Seminare dhe Institute
Mësimi 79: Doktrina e Besëlidhje 76:20–49


Mësimi 79

Doktrina e Besëlidhje 76:20–49

Hyrje

Në pjesën e parë të vegimit që iu shfaq Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit më 16 shkurt 1832, ata panë lavdinë e Jezu Krishtit dhe dëshmuan për Të. Ata e panë Satanin të flakej nga prania e Perëndisë në jetën paratokësore për rebelim. Atyre iu treguan edhe bijtë e humbjes dhe mësuan për pasojat e përjetshme të atyre që zgjedhin të ndjekin Satanin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 76:20–24

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shohin një vegim të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit

Për himnin e kohës shpirtërore, ftojeni klasën të këndojë “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”, (Himne, nr. 74). Fjalët e këtij himni mund t’i ndihmojnë studentët të ndiejnë fuqinë e të vërtetave që ata do të mësojnë sot.

Fillojeni orën mësimore duke i ftuar studentët të marrin parasysh situatën vijuese: Ndërsa jeni në një orë mësimi në shkollë, mësuesi juaj fillon të diskutojë rreth feve të botës. Mësuesi pyet nëse ka ndonjë të krishter në klasë, i cili do të ishte i gatshëm që të fliste për gjërat që beson rreth Jezu Krishtit.

  • Nëse do të ishit në këtë situatë, çfarë do të thoshit se besonit dhe dinit për Jezu Krishtin?

Ftojini studentët të shohin te skema që ata morën në mësimin e mëparshëm, e cila përvijon vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76. Shpjegoni se në mësimin e sotëm ata do të mësojnë rreth tri pjesëve të para të vegimit që panë Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni. Në pjesën e parë të vegimit, ata panë Atin dhe Birin në mes të lavdisë së tyre. Shkruani tre titujt vijues në tabelë:

Atë që panë Atë që dëgjuan Atë që mësuan

Kërkojuni studentëve që t’i shkruajnë titujt në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj ftojini të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 76:20–24 dhe të renditin fjalë ose fraza nga vargjet nën titujt e zbatueshëm. Pas një kohe të mjaftueshme ftojeni një student të vijë te tabela dhe të veprojë si shkrues. Kërkojini klasës të thotë fjalët ose frazat që identifikuan nën dy titujt e parë, ndërsa studenti i shkruan ato nën titujt e duhur në tabelë.

  • Çfarë doktrine na mësojnë këto vargje rreth Jezu Krishtit? (Ftojeni studentin shkrues t’i renditë përgjigjet e klasës në tabelë nën titullin Atë që mësuan.)

Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash, duke përfshirë sa vijon: Jezu Krishti është një qenie e gjallë, e lavdishme; Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë personazhe të dallueshme; Jezu Krishti është i Vetëmlinduri i Atit; Jezu Krishti është Krijuesi i kësaj bote dhe i botëve të tjera; dhe ne jemi bij dhe bija të lindura të Perëndisë.

Ndihmojini studentët që të përgatiten për të treguar ndjenjat dhe dëshmitë e tyre lidhur me të vërtetat që i përcaktuan te vargjet 20–24, duke u kërkuar atyre që t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve të mëposhtme në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta (shkruajini këto pyetje në tabelë):

Për cilat nga këto të vërteta jeni veçanërisht mirënjohës dhe përse?

Për cilën nga këto doktrina mund të dëshmoni? Si e dini që ajo është e vërtetë?

Plotësoni këtë fjali: Në lidhje me Jezu Krishtin, unë e di …

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë dëshminë e Jozef Smithit dhe të Sidni Rigdonit te DeB 76:22. Pastaj ftojeni çdo student që është i gatshëm të tregojë ndjenjat dhe të japë dëshminë e vet rreth ringjalljes së Shpëtimtarit, që ta bëjë këtë gjë. Merreni parasysh që të jepni edhe dëshminë tuaj për Shpëtimtarin.

Doktrina e Besëlidhje 76:25–29

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shohin një vegim të rënies së Luciferit

Nëse është e mundur, jepini secilit student një kopje të testit të shkurtër vijues e vërtetë/e rreme ose shkruajini thëniet e testit në tabelë. Udhëzojini studentët të shkruajnë në kopjen e tyre ose në një fletë letre nëse secila thënie është e vërtetë ose e rreme.

  • ____1. Satani njihej si Luciferi.

  • ____2. Satani ishte një shpirt me autoritet në praninë e Perëndisë.

  • ____3. Satani nuk e kishte për qëllim të mos i bindej Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • ____4. Pati gëzim në qiell kur Satani u dëbua.

  • ____5. Satani bën luftë me shenjtorët e Perëndisë.

Pasi studentët të përfundojnë testin e shkurtër, shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 76:25–29 përshkruan vegimin që panë Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni për rënien e Luciferit. Ftojini studentët t’i lexojnë këto vargje në heshtje dhe t’u bëjnë ndonjë ndryshim përgjigjeve të tyre bazuar në atë që lexuan. Pasi studentët t’i kenë verifikuar përgjigjet e tyre, rishikoni çdo thënie me klasën dhe ftojini studentët të shpjegojnë përgjigjet e tyre duke përdorur atë që mësuan. Thënia 1 është e vërtetë (shih DeB 76:26). Thënia 2 është gjithashtu e vërtetë (shih DeB 76:25–27). Ju mund të doni t’u shpjegoni studentëve se emri Lucifer do të thotë dritëmbartës ose i shndritshmi. Ai njihet edhe si “biri i mëngjesit”. (Shih Bible Dictionary, “Lucifer”; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lucifer”, scriptures.lds.org.)

Ndërsa studentët shpjegojnë përgjigjet e tyre për thënien 3, që është e rreme (shih DeB 76:25, 28), ndihmojini ata të kuptojnë se Satani ngriti krye. Ai kërkoi të rrëzonte nga froni Atin Qiellor dhe të merrte fuqinë, mbretërinë dhe lavdinë e Tij.

  • Sipas vargut 25, cila ishte pasoja e rebelimit të Luciferit kundër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shkruajnë doktrinën vijuese në hapësirën e shkrimeve të tyre të shenjta pranë vargut 25: Në jetën para lindjes, Luciferi ngriti krye kundër Atit Qiellor e Jezu Krishtit dhe u dëbua.)

Pasi studentët të shpjegojnë përgjigjet e tyre për thënien 4, që është e rreme (shih DeB 76:26), shpjegoni se Humbje, titulli i dhënë Luciferit, do të thotë shkatërrim ose mallkim.

Ndërsa studentët shpjegojnë përgjigjet e tyre për thënien 5, që është e vërtetë (shih DeB 76:29), merrni parasysh t’i ftoni të shenjojnë frazën në vargun 29, që jep mësim se Satani u shpall luftë shenjtorëve të Perëndisë.

  • Kur filloi kjo luftë me Satanin? (Në jetën para lindjes.) Cilat fjalë nga vargu 29 shpjegojnë se lufta që filloi në qiell vazhdon sot? (Fjalët shpall dhe mbështjell përdoren të dyja në kohën e tashme. Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se mbështjell do të thotë të rrethosh plotësisht.)

  • Si po bën luftë Satani kundër shenjtorëve të Perëndisë sot?

Doktrina e Besëlidhje 76:30–49

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shohin një vegim të vuajtjeve të bijve të humbjes

  • Në kohë lufte, çfarë është një tradhtar?

Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 76:30–32 duke kërkuar tradhtarët e Shpëtimtarit që Zoti ua tregoi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit në vegim. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 76:30–35. Vëreni klasën t’i ndjekë duke kërkuar zgjedhjet që i çojnë individët të bëhen bij të humbjes.

  • Cilat zgjedhje çojnë drejt bërjes bij të humbjes? (Të zgjedhësh të ndjekësh Satanin, të mohosh të vërtetën dhe të kundërshtosh fuqinë e Perëndisë pasi ta kesh njohur atë [shih DeB 76:31]; të mohosh Frymën e Shenjtë pasi ta kesh marrë atë dhe të mohosh Shpëtimtarin [shih DeB 76:35].)

Ndonjëherë studentët shqetësohen se njerëzit e dashur që bëhen më pak aktivë në ungjill, janë bij të humbjes. Shpjegoni se bijtë e humbjes janë të ndryshëm nga anëtarët e Kishës që kishin një dëshmi për të vërtetën në njëfarë pike, por që nga ajo kohë janë bërë joaktivë në ungjill. Bijtë e humbjes kryejnë mëkatin e pafalshëm të mohimit të Frymës së Shenjtë.

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Mëkati kundër Frymës së Shenjtë kërkon një nivel të tillë njohurie që është qartësisht e pamundur për anëtarësinë e përgjithshme që të kryejë një mëkat të tillë” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 123).

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:36–38, 44–49. Vëreni klasën t’i ndjekë duke kërkuar për gjendjen e bijve të humbjes.

  • Si do ta përshkruanit vuajtjen që do të përjetojnë bijtë e humbjes në përjetësi?

  • Sipas vargut 37, çfarë lloj vdekjeje do të jenë bijtë e humbjes të vetmit që do ta përjetojnë?

Shpjegoni se bijtë e humbjes nuk do të shëlbohen nga vdekja e dytë shpirtërore dhe nuk do të trashëgojnë një mbretëri lavdie pasi të ringjallen. Në vend të kësaj, ata do të vuajnë për përjetësinë.

Vini në dukje se në mes të vegimit për bijtë e humbjes, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni mësuan një të vërtetë shpresëdhënëse. Për t’i ndihmuar studentët ta përcaktojnë këtë të vërtetë, kërkojuni studentëve të tregojnë lajmin më të mirë që kanë marrë gjatë javës së shkuar. (Ju mund të doni të sillni disa shembuj të lajmeve të mira nga gazeta ose burime të tjera.) Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 76:39–43 dhe vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar disa lajme të mira që mori bota.

  • Çfarë lajmesh të mira mori bota? (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala ungjill në kuptimin e plotë të fjalës do të thotë lajm i mirë.)

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë doktrinat e dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 76:39–43, kërkojuni atyre të shkruajnë një titull të shkurtër në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta duke përmbledhur “lajmin e mirë” që jepet mësim në këto vargje. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini disa prej tyre që t’ia tregojnë titujt e tyre klasës. Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të sugjeroni që ata të shenjojnë frazat te vargjet 39–43, të cilat japin mësim doktrinën vijuese: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë përveç bijve të humbjes, do të trashëgojnë një vend në një mbretëri lavdie.

  • Përse është Shlyerja e Jezu Krishtit një “lajm i mirë” për ju?

Ju mund të doni ta përfundoni këtë mësim duke treguar përgjigjen tuaj për këtë pyetje.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 76. Marrja e vegimit

Fajlo Dibëlli ishte i pranishëm kur Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni e morën vegimin e tyre. Ai përshkroi përvojën e Jozefit dhe të Sidnit:

“Vegimi që është shënuar në Librin Doktrina e Besëlidhje u dha në shtëpinë e ‘Baba Xhonsonit’, në [Hajrëm] të Ohajos, dhe gjatë kohës që Jozefi dhe Sidni ishin në frymë dhe i panë qiejt të hapur, në dhomë kishte burra të tjerë, ndoshta dymbëdhjetë, midis të cilëve isha edhe unë gjatë një pjese të kohës … unë e pashë lavdinë dhe e ndjeva fuqinë, por nuk e pashë vegimin. …

Jozefi, herë pas herë, thoshte: ‘Çfarë po shoh?’ siç mund të thotë një njeri teksa shikon nga dritarja dhe vëren atë që të gjithë në dhomë nuk mund ta shohin. Pastaj ai do të na tregonte atë që kishte parë ose atë që po shikonte. Pastaj Sidni përgjigjej: ‘Shoh të njëjtën gjë’. Shpejt Sidni do të thoshte: ‘Çfarë po shoh?’ dhe do të përsëriste atë që kishte parë ose po shikonte, dhe Jozefi do të përgjigjej: ‘Shoh të njëjtën gjë’.

Kjo mënyrë bisedimi u përsërit me ndërprerje të shkurtra deri në fund të vegimit. …

Jozefi rrinte pa lëvizur dhe qetësisht gjatë gjithë kohës në mes të një lavdie madhështore, por Sidni ishte i rraskapitur dhe i zbehtë, në dukje krejtësisht i lëshuar, vëzhgim të cilin Jozefi e komentoi duke buzëqeshur: ‘Sidni nuk është mësuar me këtë siç jam mësuar unë’” (në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, The Juvenile Instructor, 15 maj 1892, f. 303–304).

Doktrina e Besëlidhje 76:22. “Kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave”

Dëshmia e Profetit Jozef Smith dhe e Sidni Rigdonit te Doktrina e Besëlidhje 76:22 është një dëshmi e kohëve tona për vërtetësinë e Atit dhe të Birit. Jozefi dhe Sidni jo vetëm që panë, por edhe dëgjuan dhe dëshmimet e tyre qëndrojnë si dëshmi për të gjithë njerëzit. Hajrëm M. Smithi dhe Xhejn M. Sjodali e shpjegojnë frazën “e fundit e të gjithave” si vijon: “Kjo është dëshmia e fundit për faktin që Ai jeton, një Qenie e ringjallur dhe e përlëvduar; jo dëshmia përfundimtare, por e fundit deri në kohën kur u dha ky vegim” (Doctrine and Covenants Commentary [1972], f. 448). Duke thënë “e fundit e të gjithave”, Jozefi dhe Sidni nuk nënkuptonin se do të ishin të fundit që do të merrnin një dëshmi dhe provë të tillë.

Doktrina e Besëlidhje 76:26. “Një bir i mëngjesit”

Presidenti Xhorxh Q. Kanon, i Presidencës së Parë, shpjegoi titullin e Satanit si “bir i mëngjesit”:

Presidenti Xhorxh Q. Kanon

“Disa e kanë quajtur biri i mëngjesit, por ja ku është një bir i mëngjesit – një midis të shumtëve, pa dyshim. Pa asnjë dyshim, ky engjëll ishte një personazh i fuqishëm. Anali që na është dhënë lidhur me të, e tregon qartësisht se ai kishte një pozitë shumë të lartë; që ai respektohej dhe se ishte i fuqishëm në sferën e tij” (“Discourse by President George Q. Cannon”, Latter-day Saints’ Millennial Star, 5 shtator 1895, f. 563–564).

Doktrina e Besëlidhje 76:32–35. Bërja një bir i humbjes dhe mohimi i Shpirtit të Shenjtë

Profeti Jozef Smith dha mësim sa vijon lidhur me një nga sjelljet që e bëjnë një individ një bir të humbjes – mohimin e Frymës së Shenjtë:

Profeti Jozef Smith

“Çfarë duhet të bëjë një njeri që të kryejë mëkatin e pafalshëm? Ai duhet ta marrë Frymën e Shenjtë, t’i hapen qiejt dhe të njohë Perëndinë e më pas të mëkatojë kundër Tij. Pasi një njeri ka mëkatuar kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka pendim për të. Ai duhet të thotë se dielli nuk shkëlqen ndërsa e sheh atë; ai duhet ta mohojë Jezu Krishtin kur qiejt janë hapur për të dhe ta mohojë planin e shpëtimit me sytë hapur ndaj të vërtetës së saj” (në History of the Church, 6:314).

Presidenti Spenser W. Kimball e përshkroi si vijon:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Ata kanë rënë kaq poshtë sa të kenë humbur prirjen dhe aftësinë për t’u penduar” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 125).

Doktrina e Besëlidhje 76:35. “Duke e kryqëzuar vetë dhe duke e poshtëruar hapur atë”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tha:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Të kryesh mëkatin e pafalshëm do të thotë që ta kryqëzosh përsëri vetë Birin e Perëndisë dhe ta poshtërosh atë haptazi. (Hebrenjve 6:4–8; DeB 76:34–35.) … Prandaj ai kryen vrasje duke e miratuar vdekjen e Zotit, që do të thotë, duke pasur një njohuri të përsosur të së vërtetës, ai del në rebelim të hapur dhe e vendos veten në një pozitë nga ku ai do ta kishte kryqëzuar Krishtin, duke e ditur ndërkohë në mënyrë të përsosur se ai ishte Biri i Perëndisë. Në këtë mënyrë Krishti kryqëzohet përsëri dhe poshtërohet haptazi. (DeB 132:27.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 816–817).

Doktrina e Besëlidhje 76:44. “Ai i shpëton të tërë, përveç atyre”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi dy kuptimet e ndryshme të të qenit i shpëtuar:

Plaku Dallin H. Ouks

“Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të qenit ‘i shpëtuar’ mund të nënkuptojë edhe të qenit i shpëtuar ose i çliruar nga vdekja e dytë (duke nënkuptuar vdekjen shpirtërore përfundimtare) duke siguruar një mbretëri lavdie në botën që vjen (shih 1 Korintasve 15:40–42). Ashtu si Ringjallja është mbarëbotërore, ne pohojmë se çdo personi që ka jetuar ndonjëherë mbi faqen e dheut – përveç shumë pak vetave – i sigurohet shpëtimi në këtë kuptim. …

Profeti Brigam Jang e dha mësim atë doktrinë kur shpalli se ‘çdo person që nuk mëkaton ndaj ditës së hirit dhe nuk bëhet një engjëll i djallit, do të sillet përpara për të trashëguar një mbretëri lavdie’ (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 288). Ky kuptim i fjalës i shpëtuar e fisnikëron gjithë racën njerëzore nëpërmjet hirit të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. …

… Në një përdorim tjetër të njohur dhe të veçantë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, fjalët i shpëtuar dhe shpëtim përdoren për të treguar ekzaltim ose jetë të përjetshme (shih Abraham 2:11). Kësaj ndonjëherë i referohemi edhe si ‘plotësia e shpëtimit’ (Bruce R. McConkie, The Mortal Messiah, 4 vëll. [1979–1981], 1:242). Ky shpëtim kërkon më shumë se pendimin dhe pagëzimin nga autoriteti i duhur i priftërisë. Ai gjithashtu kërkon bërjen e besëlidhjeve të shenjta, përfshirë martesën e përjetshme në tempujt e Perëndisë dhe besnikërinë ndaj atyre besëlidhjeve duke duruar deri në fund” (“Have You Been Saved?” Ensign, maj 1998, f. 56–57).