Seminare dhe Institute
Mësimi 45: Në Ohajo


Mësimi 45

Në Ohajo

Hyrje

Ky mësim do t’iu japë studentëve një vështrim të përgjithshëm, të shkurtër për përvojat e shenjtorëve në Ohajo. Në dhjetor të vitit 1830, shenjtorët u urdhëruan të lëviznin për në Ohajo (shih DeB 37:3) dhe në janar të vitit 1831 atyre iu premtua se do t’iu “dhurohe[j] fuqi nga lart” nëse do të bindeshin (DeB 38:32).

Ata që u mblodhën në Ohajo, u bekuan së tepërmi. Zbulesa të vazhdueshme i udhëhoqën shenjtorët drejt kuptueshmërisë më të thellë për ungjillin e Jezu Krishtit. Përveç kësaj, ata i morën bekimet që erdhën prej ndërtimit të një tempulli dhe predikimit të ungjillit. Ndërkohë që Kisha u rrit në numër dhe forcë shpirtërore në Ohajo, u shtua gjithashtu kundërshtimi i rëndë kundër Kishës dhe udhëheqësve të saj. Profetit Jozef Smith jetoi në Kirtland nga janari i vitit 1831 deri në janar të vitit 1838.

Sugjerime për Mësimdhënien

Vështrim i Përgjithshëm mbi Kirtlandin

ikona e fletushkësShpjegoni se në janar të vitit 1831, Profeti Jozef Smith dhe bashkëshortja e tij, Ema, si edhe Sidni Rigdoni dhe Eduard Partrixhi, u larguan nga Nju-Jorku për në Ohajo. Shumica e shenjtorëve në Nju-Jork i ndoqën gjatë pesë muajve në vazhdim. Katër mësimet e shkurtra vijuese përmbajnë një vështrim të përgjithshëm të ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Kishës për periudhën e Ohajos. Ndajeni klasën në katër grupe dhe i caktoni njërin prej mësimeve të shkurtra secilit grup. (Nëse numri i studentëve në klasën tuaj nuk e lejon këtë, ju mund ta ndani klasën tuaj në më pak grupe dhe t’i caktoni secilit grup më shumë se një mësim të shkurtër.) Ftojini studentët të studiojnë pjesët e tyre mësimore dhe të përgatiten për t’ia dhënë mësim materialin klasës. Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’u përgatitur, ftojeni secilin grup të zgjedhë një anëtar për t’i dhënë mësim klasës. Secili mësim duhet të zërë tre deri në katër minuta.

Mësimi i Shkurtër 1 – Ligji i Kishës

Fillojeni duke u drejtuar studentëve pyetjet vijuese:

  • Përse janë ligjet të rëndësishme?

  • Përse mund të jenë ligjet të rëndësishme në Kishë?

Kujtojeni klasën që Zoti premtoi se Ai do t’iu “j[epte shenjtorëve] ligjin [e tij]” pasi të shkonin në Ohajo (DeB 38:32). Shpjegoni se, pasi shenjtorët mbërritën në Ohajo, Zoti e përmbushi premtimin e Tij dhe dha një zbulesë të njohur si Ligji i Kishës. Ky ligj, i cili shënohet te Doktrina e Besëlidhje 42, përfshin urdhërime dhe udhëzime që drejtojnë funksionet e Kishës. Ftojeni klasën t’i hedhë një sy përmbledhjes së seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 42 (të vendosur përpara vargut të parë), duke kërkuar disa prej ligjeve që Zoti ua dha shenjtorëve.

Ftojini studentët ta shenjojnë frazën “Ligje që qeverisin përkushtimin e pronave, caktohen” në përmbledhjen e seksionit

Shpjegoni se në këtë zbulesë Zoti dha ligjin e përkushtimit, që është “një parim hyjnor me anë të të cilit burra dhe gra, në mënyrë vullnetare, ia përkushtojnë kohën, talentet dhe pasurinë e tyre materiale ngritjes dhe ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkushtoj, Ligj i Përkushtimit”, f. 149, scriptures.lds.org). Disa qëllime të ligjit të përkushtimit përfshinë përkujdesjen për të varfrit, mënjanimin e lakmisë dhe krijimin e unitetit mes shenjtorëve.

Diçka më shumë se një vit pasi Zoti e zbuloi ligjin e përkushtimit, Ai i urdhëroi udhëheqësit e Kishës të themelonin Ndërmarrjen e Bashkuar. Një qëllim i Ndërmarrjes së Bashkuar, që u bazua mbi parimet e ligjit të përkushtimit, ishte që të themelonte shtëpitë e ruajtjes për të ndihmuar me nevojat materiale të anëtarëve të Kishës, veçanërisht atyre që ishin të varfër. Ky ishte një bekim për shenjtorët në këtë kohë ngaqë shumë prej anëtarëve të Kishës që ishin shpërngulur nga Nju-Jorku në Ohajo, iu desh të linin pas shtëpitë dhe pronat e tyre. Ndërmarrja e Bashkuar gjithashtu siguroi fonde për të financuar veprimtari të ndryshme të Kishës, të tilla si punën misionare dhe përpjekjet botuese. Ne do të mësojmë më shumë rreth ligjit të përkushtimit dhe ndikimeve të tij mbi shenjtorët në mësimet e ardhshme.

Mësimi i Shkurtër 2 – Tempulli i Kirtlandit

Kujtojini studentët për premtimin e Zotit që t’iu dhuronte shenjtorëve “fuqi nga lart” kur të mbërrinin në Ohajo (shih DeB 38:32). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:119. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar urdhërimin që Zoti ua dha shenjtorëve. Pasi të përcaktojnë se Zoti i urdhëroi ata që të ngrinin një shtëpi, shpjegoni se “shtëpia” së cilës iu referua Zoti, ishte një tempull. Tempulli i Kirtlandit ishte tempulli i parë i ndërtuar në këtë periudhë ungjillore.

Ftojini studentët t’i kthehen fotografisë së Tempullit të Kirtlandit në shkrimet e tyre të shenjta (Fotografi të Historisë së Kishës, Fotografia 9, “Tempulli i Kirtlandit”).

Shpjegoni se Tempullit të Kirtlandit iu deshën rreth tre vjet për t’u ndërtuar. Pasi tempulli u përkushtua më 27 mars 1836, Zoti filloi ta përmbushte premtimin e Tij për t’u dhuruar shenjtorëve fuqi dhe ata përjetuan bekime të mrekullueshme shpirtërore. Për shembull, Zoti personalisht iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit dhe shpalli që Ai e kishte “pranuar këtë shtëpi” (DeB 110:7). Ai gjithashtu dërgoi tre lajmëtarë qiellorë – Moisiun, Eliasin dhe Elijan – për të rivendosur çelësat jetikë të priftërisë në tokë. Këta çelësa do t’iu jepnin shenjtorëve autoritetin për të kryer ordinanca në tempull dhe për t’i vulosur familjet për përjetësinë. Përveç kësaj, “çelësat e mbledhjes së Izraelit” u rivendosën në këtë kohë (DeB 110:11). Si rrjedhim, misionarët thirren dhe autorizohen për ta dhënë mësim ungjillin anembanë tokës.

Mësimi i Shkurtër 3 – Puna Misionare

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Doktrinën e Besëlidhjet 42:6–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar urdhërimin që Zoti ua dha shenjtorëve pasi mbërritën në Ohajo. Pasi studenti i lexon vargjet, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë urdhërimi u dha Zoti shenjtorëve?

  • Sipas vargut 6, si duhej ta predikonin ungjillin këta misionarë?

  • Si është kjo e ngjashme me mënyrën se si misionarët kohëplotë e predikojnë ungjillin sot?

Shpjegoni se pasi ishte përkushtuar Tempulli i Kirtlandit dhe ishin rivendosur çelësat e mbledhjes së Izraelit, anëtarët e Kishës filluan ta predikonin ungjillin e Jezu Krishtit në më shumë vende. Ftojini studentët t’i hapin shkrimet e tyre te Harta 3 në seksionin Hartat e Historisë së Kishës në shkrimet e tyre të shenjta (“Zona e New York-ut, Pennsylvania-s dhe Ohio-s në SHBA”).

Ndërkohë që studentët po e shohin hartën, kujtojuni atyre që Zoti u kishte premtuar shenjtorëve se Ai do t’i dërgonte për të predikuar “mes gjithë kombeve” (DeB 38:33). Shpjegoni se Kirtlandi ishte një vendndodhje e përsosur për ta filluar dërgimin e misionarëve në mbarë botën. Kirtlandi ishte pranë disa prej udhëve kryesore të transportimit në Shtetet e Bashkuara. Nga Kirtlandi, misionarët duhej vetëm të udhëtonin largësi të shkurtra për të përdorur avulloret në lumenjtë kryesorë të Amerikës dhe liqenin Erie. Ata gjithashtu kishin mundësi të përdornin një sistem rruge kombëtare drejt jugut dhe një sistem kanalesh drejt veriut. Për shkak të kësaj, Kirtlandi ishte pika e nisjes për misione drejt Kanadasë, pjesëve të tjera të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Shpjegoni se për shkak të punës misionare gjatë kësaj kohe, anëtarësia e Kishës anembanë botës u rrit në mijëra vetë. Në vitin 1837, Pleqtë Hibër C. Kimball dhe Orson Hajd u thirrën së bashku me pesë të tjerë në një mision për në Britaninë e Madhe, ku ata pagëzuan rreth 2 000 njerëz. Deri më 1838-ën, kur shenjtorët u larguan nga Kirtlandi për shkak të përndjekjes, kishte rreth 2 000 anëtarë të Kishës që jetonin në Kirtland dhe pothuajse 18 000 anëtarë anembanë botës.

Mësimi i Shkurtër 4 – Zbulesa dhe Ngjarje të Tjera të Rëndësishme

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 42:61. Pasi të kenë mbaruar së lexuari, vini në dukje se pasi Jozef Smithi mbërriti në Ohajo, Zoti i tha atij se ai do të merrte “zbulesë pas zbulese” nëse do t’i kërkonte Perëndisë. Më pas ftojini studentët të kthehen te rendi kronologjik i përmbajtjes së Doktrinës e Besëlidhjeve (i vendosur pas parathënies). Kërkojuni atyre të përcaktojnë vendndodhjen ku u morën shumica e zbulesave të shënuara te Doktrina e Besëlidhjet. Pasi të zbulojnë se shumica e zbulesave u morën në Ohajo, shpjegoni se numri i madh i zbulesave në Ohajo e përmbushi fjalën e Zotit.

Për t’i treguar klasës disa prej zbulesave domethënëse që u morën në Ohajo, caktojini secilit student një ose dy prej seksioneve vijuese nga Doktrina e Besëlidhje: Doktrina e Besëlidhje 76; 89; 107; 137.

Për secilin seksion, kërkojuni studentëve të caktuar të lexojnë hyrjen e seksionit dhe t’i hedhin një sy përmbledhjes së seksionit të vendosur përpara vargut të parë. Më pas ftojeni secilin student të raportojë për arsyen përse janë domethënëse seksionet e caktuara atyre. Ndërsa raportojnë, sigurohuni që ata të përcaktojnë sa vijon:

Doktrina e Besëlidhje 76; 137 (Zbulesat rreth tri shkallëve të lavdisë dhe vegimin e mbretërisë çelestiale)

Doktrina e Besëlidhje 89 (Fjala e Urtësisë)

Doktrina e Besëlidhje 107 (Zbulesa rreth priftërisë)

Pasi secili student të kenë qenë në gjendje të raportojë, bëni pyetjen vijuese:

  • Si mendoni se ishte për shenjtorët në Ohajo që t’i dëgjonin disa prej këtyre të vërtetave për herë të parë?

Shpjegoni se, përveç këtyre të vërtetave të zbuluara, Zoti gjithashtu e udhëzoi Jozef Smithin që ta organizonte udhëheqjen e Kishës gjatë kësaj kohe. Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumi i Të Shtatëdhjetëve u organizuan zyrtarisht ndërsa shenjtorët jetonin në Ohajo. Përveç kësaj, Jozef Smithi e vazhdoi punën e tij për përkthimin e Biblës.

Kundërshtimi dhe braktisja pllakosin besnikët në Ohajo

Pasi studentët ta kenë përfunduar veprimtarinë e mësipërme, shpjegoni se në të njëjtën kohë që shenjtorët po bekoheshin shumë nga Zoti në Ohajo, Satani e shtoi kundërshtimin e tij ndaj Kishës. Sapo shenjtorët mbërritën në Kirtland, kritikuesit antimormonë filluan ta sulmojnë Kishën.

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Jozef Smithi lidhur me këto kushte:

Profeti Jozef Smith

“Shumë thënie të rreme, gënjeshtra dhe histori të marra u botuan në gazetat dhe qarkulluan në çdo drejtim, për t’i penguar njerëzit që ta hetonin veprën ose që ta përqafonin besimin” (në History of the Church, 1:158).

Shpjegoni se disa nga këto raporte negative u filluan nga disa njerëz që ishin larguar nga Kisha për arsye të ndryshme. Për shembull, në shtator të vitit 1831, një anëtar i mëparshëm i Kishës, i quajtur Ezra Buth, u përpoq t’ua kthente mendjen njerëzve prej bashkimit me Kishën dhe botoi nëntë letra që jepnin me hollësi kritikat e tij kundrejt Kishës (shih Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serive të Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 203–204; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 113–115). Këto letra e shtuan armiqësinë kundrejt Kishës. Përndjekja që erdhi nga këto ndikime, nganjëherë u bë e dhunshme, veçanërisht kundrejt Profetit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës.

Në një rast të rëndë, në natën e 24 marsit 1832, një turmë prej 25 deri 30 burrash e sulmoi shtëpinë e Xhon Xhonsonit në Hajrëm të Ohajos, ku po qëndronin Jozef dhe Ema Smithi. Burrat e mposhtën Jozef Smithin dhe e tërhoqën atë jashtë nëpër natë. Ata ia morën frymën, ia hoqën rrobat dhe u përpoqën t’i shtinin një shishe me acid në gojë, gjë që e theu pak njërin prej dhëmbëve të tij, duke e bërë atë që nga ajo kohë të fliste me një fërshëllimë të lehtë. Më pas ata e lanë atë, të mbuluar me katran e pupla. Kur Jozefi rifitoi disi forcën, ai ia doli të kthehej në shtëpi. Kur erdhi te dera dhe Ema e pa atë të mbuluar me katran, që asaj iu duk si gjak, ajo i humbi ndjenjat. Miqtë e kaluan natën duke ia pastruar katranin. Të nesërmen, që ishte e diel, Jozefi dha një predikim që u ndoq nga disa anëtarë të turmës. Mbas predikimit, Jozefi pagëzoi tre njerëz. (Shih History of the Church, 1:261–265.)

Gjatë ndeshjes dhe pështjellimit të këtij sulmi, dera e shtëpisë u la e hapur. Si rrjedhojë, biri i Jozefit, Jozef Mërdok Smithi, i cili ishte në atë kohë i sëmurë me fruthin, mori një “të ftohur të rëndë” dhe vdiq pesë ditë më vonë. Po atë natë Sidni Rigdoni u tërhoq zvarrë nga këmbët dhe u nxor jashtë shtëpisë së tij. Koka iu dëmtua rëndë nga toka e fortë, e ngrirë dhe ai ishte në kllapi për disa ditë. (Shih History of the Church, 1:265.)

Shpjegoni se, pavarësisht nga këto dhe vështirësi të tjera, shenjtorët vazhduan të mblidheshin në Kirtland, veçanërisht nga viti 1836 deri në 1838. Megjithatë, përndjekja u bë kaq e fortë gjatë dimrit të vitit 1837 dhe pranverës së vitit 1838 saqë shumica e shenjtorëve u detyruan të largohen nga Ohajo. Disa udhëheqësve të Kishës, përfshirë Jozef Smithin, Sidni Rigdonin dhe Brigam Jangun, iu desh të largoheshin me të shpejtë nga Kirtlandi për sigurinë e jetës së tyre.

Mbylleni mësimin duke dëshmuar se, edhe pse Kisha përjetoi sprova dhe përndjekje të madhe në Kirtland, Zoti i bekoi shumë ata që qëndruan besnikë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Braktisja në Kirtland

Në vitin 1833, një tjetër anëtar i mëparshëm shkaktoi probleme të mëdha për Kishën. Doktori Filastës Hërlbat kishte qenë një plak në Kishë, por ishte shkishëruar ngaqë kishte kryer shkelje të kurorës gjatë shërbimit në një mision. Edhe pse udhëheqësit e Kishës treguan mëshirë ndaj tij dhe e lejuan që të rivendosej anëtarësia e tij, ai përsëri bëri shkelje dhe u dëbua prej anëtarësisë herën e dytë. Atëherë Hërlbati u përpoq t’i diskreditonte Kishën dhe Jozef Smithin duke mbledhur aktbetime kundër mormonëve dhe duke shpallur në mënyrë të rreme se Libri i Mormonit bazohej mbi një dorëshkrim të shkruar nga Solomon Spolldingu, në vend që të përkthehej nëpërmjet fuqisë së Perëndisë.

Hërlbati shpalli se Sidni Rigdoni e kishte marrë fshehurazi dorëshkrimin e Spolldingut dhe i kishin vjedhur idetë me Jozef Smithin për të krijuar Librin e Mormonit. Megjithatë, kjo përpjekje për ta diskredituar Librin e Mormonit ishte tërësisht e pabazuar. Kur u gjet dorëshkrimi i Spolldingut, pas një shqyrtimi nuk u gjetën paralelizmat e shpallura me Librin e Mormonit apo madje ndonjë ngjashmëri midis të dyve. Për më tepër, Sidni Rigdoni as që u takua me Jozef Smithin deri shumë kohë pas botimit të Librit të Mormonit. Oliver Kaudëri dëshmoi për mashtrimin e akuzave të Hërlbatit: “‘Unë … i pata në duart e mia fletët e arta prej të cilave u përkthye [Libri i Mormonit]. I pashë edhe përkthyesit. Ai libër është i vërtetë. Sidni Rigdoni nuk e shkroi atë. Zoti Spollding nuk e shkroi atë. Unë e shkrova vetë siç doli nga buzët e profetit.’ [Reuben Miller, ditar, 1848–1849, Arkivat e Departamentit të Historisë Familjare dhe të Kishës, 21 tetor 1848; shenjat e pikësimit dhe gërmëzimi janë bërë bashkëkohore.]” (Siç citohet te James E. Faust, “Some Great Thing”, Ensign, nëntor 2001, f. 47).

Disa njerëz nga Ohajo, të shqetësuar që anëtarët e Kishës shpejt do të bëheshin kaq të shumtë sa do të formonin një bllok votimi dhe do të kishin fuqi politike, e paguan Filastës Hërlbatin që ta përgojonte Jozef Smithin dhe Librin e Mormonit. Jozef Smithi shprehu në një letër brengën që anëtarët e Kishës po “vuanin përndjekje të madhe për shkak të një burri të quajtur Doktori Hërlbat, i cili ishte përzënë nga kisha për sjellje të shthurur e kurorëshkelëse dhe nga inati ndaj nesh, ai po gënjen në një mënyrë mahnitëse dhe njerëzit po vrapojnë pas tij dhe po i japin para që ta dërrmojë mormonizmin, gjë e cila na e vë jetën tonë në shumë rrezik tashmë” (“Letter to William W. Phelps and Others, 18 gusht 1833”, f. 3; shih josephsmithpapers.org; gërmëzimi i standardizuar).

Zhvillime të tjera në Kirtland

Ishte në Kirtland që Zoti zbuloi më shumë për strukturën e Kishës. Detyrat vijuese të priftërisë u zbuluan gjatë periudhës së Kirtlandit: peshkopi, prifti i lartë, Presidenca e Parë, patriarku, këshilli i lartë, Apostulli dhe I Shtatëdhjeti.