Mësimi 28
Doktrina e Besëlidhje 20:37, 68–84
Hyrje
Në këtë pjesë të seksionit 20, Zoti dha udhëzime rreth qeverisjes së Kishës së Tij, duke përfshirë shpjegime rreth kërkesave për pagëzim e konfirmim dhe mënyrën e saktë për të administruar ordinancat e pagëzimit, konfirmimit dhe sakramentit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 20:37, 68–74
Zoti zbulon kërkesat për individët para dhe pas pagëzimit
Ftojini studentët të mendojnë se çfarë mund të thonë në situatën e mëposhtme:
Një shoqe që i përket një kishe tjetër, ka fituar një dëshmi për ungjillin e rivendosur. Ajo ju pyet: “Çfarë duhet të bëj që të mund të pagëzohem dhe bëhem anëtare e kishës suaj?”
Kërkojuni studentëve që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për këtë pyetje në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Vërini ata të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 20:37, duke parë kërkesat për ata që dëshirojnë të pagëzohen. Ju mund të sugjeroni që studentët ta shenjojnë çdo kërkesë që zbulojnë. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë domethënien e këtij vargu, ju mund të doni të shpjegoni se njerëzit me “zem[ër] të thyer e shpirt të penduar” janë të përulur dhe pranues të vullnetit të Perëndisë. Ata ndiejnë dëshpërim të thellë për mëkatin dhe dëshirë të sinqertë për pendim.
Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Përpara se njerëzit të mund të pagëzohen, ata duhet …
Ftojeni një student të vijë në tabelë dhe të veprojë si shkrues. Bëjini klasës pyetjet vijuese:
-
Bazuar te Doktrina e Besëlidhje 20:37, çfarë duhet të shfaqë një individ përpara se ai apo ajo të mund të pagëzohet? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetje, kërkojini shkruesit të plotësojë thënien në tabelë. Shkruesi mund të shkruajë diçka të tillë si kjo: Përpara se njerëzit të mund të pagëzohen, ata duhet të jenë të përulur, të penduar, të gatshëm për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe të vendosur për t’i shërbyer Atij deri në fund.)
-
Si mendoni, përse një individ duhet t’i plotësojë këto kërkesa përpara se të pagëzohet?
Vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 20:37 përvijon edhe besëlidhjet që kemi bërë kur u pagëzuam. Ftojini studentët të përsiatin se çfarë po bëjnë tani, për të jetuar sipas besëlidhjes së tyre të pagëzimit.
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur e njëjta shoqe pyet se çfarë ndodh kur dikush pagëzohet. Pasi disa studentë të përgjigjen, ftojeni njërin prej tyre të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:72–74. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë mënyrën e pagëzimit të përshkruar nga Zoti.
-
Sipas vargjeve 72–74, si do Zoti që të kryhen pagëzimet? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Pagëzimi duhet të bëhet me anë të zhytjes dhe të kryhet nga një njeri që mban autoritetin e duhur. Shkruajeni këtë parim në tabelë nën parimin e mëparshëm.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 20:68–69, duke përcaktuar pritshmëritë e Zotit për secilin prej nesh pasi jemi pagëzuar. Ju mund të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto pritshmëri.
-
Cilat janë disa gjëra që zbuluat, të cilat Zoti i pret nga ne pasi të pagëzohemi?
Shënim: Studentët mund të pyesin rreth kërkesave në vargun 68 që anëtarët e sapopagëzuar duhet të mësohen nga pleqtë përpara se të mund të konfirmohen. Shpjegoni se praktika e tanishme e dhënies së mësimeve misionare për kërkuesit përpara pagëzimit u lejon njerëzve që të konfirmohen dhe të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë shpejt pasi pagëzohen.
-
Çfarë mësoni nga vargu 69 rreth mënyrës se si ne ia tregojmë Zotit denjësinë tonë pasi pagëzohemi? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Pas pagëzimit, ne ia tregojmë Zotit denjësinë tonë nëpërmjet të ecurit dhe të folurit tonë të perëndishëm. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë nën dy parimet e mëparshme.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “trego[sh]… një të ecur dhe të folur të perëndishëm”? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se një person tregon ose shfaq “një të ecur dhe të folur të perëndishëm” nëpërmjet sjelljes, të folurit dhe veprimeve që janë në harmoni me Perëndinë.)
Nisur nga nevojat e studentëve tuaj, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të shkojnë te një pjesë në broshurën Për Forcën e Rinisë, për më shumë këshilla të veçanta mbi mënyrën se si një person i ri mund të shfaqë “një të ecur dhe të folur të perëndishëm”.
-
Kur i keni parë të tjerët të “tregojnë … një të ecur dhe të folur të perëndishëm”? Si mendoni, në ç’mënyrë veprimet dhe qëndrimet e tyre ndikojnë te të tjerët përreth tyre?
Për t’i ndihmuar studentët ta zbatojnë këtë parim, nxitini ata të përsiatin mënyrën se si mund të shfaqin më plotësisht “një të ecur dhe të folur të perëndishëm” në ditët që do të pasojnë. Nëse ndonjë student ndihet rehat të tregojë mënyrën se si planifikon ta bëjë këtë, ftojeni t’i tregojë klasës për idetë e tij ose të saja. Ju mund të doni të bëni të njëjtën gjë duke dhënë dëshminë tuaj për bekimet që vijnë kur ne e nderojmë besëlidhjen e pagëzimit.
Doktrina e Besëlidhje 20:75–79
Zoti jep udhëzime mbi administrimin e sakramentit
Ftojeni një dyshe studentësh të dalë përpara klasës. Kërkojini njërit prej studentëve të përfaqësojë një shok ose shoqe që po vjen në mbledhjen e sakramentit për herë të parë dhe dëshiron të dijë përse buka dhe uji i jepen bashkësisë. Kërkojini studentit tjetër t’i shpjegojë shokut ose shoqes ordinancën e sakramentit. Pasi studenti të ketë dhënë idenë e tij ose të saj, nxiteni klasën të kërkojë mbështetje nga shkrimet e shenjta për atë që studenti ka shpjeguar, si edhe ndonjë ide shtesë që ata mund ta përdorin për të shpjeguar sakramentin, ndërsa studiojnë disa nga vargjet pasuese.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:75 dhe kërkojini klasës që ta ndjekë. (Ju mund të doni të vini në dukje se sot në sakrament ne përdorim ujë në vend të verës. Shih DeB 27:1–2.)
-
Si mendoni, përse jemi udhëzuar ta marrim sakramentin së bashku shpesh?
Si pjesë e këtij diskutimi, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Melvin J. Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Ju mund të doni të shpjegoni se kur Plaku Ballard foli për “shfaqjen e tryezës së sakramentit”, ai thjesht iu drejtua praktikës së marrjes së sakramentit.)
“Një gjë që do t’i jepte siguri çdo burri dhe gruaje, do të ishte që çdo ditë Shabati të shfaqej te tryeza e sakramentit. Nuk do të arrinim të shkonim shumë larg për një javë – jo aq larg saqë, me anë të procesit të vetëkërkimit, nuk do të mund t’i korrigjonim fajet që mund të kemi bërë. … Udha për te tryeza e sakramentit është shtegu i sigurisë për një shenjtor të ditëve të mëvonshme” (në Bryant S. Hinckley, Sermons and Missionary Services of Melvin Joseph Ballard [1949], f. 151).
Shkruani në tabelë titujt vijues:
Kërkojini gjysmës së klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 20:77–79, duke kërkuar atë që premtojmë ne kur marrim sakramentin. Ftojeni gjysmën tjetër të lexojë të njëjtat vargje, duke kërkuar atë që premton Zoti. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta studiuar fragmentin, u kërkoni të raportojnë atë që kanë gjetur. Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet e tyre në tabelë nën titujt e duhur. Ndërsa studentët plotësojnë këto lista, ata do të dallojnë parimet vijuese:
Kur marrim sakramentin, ne dëshmojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, se gjithmonë do ta kujtojmë Atë dhe do të zbatojmë urdhërimet e Tij.
Kur jemi besnikë ndaj premtimeve që bëjmë gjatë sakramentit, ne mund ta kemi gjithmonë Shpirtin me ne.
Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto të vërteta në shkrimet e tyre të shenjta.
-
Duke i krahasuar listat në tabelë me Doktrinën e Besëlidhjet 20:37, çfarë ngjashmërish shihni te premtimet e bëra gjatë sakramentit dhe besëlidhjes së pagëzimit?
Shpjegoni se kur marrim sakramentin, ne ripërtërijmë besëlidhjen që bëmë kur u pagëzuam dhe u konfirmuam.
-
Si mund ta tregojmë gatishmërinë tonë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit? (Përgjigjet mund të përfshijnë të mbrojmë atë që është e drejtë, t’u tregojmë të tjerëve që ne jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të tregojmë besimin tonë tek Ai dhe të marrim pjesë në punën e Tij.)
-
Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin?
-
Si na ndihmon marrja e sakramentit për të “treg[uar] … një të ecur dhe të folur të perëndishëm”?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vlerën e pasjes së Shpirtit me ne, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Të Vërtetë ndaj Besimit. Kërkojini klasës të dëgjojë për bekimet e ripërtëritjes së besëlidhjes sonë të pagëzimit.
“Ju merrni bekime të mëdha kur mbani besëlidhjen e pagëzimit. Ndërsa e ripërtërini atë, Zoti ripërtërin heqjen e premtuar të mëkateve tuaja. Pastrohuni nga mëkati dhe ju do të jeni në gjendje të ‘ken[i] gjithmonë Shpirtin e tij me [ju]’ (DeB 20:77). Shoqërimi i vazhdueshëm i Shpirtit është një nga dhuratat më të mëdha që mund të merrni në vdekshmëri. Shpirti do t’ju udhëheqë në shtigjet e drejtësisë dhe të paqes, duke iu çuar drejt jetës së përjetshme me Atin tuaj në Qiell dhe Jezu Krishtin” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 151).
Ftojini studentët të përsiatin (ose të shkruajnë) mënyrën se si do ta përgatitin veten e tyre për të marrë sakramentin këtë javë. Ju mund të doni të ndani dëshminë tuaj për vlerën e ripërtëritjes të besëlidhjes së pagëzimit çdo javë.
Doktrina e Besëlidhje 20:80–84
Zoti i udhëzon udhëheqësit e Kishës që të mbajnë dokumente të sakta të anëtarësisë së Kishës
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 20:81–84 duke i vënë në dijeni studentët se mbajtësit e priftërisë në Kishën e hershme u udhëzuan që të regjistronin emrat e njerëzve që ishin bashkuar me Kishën. Ata i mbanin këta emra në një libër. Emrat e atyre që largoheshin nga Kisha, u hoqën nga libri. Përveç kësaj, anëtarët e Kishës që shpërnguleshin nga një vend në tjetrin, duhej të merrnin një certifikatë të anëtarësisë së tyre për t’ia dhënë udhëheqësve të tyre të rinj të priftërisë. Në kohën tonë, udhëheqësit e Kishës vazhdojnë të mbajnë dokumente të sakta të anëtarësisë, por metodat e bërjes së saj janë më efikase.
Ju mund të doni ta mbyllni duke dhënë dëshminë tuaj për doktrinat dhe parimet e diskutuara në mësim.