Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 124–128 (Njësia 27)
Hyrje
Ky mësim përqendrohet te Doktrina e Besëlidhje 124:1–21. Ndërsa studentët i studiojnë këto vargje, ata do të mësojnë rreth Jozef e Hajrëm Smithit dhe roleve të tyre në Rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 124:1–14
Zoti shpjegon përse Ai e thirri Jozef Smithin që të rivendoste ungjillin e Jezu Krishtit
Shkruajeni fjalën I fortë në tabelë. Pyetini studentët se çfarë tiparesh, sipas standardeve të kësaj bote, merren zakonisht parasysh kur përshkruhet dikush që është i fortë. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë nën fjalën I fortë. Më pas shkruani fjalën I dobët në tabelë. Pyetini studentët se çfarë tiparesh, sipas standardeve të kësaj bote, merren zakonisht parasysh kur përshkruhet dikush që është i dobët.
-
Në çfarë mënyrash përpiqet bota ta bëjë një të ri ose të re të ndihet i/e dobët sipas standardeve të botës?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:13. Më pas ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:1, duke kërkuar atë që Zoti e përshkroi si të dobët.
-
Në çfarë mënyrash mund të kishte qenë Jozef Smithi i dobët kur ai u thirr ta rivendoste ungjillin?
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 35:1, përse do të thërriste Zoti njerëz të dobët për të ndihmuar në punën e Tij? (Teksa studentët përgjigjen, përmblidhini përgjigjet e tyre duke shkruar në tabelë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zoti e tregon urtësinë e Tij nëpërmjet gjërave të dobëta të tokës.)
-
Në çfarë mënyrash e tregoi Zoti urtësinë e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith?
Kërkojuni studentëve të përmendin disa nga thirrjet dhe detyrat që mund të marrin, ndërkohë që janë ende në rininë e tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë mësues shtëpie, anëtare e presidencës së një klase ose anëtar i presidencës së një kuorumi, misionar, të folurit në një mbledhje sakramenti ose shoqërimi i dikujt në lagjen apo degën e tyre.)
-
Si mund të na ndihmojë të kujtuarit e parimit të shkruar në tabelë kur marrim thirrje dhe detyra të ndryshme për të shërbyer në Kishë?
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 124:2–14 duke shpjeguar se Zoti e urdhëroi Profetin Jozef Smith që të shkruante një shpallje të ungjillit drejtuar sundimtarëve të tokës.
Doktrina e Besëlidhje 124:15–21
Zoti u jep udhëzime udhëheqësve të Kishës në Navu
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur dikush u bëri atyre një përgëzim të sinqertë. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre dhe përse këto përgëzime ishin domethënëse për ta.
Shpjegoni se Zoti iu drejtua disa individëve në këtë zbulesë dhe i përgëzoi ata duke nxjerrë në pah pikat e tyre të forta dhe ndihmën që kanë dhënë. Ftojini studentët të studiojnë në heshtje Doktrinën dhe Besëlidhjet 124:15–20, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth këtyre individëve. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shenjojnë frazat që iu bëjnë përshtypje. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të kthehen te një partner dhe të tregojnë atë që zbuluan, përfshirë se cila thënie u la përshtypje dhe përse.
Ju mund të doni të vini në dukje se te Doktrina e Besëlidhje 124:19, Zoti shpalli që tre burra besnikë, të cilët kishin vdekur kohët e fundit (Dejvid W. Pateni, Eduard Partrixhi dhe Jozef Smith Plaku, babai i Profetit) ishin marrë në praninë e Zotit.
Ftojini studentët të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 124:15, 20, duke kërkuar atë që tha Zoti rreth Hajrëm Smithit dhe Xhorxh Milerit.
-
Çfarë tha Zoti rreth Hajrëm Smithit dhe Xhorxh Milerit?
-
Si ndihet Zoti rreth atyre që kanë integritet moral? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti i do dhe u mirëbeson atyre që kanë integritet të zemrës.)
-
Si do ta përkufizonit integritetin e zemrës?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Për mua, integritet moral do të thotë të bëjmë gjithmonë atë që është e drejtë dhe e mirë, pavarësisht nga pasojat e menjëhershme. Do të thotë të jemi të drejtë nga vetë thellësia e shpirtit tonë, jo vetëm në veprimet tona por, më e rëndësishmja, në mendimet tona dhe në zemrat tona. Integriteti moral vetjak nënkupton besueshmëri dhe pakorruptueshmëri të tillë, saqë ne jemi të paaftë të jemi të gënjeshtërt ndaj një mirëbesimi apo besëlidhjeje” (“Personal Integrity”, Ensign, maj 1990, f. 30).
-
Bazuar në përcaktimin e Plakut Uirthlin, si mendoni ju, përse Zoti i do ata që kanë integritet të zemrës?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si Hajrëm Smithi ishte shembull i integritetit të zemrës së tij, vëreni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Hajrëm Smithi, vëllai më i madh, miku dhe këshilluesi i Profetit, tregoi dashuri absolute, pa mëdyshje, besnikëri dhe përkushtim ndaj Zotit dhe vëllait të tij më të vogël, Jozefit. Vëllazëria e tyre mund të jetë e paarritshme. …
Për Hajrëmin, Jozefi tha: ‘Mund të lutesha në zemrën time që të gjithë vëllezërit e mi të ishin si vëllai im i dashur, Hajrëmi, i cili zotëron butësinë e një qengji dhe integritetin moral të Jobit dhe, me pak fjalë, zemërbutësinë dhe përulësinë e Krishtit; dhe unë e dua me atë dashuri që është më e fortë se vdekja, sepse nuk kam pasur kurrë rast për ta qortuar atë, as ai mua’. (History of the Church, 2:338.) …
Hajrëmi ishte i palëkundur, madje edhe përballë vdekjes. Pas një periudhe mungese dhe përndjekjeje të madhe, ai shkroi:
‘E falënderoj Perëndinë që ndjeva një vendosmëri për të vdekur, në vend që t’i mohoja gjërat që sytë e mi i kishin parë, të cilat duart e mia i kishin prekur [fletët nga të cilat u përkthye Libri i Mormonit] dhe gjërat për të cilat kisha dhënë dëshmi, kudo ku më kishte çuar fati; dhe unë mund t’ju siguroj vëllezërit e mi të dashur, se isha në gjendje të jepja një dëshmi po aq të fortë kur nuk kishte asgjë tjetër përveçse vdekjes, sikurse e kam bërë gjithmonë në jetën time.’ (Times and Seasons, dhjetor 1839, f. 23.)” (“The Family of the Prophet Joseph Smith”, Ensign, nëntor 1991, f. 7).
-
Si e tregoi Hajrëm Smithi integritetin e tij moral?
Ftojini studentët që të përsiatin një aspekt të jetës së tyre, në të cilin ata mund të kishin më shumë integritet moral. Nxitini ata të caktojnë një synim vetjak për ta përmirësuar integritetin e tyre moral në atë fushë.
Përfundojeni mësimin duke ndarë dëshminë tuaj për parimet e dhëna mësim sot.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 129–132)
Pyetini studentët nëse e dinë se sa shkallë ka në mbretërinë çelestiale. Shpjegoni se në studimet e javës së ardhshme, ata do të zbulojnë një numër parimesh që lidhen me mbretërinë çelestiale dhe planin e shpëtimit.