Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 60–64 (Njësia 14)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 60–64 (Njësia 14)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 60–64 (njësia 14), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 60–62)

Duke e studiuar këshillën e Zotit drejtuar pleqve që po udhëtonin nga Misuri për në Ohajo, studentët mësuan se ne mund t’i humbasim dëshmitë tona nëse nuk i tregojmë ato. Studentët gjithashtu zbuluan që Zoti ka gjithë fuqinë dhe është në gjendje të na ruajë dhe që ne duhet të mbështetemi te gjykimi ynë dhe udhëzimi i Shpirtit kur marrim vendime.

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 63)

Në studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 63, studentët mësuan se Zoti i qortoi ata që nuk po i zbatonin urdhërimet e Tij dhe i ngushëlloi ata që ishin besnikë. Studentët mësuan se besimi nuk vjen nëpërmjet shenjave, por që shenjat vijnë nëpërmjet besimit, në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Ata gjithashtu përcaktuan të vërtetat vijuese: Nëse i shohim të tjerët me epsh, ne nuk do ta kemi Shpirtin dhe do ta mohojmë besimin; nëse jemi besnikë dhe durojmë, atëherë ne do ta mposhtim botën; dhe emri i Jezu Krishtit është i shenjtë dhe duhet të thuhet me kujdes.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 64:1–19)

Teksa studentët studiuan fjalët e Zotit drejtuar anëtarëve të Kishës që kishin mëkatuar, ata mësuan se Zoti është i dhembshur, falës dhe i mëshirshëm. Ata gjithashtu mësuan që, nëse nuk i falim të tjerët, ne mbetemi të mallkuar përpara Zotit dhe që Zoti na urdhëron t’i falim të gjithë njerëzit.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 64:20–43)

Në këtë mësim studentët mësuan rreth sakrificave që Zoti u kërkoi shenjtorëve kur filluan të ndërtonin Sionin. Mësimi theksoi të vërtetat vijuese: Nëse e ndjekim vullnetin e Zotit për ne, ne nuk do të tundohemi më shumë se sa mund të durojmë; ne bekohemi ndërsa i bindemi Zotit dhe ofrojmë sakrificat që Ai kërkon prej nesh; nëse jemi të zellshëm në bërjen e së mirës, atëherë ne mund të kryejmë gjëra të mëdha; dhe ne duhet t’i bindemi Zotit me zemrat tona dhe mendjet tona të gatshme.

Hyrje

Në verën e vitit 1831, Profeti Jozef Smithi po mbikëqyrte përkushtimin e tokës ku shenjtorët duhej të ndërtonin Sionin në Indipendëns të Misurit. Gjatë mungesës së Profetit, disa anëtarë të Kishës në Ohajo u larguan nga urdhërimet e Zotit dhe kryen mëkate të rënda. Ky mësim përqendrohet te disa prej urdhërimeve që Zoti i theksoi pasi Jozef Smithi mbërriti në Ohajo – duke përfshirë urdhërimet për të shmangur epshin dhe për t’i falur të tjerët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 63:1–21

Zoti i paralajmëron shenjtorët rreth pasojave të ligësisë dhe rebelimit

Shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që të jetojmë sipas bindjeve tona si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit? Ftojini studentët që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

Shpjegoni se në verën e vitit 1831, ndërsa Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ishin në Misuri për të përkushtuar tokën dhe vendin e tempullit në Sion, disa anëtarë të Kishës fshehurazi po kryenin mëkate të rënda. Pasi Profeti u kthye në Ohajo, ai mori zbulesën që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 63.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 63:1. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë mënyrën se si iu drejtua Zoti anëtarëve të Kishës në këtë varg. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Si mund të jetë e ndryshme quajtja e vetes sonë populli i Zotit nga të qenit populli i Zotit? (Ndërsa studentët e diskutojnë këtë pyetje, ju mund të doni të vini në dukje që shumë prej shenjtorëve bënë më shumë sesa thjesht ta quanin veten populli i Zotit. Ata mbetën besnikë.)

Vërini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë vargut 1 dhe të kërkojnë urdhrin e Zotit për ata që e quajnë veten populli i Tij.

  • Çfarë dëshiron Zoti që ne të bëjmë si populli i Tij? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë parimin vijues: Si populli i Zotit, ne duhet ta hapim zemrën tonë dhe ta dëgjojmë fjalën e Tij dhe vullnetin e Tij për ne.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë ta hapim zemrën tonë?

  • Si na përgatit hapja e zemrës sonë për ta dëgjuar zërin e Zotit?

  • Çfarë bëni ju që ju ndihmon ta hapni zemrën tuaj?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 63:2–21, duke shpjeguar se Zoti i qortoi ata që ishin mosbesues, kishin kërkuar shenja dhe kishin kryer shkelje kurore dhe mëkate të tjera të rënda. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 63:16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një paralajmërim që e dha Zoti.

  • Çfarë paralajmërimi dha Zoti te vargu 16?

  • Çfarë do të thotë t’i shikosh të tjerët me epsh? (Fjala epsh do të thotë të “kesh një dëshirë të fortë, të papërshtatshme për diçka” ose dikë [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Epsh”, scriptures.lds.org]. Që të shikosh një tjetër me epsh do të thotë të shikosh trupin e dikujt tjetër në një mënyrë të papërshtatshme ose në një mënyrë që zgjon ndjenja seksuale. Kjo përfshin shikimin e pornografisë.)

  • Çfarë parimi shihni në paralajmërimin e Zotit te vargu 16? (Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i shohim të tjerët me epsh, ne nuk do ta kemi Shpirtin dhe do ta mohojmë besimin. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që ta shenjojnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mendoni ju, përse epshi pas një njeriu tjetër e bën një person ta humbasë Shpirtin?

  • Çfarë mund të bëjmë që t’i mposhtim tundimet për të pasur epsh për të tjerët?

Si pjesë e diskutimit për shmangien e epshit, ju mund të doni t’i jepni çdo studenti një kopje të këshillës vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini disa studentë që t’i lexojnë paragrafët me radhë e me zë të lartë. Pasi të lexohet secili paragraf, kërkojini klasës që të shpjegojë mënyrën se si ndjekja e kësaj këshille mund të na ndihmojë ta kapërcejmë tundimin për të pasur epsh.

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

Plaku Xhefri R. Holland

“Mbi gjithçka, filloni me shkëputjen e vetes nga njerëz, materiale dhe rrethana që do t’ju dëmtojnë. …

… Nëse një shfaqje televizive është e pahijshme, fikeni. Nëse në kinema një film është i papastër, largohuni. Nëse një marrëdhënie e papërshtatshme është në zhvillim, ndërpriteni. Shumë nga këto ndikime, të paktën fillimisht, mund të mos jenë teknikisht të këqija, por ato mund ta mpijnë gjykimin tonë, ta dobësojnë anën tonë shpirtërore dhe mund të çojnë drejt diçkaje që mund të jetë e ligë.

Mendimet e fëlliqura zëvendësojini me shëmbëllime shpresëdhënëse dhe kujtime të gëzuara; përfytyroni fytyrat e atyre që ju duan dhe që do të copëtoheshin nëse i poshtëroni. … Çfarëdo mendimesh që të keni, sigurohuni që të jenë të mirëpritura në zemrën tuaj vetëm me ftesë.

Nxiteni praninë e Shpirtit të Zotit dhe jini aty ku është Ai. Sigurohuni që të përfshijë vetë shtëpinë ose banesën tuaj, duke diktuar llojin e artit, muzikës dhe literaturës që mbani aty” (“Jo Më Vend për Armikun e Shpirtit Tim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 45, 46).

Pyetni nëse ndonjë student do të ishte i gatshëm të jepte dëshminë e tij për mënyrën se si është bekuar për përpjekjet e tij për ta jetuar ligjin e dëlirësisë.

Doktrina e Besëlidhje 64:8–19

Zoti i urdhëron shërbëtorët e Tij që ta falin njëri-tjetrin

Kujtojuni studentëve për detyrën e tyre të Ditës 3 të kësaj njësie, që të përpiqen ta mësojnë përmendsh Doktrinën e Besëlidhjet 64:9–11, i cili është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ftojeni klasën t’i recitojë njëzëri me zë të lartë këto vargje. (Studentët mund t’iu drejtohen shkrimeve të tyre të shenjta për ndihmë.) Pyetni nëse ndonjëri prej studentëve do të donte t’i recitonte i vetëm këto vargje me zë të lartë për klasën. Shkruani në tabelë urdhërimin vijues: Zoti na urdhëron t’i falim të gjithë njerëzit.

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që t’i falim të gjithë njerëzit pavarësisht nëse ata kërkojnë falje për keqbërjet e tyre?

  • Si na ndihmon që ta lemë Perëndinë të jetë gjykatësi i atyre që na kanë lënduar?

  • Kur jeni ndier i bekuar që e falët dikë?

Vini në dukje se nganjëherë ne jemi të gatshëm t’i falim të tjerët, por e kemi të vështirë ta falim veten tonë.

  • Pse duhet ta falim veten tonë?

Drejtojuni parimit të parë që shkruat në tabelë në fillim të orës mësimore: Si populli i Zotit, ne duhet t’i hapim zemrat tona dhe ta dëgjojmë fjalën e Tij dhe vullnetin e Tij për ne. Ftojini studentët të mendojnë nëse zemrat e tyre kanë qenë të hapura ndaj nxitjeve ose mbresave gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta sot. Nxitini ata të veprojnë sipas nxitjeve e mbresave që marrin nga Zoti, dhe dëshmoni se ndërsa e bëjnë këtë, ata do të jenë populli i Zotit.

Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 65–71)

Që t’i përgatitni studentët për studimin e tyre gjatë javës së ardhshme, ju mund të doni t’i ftoni ata të marrin në shqyrtim sa vijon: Si mund të përhapet një gur derisa ta ketë mbushur tokën? Sa mirë na njeh Zoti ne individualisht? Përse prindërit ndiejnë një përgjegjësi të madhe për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të tyre? Cilat janë pasojat për prindërit kur nuk e bëjnë këtë gjë? Bëjuni të ditur studentëve se gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta këtë javë, ata do të zbulojnë përgjigje për këto pyetje.