Mësimi 94
Doktrina e Besëlidhje 88:118–141
Hyrje
Ky është mësimi i fundit i katër mësimeve që diskutojnë për Doktrinën e Besëlidhjet 88. Zbulesa u dha në një konferencë të priftërinjve të lartë më 27–28 dhjetor 1832 (vargjet 1–126) dhe më 3 janar 1833 (vargjet 127–141). Ky mësim flet për Doktrinën e Besëlidhjet 88:118–141. Në këtë pjesë të zbulesës, Zoti e urdhëroi një grup të mbajtësve të priftërisë që të organizonin Shkollën e Profetëve nën drejtimin e Jozef Smithit. Ata që merrnin pjesë në shkollë duhej të mësonin së bashku me anë të studimit e me anë të besimit dhe të tregonin dashuri e miqësi kundrejt njëri-tjetrit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 88:118–126
Zoti përshkruan një model të të mësuarit
Filloni duke diskutuar për pyetjet vijuese:
-
Çfarë po mësoni pikërisht tani në shkollë? Në shtëpi? Në punë? Në kishë?
-
Si është të mësuarit rreth lëndëve shkollore, si matematika ose shkenca, i ndryshëm nga të mësuarit e ungjillit? Si mund të jetë ai i njëjtë?
Shpjegoni se në Kirtland të Ohajos, në janar të vitit 1833, një grup i mbajtësve të priftërisë ndoqën urdhrin e Zotit për t’u mbledhur së bashku në atë që u quajt Shkolla e Profetëve për t’u përgatitur që ta predikonin ungjillin anembanë tokës. Teksa u mblodhën, Zoti i mësoi këta vëllezër se si të lartësoheshin, ose ngriheshin moralisht, nëpërmjet Shpirtit, ndërkohë që mësonin së bashku. Ftojini studentët që të kërkojnë parime rreth të mësuarit ndërsa e studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 88:118–141 sot.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:118. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë se si anëtarët e Shkollës së Profetëve duhej të kërkonin të mësonin.
-
Si duhej të kërkonin të mësonin këta vëllezër?
-
Çfarë mendoni se do të thotë të mësoni “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të mësojmë me anë të besimit, ftojeni njërin prej tyre të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Të mësuarit me anë të besimit kërkon përpjekje shpirtërore, mendore e fizike dhe jo thjesht pranim pësor. …
… Të mësuarit me anë të besimit nuk mund të përçohet nga një mësues te një student nëpërmjet një leksioni, një paraqitjeje ose një ushtrimi eksperimental; përkundrazi, një student duhet të ushtrojë besim dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 64).
Shpjegoni se ne mund të mësojmë me anë të besimit kur ne përfshihemi në mënyrë vepruese dhe plot lutje në mundësitë e të mësuarit dhe më pas veprojmë sipas asaj që mësojmë. Ne mësojmë kur e ushtrojmë besimin tonë nëpërmjet bindjes.
-
Vini re në fillim të vargut 118 se Zoti vuri në dukje që disa njerëz nuk kishin besim. Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth mënyrës se si ta rritim besimin tonë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse kërkojmë në mënyrë aktive të mësojmë me anë të studimit dhe besimit, besimi ynë te Jezu Krisht do të rritet. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa rrethana në të cilat ata do mund ta zbatonin këtë parim në jetën e tyre, lexojini me zë të lartë situatat vijuese. Pasi ta lexoni secilën prej tyre, kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si personi mund të kërkonte në mënyrë aktive që të mësonte me anë të studimit dhe me anë të besimit. Kërkojuni atyre të shpjegojnë se si bërja e kësaj do ta ndihmonte personin që të rritej në besim.
-
Një e re i lexon rregullisht shkrimet e shenjta, por ajo rrallë ndalet për të menduar rreth asaj që po lexon. Ajo nuk mendon se leximi i shkrimeve të shenjta i sjell asaj shumë dobi.
-
Një i ri i frekuenton mbledhjet e tij të Kishës dhe gëzohet që merr pjesë në diskutimet e klasës. Nganjëherë ai ndihet i nxitur që të bëjë ndryshime në jetën e tij bazuar në atë që ai mëson, por ai përgjithësisht nuk vepron sipas atyre nxitjeve.
Pasi klasa të ketë diskutuar për këto situata, bëni pyetjet vijuese:
-
Kur e keni ndier besimin tuaj të rritet si rrjedhim i të kërkuarit në mënyrë aktive për të mësuar me anë të studimit dhe me anë të besimit? Si e ndihmuan veprimet tuaja besimin tuaj që të rritej?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:119–120 dhe të kërkojnë atë që Zoti u tha shenjtorëve që të bënin. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Shpjegoni se në përgjigje të urdhërimit për ta ndërtuar shtëpinë, të përshkruar në vargun 119, shenjtorët më së fundi e ndërtuan Tempullin e Kirtlandit. Teksa tempulli ishte në ndërtim e sipër, Shkolla e Profetëve mblidhej në Kirtland në dhomën e sipërme të dyqanit të Njull K. Uitnit.
-
Si mund të lidhet këshilla te vargu 119 edhe me vendin ku vëllezërit u mblodhën për Shkollën e Profetëve? Me shtëpitë tona? Me përpjekjet tuaja vetjake për të studiuar në shkollë? (Shkolla e Profetëve u krijua sipas modelit të parimeve të dhëna mësim në këtë varg. Shtëpitë tona mund të jenë vende të lutjes, agjërimit, besimit, të mësuarit dhe rregullit.)
Ndajeni klasën në dyshe. Ftojini studentët ta shqyrtojnë me partnerët e tyre Doktrinën e Besëlidhjet 88:121–126 dhe të përcaktojnë se si Zoti priste që të silleshin vëllezërit në Shkollën e Profetëve. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shenjojnë atë që zbulojnë. Ndërsa studentët po i studiojnë këto vargje, shkruani në tabelë udhëzimet vijuese për secilin çift që t’i plotësojnë së bashku pasi ta kenë shqyrtuar fragmentin:
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar dhe diskutuar për këshillën e Zotit, ftojini disa studentë të shpjegojnë atë që e mësuan nga diskutimet e tyre. Ndërkohë që ata përgjigjen, merrni parasysh përdorimin e disa prej pyetjeve dhe shpjegimeve vijuese që t’i ndihmoni ata të kuptojnë një pjesë të këshillës së Zotit:
-
Çfarë mendoni se do të thotë: “Largohuni nga gjithë e folura e juaj e padobishme, … e qeshura … e mendjelehtësia” (vargu 121)? Përse mund të jetë e dobishme në përpjekjet tona për të mësuar gjëra që janë të shenjta, vetëpërmbajtja ndaj bërjes së këtyre gjërave në mjedise shpirtërore?
Shpjegoni se mbledhjet për Shkollën e Profetëve duhej të ishin të shenjta. Këto udhëzime lidhur me të qeshurën dhe të folurën e padobishme donin të thoshin se ata që merrnin pjesë në Shkollën e Profetëve, kishin nevojë të tregonin nderim në mjedise të shenjta. Këto mbledhje më së fundi do të ndodhnin në tempull.
-
Vini re përsëritjen e fjalës të gjithë te vargu 122. Si mund të ndikohet një orë mësimore nëse të gjithë studentët do të merrnin pjesë në mësim dhe përpiqeshin të mësonin nga njëri-tjetri?
-
Si mendoni se të fjeturit “më gjatë se ç’është e nevojshme” ndikon në aftësinë tuaj për të mësuar ose për ta ndier Shpirtin? Si mendoni, në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë për të mësuar më mirë të fjeturit gjumë për një kohë të përshtatshme dhe ngritja herët në mëngjes?
-
Si do ta përmblidhnit këshillën rreth të mësuarit, të dhënë te Doktrina e Besëlidhje 88:118–126? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh. Pasi ata të përgjigjen, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Bërja e veprimeve të drejta dhe ndalimi i veprimeve të padrejta do të na ndihmojnë që të mësojmë e të lartësohemi.)
-
Cilat prej sjelljeve të përmendura në këto vargje mund t’i përvetësojë klasa jonë e seminarit, apo prej cilave sjelljesh mund të heqë dorë klasa jonë, në mënyrë që ne të mund ta mësojmë më mirë ungjillin dhe të lartësohemi së bashku?
Ftojini studentët t’i kthehen e ta shikojnë përsëri Doktrinën e Besëlidhjet 88:121–126 dhe të përsiatin këshillën që ata kanë nevojë ta përvetësojnë më tërësisht në jetën e tyre. Nxitini ata të shkruajnë një synim për të vepruar sipas asaj që kanë mësuar.
Doktrina e Besëlidhje 88:127–141
Zoti parashtron rregullin e Shkollës së Profetëve
Ftojini studentët të vijnë te tabela dhe të renditin disa mjedise ku ata e studiojnë ungjillin. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Shkollën e së Dielës, klasën e Të Rejave ose kuorumin e priftërisë, seminarin dhe shtëpinë.) Kërkojuni studentëve të marrin parasysh nëse ka njerëz në këto mjedise, të cilët ata nuk i njohin shumë mirë ose me të cilët e kanë të vështirë që të shkojnë mirë. Ftojini ata që të mendojnë rreth njërit prej këtyre njerëzve ndërkohë që e studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 88:127–141. Kërkojuni që të përsiatin pyetjen vijuese:
-
Si ndikon marrëdhënia ime me ata me të cilët e mësoj ungjillin, në aftësinë time për të mësuar dhe për t’u lartësuar prej Shpirtit?
Shpjegoni se Zoti priste që anëtarët e Shkollës së Profetëve të krijonin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin teksa mësonin së bashku. Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 88:128–134. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të kërkojë rolin e mësuesit në krijimin e një mjedisi mësimi shpirtëror në Shkollën e Profetëve.
-
Si duhej ta krijonte mësuesi i Shkollës së Profetëve një mjedis mësimi shpirtëror? (Ju mund të doni të shpjegoni se përshëndetja nga mësuesi e anëtarëve të klasës do të thotë që ai i përshëndeste ata kur hynin. Kjo ishte një përshëndetje e posaçme në Shkollën e Profetëve.)
-
Çfarë vini re rreth përshëndetjes te vargu 133?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:135–137. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të kërkojë rolin e studentit në krijimin e një mjedisi të mirë për të mësuar.
-
Çfarë lloj marrëdhënieje duhej të kishin me njëri-tjetrin anëtarët e Shkollës së Profetëve?
-
Sipas vargut 137, çfarë premtoi Zoti nëse anëtarët e Shkollës së Profetëve do t’i ndiqnin udhëzimet e Tij? (Shkolla do të bëhej një shenjtërore ku Shpirti mund t’i lartësonte ata.)
-
Çfarë mund të ndodhë në klasat tona të Kishës ose në shtëpitë tona, në qoftë se i ndjekim udhëzimet e Zotit te vargjet 128–137? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por ju mund të doni të theksoni sa vijon: Nëse tregojmë miqësi dhe dashuri për njëri-tjetrin, atëherë ne mund ta ftojmë Shpirtin, ndërkohë që e studiojmë së bashku ungjillin.)
Ftojini studentët të shohin sërish përshëndetjen te Doktrina e Besëlidhje 88:133.
-
Si mendoni ju se mund të tregojmë “vendosmëri që është e palëkundshme, e palëvizshme dhe e pandryshueshme, për të qenë [një] mik” për anëtarët e klasës ose pjesëtarët e familjes të cilët mund të mos i njohim mirë ose të cilët mund ta kemi të vështirë që t’i duam?
-
Kur e keni përjetuar një mjedis të të mësuarit të ungjillit, ku të gjithë njerëzit ishin të vendosur për të qenë miq? (Merrni parasysh të tregoni një përvojë tuajën.)
Ftojini studentët të mendojnë rreth mënyrës se si mund ta zhvillojnë një vendosmëri për t’i dashur njerëzit me të cilët e mësojnë ungjillin. Nxitini ata ta ndjekin ndonjë nxitje që e kanë ndier, për të treguar më shumë mirësi e dashuri kundrejt anëtarëve të klasës dhe pjesëtarëve të familjes. Dëshmoni se Zoti do t’i ndihmojë ata ndërkohë që përpiqen t’i duan të tjerët.