Mësimi 129
Doktrina e Besëlidhje 123
Hyrje
Ndërkohë që Profeti Jozef Smith ishte i burgosur në burgun e Libertisë nga 1 dhjetori 1838 deri më 6 prill 1839, ai shkroi letra për t’i ngushëlluar e këshilluar shenjtorët. Doktrina e Besëlidhje 123 është një pjesë e shkëputur nga një letër e datës 20 mars 1839, që ai ua shkroi shenjtorëve. Në këtë pjesë të shkëputur, Profeti u kërkoi shenjtorëve t’i mblidhnin e t’i botonin rrëfimet e përndjekjeve dhe vuajtjeve të tyre, dhe t’i ndihmonin ata që u mashtruan nga doktrinat e rreme.
Shënim: Mësimi pasues (“Ngritja e Navusë”, mësimi 130) siguron një mundësi që dy studentë të japin mësim pjesë të mësimit. Ju mund të doni t’i përzgjidhni dy studentë tani dhe t’iu jepni atyre kopje të pjesëve të caktuara të mësimit 130, që të mund të përgatiten.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 123:1–6
Jozef Smithi i këshillon shenjtorët të mbledhin dhe të botojnë rrëfime të përndjekjeve dhe vuajtjeve të tyre
Filloni duke lexuar deklaratën vijuese:
“Kjo mund të vërtetojë se unë, Delia Rid, u zhvendosa në Misuri në vitin 1836. Bashkëshorti im vdiq pak kohë pasi mbërritëm dhe më la me shtatë fëmijë të vegjël. … Kur filluan telashet midis banorëve dhe mormonëve, unë, me pjesën tjetër të shoqërisë sonë, u detyrova të largohesha nga shteti. … U detyrova të sakrifikoja shumicën e pronës sime [dhe] familja ime [u] shpërnda, dhe mua m’u desh ta fitoja bukën e përditshme mes të panjohurve” (Delia Reed, në Mormon Redress Petitions: Documents of the 1833–1838 Missouri Conflict, bot. Clark V. Johnson [1992], f. 523; përdorimi i pikësimit, germave të mëdha dhe germëzimit është standardizuar).
Shpjegoni se kjo ishte një deklaratë zyrtare që Motra Rid ia dha një zyrtari gjyqësor. Më pas ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 123:1.
-
Nga ajo që mësuat në këtë varg, cili mund të ishte një qëllim që Motra Rid e dha këtë deklaratë?
Kujtojini studentët se nga dhjetori i vitit 1838 deri në prill të vitit 1839, Profeti Jozef Smith dhe disa udhëheqës të tjerë të Kishës u burgosën në burgun e Libertisë në Misuri. Rreth së njëjtës kohë, shenjtorët u dëbuan nga shteti i Misurit gjatë muajve të dimrit të ashpër për shkak të urdhrit të guvernatorit Lilburn Bogs për shfarosjen. Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 123 është një pjesë e shkëputur nga një letër e marsit 1839 që Profeti Jozef Smith e shkroi nga burgu i Libertisë, duke u dhënë këshilla shenjtorëve gjatë kësaj kohe të vështirë.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 123:1–5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Jozef Smithi i këshilloi shenjtorët e përndjekur të bënin. Për t’i ndihmuar studentët që t’i kuptojnë këto vargje, ju mund të keni nevojë të shpjegoni se në vargun 5 fraza “vargun e … maskarallëqeve djallëzore” i referohet një mbledhjeje të gënjeshtrave të liga dhe fraza “mashtrimeve të poshtra e vrasëse” i referohet veprimeve të këqija e të dhunshme.
-
Çfarë i këshilloi Profeti shenjtorët të bënin në këto vargje?
Shumica e shenjtorëve iu bindën këshillës së Profetit dhe i mblodhën rrëfimet e përndjekjeve të tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 123:6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyet përse shenjtorëve iu tha t’i mblidhnin rrëfimet e përndjekjeve dhe të vuajtjeve të tyre. Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “na kërkohet nga” do të thotë “na duhet ta bëjmë për”. Ju gjithashtu mund të doni t’i kujtoni ata që Zoti pati premtuar më përpara se do t’i shëlbonte shenjtorët e përndjekur dhe do të “d[ilte] nga vendi i fshehjes dhe në zemërimin e tij do ta god[iste] kombin” (DeB 101:89).
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 123:6, përse i urdhëroi Ati Qiellor shenjtorët që t’i mblidhnin rrëfimet e përndjekjes së tyre?
-
Çfarë na mëson ky varg për atë që duhet të bëjmë ne përpara se Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij?
Ftojini studentët të shkruajnë një thënie parimore, e cila e shpreh këtë marrëdhënie midis përpjekjeve tona dhe premtimeve të Zotit. Kërkojuni disa studentëve ta tregojnë parimin që përcaktuan. Sa vijon është një mënyrë se si studentët mund ta shprehin këtë parim: Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij pasi ne ta kemi bërë pjesën tonë. Shkruajeni këtë parim në tabelë.
-
Si mendoni ju, përse Zoti pret që ne ta bëjmë pjesën tonë përpara se Ai t’i përmbushë premtimet e Tij?
-
Kur e keni parë këtë parim të vërtetohet në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që ju njihni?
Doktrina e Besëlidhje 123:7–17
Jozef Smithi i këshillon shenjtorët t’i ndihmojnë ata që mashtrohen nga gënjeshtrat
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur atyre iu është dhënë një detyrë që të shkruajnë një raport rreth Kishës për një nga klasat e tyre në shkollë. Si pjesë e kërkesës, ata duhet të përfshijnë të paktën tri burime.
-
Cilat burime mund të përdorni për raportin tuaj?
-
Përse ka rëndësi se cilat burime përdorni për të shkruar rreth Kishës?
-
Si e dini ju se cilat burime e përshkruajnë me saktësi Kishën?
Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 123:7–10 duke shpjeguar se, kur Jozef Smithi i shënoi këto vargje, shumë gënjeshtra po përhapeshin rreth Kishës. Shenjtorëve iu tha se ishte “detyr[a e tyre] e menjëhershme” (DeB 123:7) që t’iu përgjigjeshin këtyre gënjeshtrave dhe t’i mblidhnin e t’i botonin rrëfimet e përndjekjeve dhe të vuajtjeve të tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 123:11–12. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar arsye shtesë përse shenjtorët u udhëzuan që t’i mblidhnin dhe t’i botonin rrëfimet e përndjekjeve dhe të vuajtjeve të tyre. Kërkojuni studentëve t’i raportojnë gjetjet e tyre.
-
Sipas vargut 12, si verbohen shumë prej të kulluarve në zemër që të mos e shikojnë të vërtetën?
-
Si mendoni se gënjeshtrat rreth Kishës ndikojnë tek ata që nuk janë të besimit tonë?
-
Sipas vargut 12, përse shumë njerëz në tokë mbahen larg nga e vërteta? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ka shumë njerëz që mbahen lart nga e vërteta, sepse ata nuk dinë se ku ta gjejnë atë.)
-
Si mund t’i kishte ndihmuar njerëzit që ta gjenin të vërtetën, botimi i së vërtetës rreth përndjekjeve dhe vuajtjeve të shenjtorëve në këtë kohë?
Kujtojini studentët se ka ende shumë njerëz sot “të cilët janë të verbuar nga dinakëria e hollë e njerëzve” dhe të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk e dinë se ku ta gjejnë atë (DeB 123:12). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën të dëgjojë për diçka që i mban njerëzit larg nga njohuria e së vërtetës rreth Kishës në kohën tonë.
“Tepër shumë njerëz kanë njohuri të paktë për Kishën, sepse shumica e informacionit që dëgjojnë për ne, vjen nga raporte të mjeteve të informacionit që shpesh vihen në lëvizje nga polemika. Një vëmendje e tepërt te polemika ka ndikim negativ mbi perceptimet e njerëzve për atë çka është në të vërtetë Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Sharing the Gospel Using the Internet”, Ensign, korrik 2008, f. 62).
-
Sipas Plakut Ballard, çfarë është diçka që i mban njerëzit larg nga njohuria e së vërtetës rreth Kishës në kohën tonë?
Shpjegoni se, në ngjashmëri me shenjtorët në vitin 1839, ne udhëzohemi që t’i ndihmojmë të tjerët të kenë një kuptueshmëri të saktë të Kishës – të anëtarëve, udhëheqësve, bindjeve, historisë, mësimeve dhe praktikave të saj.
-
Çfarë mund të bëni që t’i ndihmoni të tjerët të fitojnë një kuptueshmëri të saktë për Kishën? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard. Vëreni klasën të dëgjojë për një mënyrë se si ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të fitojnë një kuptueshmëri të saktë për Kishën.
“Vazhdimisht zhvillohen bashkëbisedime mbi Kishën. Këto bashkëbisedime do të vazhdojnë, qoftë nëse zgjedhim të marrim pjesë në to apo jo. Por ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë ndërsa të tjerët, përfshirë ata që na kritikojnë, përpiqen të shpjegojnë se çfarë mësimesh jep Kisha. Ndërsa disa bashkëbisedime kanë publik prej mijëra ose madje miliona vetash, shumica janë shumë, shumë më të ngushta. Por të gjitha bashkëbisedimet kanë ndikim tek ata që marrin pjesë. Perceptimet për Kishën krijohen bashkëbisedim pas bashkëbisedimi. …
Tani, më lejoni t’ju kërkoj të lidheni në bashkëbisedim duke marrë pjesë në internet, për të ndarë ungjillin dhe për të shpjeguar me terma të thjeshta e të qarta mesazhin e Rivendosjes. … Kjo, sigurisht, kërkon që ju të kuptoni parimet bazë të ungjillit. Është thelbësore që ju të jeni në gjendje të ofroni një dëshmi të qartë dhe të saktë të të vërtetave të ungjillit” (“Ndarja e Ungjillit Duke Përdorur Internetin”, f. 61, 62).
Shtojeni sugjerimin e Plakut Ballard tek ato që tashmë renditen në tabelë.
Ftojini studentët të marrin në shqyrtim mënyrat se si t’i ndihmojnë të tjerët të mësojnë të vërtetat që renditen në tabelë. Kërkojuni atyre të zgjedhin një të vërtetë që e ndiejnë se mund ta përdornin. Ftojini disa studentë të raportojnë se cilin sugjerim zgjodhën dhe se si planifikojnë ta përdorin atë që t’i ndihmojnë të tjerët të kenë një kuptueshmëri të saktë për Kishën. Nxitini të gjithë studentët që të veprojnë sipas sugjerimit që zgjodhën për t’i ndihmuar të tjerët ta gjejnë të vërtetën.
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata i kanë ndihmuar të tjerët të kenë një kuptueshmëri të saktë rreth Kishës. Ftojini disa studentë t’ia tregojnë përvojat e tyre klasës.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 123:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që iu tha shenjtorëve rreth përpjekjeve të tyre që t’iu paraqesin të tjerëve një rrëfim të saktë të së vërtetës.
-
Sipas vargut 15, përse iu tha shenjtorëve të mos i merrnin parasysh përpjekjet e tyre si “gjëra të vogla”?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga këshilla e Zotit te vargu 15 rreth vendimeve të vogla që i marrim tani? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Vendimet tona për t’iu bindur urdhërimeve në dukje të vogla të Zotit, mund të kenë ndikim të madh mbi jetën tonë në të ardhmen.)
-
Si mund të ketë ndikim të madh një vendim i vogël për të pasur një bisedë për ungjillin me dikë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 123:17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si lidhet ky varg me të vërtetën e shkruar në tabelë më parë: Zoti do t’i përmbushë premtimet e Tij pasi ne ta kemi bërë pjesën tonë. Ftojini studentët që t’i ndajnë mendimet e tyre me klasën.
-
Përse mendoni se është e rëndësishme që t’i bëjmë me gëzim “të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë”?
-
Nisur nga vargu 17, për çfarë mund të jemi të sigurt nëse bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse i bëjmë të gjitha gjërat që shtrihen brenda fuqisë sonë për të qenë të bindur ndaj urdhrave të Zotit, atëherë ne mund të kemi sigurinë se Perëndia do ta përdorë fuqinë e Tij për të na ndihmuar në përputhje me vullnetin dhe kohën e Tij.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të kemi sigurinë se Perëndia do ta përdorë fuqinë e Tij për të na ndihmuar, në qoftë se i “bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë”? Cilat janë disa gjëra që mund të bëni për ta pasur atë siguri në jetën tuaj?
Jepni dëshminë tuaj se ne mund të kemi mirëbesimin se, kur kemi bërë gjithçka mundemi për t’i ndjekur urdhrat e Perëndisë me bindje, Ai do t’i mbajë premtimet e Tij.