Mësimi 106
Doktrina e Besëlidhje 101:43–101
Hyrje
Më 16 dhe 17 dhjetor 1833, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë lidhur me shenjtorët në Misuri, të cilët i kishin lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes. Shumë prej atyre shenjtorëve ishin detyruar që t’i linin prapa të gjitha zotërimet e tyre. Zbulesa që mori Profeti, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 101 diskutohet në tre mësime në këtë manual. Ky mësim i tretë përfshin shëmbëlltyrën e Zotit për fisnikun dhe pemët e ullirit, duke dhënë mësim vullnetin e Tij lidhur me shëlbimin e Sionit. Ai përfshin edhe këshillën e Zotit që shenjtorët të vazhdonin të mblidheshin së bashku (duke iu referuar shëmbëlltyrës së Tij të grurit dhe egjrës) dhe të kërkonin dëmshpërblim për krimet e kryera kundër tyre (duke iu referuar shëmbëlltyrës së Tij të gruas dhe gjykatësit të padrejtë).
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 101:43–62
Zoti jep shëmbëlltyrën e fisnikut dhe të pemëve të ullirit
Në tabelë, shkruani Shëmbëlltyra e …
Shpjegoni se shëmbëlltyra është “një tregim i thjeshtë i përdorur për të ilustruar dhe mësuar një të vërtetë ose parim shpirtëror. Një shëmbëlltyrë bazohet në krahasimin e një objekti ose ngjarjeje të zakonshme me një të vërtetë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shëmbëlltyrë”, [f. 175], scriptures.lds.org).
Kërkojuni studentëve të renditin disa nga shëmbëlltyrat që Shpëtimtari dha mësim gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Për shembull, studentët mund të përmendin shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë ose shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave.
Shpjegoni se në mësimin e sotëm studentët do të diskutojnë për një shëmbëlltyrë që Shpëtimtari e dha përmes Jozef Smithit. Plotësojeni frazën në tabelë, kështu që ajo thotë: Shëmbëlltyra e fisnikut dhe e pemëve të ullirit.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:43. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar mesazhin që Zoti tha se Ai donte të kumtonte me këtë shëmbëlltyrë. (Ai donte që njerëzit të kuptonin “vullnetin [e Tij] lidhur me shëlbimin e Sionit”.) Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:44–45 dhe kërkojini klasës që ta ndjekë, duke i dhënë vëmendje të veçantë hollësive të shëmbëlltyrës. Për t’u siguruar që studentët e kuptojnë historinë, bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë i udhëzoi fisniku shërbëtorët e tij të bënin?
-
Përse fisniku donte rojtarë në vreshtin e tij? Përse donte ai një rojë në kullë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:46. Vëreni klasën që ta ndjekë dhe të kërkojë se sa mirë i ndoqën shërbëtorët udhëzimet e fisnikut.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 101:47–50, duke kërkuar sërish se sa mirë i ndoqën shërbëtorët udhëzimet e fisnikut.
-
Sa mirë i ndoqën shërbëtorët udhëzimet? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se te vargu 50, fraza “nuk binin dakort me njëri-tjetrin” do të thotë se shërbëtorët u grindën me njëri-tjetrin.)
-
Përse shërbëtorët dështuan në ndërtimin e kullës?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:51. Vëreni klasën të kërkojë atë që ndodhi për shkak se shërbëtorët nuk e ndërtuan kullën. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë.
Lexojuni studentëve Doktrinën e Besëlidhjet 101:52–54. Vërini ata që t’ju ndjekin, duke kërkuar fjalët e fisnikut ndaj shërbëtorëve të tij.
-
Sipas vargut 54, përse fisniku qe i mërzitur që shërbëtorët e tij nuk kishin ndërtuar një kullë?
-
Si lidhen ngjarjet e përshkruara në këtë shëmbëlltyrë me atë që u ndodhi shenjtorëve në Misuri?
Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se në një zbulesë të dhënë në korrik 1831, Zoti përcaktoi vendndodhjen për një tempull në Indipendëns të Misurit (shih DeB 57). Më 3 gusht 1831, Jozef Smithi përkushtoi vendin e tempullit në Indipendëns. Megjithatë, shenjtorët nuk bënë asgjë për ta ndërtuar tempullin. Më 2 gusht 1833, Zoti i urdhëroi sërish shenjtorët në Misuri që të ndërtonin një tempull (shih DeB 97).
-
Si mund të lidhet kulla në shëmbëlltyrë me tempullin që shenjtorët nuk arritën ta ndërtonin?
-
Cilat janë disa parime në këtë shëmbëlltyrë që ne mund t’i zbatojmë në jetën tonë? (Për shkak se një shëmbëlltyrë mund të ketë shumë kuptime, studentët mund të sugjerojnë disa parime, duke përfshirë sa më poshtë: Kur ne u bindemi urdhërimeve të Zotit, ne forcohemi për t’u bërë ballë armiqve shpirtërorë dhe fizikë. Profetët shërbejnë si roje në kullë, duke na paralajmëruar për rreziqet e ardhshme. Nëpërmjet punës në tempull, ne përgatitemi t’i bëjnë ballë kundërshtarit.)
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 101:55–62. Vëreni klasën që t’i ndjekë dhe të kërkojë atë që fisniku e urdhëroi shërbëtorin e Tij të bënte.
-
Çfarë e urdhëroi fisniku shërbëtorin e Tij të bënte? (Të mblidhte një ushtri dhe të shëlbente vreshtin.)
Shpjegoni se shërbëtori i përmendur te vargu 55 përfaqëson Jozef Smithin (shih DeB 103:21). Jozef Smithi ndoqi urdhrin e Zotit dhe organizoi një grup të quajtur Kampi i Sionit për të shëlbyer tokën e Sionit. Kampi i Sionit do të diskutohet në mësimet 108 dhe 110.
Doktrina e Besëlidhje 101:63–75
Zoti i këshillon shenjtorët të vazhdojnë punën e mbledhjes
Shpjegoni që edhe pse shenjtorët në kontenë Xhekson të Misurit ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, Zoti i urdhëroi ata që të vazhdonin ta ndërtonin mbretërinë e Tij. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:63–64, dhe vëreni klasën të kërkojë atë që tha Zoti se do të vazhdonte të bënte. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 101:65–66, duke kërkuar një shëmbëlltyrë të cilës iu referua Shpëtimtari.
-
Çfarë përfaqësojnë gruri dhe egjra në këtë shëmbëlltyrë? (Gruri përfaqëson anëtarët besnikë të Kishës dhe egjra përfaqëson njerëzit e ligj të botës. Ju mund të doni të shpjegoni se egjrat janë barëra të këqij që duken si grurë kur janë të njoma.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë shëmbëlltyrë, shpjegoni se në kohët e lashta, hambarët ishin vende ku gruri mblidhej dhe ruhej për siguri. Duke iu referuar kësaj shëmbëlltyre dhe mësimeve të tjera në shkrimet e shenjta, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Hambarët janë tempujt e shenjtë” (“Me Nder do të Mbaj një Emër e Qëndrim”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 97). Shkruani sa vijon në tabelë: hambarët = tempuj të shenjtë.
-
Bazuar në këtë shëmbëlltyrë, çfarë bekimesh do të marrim ne kur mblidhemi në tempuj dhe kur shërbejmë atje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne mblidhemi në tempuj, ne marrim mbrojtje dhe e përgatitim veten tonë për jetën e përjetshme.)
-
Si mendoni ju, në ç’mënyrë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit mund të na mbrojnë dhe përgatitin për jetën e përjetshme?
Ftojini disa studentë që të tregojnë mënyrën se si tempulli ka qenë një burim mbrojtjeje dhe përgatitjeje për ta dhe familjet e tyre. Ju mund të doni të shtoni dëshminë tuaj për këtë parim.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 101:67–75 duke shpjeguar që edhe pse shenjtorët ishin larguar me forcë nga konteja Xhekson në Misuri, Zoti i këshilloi ata që të vazhdonin të blinin prona atje dhe në kontetë fqinje.
Doktrina e Besëlidhje 101:76–101
Zoti i këshillon shenjtorët që të vazhdojnë të gjejnë një mënyrë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Misuri
Shpjegoni që përveçse i udhëzoi shenjtorët që të blinin prona, Zoti u tha atyre të “kërko[nin] dëmshpërblim” për shkak të veprimeve të atyre që i kishin përndjekur ata (shih DeB 101:76). Me fjalë të tjera, Ai u tha atyre të kërkonin drejtësi përmes sistemit ligjor të qeverisë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:76–80. Kërkojini klasës që ta ndjekë dhe të përcaktojë sistemin e ligjeve që do t’u lejonte shenjtorëve të kërkonin ndihmë nga udhëheqësit e qeverisë.
-
Sipas këtyre vargjeve, Zoti e kishte udhëhequr themelimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara vite më parë. Përse donte Ai që të ruhej kjo kushtetutë?
-
Zoti tha se një qëllim i “liri[së] morale të zgjedhjes” është që të sigurojë se ne jemi “të përgjegjshëm për [vetë] mëkatet [tona]” (DeB 101:78). Përse është përgjegjshmëria – përgjegjësia për veprimet tona – një pjesë e rëndësishme e lirisë së zgjedhjes? Si do t’i përgjigjeshit dikujt që thotë: “Unë jam i lirë të bëj çfarë të dua”?
-
Zoti tha se asnjë njeri nuk duhet të jetë nën skllavërinë e një personi tjetër. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që individët të mos jenë në skllavëri?
Si pjesë e këtij diskutimi, shkruani sa më poshtë në tabelë: Perëndia na ka dhënë lirinë morale të zgjedhjes, fuqinë për të zgjedhur, por ne jemi …
Ftojini studentët ta plotësojnë këtë thënie bazuar te Doktrina e Besëlidhje 101:78. (Ndërsa studentët e përcaktojnë parimin vijues, plotësojeni thënien në tabelë: Perëndia na ka dhënë lirinë morale të zgjedhjes, fuqinë për të zgjedhur, por ne jemi përgjegjës për zgjedhjet tona.)
Shpjegoni që Zoti përdori një shëmbëlltyrë për t’i nxitur shenjtorët të kërkonin ndihmë nga udhëheqësit e qeverisë. Ftojeni një student që ta lexojë shëmbëlltyrën te Doktrina e Besëlidhje 101:81–84 (shih edhe Lluka 18:1–8). Vëreni klasën ta ndjekë dhe të marrë në shqyrtim mënyrën se si u zbatua shëmbëlltyra për shenjtorët në Misuri. Më pas ftojeni një student tjetër ta lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 101:85–88. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si e zbatoi Zoti shëmbëlltyrën për ata shenjtorë.
-
Gjatë kësaj periudhe të historisë së Kishës, kë mund të përfaqësojë vejusha? (Anëtarët e Kishës.) Kë mund të përfaqësojë gjykatësi? (Gjykatësi mund të përfaqësojë gjykatësit dhe udhëheqësit e qeverisë te të cilët shenjtorët do të kërkonin ndihmë. Ai mund të përfaqësojë edhe Atin Qiellor, të cilit shenjtorët do të vazhdonin t’i luteshin.)
-
Duke përdorur këtë shëmbëlltyrë, çfarë gjërash të posaçme i udhëzoi Zoti shenjtorët që të bënin?
Shpjegoni që shenjtorët i bënë thirrje gjykatësve në gjykatat vendore, por nuk e morën mbështetjen që shpresonin. Ata i kërkuan Daniel Danklinit, guvernatorit të Misurit dhe Andrea Xheksonit, presidentit të Shteteve të Bashkuara, që t’i ndihmonte të ktheheshin në shtëpitë e pronat e tyre dhe të siguronin mbrojtje për ta. Të dy udhëheqësit refuzuan që t’i ndihmonin ata. Shenjtorët i bënë kërkesë edhe legjislaturës së shtetit të Misurit, por ata nuk pranuan që t’i ndihmonin.
Drejtojuni parimit që keni shkruar në tabelë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 101:89–91. Vëreni klasën të kërkojë se si do të mbaheshin përgjegjës udhëheqësit e qeverisë nëse nuk pranonin që t’i ndihmonin shenjtorët. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Vërini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 101:92–95, duke kërkuar atë që Zoti u tha shenjtorëve që të bënin për udhëheqësit e qeverisë së tyre.
-
Çfarë na mëson vargu 92 rreth Zotit? (Ai nuk do që t’i ndëshkojë njerëzit. Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të pendohen, kështu që Ai të mund të jetë i mëshirshëm ndaj tyre.)
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 101:96–101 duke shpjeguar që Zoti i këshilloi shenjtorët t’i mbanin pronat e tyre në kontenë Xhekson, edhe pse atyre nuk u lejohej që të jetonin atje. Ai premtoi se nëse ata do të jetonin denjësisht, një ditë ata do të ishin në gjendje të jetonin atje.
Për ta mbyllur, jepni dëshminë tuaj për parimet që kanë diskutuar studentët.