Mësimi 137
Doktrina e Besëlidhje 130:12–21
Hyrje
Ky mësim përfshin doktrina që Jozef Smithi i dha mësim në një mbledhje të Kishës në Ramus të Ilinoisit, më 2 prill 1843. Këto mësime shënohen te Doktrina e Besëlidhje 130. Profeti dha mësim rreth ngjarjeve të ardhshme, përfshirë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ai gjithashtu dha mësim rreth aftësisë sonë për të fituar dije dhe inteligjencë pasi vdesim dhe shpjegoi se si mund t’i marrim bekimet e Perëndisë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 130:12–17
Jozef Smithi jep mësim rreth Ardhjes së Dytë
Përpara orës mësimore, shkruani thënien vijuese në tabelë: Shumë njerëz e kanë pyetur veten rreth datës së saktë të Ardhjes së Dytë.
-
A keni dashur ndonjëherë të dini me saktësi se kur do të ndodhë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit?
Shpjegoni se në kohën e Jozef Smithit, një predikues i krishterë, i famshëm, i quajtur Uilliam Miller shpalli se Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit do të ndodhte më 3 prill 1843. Një ditë përpara datës së parashikuar nga Milleri për Ardhjen e Dytë, Profeti Jozef Smith u foli shenjtorëve në Ramus të Ilinoisit dhe përmendi se ai ishte lutur të dinte kohën e Ardhjes së Dytë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 130:14–17. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mësoi Jozef Smithi kur u lut rreth kohës së Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.
-
A ia zbuloi Zoti Jozef Smithit ditën e saktë të Ardhjes së Dytë?
-
Çfarë i tha Zoti Jozef Smithit të bënte? (Pasi studentët përgjigjen, ju mund të doni të sugjeroni që ta shenjojnë frazën “mos më shqetëso më për këtë çështje” në shkrimet e tyre të shenjta. Merreni parasysh t’i drejtoni studentët te Doktrina e Besëlidhje 130:15, shënimi a në fund të faqes, për të theksuar më tej se askush nuk e di me saktësi se kur do të vijë Shpëtimtari.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Unë jam thirrur si një nga Apostujt për të qenë një dëshmitar i veçantë i Krishtit … dhe nuk e di se kur Ai do të vijë përsëri. Për aq sa e di unë, asnjë prej vëllezërve të mi në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve ose madje në Presidencën e Parë nuk e di. Dhe me përulësi do të sugjeroja që nëse ne nuk e dimë, atëherë askush nuk e di. … Shpëtimtari tha që ‘atë ditë dhe orë, askush s’e di; jo, as engjëjt e Perëndisë në qiell, por vetëm Ati im’ [Joseph Smith – Mateu 1:40].
Unë besoj se kur Zoti thotë ‘askush’ nuk e di, Ai me të vërtetë do të thotë që askush nuk e di” (“When Shall These Things Be?” Ensign, dhjetor 1996, f. 56).
-
Çfarë mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 130:14–17 dhe thënia e Plakut Ballard? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por ata duhet të përcaktojnë sa vijon: Vetëm Perëndia e di kohën e saktë se kur do të ndodhë Ardhja e Dytë.)
Vini në dukje se në kohën tonë, disa individë përpiqen ta parashikojnë kohën e saktë të Ardhjes së Dytë ose të fundit të botës.
-
Si mund t’ju ndihmojë ky parim që të mos udhëhiqeni në udhë të gabuar nëpërmjet shpalljeve të rreme?
Doktrina e Besëlidhje 130:18–19
Jozef Smithi na jep mësim rreth rëndësisë së fitimit të dijes dhe inteligjencës në këtë jetë
Nëse është e mundur, tregoni një valixhe ose çantë. Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur po largohen nga shtëpia dhe po shkojnë diku që nuk kanë qenë kurrë më parë. Atyre iu lejohet të marrin vetëm çfarë mund të futet në valixhe (ose në çantë).
-
Çfarë do të paketonit në valixhe? (Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet në tabelë.)
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se vendmbërritja e tyre është bota shpirtërore, ku do të hyjmë kur të vdesim.
-
Cilët artikuj në tabelë do të jeni në gjendje t’i merrni me vete kur të vdisni?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 130:18–19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mund të marrim me vete nga kjo jetë kur vdesim.
-
Sipas vargjeve 18–19, çfarë do të jetë me ne pasi të vdesim? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Dija dhe inteligjenca që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihen me ne në ringjallje.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thonë fjalët dije dhe inteligjencë, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Nëse përsiatim thjesht çfarë do të jetë ajo që do të ngrihet me ne në ringjallje, duket e qartë që inteligjenca jonë do të ngrihet me ne, domethënë jo thjesht aftësia jonë e inteligjencës, por edhe aftësia jonë për ta marrë dhe për ta zbatuar të vërtetën. Talentet, cilësitë dhe aftësitë tona do të ngrihen me ne; sigurisht edhe aftësia jonë për të mësuar, shkalla jonë e vetëdisiplinës dhe aftësia jonë për të punuar” (We Will Prove Them Herewith [1982], f. 12).
-
Sipas Plakut Maksuell, çfarë do të thotë fjala inteligjencë në vargjet 18–19?
-
Sipas vargut 19, si mund të fitojmë dije dhe inteligjencë më të madhe? (Ju mund të doni të vini në dukje se një pjesë e dijes dhe inteligjencës mund të fitohet vetëm “nëpërmjet zellit dhe bindjes”.)
-
Kur keni fituar dije ose inteligjencë nëpërmjet zellit dhe bindjes suaj? (Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë.)
Vini në dukje se, sipas vargut 19, ata që fitojnë më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, do të kenë një përparësi në botën që vjen.
-
Si mendoni se fitimi i dijes dhe inteligjencës në këtë jetë mund të na japë një përparësi në botën që vjen?
Shpjegoni se çfarë mësojmë në këtë jetë, si fizikisht dhe shpirtërisht, do të jetë e dobishme për ne përgjatë përjetësisë. Ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë mbi dijen që fitojmë në këtë jetë për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor.
Me qëllim që t’i ndihmoni studentët të vazhdojnë të fitojnë dije dhe inteligjencë, nxitini ata të vazhdojnë të marrin pjesë në seminar tani dhe të planifikojnë të marrin pjesë në institut pasi të diplomohen nga seminari. Ftojini studentët të shkruajnë një synim që mund t’i ndihmonte ata të fitonin më shumë dije dhe inteligjencë.
Doktrina e Besëlidhje 130:20–21
Jozef Smithi shpjegon se si i marrim bekimet
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur ata duan ta përmirësojnë bukurshkrimin e tyre, kështu që vendosin të vrapojnë pesë kilometra, pesë ditë në javë, për një muaj.
-
Cili do të jetë rezultati? Përse?
-
Çfarë do të bënit për ta përmirësuar bukurshkrimin tuaj?
Vini në dukje se, ashtu siç na nevojitet të kuptojmë se si t’i fitojmë rezultatet që dëshirojmë, ne kemi nevojë të kuptojmë se si t’i fitojmë bekimet që Ati Qiellor dëshiron të na i japë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 130:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si mund t’i fitojmë bekimet që Ati Qiellor dëshiron të na i japë. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala “bazohet” do të thotë “mbështetet” dhe se një ligj që është “shpallur në mënyrë të pakthyeshme” është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.)
-
Sipas vargjeve 20–21, si e marrim një bekim nga Perëndia?
Ftojini studentët të shkruajnë një parim “nëse–atëherë” të bazuar te vargjet 20–21. Pas një kohe të mjaftueshme, vërini disa studentë t’i lexojnë thëniet e tyre me zë të lartë. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse duam të marrim një bekim nga Perëndia, atëherë ne duhet t’i bindemi ligjit mbi të cilin ai bazohet.
Për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për këtë të vërtetë, kopjojeni tabelën vijuese në dërrasën e zezë (ju mund të doni ta bëni këtë përpara orës mësimore). Ftojini studentët ta kopjojnë tabelën në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë fragmentin e parë të shkrimit të shenjtë të renditur. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një ligj dhe një bekim që lidhet me të. Teksa i raportojnë përgjigjet e tyre, plotësoni hapësirat e duhura në tabelë. Ftojini studentët t’i plotësojnë tabelat e tyre vetë.
Nëse duam ta marrim një bekim nga Perëndia, atëherë ne duhet t’i bindemi ligjit mbi të cilin ai bazohet.
Fragmenti i shkrimit të shenjtë |
Ligji |
Bekimi |
---|---|---|
Pasi studentët ta kenë përfunduar këtë veprimtari, kërkojuni të mendojnë rreth bekimeve që ata kanë marrë ngaqë i janë bindur një ligji. Ftojini t’i tregojnë përvojat e tyre.
Ftojini studentët të shkruajnë bekimet që duan të marrin. Më pas ftojini ata që të shkruajnë çfarë ligji ose ligjesh kanë nevojë t’u binden me qëllim që t’i marrin ato bekime.
Vini në dukje se disa ligje dhe bekime janë shumë të veçanta, ndërkohë që të tjerat janë më të përgjithshme. Gjithashtu vini në dukje se disa bekime të premtuara mund të vijnë në jetën që vjen.
Për ta përfunduar mësimin e sotëm, ftojini studentët të rishikojnë disa të vërteta që i kanë mësuar nga mësimet e Jozef Smithit të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 130.
-
Si ju ndihmojnë të vërtetat te Doktrina e Besëlidhje 130 për ta vlerësuar Jozef Smithin?
Përfundoni duke e ftuar një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Brigam Jang rreth aftësisë së Jozef Smithit për t’i shpjeguar gjërat e Perëndisë.
“Shkëlqimi i lavdisë së karakterit të Vëllait Jozef Smith ishte se ai mund t’i thjeshtonte gjërat qiellore sipas kuptueshmërisë së njerëzve. Kur u predikonte njerëzve – zbulonte gjërat e Perëndisë, vullnetin e Perëndisë, planin e shpëtimit, qëllimet e Jehovait, marrëdhënien që kemi me Të dhe të gjitha qeniet qiellore, ai i thjeshtonte mësimet e tij sipas aftësisë së çdo burri, gruaje apo fëmije, duke i bërë aq të qarta sa një shteg i përcaktuar mirë. Kjo duhej ta kishte bindur çdo njeri, që e dëgjoi ndonjëherë atë, për autoritetin dhe fuqinë e tij hyjnore, sepse asnjë njeri tjetër nuk ishte i aftë të jepte mësim si mundej ai dhe asnjë person nuk mund t’i zbulojë gjërat e Perëndisë, përveçse nëpërmjet zbulesave të Jezu Krishtit” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 347).
Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për thirrjen e Jozef Smithit si profet, shikues dhe zbulues. Ftojini studentët të veprojnë sipas doktrinave dhe parimeve që i kanë mësuar teksa studiuan mësimet nga Profeti te Doktrina e Besëlidhje 130.