgjojë për atë që është një parim. Kërkojini gjysmës tjetër të dëgjojë për arsyen përse parimet në shkrimet e shenjta janë kaq të rëndësishme.

Plaku Riçard G. Skot

“Parimet janë e vërteta e përqendruar, e mbledhur për t’u zbatuar në një mori të gjerë rrethanash. Një parim i vërtetë i bën vendimet të qarta edhe nën rrethanat më të ngatërruara dhe shtrënguese” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 86).

  • Sipas Plakut Skot, çfarë është një parim? Përse është kaq e rëndësishme gjetja e parimeve në shkrimet e shenjta?

Shpjegoni se parimet dhe doktrinat e ungjillit të Jezu Krishtit janë të vërteta themelore, të pandryshueshme, që japin udhërrëfim për jetën tonë. Doktrinat dhe parimet janë çfarë Zoti dhe profetët e Tij kishin për qëllim të na i mësonin nga zbulesat, predikimet dhe ngjarjet e shënuara në shkrimet e shenjta.

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë një shembull të një doktrine ose parimi të dhënë mësim në shkrimet e shenjta, ftojini të reflektojnë mbi Vegimin e Parë të Jozef Smithit. Pyetini ata nëse mund të përcaktojnë një të vërtetë të thjeshtë që ne mund ta mësojmë nga përvoja e Jozef Smithit. Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash e parimesh. E vërteta vijuese është një shembull: Nëse lutemi me besim, Perëndia do t’iu përgjigjet lutjeve tona.

Të kuptuarit e kontekstit dhe të përmbajtjes së shkrimeve të shenjta

Paraqitni një frutë që duhet të qërohet përpara se mund të hahet (për shembull, një banane ose një portokall).

  • Çfarë duhet të bëni përpara se ta përdorni këtë send për qëllimin e tij të parashikuar? (Hiqeni mbështjellësen e jashtme.)

  • Nëse pjesa e rëndësishme dhe e dobishme e këtij sendi është në brendësi, cili është qëllimi i mbështjellëses së jashtme? (T’i ruajë dhe transportojë përmbajtjet.)

Shpjegoni se fruta me lëkurën mund të krahasohet me doktrinat e parimet që gjenden në shkrimet e shenjta. Mbulesa e jashtme mund të krahasohet me ngjarjet, njerëzit dhe predikimet në shkrimet e shenjta. Ashtu sikurse lëkura e ruan frutën dhe ndihmon në transportimin e saj brenda, këto tregime nga shkrimet e shenjta na i përçojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit në një mënyrë që na ndihmon t’i kuptojmë, kujtojmë dhe zbatojmë ato në jetën tonë.

Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që kanë bërë për t’i ndihmuar ata të fitojnë një kuptueshmëri më të mirë të rrethanave, linjës së historisë, ngjarjeve dhe hollësive të tjera të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i rendisni disa prej ideve të tyre në tabelë.) Pasi studentët të kenë dhënë disa ide, shpjegojini klasës teknikat vijuese të studimit të shkrimeve të shenjta dhe harxhoni disa minuta për t’i praktikuar ato.

Vendndodhja historike: Shpjegoni se secili seksion i Doktrinës e Besëlidhjeve përfshin një hyrje të seksionit, e cila përshkruan shqetësimet, pyetjet ose ngjarjet historike që shoqërohen me zbulesën në atë seksion. Njohja e këtyre hollësive mund të na ndihmojë ta kuptojmë zbulesën.

Për të treguar se si njohja e këtyre hollësive mund ta shtojë kuptueshmërinë tonë për një zbulesë, ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 121:1–8. Pastaj kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje hyrjen e seksionit, duke kërkuar informacionin që i ndihmon ata t’i kuptojnë këto vargje.

  • Si na ndihmon që t’i kuptojmë më mirë këto vargje njohuria që Jozef Smithi ishte burgosur në Burgun e Libertisë për disa muaj?

Përkufizimet e fjalëve: Vini në dukje se disa fjalë të përdorura në shkrimet e shenjta mund të mos jenë të njohura. Bible Dictionary [Fjalori Biblik], Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, poshtëshënimet në shkrimet e shenjta dhe një fjalor i rregullt mund të na ndihmojnë t’i mësojmë përkufizimet e fjalëve dhe ta kuptojmë domethënien e tyre.

Për të dhënë një shembull, ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 121:2. Shpjegoni se fjala frenohet mund të ketë kuptimin të vonohet ose të mbahet pas.

  • Si mund t’ju ndihmojë njohja e këtij përkufizimi që ta kuptoni më mirë këtë varg?

Përcaktimi i doktrinave dhe parimeve

Shpjegoni se, pasi e kemi shtuar kuptueshmërinë tonë për kontekstin dhe përmbajtjen e një fragmenti të shkrimeve të shenjta, ne përgatitemi për t’i përcaktuar të vërtetat e ungjillit që ai përmban. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot. Kërkojini klasës të dëgjojë për fraza që përshkruajnë atë që duhet të bëjmë, për të përcaktuar të vërteta që i studiojmë në shkrimet e shenjta.

Plaku Riçard G. Skot

“Teksa kërkoni njohuri shpirtërore, kërkoni parime. Veçojini me kujdes nga detaji që përdoret për t’i shpjeguar ato. … Ia vlen përpjekja e madhe për ta organizuar të vërtetën që grumbullojmë në formulime të thjeshta të parimeve (“Acquiring Spiritual Knowledge”, f. 86).

  • Çfarë frazash përdori Plaku Skot që të përshkruante procesin e përcaktimit të të vërtetave në shkrimet e shenjta? (“Veçojini me kujdes nga detaji që përdoret për t’i shpjeguar ato”; “organiz[ojeni] të vërtetën që grumbullojmë në formulime të thjeshta të parimeve”.)

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme për ta “organizuar të vërtetën” që mësojmë nga një fragment i shkrimeve të shenjta në një thënie të thjeshtë të doktrinës ose parimit?

Vini në dukje se disa doktrina dhe parime të ungjillit janë të lehta për t’u përcaktuar, sepse thuhen haptazi në shkrimet e shenjta. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:7–8. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë të vërteta që thuhen haptazi në këto vargje. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i durojmë mirë sprovat tona, Perëndia do të na ekzaltojë dhe do të na ndihmojë të triumfojmë mbi armiqtë tanë.

Shpjegoni se shumë doktrina e parime nuk thuhen haptazi në tekstin e shkrimit të shenjtë, por në vend të kësaj, ato tregohen ose përshkruhen përgjatë disa vargjeve. Përcaktimi i këtij lloji të doktrinës ose parimit kërkon dallimin e të vërtetave që po ilustrohen në fragmentin e shkrimeve të shenjta dhe thënien e atyre të vërtetave në një mënyrë të qartë, të thjeshtë. Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë për të përcaktuar doktrinat dhe parimet që nuk thuhen haptazi, sugjeroni që ata të bëjnë pyetje të tilla si “Çfarë mund të mësoj prej kësaj?” “Cili është mesazhi ose qëllimi i këtyre vargjeve?” ose “Çfarë mund të ketë pasur qëllim Zoti për mua që të mësoj prej kësaj?”

Ftojini studentët të praktikojnë përcaktimin e doktrinave dhe parimeve duke rishikuar Doktrinën e Besëlidhjet 121:1–8. Kërkojuni studentëve të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një të vërtetë të ungjillit që mund ta mësojmë nga lutja e Jozefit dhe përgjigjja e Zotit ndaj asaj lutjeje. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të lexojnë doktrinën ose parimin që e përcaktuan nga këto vargje. Të vërtetat që përcaktojnë studentët mund të përfshijnë sa vijon:

Perëndia i dëgjon lutjet tona.

Kur i bëjmë thirrje Perëndisë në kohë vështirësie, Ai mund të na japë paqe.

Zbatimi i doktrinave dhe parimeve në jetën tonë

Drejtojuni përsëri frutës që klasa e diskutoi më herët në mësim.

  • Çfarë vlere ka fruta nëse nuk përdoret kurrë pasi të qërohet?

  • Nëse doktrinat dhe parimet që i përcaktojmë në shkrimet e shenjta mund të krahasohen me një frutë që e kemi qëruar, çfarë duhet të bëjmë pasi t’i përcaktojmë këto të vërteta? (T’i zbatojmë ato në jetën tonë.)

Shpjegoni se, kur arrijmë ta ndiejmë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinave dhe të parimeve që kemi përcaktuar në shkrimet e shenjta, ne do të ndiejmë dëshirë që t’i zbatojmë ato në jetën tonë. Ftojini studentët që t’i tregojnë një partneri se si ata mund ta zbatojnë një nga të vërtetat që i kanë përcaktuar te Doktrina e Besëlidhje 121:1–8.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vërini studentët ta ndjekin dhe të përcaktojnë fraza që janë domethënëse për ta.

Presidenti Bojd K. Paker

“Nëse [ju] njiheni me zbulesat, nuk ka pyetje – vetjake apo shoqërore, ose politike apo profesionale – që ka nevojë të mbetet pa përgjigje. Këtu gjendet plotësia e ungjillit të përjetshëm. Këtu ne gjejmë parimet e së vërtetës që do ta zgjidhin çdo pështjellim, çdo problem dhe çdo mëdyshje që do të hasë familja njerëzore ose ndonjë individ në të” (“Teach the Scriptures” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 14 tetor 1977], f. 3–4, LDS.org).

  • Çfarë frazash ju bënë përshtypje? Përse?

Mbylleni mësimin duke treguar se si doktrinat dhe parimet në shkrimet e shenjta e kanë bekuar jetën tuaj, kur i keni zbuluar dhe zbatuar ato. Merrni parasysh të ftoni studentë të tregojnë për një doktrinë ose parim që e kanë zbuluar në shkrimet e shenjta dhe mënyrën se si e ka bekuar jetën e tyre. Nxitini studentët të kërkojnë me zell për këto të vërteta të përjetshme, teksa i studiojnë shkrimet e shenjta dhe i zbatojnë ato në jetën e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Zbulimi dhe zbatimi i doktrinave dhe parimeve të ungjillit

Presidenti Ezra Taft Benson dha këtë udhëzim lidhur me studimin e shkrimeve të shenjta:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni … është ta zhytni veten tuaj në shkrimet e shenjta. Kërkojini ato me zell. Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit. Mësojeni doktrinën. Rriteni zotërimin e parimeve që gjenden atje” (“The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 81).