Mësimi 125
Doktrina e Besëlidhje 119–120
Hyrje
Në verën e vitit 1838, shenjtorët po përjetonin vështirësi të mëdha financiare, ndërsa përpiqeshin të ngrinin Kishën në Misurin verior. Profeti Jozef Smith kërkoi drejtim nga Zoti dhe, më 8 korrik 1838, ai mori zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 119 dhe 120. Në këto zbulesa, Zoti dha mësim ligjin e së dhjetës dhe autorizoi udhëheqës të caktuar të Kishës që të përcaktonin se si përdoren fondet e së dhjetës.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 119:1–4
Zoti zbulon ligjin e së dhjetës
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë tregimin vijues të treguar nga Presidenti Gordon B. Hinkli:
“Një grua në San-Paolo të Brazilit … punonte, ndërkohë që shkonte në shkollë për të siguruar për familjen e saj. Unë po përdor vetë fjalët e saj në tregimin e kësaj historie. Ajo thotë:
‘Universiteti në të cilin studioja, kishte një rregullore që i ndalonte studentët që kishin borxhe, të jepnin provime.’ …
‘Kujtoj një rast kur unë … u përballa me vështirësi serioze financiare. … Kur e llogarita buxhetin mujor, vura re se nuk do të kishte mjaft para për t’i paguar [të dyja] edhe të dhjetën time edhe universitetin tim. Do të më duhej të zgjidhja midis tyre. Provimet që jepeshin çdo dy muaj do të fillonin javën tjetër dhe, po të mos i bëja mund ta humbisja vitin shkollor. Ndieja një ankth të madh. … Kisha një vendim të dhimbshëm përpara dhe nuk dija çfarë të vendosja’” (“We Walk by Faith”, Ensign, maj 2002, f. 73).
-
Çfarë do t’i thonit dikujt në një mëdyshje të ngjashme?
Ftojeni një student të lexojë vazhdimësinë e tregimit:
“‘Kjo ndjenjë ma dogji shpirtin dhe mbeti tek unë [për disa ditë]. Ishte atëherë që u kujtova se, kur u pagëzova, kisha rënë dakord ta jetoj ligjin e së dhjetës. Unë kisha marrë mbi vete një detyrim, jo me misionarët, por me Atin tim Qiellor. Në atë çast, ankthi filloi të zhduket, duke i lënë vend një ndjesie të këndshme qetësie dhe vendosmërie. …
‘Atë natë kur u luta, i kërkova Zotit të më falte për pavendosmërinë time. Të dielën, … me kënaqësi të madhe pagova të dhjetën dhe ofertat e mia të agjërimit. Ajo ishte një ditë e veçantë. U ndjeva e lumtur dhe në paqe brenda vetes dhe me Atin Qiellor’” (“We Walk by Faith”, f. 73).
Kërkojuni studentëve të përsiatin se si mund të reagonin në këtë situatë. Ftojini studentët të kërkojnë parime gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta sot, të cilat mund t’i ndihmojnë ata teksa përjetojnë situata të ngjashme.
Shpjegoni se në fillim të vitit 1837, Kisha përjetoi vështirësi të mëdha financiare, sikurse përjetuan edhe shumë anëtarë të veçantë të Kishës. Këto probleme financiare erdhën si rrjedhojë e një depresioni ekonomik kombëtar, dhunës së turmave në Misuri dhe Ohajo, të cilat i dëbuan shenjtorët nga shtëpitë e tyre, dhe nga mungesa e gatishmërisë së disa shenjtorëve për ta jetuar ligjin e përkushtimit. Deri në vitin 1838, me më shumë shenjtorë që ishin mbledhur në kontenë Kolduell të Misurit, Kishës i nevojiteshin para që të përmbushte atë që Zoti i kishte urdhëruar të bënin, siç ishte ndërtimi i tempullit në Far-Uest. Peshkopët në Ohajo dhe Misuri ishin duke i nxitur shenjtorët që t’i sillnin të dhjetat dhe ofertat e tyre në shtëpinë e ruajtjes.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 119. Vëreni klasën ta ndjekë, duke parë për atë që Jozef Smithi kërkoi në këtë kohë.
-
Çfarë i kërkoi Jozef Smithi Zotit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 119:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Zotit ndaj kërkesës së Jozef Smithit.
-
Sipas vargut 4, çfarë është e dhjeta? (Studentët duhet të përcaktojnë urdhërimin vijues: Zoti na urdhëron t’ia paguajmë një të dhjetën e të gjithë rritjes sonë Atij si të dhjetë. Ju mund të doni ta shkruani këtë urdhërim në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë domethënien e fjalës interes në vargun 4, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter:
“Ligji deklarohet thjesht si ‘një [e] dhjet[a] e gjithë interesit të tyre’. Interes do të thotë përfitim, shpërblim, rritje. Është rroga e një të punësuari, fitimi nga puna e një biznesi, shtesa e dikujt që rrit apo prodhon, ose e ardhura e një personi nga çfarëdo burimi tjetër. Zoti tha se ai është një ligj i qëndrueshëm ‘përgjithmonë’, njësoj siç ka qenë në të kaluarën” (në Conference Report, prill 1964, f. 35).
-
Çfarë mësoni nga Zoti që i urdhëroi shenjtorët ta paguanin të dhjetën në një kohë kur ishte e vështirë ta bënin këtë gjë?
-
Në çfarë mënyrash është pagimi i së dhjetës një veprim besimi?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si ta paguajnë të dhjetën, paraqitni një formular për Të Dhjetën dhe Ofertat e Tjera. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se sapo kanë fituar ca para. Ftojeni një student të sugjerojë një sasi.
-
Sa e dhjetë duhet të paguhet për atë sasi parash?
Shënojeni sasinë e së dhjetës në vendin e duhur në formular dhe bëni pyetjen vijuese:
-
Nëse e ndajmë 10 përqind të së ardhurës sonë midis kategorive të ndryshme të dhurimit në formular, a kemi paguar një të dhjetë të plotë? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se 10 përqind e së ardhurës së tyre duhet të renditet si e dhjetë. Ndonjë dhurim që ata e bëjnë për fondet e tjera, është shtesë e atij 10 përqindëshi.)
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre t’i shpjegojnë njëri-tjetrit kuptueshmërinë e tyre për mënyrën se si përdoren fondet e së dhjetës. Më pas ftojini ata të lexojnë shpjegimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 119:2.
-
Sipas vargut 2, për çfarë përdoren fondet e së dhjetës? (E dhjeta përdoret “për ndërtimin e shtëpisë [së Zotit]” [ndërtimin e tempujve] dhe “për ngritjen e themelit të Sionit e për priftërinë” [duke financuar në fusha të tjera të punës së Zotit, të tilla si ndërtimi dhe mirëmbajtja e shtëpive të mbledhjeve, përkthimi e botimi i shkrimeve të shenjta dhe përkrahja e punës misionare dhe e punës së historisë familjare anembanë botës]. Ju mund të doni të vini në dukje se sot Kisha nuk është në borxh. Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Fondet e së dhjetës përdoren për të ndërtuar tempuj dhe për të përmbushur punën e Zotit.)
Doktrina e Besëlidhje 119:5–7
Zoti shpjegon ligjin e së dhjetës
Ftojini dy studentë që të marrin pjesë në një interpretim me role. Caktojeni një student të veprojë si një anëtar besnik i Kishës, ndërkohë që studenti i dytë ndërmerr rolin e dikujt që nuk është anëtar i Kishës. Jepini studentit të dytë një fletë letre me pyetjen vijuese të shkruar në të: Dëgjova që ju i jepni 10 përqind të së ardhurës suaj kishës suaj. Përse do të donit ta bënit atë?
Kërkojini studentit të dytë ta lexojë pyetjen me zë të lartë dhe ftojeni studentin e parë të përgjigjet. Pas interpretimit me role, kërkojini klasës se si mund të ishin përgjigjur ata. Vini në dukje se ka shumë përgjigje të mira për këtë pyetje.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 119:6–7. Vëreni klasën që të kërkojë atë që përmbushet nëpërmjet bindjes ndaj ligjit të së dhjetës.
-
Sipas vargut 6, çfarë përmbushet nëpërmjet bindjes ndaj ligjit të së dhjetës? (Shenjtërimi i tokës së Sionit për Zotin.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë varg, shpjegoni se të qenit të shenjtëruar i referohet bërjes të lirë nga mëkati – të dëlirë, të pastër dhe të shenjtë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Përveç kësaj, kujtojuni studentëve se Sioni është më shumë se sa një vendndodhje fizike; ai është njerëzit që janë “të kulluar në zemër” (DeB 97:21).
Ftojini studentët t’i përmbledhin përpjekjet e tyre të bindjes ndaj ligjit të së dhjetës me vetë fjalët e tyre. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të tjera, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Pagimi i së dhjetës na shenjtëron si individë dhe si Kishë. Shkruajeni këtë parim në tabelë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në anën e faqes së shkrimeve të tyre të shenjta.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë dhe ta ndiejnë rëndësinë e këtij parimi, kërkojuni atyre t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si ka ndihmuar pagimi i së dhjetës për t’ju shenjtëruar juve?
-
Si mendoni, në çfarë mënyrash pagimi i së dhjetës do ta ndihmonte dikë që të shenjtërohej?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të shpjegojnë atë që kanë shkruar. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë dhe të jepni dëshminë tuaj për ligjin e së dhjetës.
Doktrina e Besëlidhje 120
Zoti organizon një këshill për planifikimin e të dhjetave
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen te Doktrina e Besëlidhje 120. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë qëllimin e kësaj zbulese.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 120:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se cilët përzgjodhi Zoti të ishin pjesë e këshillit që vendos se si të shpenzohen fondet e së dhjetës.
-
Cilët vendosin se si të përdoren fondet e së dhjetës?
Ju mund të doni të shpjegoni se këshilli që përmendet te Doktrina e Besëlidhje 120 është përgjegjës për mbikëqyrjen e të gjitha pagesave dhe shpenzimeve për tërë Kishën. Ky këshill aktualisht njihet si Këshilli mbi Planifikimin e të Dhjetave dhe përbëhet nga Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Peshkopata Kryesuese.
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 120:1, në ç’mënyrë duhet të vendosin anëtarët e këtij këshilli se si të përdoren fondet e së dhjetës? (Me anë të vetë “zërit [të Zotit] për ta”. Me fjalë të tjera, me anë të zbulesës.)
Ftojini studentët të përmbledhin me fjalët e tyre atë që na mëson kjo zbulesë se kush e drejton përdorimin e fondeve të së dhjetës. (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti e drejton përdorimin e fondeve të të dhjetës nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si vepron ky parim sot në Kishë, shpjegoni që secila lagje ose degë ia dorëzon fondet e saj të mbledhura të së dhjetës zyrave qendrore të Kishës. Udhëheqësit vendorë nuk përcaktojnë se si të përdoren këto fonde të shenjta. Këshilli mbi Planifikimin e të Dhjetave i merr ato vendime nën drejtimin e Zotit.
Presidenti Gordon B. Hinkli foli për respektin e thellë që Këshilli mbi Planifikimin e të Dhjetave ka për fondet e së dhjetës:
“Unë mbaj në komodinën prapa tavolinës sime një monedhë të veje, që m’u dha në Jerusalem shumë vite më parë si një kujtues, një kujtues i vazhdueshëm, i shenjtërisë së fondeve me të cilat kemi të bëjmë. Ato vijnë nga e veja, ato janë ofertat e saj, si edhe e dhjeta e pasanikut, dhe ato duhet të përdoren me kujdes e urtësi për qëllimet e Zotit. Ne i trajtojmë ato me përkujdesje e i ruajmë ato dhe përpiqemi në çdo mënyrë që mundemi, për t’i parë që ato përdoren sikurse e ndiejmë që Zoti do t’i kishte përdorur, për ngritjen e veprës së Tij dhe për përmirësimin e njerëzve” (“This Thing Was Not Done in a Corner”, Ensign, nëntor 1996, f. 50).
Ftojini studentët të tregojnë ndonjë ide shtesë ose të japin dëshmitë e tyre rreth ligjit të së dhjetës.