Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 72–76:80 (Njësia 16)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 72–76:80 (Njësia 16)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studionin Doktrinën e Besëlidhjet 72–76:80 (njësia 16), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë, teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 72–74)

Teksa studentët studiuan thirrjen e Zotit për Njull K. Uitnin si peshkop, ata mësuan se thirrjet për të shërbyer në Kishën e Jezu Krishtit vijnë nga Shpëtimtari. Ata gjithashtu mësuan se peshkopët dhe presidentët e degëve administrojnë çështjet materiale dhe shpirtërore të Kishës në lagjet dhe degët e tyre. Ndërsa mësuan rreth punës së Profetit Jozef Smith për përkthimin e frymëzuar të Biblës, studentët përcaktuan parimin që fëmijët e vegjël janë të shenjtë, duke qenë të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 75)

Duke i studiuar udhëzimet e Zotit drejtuar një grupi pleqsh në Kishë, studentët mësuan për bekimet që Zoti ua jep atyre që janë besnikë në shpalljen e ungjillit. Nga këshilla e Zotit dhënë një grupi të veçuar pleqsh, studentët zbuluan se Zoti na urdhëron të jemi të zellshëm në të gjitha gjërat.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 76:1–49)

Ndërkohë që Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni përsiatnin domethënien e Gjonit 5:29, atyre iu dha një vegim nga Zoti. Përpara se ta studionin vegimin, studentët zbuluan parime që lidheshin me gatishmërinë e Zotit për të na e zbuluar të vërtetën. Ndërkohë që studentët e studiuan pjesën e parë të vegimit, ata përcaktuan doktrina të ndryshme rreth Jezu Krishtit dhe Satanit. Studentët gjithashtu mësuan se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë, përveç bijve të humbjes, mund të shpëtohen si nga mëkati edhe nga vdekja.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 76:50–80)

Ndërkohë që studiuan atë që Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni panë në vegim lidhur me mbretërinë çelestiale, studentët përcaktuan bekime të përjetshme që do t’iu jepeshin atyre që e marrin dëshminë për Jezusin dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij. Studentët gjithashtu zbuluan se ne mund të bëhemi të përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Duke i krahasuar ndryshimet midis mbretërive çelestiale dhe terrestriale, studentët mësuan se, nëse jemi të guximshëm në dëshminë për Jezusin, ne mund ta marrim mbretërinë çelestiale të Perëndisë.

Hyrje

Ky mësim përqendrohet mbi atë që Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni mësuan rreth Shpëtimtarit dhe mbretërive çelestiale e terrestriale nëpërmjet vegimit të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Për t’i ndihmuar studentët në përpjekjet e tyre për të mësuar përmendsh fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë te Doktrina e Besëlidhje 76:40–41, ju mund të doni ta thoni atë me zë të lartë përmendësh në fillim ose në fund të kësaj ore mësimore.

Doktrina e Besëlidhje 76:20–24

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shohin një vegim të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit

Për himnin e kohës shpirtërore, ftojeni klasën të këndojë “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74). Fjalët e këtij himni mund t’i ndihmojnë studentët të ndiejnë fuqinë e parimeve që do të mësojnë sot.

Ftojini studentët të marrin parasysh situatën vijuese: Ndërsa uleni në një orë mësimore në shkollë, mësuesi juaj fillon të diskutojë rreth feve të botës. Kur përmendet krishtërimi, mësuesi pyet nëse ka të krishterë në klasë, të cilët do të ishin të gatshëm që të tregonin bindjet e tyre rreth Jezu Krishtit.

  • Nëse do të ishit në këtë situatë, çfarë do të thoshit se besonit dhe dinit rreth Jezu Krishtit?

Vini në dukje se ne mund të mësojmë shumë të vërteta rreth Jezu Krishtit te Doktrina e Besëlidhje 76. Ndihmojini studentët të shqyrtojnë kontekstin e kësaj zbulese duke bërë pyetjet vijuese:

  • Çfarë po bënin Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni përpara se të merrnin vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76? (Nëse nevojitet, nxitini studentët të shqyrtojnë hyrjen e seksionit.)

  • Kë panë Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni fillimisht në vegim? (Nëse studentët nuk e mbajnë mend, ftojini ata t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 76:20–24 për ta gjetur përgjigjen.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:20–24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni mësuan rreth Jezu Krishtit.

  • Çfarë të vërtetash mësuan Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni rreth Jezu Krishtit nëpërmjet këtij vegimi? (Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet e tyre në tabelë.)

Studentët mund të përcaktojnë një llojshmëri doktrinash, duke përfshirë sa vijon: Jezu Krishti është një Qenie e gjallë, e lavdishme; Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë persona të dallueshëm; Jezu Krishti është i Vetëmlinduri i Atit në mish; Jezu Krishti është Krijuesi i kësaj bote dhe i botëve të tjera; dhe ne jemi bij e bija të lindura të Perëndisë. (Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë parimin e fundit, ju mund të doni t’i ftoni të lexojnë Mosian 5:7.)

  • Për cilën prej këtyre të vërtetave të renditura në tabelë mund të dëshmoni? Si e dini që ajo është e vërtetë?

Merreni parasysh të jepni vetë dëshminë tuaj për Shpëtimtarin.

Kujtojini studentët se Doktrina e Besëlidhje 76:22–24 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Kërkojuni atyre të përmendin se kujt tjetër i është shfaqur Jezu Krishti përveç Profetit Jozef Smith dhe Sidni Rigdonit. (Në mësimin e tyre të studimit në shtëpi për Ditën 3, studentëve iu caktua të gjenin referenca-kryq nga rrëfime të tjera në shkrimet e shenjta ku profetët dëshmuan se e kishin parë Shpëtimtarin. Për shembuj, shih Eksodi 33:11, 1 Mbretërve 11:9 dhe Isaia 6:5; shih edhe Mateu 5:8.)

Doktrina e Besëlidhje 76:50–80

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shohin mbretëritë çelestiale dhe terrestriale në vegim

Kërkojuni studentëve të përmendin disa vende ku ata do të donin të shkonin me pushime ose për festa. (Renditini përgjigjet e tyre në tabelë.) Qarkojeni një prej vendmbërritjeve të renditura në tabelë. Kërkojuni studentëve të përshkruajnë rrugën që do t’iu duhej të udhëtonin me qëllim që të arrinin në vendmbërritjen e përzgjedhur. Përzgjidhni një vendmbërritje tjetër të renditur në tabelë, që është në mënyrë të dukshme e ndryshme nga vendmbërritja e parë që e rrethuat.

  • Nëse ndiqni udhën që përshkruat për vendmbërritjen e parë, a do t’ju sjellë ajo te kjo vendmbërritje tjetër?

  • Si ndikon vendmbërritja që ju zgjidhni tek udha që duhet të bëni për të shkuar atje?

Ftojini studentët të hapin udhëzuesit e tyre të studimit të studentit te tabela “Doktrina e Besëlidhje 76: Përmbledhja e Vegimit” në mësimin për Ditën 3.

shkallët e lavdisë
  • Si lidhet diskutimi ynë rreth udhëve dhe vendmbërritjeve me vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76? (Nga ky vegim ne mësojmë rreth udhëve ose zgjedhjeve, që çojnë drejt vendmbërritjeve të përjetshme që janë të mundshme për secilin prej nesh.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:51–53, që përshkruan udhën drejt ekzaltimit në mbretërinë çelestiale. Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:72–79, që përshkruan udhën drejt mbretërisë terrestriale. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si ndryshojnë udhët drejt mbretërive çelestiale dhe terrestriale.

  • Cilat janë disa nga ndryshimet që vutë re midis atyre që trashëgojnë ekzaltim në mbretërinë çelestiale dhe atyre që trashëgojnë mbretërinë terrestriale? (Një nga ndryshimet domethënëse që studentët mund ta kenë vënë re, është se ata që trashëgojnë mbretërinë terrestriale “nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit” [DeB 76:79].)

Vërini studentët të rishikojnë Doktrinën e Besëlidhjet 76:51–53, duke kërkuar një parim të dhënë mësim në ato vargje.

Shkruajeni në tabelë parimin e paplotë vijues: Nëse jemi të guximshëm në dëshminë për Jezusin, …

  • Nga ajo që mësoni te vargjet 51–53, si do ta plotësonit këtë parim? (Ata mund të përdorin fjalë të tjera, por studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi të guximshëm në dëshminë për Jezusin, ne mund të marrim ekzaltim në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, diskutoni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendoni se është ndryshimi midis të pasurit e një dëshmie për Shpëtimtarin dhe të qenit të guximshëm në atë dëshmi?

  • Cilat janë disa veprime dhe sjellje që do t’i shihnit tek ata që janë të guximshëm në dëshminë e tyre për Shpëtimtarin?

  • Çfarë ju ka ndihmuar të jeni të guximshëm në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin?

Ndani dëshminë tuaj që secili prej tyre ka potencialin për të marrë ekzaltim në mbretërinë çelestiale. Ftojini ata të përsiatin nëse zgjedhjet që po bëjnë, po i çojnë ata drejt vendmbërritjes së përjetshme që do t’iu sjellë atyre lumturinë më të madhe. Nxitini ata të jeni të guximshëm në dëshminë e tyre për Jezu Krishtin.

Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 76:81–119; 77–83)

Që t’i përgatitni studentët për studimin e tyre gjatë javës së ardhshme, ju mund të doni t’i ftoni që të marrin parasysh sa vijon: Përse pret Zoti më shumë prej atyre që kanë marrë më shumë dritë e dituri? Përveç mbarimit të studimit të tyre për vegimin e dhënë Profetit Jozef Smith dhe Sidni Rigdonit, të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76, në njësinë tjetër studentët do të mësojnë atë që Zoti pret nga ata të cilëve Ai u ka dhënë shumë. Studentët gjithashtu do të lexojnë shpjegimin për “katër kafshë[t]” që flitet te Zbulesa 4:6–9.