Seminare dhe Institute
Mësimi 148: Udhëtimi përmes Ajouas; Doktrina e Besëlidhje 136:1–18


Mësimi 148

Udhëtimi përmes Ajouas; Doktrina e Besëlidhje 136:1–18

Hyrje

Në shkurt të vitit 1846, shenjtorët filluan të largoheshin nga Navuja dhe të udhëtonin për në perëndim, përmes territorit të Ajouas. Brigam Jangu e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136 në Lagjet Dimërore të Nebraskës, në janar të vitit 1847. Ky mësim shqyrton Doktrinën e Besëlidhjet 136:1–18, e cila përfshin këshillat e Zotit për t’i ndihmuar shenjtorët ta organizonin veten e tyre dhe të përgatiteshin për të vazhduar udhëtimin e tyre për në perëndim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kalojnë Ajouan dhe i vendosin zyrat qendrore në Lagjet Dimërore

Mbylljani sytë një studenti/je dhe vendoseni atë në njërën anë të dhomës. Pastaj riorganizojini disa objekte në dhomë, duke bërë zhurma që studenti të mund të kuptojë se objektet janë lëvizur. Kërkojini studentit me sy të lidhur të zgjedhë një shok apo një shoqe nga klasa që t’i japë udhëzime me zë për ta ndihmuar atë që të shkojë deri në anën tjetër të dhomës. Kur studenti e zgjedh dikë, pyesni:

  • Përse e zgjodhët atë person?

  • Si ndikon mirëbesimi ynë ndaj një njeriu tjetër në mënyrën se sa ngushtë i ndjekim ne udhëzimet e tij?

Kërkojini udhërrëfyesit të japë udhëzime në mënyrë që studenti/ja me sy të mbyllur të jetë në gjendje të kalojë i/e sigurt në anën tjetër të dhomës. Më pas udhëzojini të dy studentët të kthehen te vendet e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues rreth eksodit të shenjtorëve nga Navuja. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrat se si përvoja e shenjtorëve mund të kenë qenë si përvoja e studentit që u udhëhoq në anën tjetër të klasës.

Nën kërcënimet e dhunës nga turmat vendore, shenjtorët filluan të largoheshin nga Navuja në shkurt të vitit 1846, duke udhëtuar drejt perëndimit përmes shtetit të Ajouas. “Largimi nga Navuja ishte një veprim besimi për shenjtorët. Ata u larguan pa e ditur me saktësi ku po shkonin ose kur do të mbërrinin në një vend për të ngritur koloni. Ata vetëm dinin që ishin në prag të dëbimit nga Ilinoisi prej armiqve të tyre dhe se udhëheqësit e tyre kishin marrë zbulesë që të përcaktonin një vendstrehim diku në Malet Shkëmbore” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 309).

  • Në ç’mënyrë ishte e ngjashme përvoja e largimit të shenjtorëve nga Navuja me përvojën e studentit që u udhëhoq për në anën tjetër të klasës? (Të dyja u mbështetën në vegimin dhe udhëzimin e dikujt që ata i mirëbesonin për t’i ndihmuar të arrinin në pikëmbërritjen e tyre.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e largimit të shenjtorëve nga Navuja? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Ne ushtrojmë besim kur e ndjekim këshillën dhe udhëzimin e udhëheqësve tanë të Kishës.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues rreth Uilliam Klejtonit. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për shembuj të besimit të Vëllait Klejton.

“Uilliam Klejtoni u thirr të ishte në njërin nga grupet e para që u larguan nga Navuja dhe e la bashkëshorten e tij, Dajenta, me prindërit e saj, vetëm një muaj para se të lindte fëmijën e parë. Mundimi mes rrugëve të baltosura dhe fushimit në tenda të ftohta ia tendosi nervat ndërsa shqetësohej për mirëqenien e Dajentës. Dy muaj më vonë, ai ende nuk e dinte nëse ajo e kishte lindur [foshnjën e saj] pa probleme, por së fundi mori lajmin e gëzueshëm se një “djalë i mirë buçko” kishte lindur. Thuajse sapo mori lajmin, Uilliami u ul dhe shkroi një këngë që jo vetëm kishte kuptim të veçantë për të, por që do të bëhej një himn frymëzimi dhe mirënjohjeje për anëtarët e Kishës ndër breza. Kënga ishte ‘Eni Shenjtor’” (Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [1996], f. 71).

Ftojeni klasën të këndojë së bashku tri strofat e para të këngës “Eni Shenjtor’” (Himne, nr. 21). (Ose lidhuni më përpara me një student apo me një grup studentësh dhe ftojini ata të përgatiten për të kënduar tri strofat e para të himnit.) Përpara se të këndohet himni, vërini studentët të kërkojnë ose të dëgjojnë për fraza që ilustrojnë besimin e shenjtorëve te Jezu Krishti dhe mirëbësimin te udhëheqësit e tyre.

Pasi të jenë kënduar tri strofat e para, pyetni:

  • Si e ilustron ky himn besimin e shenjtorëve te Jezu Krishti dhe mirëbesimin te udhëheqësit e tyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues për Orson dhe Katerina Spenserin. Vëreni klasën të dëgjojë shembuj të besimit dhe mirëbesimit të familjes Spenser.

“Pasi u largua nga Navuja, [Katerina], përherë e dobët dhe e brishtë, u fundos shpejt nën vështirësitë përherë e më të shumta. Bashkëshorti i hidhëruar u shkroi me përgjërim prindërve të gruas, duke u kërkuar atyre që ta merrnin në shtëpi derisa shenjtorët të gjenin një vend qëndrimi. Përgjigja erdhi, ‘Le të heqë dorë nga besimi i saj poshtërues dhe ajo mund të kthehet, por kurrë derisa ajo ta bëjë këtë’.

Kur asaj iu lexua letra, ajo i kërkoi bashkëshortit të saj të merrte Biblën e tij dhe ta hapte te libri i Ruthit dhe të lexonte kapitullin e parë, vargjet gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë: ‘Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im’” (Memoirs of John R. Young: Utah Pioneer 1847 [1920], f. 17–18). Katerina Spenseri vdiq pak pas kësaj.

Ftojini studentët të këndojnë strofën e katërt të himnit “Eni Shenjtor’”. Kërkojuni atyre të mendojnë rreth mënyrës se si lidhen fjalët në strofë me Katerina Spenserin. Pasi ta kenë kënduar strofën, pyetni:

  • Si lidhen fjalët e kësaj strofe me Katerina Spenserin?

Ftojini studentët që të vendosin një synim për të ushtruar besim te Jezu Krishti dhe për ta ndjekur më mirë këshillën dhe udhëzimin e udhëheqësve të tyre të Kishës.

Ftojini studentët të shkojnë te Harta 6 (“Lëvizja e Kishës Drejt Perëndimit”) në seksionin e Hartave të Historisë së Kishës në shkrimet e tyre të shenjta dhe të gjejnë Navunë dhe Lagjet Dimërore. Shpjegoni se për shkak të shiut të shumtë dhe furnizimeve të pamjaftueshme, shenjtorët që u larguan nga Navuja në shkurt të vitit 1846, shpenzuan katër muaj për të bërë udhëtimin prej 480 kilometrash përmes Ajouas. Lëvizja e grupit ishte e ngadaltë për shkak të këtyre kushteve dhe ngaqë humbën shërbimet e më shumë se 500 burrave të aftë fizikisht shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Këta burra, të cilët u bënë të njohur si Batalioni Mormon, ia vunë veshin thirrjes së Presidentit Brigam Jang që të përfshiheshin në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për të fituar para që t’i ndihmonin anëtarët e varfër të Kishës të bënin udhëtimin drejt perëndimit. Kjo sakrificë ndihmoi në shumë mënyra, por gjithashtu i la shumë familje pa bashkëshortë dhe baballarë për një pjesë të udhëtimit. Duke marrë parasysh këtë ritëm të ngadaltë, udhëheqësit e Kishës vendosën të mos vazhdonin për në perëndim drejt Maleve Shkëmbore deri në pranverën e vitit 1847. Ata i këshilluan shenjtorët të ngrinin koloni për dimrin. Njëra nga kolonitë më të mëdha, Lagjet Dimërore, u vendos në pjesën perëndimore të lumit Misisipi, në shtetin e Nebraskës të ditëve të sotme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përshkrimin vijues të Lagjeve Dimërore dhe të kolonive të tjera të përkohshme:

Shumica e shenjtorëve jetuan në shtëpi me trarë dhe në strehime të gërmuara, të bëra prej thuprash e balte. Shumë njerëz u strehuan në mënyrë të papërshtatshme nga moti i ftohtë. Sëmundje të tilla si malaria, pneumonia, tuberkulozi, kolera dhe skorbuti rezultuan në vuajtje dhe vdekje në masë të madhe. Më shumë se shtatëqind njerëz vdiqën në kampe në fund të dimrit të parë. (Shih Trashëgimia Jonë, f. 71–72; Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 319–320.)

  • Nëse do të kishit qenë me shenjtorët në Lagjet Dimërore, çfarë ndjenjash do të kishit pasur, kur të kuptonit se do t’iu duhej të udhëtonit ende për mijëra kilometra?

Doktrina e Besëlidhje 136:1–18

Zoti i këshillon shenjtorët ta organizojnë veten e tyre dhe të përgatiten për të vazhduar udhëtimin e tyre për në perëndim

Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë hyrjes së seksionit te Doktrina e Besëlidhje 136, për të kërkuar se ku u dha kjo zbulesë dhe kush e mori atë. Kërkojuni atyre të raportojnë për atë që mësojnë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:1.

  • Si mendoni ju, në ç’mënyrë mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët njohuria se Zoti vazhdonte t’ua zbulonte vullnetin e Vet atyre? (Përgjigjet mund të përfshijnë se kjo zbulesë i ndihmoi ata të dinë se Zoti ishte në dijeni të tyre, se Ai do t’i ndihmonte të vazhdonin udhëtimin e tyre për në perëndim dhe se Ai fliste nëpërmjet Presidentit Brigam Jang ashtu siç kishte folur nëpërmjet Profetit Jozef Smith.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 136:2–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi shenjtorët të bënin që të përgatiteshin për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt perëndimit.

  • Si duhej të organizoheshin kompanitë?

  • Si mendoni ju, përse do të ishte e dobishme t’i organizonin shenjtorët në grupe me udhëheqës të caktuar? Si është kjo e ngjashme me mënyrën se si organizohet Kisha sot? (Pasi studentët t’i përgjigjen këtyre pyetjeve, ju mund të doni të shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti i organizon shenjtorët e Tij në grupe, me qëllim që çdo njeri të mund të udhëhiqet e të marrë përkujdesje.)

  • Çfarë sugjeron vargu 4 rreth mënyrës se si shenjtorët do të merrnin forcë?

Shpjegoni se për shkak të sëmundjeve dhe vdekjeve në Lagjet Dimërore dhe kampet përreth, shumë familje dhe individë kishin nevojë për ndihmë financiare, në mënyrë që të mund të vazhdonin udhëtimin e tyre për në perëndim.

Ndajini studentët në dyshe. Vërini ata të studiojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 136:6–11, duke kërkuar mënyrat se si duhej të kujdeseshin shenjtorët për nevojtarët. Përpara se studentët ta lexojnë këtë fragment, shpjegoni se shenjtorët nuk u larguan nga Lagjet Dimërore në të njëjtën kohë. Fraza “ata që do të qëndrojnë” në vargun 6 u drejtohet shenjtorëve që duhej të mbeteshin për njëfarë kohe në Lagjet Dimërore dhe në kampet përreth.

  • Çfarë fjalësh dhe frazash në vargjet 6–11 tregojnë se si duhej të kujdeseshin shenjtorët për ata që ishin nevojtarë?

  • Cila fjalë në vargun 7 u referohet njerëzve që përgatitin udhën për të tjerët? (Pionierë.)

Shkruajeni përkufizimin vijues në tabelë. (Ai citohet nga Oxford English Dictionary, bot. i 2-të [1989], “pioneer [pionier]”.)

Pionier: Një njeri që ecën përpara për të përgatitur ose hapur udhën për të tjerët që ta ndjekin.

  • Sipas vargut 11, çfarë u premtoi Zoti atyre që do t’i ndihmonin njerëzit e tjerë nevojtarë dhe do të përgatitnin udhën për ta? Çfarë mund të mësojmë nga kjo? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë parimin vijues: Zoti do të na bekojë kur ne i ndihmojmë të tjerët në nevojë dhe e përgatitim udhën për ta.)

Ftojini studentët ta diskutojnë pyetjen vijuese me partnerët e tyre:

  • Kush e ka përgatitur udhën për ju që t’i gëzoni bekimet e ungjillit?

Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjen vijuese. Më pas ftojini disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Çfarë do të bëni ju për të qenë një pionier – për t’i ndihmuar të tjerët në nevojë dhe për ta përgatitur udhën që ata t’i gëzojnë bekimet e ungjillit?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 136:12–18, duke shpjeguar se Zoti i urdhëroi shërbëtorët e Tij që t’ua mësonin këtë zbulesë shenjtorëve.

Përfundoni duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar dhe duke i nxitur studentët të veprojnë sipas këtyre të vërtetave.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 136:7, 9. Përgatitja e udhës për të tjerët

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

Presidenti Tomas S. Monson

“Një fjalor e përkufizon një pionier si një njeri që shkon përpara për të përgatitur ose për të hapur udhën që të tjerët duhet të ndjekin’ [Oxford English Dictionary, bot. 2-të (1989), “pioneer” (“pionier”)]. A mund të mbledhim disi guximin dhe patundshmërinë e qëllimit që i karakterizonte pionierët e një brezi më të hershëm? A mundemi ju dhe unë të jemi pionierë me fakte?

E di se mund të jemi. O, sa nevojë ka bota për pionierë sot!” (“Botës i Duhen Pionierë Sot”, Ensign, korrik 2013, f. 5; Mesazhi i Presidencës së Parë, korrik 2013).

Plaku Parli P. Prat dha një rrëfim të asaj që bënë shenjtorët për të përgatitur udhën për ata që do të pasonin:

Parli P. Prat

“Duke qenë se të gjitha gjërat ishin harmonizuar dhe rregulluar, kampet vazhduan rrugën. Kur arritëm në një vend, te një degëzim i lumit Grand, ne fushuam për pak kohë, pasi kishim udhëtuar shumë në mes të shiut të madh dhe të vazhdueshëm, llucës dhe moçalit. Këtu ne rrethuam dhe mbollëm një fermë publike prej qindra hektarësh dhe filluam kolonizimin, për të mirën e atyre që do të qëndronin dhe të atyre që duhej të na ndiqnin nga Navuja. Ne e quajtëm vendin ‘Korija e Kopshtit’” (Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 342).

Doktrina e Besëlidhje 136:8. Batalioni Mormon

Në maj 1846, Xhesi C. Litëll, një përfaqësues i Kishës, u takua me zyrtarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Uashington D.C. Kisha pyeti nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të ofronin ndonjë lloj pune ose shërbimi për qeverinë në shkëmbim të ndihmës financiare për emigrimin e shenjtorëve për në perëndim. Kongresi i Shteteve të Bashkuara sapo kishte shpallur luftë kundër Meksikës, dhe Presidenti Xhejms Polk diskutoi me Xhesi C. Litëllin idenë se burrat shenjtorë të ditëve të mëvonshme mund të rekrutoheshin në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe t’i përdornin pagat e tyre për t’i ndihmuar shenjtorët në udhëtimin e tyre. Ndërsa shenjtorët po kalonin Ajouan, rekrutues të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara u kërkuan anëtarëve të Kishës të shërbenin në luftën Meksiko-Amerikane. Në fillim shenjtorët nuk pranuan, por Presidenti Brigam Jang i nxiti burrat të merrnin pjesë si një mënyrë që të grumbullonin para për të mbledhur të varfrit nga Navuja dhe për t’i ndihmuar shenjtorët të lëviznin për në perëndim. Për shkak të këshillës së Presidentit Jang, më shumë se 500 burra u rekrutuan në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Ky grup u quajt Batalioni Mormon. Një numër grash dhe fëmijësh e shoqëruan batalionin ndërsa ata marshuan mbi 3220 kilometra për në Kaliforninë jugore, ku shërbyen si trupa pushtuese.

Më 4 korrik 1846, Daniel B. Rauson shënoi: “Ndihesha i indinjuar ndaj qeverisë e cila lejoi që të më bastisnin shtëpinë dhe të më dëbonin prej saj. Bëra komentin e pahijshëm se ‘do t’i shihja të gjithë të mallkuar dhe në ferr’. Nuk u rekrutova. Rrugës për në Blafs, ne takuam Presidentin Brigam Jang, Hibër C. Kimballin dhe W. Riçardsin që po ktheheshin, duke bërë thirrje për rekrutë. Ata thanë se shpëtimi i Izraelit varej nga ngritja e ushtrisë. Kur e dëgjova këtë, ndryshova mendim. E ndjeva se ishte detyra ime të shkoja” (në Norma Baldwin Ricketts, The Mormon Battalion [1996], f. 13).