Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 101:43–101; 102–105 (Njësia 22)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 101:43–101; 102–105 (Njësia 22)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 101:43–101; 102–105 (njësia 22), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 101:43–101; 102)

Studentët studiuan tri shëmbëlltyra, të cilat Zoti i përdori për t’u mësuar shenjtorëve vullnetin e Tij lidhur me shëlbimin e Sionit. Ndërsa studiuan, studentët mësuan parimet vijuese: nëpërmjet punës në tempull, të jetuarit të drejtë dhe ndjekjes së profetëve, ne përgatitemi për t’i bërë ballë kundërshtarit; kur u bindemi urdhërimeve të Zotit, ne forcohemi për t’i bërë ballë armiqve shpirtërorë dhe fizikë; kur ne mblidhemi në tempull, ne marrim mbrojtje dhe e përgatitim veten tonë për jetën e përjetshme; dhe, Perëndia na ka dhënë lirinë e zgjedhjes, fuqinë për të zgjedhur, por ne jemi përgjegjës për zgjedhjet tona.

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 103)

Ndërsa studentët i studiuan udhëzimet e Zotit lidhur me shëlbimin e Sionit, ata përcaktuan bekime që i marrim kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit dhe pasojat që ndodhin kur nuk jemi të bindur. Studentët gjithashtu mësuan se dishepujt e Jezu Krishtit janë të gatshëm ta japin jetën e tyre për hir të Tij dhe se gjithë fitorja dhe lavdia do të na vijnë nëpërmjet zellit, besnikërisë dhe lutjeve tona të besimit.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 104)

Nga udhëzimet e Zotit për të riorganizuar Ndërmarrjen e Bashkuar (shpesh e quajtur Urdhri i Bashkuar), studentët mësuan se Zoti krijoi tokën dhe të gjitha gjërat në të janë të Tijat. Ata përcaktuan parimin se ne jemi përgjegjës që t’i përdorim ato që Zoti na ka dhënë për të ndihmuar të tjerët. Studentët gjithashtu mësuan rreth bekimeve që mund t’i marrim nga të qenit të përulur e besnikë dhe nga të luturit në emër të Zotit.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 105)

Pasi Kampi i Sionit mbërriti në Misuri, Zoti zbuloi se Sioni nuk do të shëlbohej në atë kohë. Nga udhëzimet e Zotit drejtuar shenjtorëve, studentët mësuan parimet vijuese: ne duhet të jemi të bashkuar e të bindur ndaj gjithçkaje që kërkon Perëndia në mënyrë që Sioni të ngrihet; Perëndia ka përgatitur bekime të mëdha për ata që janë besnikë gjatë provave të tyre; dhe, nëse kërkojmë të vendosim paqe me të tjerët, atëherë të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë. Koha e duhur e Zotit shpesh është e ndryshme nga koha jonë.

Hyrje

Ky mësim do t’i ndihmojë studentët t’i zbatojnë mësimet e Kampit të Sionit në vetë jetën e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 105

Zoti zbulon se çfarë duhet të bëjnë shenjtorët lidhur me vështirësitë në tokën e Sionit

Përpara orës mësimore, merrni një gotë letre, një llastik dhe tri fije spangoje. Diametri i llastikut duhet të jetë më i vogël sesa diametri i gotës. Lidhini fijet e spangos te llastiku në largësi të barabarta.

gotë letre, llastik, spango

Fillojeni mësimin duke kërkuar tre vullnetarë. Vendoseni gotën në një sipërfaqe të sheshtë dhe udhëzojini vullnetarët që ta ngrenë gotën duke përdorur vetëm llastikun dhe spangot. Thuajuni studentëve se nuk mund ta prekin llastikun; ata duhet të mbajnë fijet e spangos. (Që ta përmbushin këtë detyrë, studentëve do t’iu nevojitet të punojnë së bashku dhe ta tërheqin njëkohësisht secilën spango me forcë të barabartë, me qëllim që ta hapin llastikun mjaftueshëm për ta vendosur atë rreth gotës dhe pastaj për ta ngritur atë.)

Kur studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë roli luajti uniteti në përmbushjen e kësaj detyre?

Kujtojuni studentëve se gjatë studimeve të tyre javën e shkuar, ata patën mundësinë që të studionin zbulesa të dhëna nga Zoti lidhur me Kampin e Sionit dhe misionin e tij për t’i ndihmuar shenjtorët e dëbuar në Sion. Nxitini studentët që gjatë gjithë mësimit sot të shohin për rolin që luajti uniteti në përpjekjet e shenjtorëve për ta rimarrë tokën e Sionit.

Ftojini studentët të rrëfejnë historinë e Kampit të Sionit, nisur nga ajo që mësuan në studimet e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 103 dhe 105. Pyetjet vijuese mund të bëhen që t’i ndihmojnë studentët ndërsa rishikojnë atë që mësuan:

  • Përse kishin nevojë për ndihmë shenjtorët në Sion (në kontenë Xhekson në Misuri)? (Ata qenë detyruar me forcë prej turmave që të largoheshin nga tokat e tyre.)

  • Çfarë ishte Kampi i Sionit? (Një grup prej pak më shumë se 200 burrash, 12 grash dhe 9 fëmijësh – vullnetarë dhe të rekrutuar – të udhëhequr nga Profeti Jozef Smith dhe të organizuar në bindje të udhëzimeve të Zotit.)

  • Cili ishte qëllimi fillestar i Kampit të Sionit? (T’u çonte furnizimet e nevojshme shenjtorëve të dëbuar në Misuri dhe t’i ndihmonte ata të rimerrnin tokën e tyre në kontenë Xhekson.)

Kujtojuni studentëve se zbulesa që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 105 u dha më 22 qershor 1834, pasi Kampi i Sionit kishte qenë duke udhëtuar për pothuaj shtatë javë dhe ishte vetëm 15–30 kilometra larg nga konteja Xhekson. Kërkojini klasës nëse dikush mund ta kujtojë udhëzimin që Zoti ia dha në këtë kohë Kampit të Sionit lidhur me shëlbimin e Sionit. (Ata duhej të prisnin për t’i ndihmuar shenjtorët e dëbuar në rimarrjen e tokës së Sionit. Nëse studentët kanë nevojë për ta kujtuar këtë hollësi, ftojini ata t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 105:9.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 105:3–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke shqyrtuar disa nga arsyet që dha Zoti për vonesën e shëlbimit të Sionit.

  • Çfarë arsyesh dha Zoti që nuk i rivendosi shenjtorët në tokat dhe shtëpitë e tyre në Sion në atë kohë?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth asaj që duhet të bëjmë për ta ndërtuar Sionin? (Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por ndihmojini të përcaktojnë sa vijon: Ne duhet të jemi të bashkuar dhe të bindur ndaj gjithçkaje që kërkon Perëndia me qëllim që Sioni të ngrihet. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë shpjegimin e Plakut Kristoferson për atë që Sioni është dhe se çfarë duhet të ndodhë që ai të vendoset.

Plaku D. Tod Kristoferson

“Sioni është si një vend ashtu edhe një popull. …

Sioni është Sion për shkak të karakterit, cilësive dhe besnikërisë së qytetarëve të tij. Mbani mend, ‘Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre’ (Moisiu 7:18). Nëse do ta vendosnim Sionin në shtëpitë, degët, lagjet dhe kunjet tona, ne duhet të ngrihemi deri te ky standard. Do të jetë e domosdoshme 1) të bashkohemi në një zemër e një mendje; 2) të bëhemi, si individë dhe si kolektiv, një popull i shenjtë; dhe 3) të kujdesemi për të varfrit dhe nevojtarët me aq efektshmëri sa të zhdukim varfërinë mes nesh. Nuk mund të presim derisa Sioni të vijë, që të ndodhin këto gjëra – Sioni do të vijë vetëm kur ato të ndodhin” (“Ejani në Sion”, Ensign dhe Liahona, nëntor 2008, f. 37, 38).

Merreni parasysh të bëni disa nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët që ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për Sionin:

  • Çfarë është Sioni?

  • Çfarë duhet të ndodhë që Sioni të vendoset?

  • Si mendoni ju, përse kërkohet unitet dhe bindje që Sioni të ngrihet?

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 105:3–5, ata njerëz që janë të bashkuar, i binden ligjit të cilës mbretëri të lavdisë?

  • Çfarë mund të bëni ju për ta forcuar unitetin në familjet tuaja, në klasat e Kishës ose në kuorumet tuaja? Si mund t’i nxitni të tjerët në këto grupe që të jenë të bashkuar e të bindur ndaj Zotit?

  • Si do t’ju ndihmonte bërja e këtyre gjërave ju dhe të tjerët për ta vendosur Sionin?

  • Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar ta kuptoni rëndësinë e unitetit brenda një grupi?

Ftojini studentët të mendojnë një gjë që mund të bëjnë për ta forcuar unitetin në familjet e tyre ose në klasat e Kishës apo në kuorumet e tyre. Kërkojuni studentëve të diskutojnë me një partner atë që do të bëjnë. Dëshmoni për rëndësinë e të qenit të bashkuar dhe të bindur ndërsa kërkojmë të përmbushim qëllimet e Zotit.

Shpjegoni se Zoti e mbylli zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 105, duke i udhëzuar shenjtorët mbi mënyrën se si duhej t’iu përgjigjeshin armiqve të tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 105:38–41. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përzgjedhë një frazë nga vargjet që përmbledhin atë që Zoti i udhëzoi shenjtorët të bënin në përgjigje ndaj shtypësve të tyre. Më pas kërkojuni studentëve të shpjegojnë përse ata përzgjodhën frazën që përzgjodhën.

  • Bazuar te mësimet e Zotit në këto vargje, çfarë bekimi mund të vijë nëse kërkojmë të vendosim paqe me të tjerët? (Merreni parasysh t’i ftoni studentët të shenjojnë fjalë ose fraza që na mësojnë parimin vijues: Nëse kërkojmë të vendosim paqe me të tjerët, atëherë të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë.)

  • Çfarë bekimesh keni parë të vijnë kur ju ose dikush që e njihni kërkoi të ishte një paqebërës?

Nxitini studentët të kërkojnë të vendosin paqe në ndërveprimet e tyre me të tjerët.

Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 106–108; 137)

Kërkojuni studentëve nëse e kanë pyetur ndonjëherë veten se çfarë u ndodh atyre që vdesin pa qenë të pagëzuar ose pa e dëgjuar ungjillin e Jezu Krishtit. Shpjegoni se në njësinë tjetër, ata do të gjejnë përgjigje për atë pyetje. Ju do të mësoni edhe rreth emrit fillestar të Priftërisë Melkizedeke dhe funksioneve të detyrave të priftërisë.