Seminare dhe Institute
Mësimi 153: Deklarata Zyrtare 1 dhe Zhvillimi i Vazhdueshëm i Punës në Tempull


Mësimi 153

Deklarata Zyrtare 1 dhe Zhvillimi i Vazhdueshëm i Punës në Tempull

Hyrje

Pasi Profeti Jozef Smith mori zbulesë që e udhëzonte atë të jepte mësim parimin e martesës me shumë gra, disa anëtarë të Kishës e filluan praktikën e martesës me shumë gra nën drejtimin e tij në fillim të viteve 1840. Në dekadat e mëvonshme, Kisha përjetoi kundërshtim publik për shkak të kësaj praktike. “Pasi mori zbulesën, Presidenti Uillford Udraf nxori … Manifestin [Deklaratën Zyrtare 1], i cili u pranua nga Kisha si autoritativ dhe detyrues më 6 tetor 1890. Kjo çoi drejt fundit të praktikës së martesës me shumë gra në Kishë” (Deklarata Zyrtare 1, hyrja). Edhe kur shenjtorët përjetuan kundërshtime, ata punuan me zell për të ndërtuar tempuj, ku ata morën ordinanca shpëtuese për veten e tyre dhe për të vdekurit. Ata ndërtuan dhe përkushtuan pesë tempuj midis viteve 1846 dhe 1893.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti zbulon se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të ndalojnë praktikën e martesës me shumë gra

Kërkojuni studentëve të përmendin individë të drejtë në shkrimet e shenjta që u arrestuan ose u burgosën sepse bënë atë që Perëndia i urdhëroi të bënin. (Përgjigjet mund të përfshijnë Danielin, Abinadin, Pjetrin, Jozef Smithin dhe Shpëtimtarin.)

Shpjegoni se shumë burra shenjtorë të ditëve të mëvonshme u arrestuan dhe u burgosën sepse vazhduan t’i binden urdhërimit të praktikës së martesës me shumë gra, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara miratoi ligje të cilat e bënë praktikën të paligjshme. U arrestuan edhe disa gra, zakonisht sepse ato nuk do ta zbulonin vendndodhjen e bashkëshortëve të tyre, të cilët ishin fshehur për t’iu shmangur arrestimit.

Kërkojuni studentëve të përmbledhin se si filloi praktika e martesës me shumë gra midis anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. (Profeti Jozef Smith mori zbulesë rreth parimit të martesës me shumë gra dhe praktika e martesës me shumë gra u vendos midis anëtarëve të Kishës në fillim të viteve 1840, në përgjigje të urdhrit të Zotit [shih DeB 132].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë për disa nga vështirësitë që përjetuan anëtarët e Kishës ndërsa iu bindën urdhrit të Zotit për të praktikuar martesën me shumë gra.

Në gusht të vitit 1852, si pjesë e një konference në Solt-Lejk-Siti, Plaku Orson Prat, lajmëroi publikisht se në bindje ndaj një urdhërimi të Perëndisë, disa anëtarë të Kishës po praktikonin martesën me shumë gra. Plaku Prat e bëri këtë lajmërim nën drejtimin e Presidentit Brigam Jang. Shumë udhëheqës fetarë dhe politikë në Shtetet e Bashkuara e kundërshtuan këtë sistem martese, të cilin ata e konsideronin të pamoralshëm dhe të paqytetëruar. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme u përqeshën në fjalime publike, libra, revista e gazeta. Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi ligje që e frenuan lirinë e anëtarëve të Kishës dhe e dëmtuan Kishën ekonomikisht, duke e kufizuar sasinë e pronave që Kisha mund të zotëronte. Këto ligje përfundimisht çuan në arrestimin dhe burgosjen e burrave që kishin më shumë se një grua. Këtyre burrave iu mohua e “drejta për të votuar, e drejta e privatësisë në shtëpitë e tyre dhe gëzimi i lirive të tjera civile” (Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [1996], f. 97). Deri në vitin 1890, qindra shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme kishin bërë burg. Të tjerë u fshehën për t’iu shmangur arrestimit dhe burgosjes. Në këtë gjendje, shumë familje vuajtën nga shqetësimi, pikëllimi, varfëria dhe uria.

Pas lajmërimit të vitit 1852, martesa me shumë gra u përhap edhe më shumë, dhe mijëra burra e gra u vulosën në martesa me shumë gra nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë. Megjithëse bota i përqeshi ata për praktikimin e martesës me shumë gra, shumë shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme e mbrojtën praktikën dhe dëshmuan se e dinin që ajo ishte zbuluar nga Perëndia nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

  • Si do t’i përmblidhnit vështirësitë që hasën shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme për shkak se iu bindën udhëzimit të Zotit për të praktikuar martesën me shumë gra?

Presidenti Uillford Udraf

Shpjegoni se këto rrethana të vështira e çuan Presidentin Uillford Udraf të kërkonte plot lutje udhëheqjen e Zotit lidhur me praktikën e martesës me shumë gra të shenjtorëve. Në vitin 1889, Presidenti Uillford Udraf i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që ta ndërprisnin mësimdhënien e parimit të martesës me shumë gra. Deri në vitin 1890, u kryen shumë pak martesa me shumë gra, dhe këto u bënë kundër këshillës së Presidentit Udraf. Megjithatë, disa njerëz botuan raporte se Kisha ende po e përkrahte praktikën e martesës me shumë gra. Këto raporte e nxitën më tej kundërshtimin ndaj Kishës. Në shtator 1890, Presidenti Udraf nxori një Manifest, i cili tani njihet si Deklarata Zyrtare 1 te Doktrina e Besëlidhje.

Përmblidhni tre paragrafët e parë të Deklaratës Zyrtare 1 duke shpjeguar që Presidenti Udraf deklaroi se raportet të cilat pretendonin se Kisha ende po e përkrahte praktikën e martesës me shumë gra nuk ishin të sakta. Pastaj ftojini tre studentë që të lexojnë me radhë e zë të lartë paragrafët e katërt dhe të pestë të Deklaratës Zyrtare 1 (duke filluar me “Për aq sa … ligje”) dhe të deklaratës vijuese nga Presidenti Lorenco Snou, i cili atëherë ishte President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Vëreni klasën t’i ndjekë ata dhe të kërkojë atë që Presidenti Udraf i udhëzoi shenjtorët të bënin.

  • Çfarë u udhëzuan shenjtorët të bënin? (Të shmangnin lidhjen me kontratë ose formimin e ndonjë martese me shumë gra.)

  • Sipas deklaratës nga Presidenti Lorenco Snou, përse është e rëndësishme që udhëzimi për t’iu shmangur lidhjes me kontratë të ndonjë martese me shumë gra erdhi nëpërmjet Presidentit të Kishës? (Sepse ai ishte i vetmi njeri në tokë që mbante çelësat e fuqisë vulosëse. Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se martesa me shumë gra mund të autorizohej vetëm përmes çelësave të priftërisë që i ishin dhënë Presidentit të Kishës [shih DeB 132:7, 48].)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë nga “Pjesë të Shkëputura nga Tri Fjalime të Presidentit Wilford Woodruff [Uillford Udraf] Lidhur me Manifestin”, i cili pason tekstin e Manifestit. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një parim që Presidenti Udraf u mësoi shenjtorëve.

  • Çfarë u mësoi shenjtorëve Presidenti Udraf? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Zoti nuk do ta lejojë kurrë Presidentin e Kishës që ta udhëheqë Kishën në udhë të gabuar. Ju mund të doni t’i ftoni studentët që të shenjojnë fjalë ose fraza në shkrimet e tyre të shenjta që e japin mësim këtë doktrinë.)

  • Si mund të na ndihmojë sot ky parim?

Shpjegoni se disa anëtarë të Kishës u çuditën përse ata u udhëzuan ta jetonin parimin e martesës me shumë gra, por më pas u udhëzuan ta ndalonin atë. Zoti e udhëzoi Presidentin Udraf që t’u bënte shenjtorëve një pyetje. Ftojini tri studentë që të lexojnë me radhë e me zë të lartë paragrafin e tretë, të katërt dhe të pestë nga “Pjesë të Shkëputura nga Tri Fjalime të Presidentit Wilford Woodruff [Uillford Udraf]”, (duke filluar me “Unë kam pasur … disa zbulesa”). Vëreni klasën t’i ndjekin, duke kërkuar pyetjen që Presidenti Udraf u bëri shenjtorëve.

  • Si do ta përmblidhnit pyetjen të cilën Presidenti Udraf qe i frymëzuar t’ua bënte shenjtorëve?

Shpjegoni se shenjtorët ishin në rrezik që të humbisnin tempullin e Seint-Xhorxhit në Juta, tempullin e Loganit në Juta, tempullin e Mantit në Juta dhe tempullin pothuaj të përfunduar të Solt-Lejkut. (Nëse është e mundur, ju mund të doni të paraqitni fotografi të këtyre tempujve.)

  • Cila punë e rëndësishme do të ndalonte nëse tempujt do të konfiskoheshin?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë paragrafin e shtatë nga “Pjesë të Shkëputura nga Tri Fjalime të Presidentit Wilford Woodruff [Uillford Udraf]”, (duke filluar me “Kam parë saktësisht”). Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për atë që Presidenti Udraf do të kishte bërë nëse Perëndia nuk do ta kishte urdhëruar atë që t’i udhëzonte udhëheqësit e Kishës ta ndërprisnin praktikën e kryerjes së martesave me shumë gra.

  • Çfarë do të kishte bërë Presidenti Udraf?

  • Çfarë mund të mësojmë nga thënia e Presidentit Udraf: “Shkrova çfarë Zoti më tha të shkruaja”? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës që i jep Presidentit të Kishës.)

  • Si ka ndikuar kjo doktrinë te ju?

Ftojini studentët të ndajnë dëshminë e tyre lidhur me të vërtetat që keni shkruar në tabelë. Ju gjithashtu mund të doni të ndani dëshminë tuaj.

Presidenti Jozef F. Smith

Shpjegoni se një numër i vogël shenjtorësh të ditëve të mëvonshme vazhduan të hyjnë në martesa të reja me shumë gra pasi u dha Manifesti. Në vitin 1904, Presidenti Jozef F. Smith lajmëroi “se të gjitha martesat [me shumë gra] janë të ndaluara dhe nëse ndonjë drejtues apo anëtar i Kishës do të hamendësojë të bëjë celebrimin apo të hyjë në një martesë të tillë, ai do të … shkishërohet” (në Conference Report, prill 1904, f. 75). Kjo rregullore vazhdon sot.

  • Bazuar në atë që keni mësuar, si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme e praktikojnë martesën me shumë gra? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se anëtarët e Kishës e praktikuan martesën me shumë gra për njëfarë kohe në bindje ndaj urdhrit të Zotit, por ajo praktikë mori fund kohë më parë, prapë sipas urdhrit të Zotit. Martesa midis një burri dhe një gruaje është standardi i Perëndisë për martesën, në qoftë se Ai nuk shpall ndryshe [shih Jakobi [LiM] 2:27, 30].)

Zoti zbulon se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të vulosen me pjesëtarët e familjes së tyre

Shpjegoni se pasi u dha Manifesti, kërcënimi i qeverisë federale për konfiskimin e tempujve dhe të pronave të Kishës mori fund. Pa atë shpërqendrim, shenjtorët qenë në gjendje t’i kushtonin vëmendje më të madhe punës në tempull. Më 6 prill 1893, dyzet vjet pasi u vendosën gurët e qoshes së Tempullit të Solt-Lejkut, Presidenti Uillford Udraf e përkushtoi atë tempull, duke e çuar në katër numrin e plotë të tempujve funksionues.

Në prill 1894, një vit pas përkushtimit të Tempullit të Solt-Lejkut, Presidenti Udraf lajmëroi se ai kishte marrë një zbulesë. Përpara kësaj zbulese, anëtarët e Kishës, duke vepruar sipas njohurisë që zotëronin, shpesh e kishin vulosur veten e tyre me udhëheqës të Kishës ose ishin “birësuar” tek ata, të tillë si me Jozef Smithin ose Brigam Jangun, se sa me vetë prindërit e tyre. Por Presidenti Udraf mësoi me anë të zbulesës se ai duhej t’i drejtonte shenjtorët që “të gjurmojnë gjenealogjitë e tyre sa më larg që të munden dhe të vulosen me etërit dhe nënat e tyre. Bëjini fëmijët të vulosen me prindërit e tyre dhe zgjateni këtë zinxhir sa më shumë që të mundeni. … Ky është vullneti i Zotit për popullin e Tij” (në James R. Clark, përp., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. [1965–1975], 3:256–257; shih edhe Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], xxxiii–xxxv).

  • Me kë mund të vulosemi ne nëpërmjet ordinancave vulosëse? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ne mund të vulosemi me pjesëtarë të familjes sonë, duke përfshirë ata që erdhën përpara nesh dhe ata që vijnë pas nesh, nëpërmjet fuqisë vulosëse.)

  • Si ndiheni rreth njohurisë se ju mund të vuloseni me pjesëtarët e familjes suaj?

Përfundoni duke dëshmuar për fuqinë vulosëse dhe rëndësinë e lidhjes së vetes sonë me brezat e familjes sonë nëpërmjet ordinancave të tempullit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Deklarata Zyrtare 1. Rrethana të përfshira në botimin e vitit 2013 të shkrimeve të shenjta

ikona e fletushkësThënia vijuese, e cila shërben si hyrja për Deklaratën Zyrtare 1 në botimin e vitit 2013 të shkrimeve të shenjta, mund t’i ndihmojë studentët t’i përgjigjen pyetjeve rreth praktikës së martesës me shumë gra të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në vitet 1800. Ju mund të doni të shtypni kopje të kësaj thënieje dhe t’ua shpërndani ato studentëve që nuk e kanë botimin e vitit 2013 të shkrimeve të shenjta.

“Bibla dhe Libri i Mormonit na mësojnë se monogamia është standardi i Perëndisë për martesën, nëse Ai nuk shpall ndryshe (shih 2 Samueli 12:7–8 dhe Jakobi [LiM] 2:27, 30). Pas një zbulese dhënë Jozef Smithit, praktika e martesës me shumë gra u vendos midis anëtarëve të Kishës në fillim të viteve 1840 (shih seksionin 132). Nga vitet 1860 deri në vitet 1880, qeveria e Shteteve të Bashkuara miratoi ligje për ta bërë të paligjshme këtë praktikë fetare. Këto ligje u përkrahën përfundimisht nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. Pasi mori zbulesë, Presidenti Uillford Udraf nxori Manifestin vijues, i cili u pranua nga Kisha si autoritativ dhe detyrues më 6 tetor 1890. Kjo çoi drejt fundit të praktikës së martesës me shumë gra në Kishë.”

Deklarata Zyrtare 1. A mori fund menjëherë pas Manifestit praktika e martesës me shumë gra?

Disa anëtarë të Kishës vazhduan të hynin në martesa me shumë gra pasi u dha Manifesti në vitin 1890. Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Plaku Dallin H. Ouks

“Poligamia nuk mori fund menjëherë me Manifestin e vitit 1890. Marrëdhëniet poligame të vulosura përpara se të lajmërohej ajo zbulesë vazhduan për një brez. Kryerja e martesave poligame vazhdoi edhe për njëfarë kohe jashtë Shteteve të Bashkuara, ku zbatimi i Manifestit ishte i paqartë për një periudhë. Me sa duket martesat poligame vazhduan edhe për rreth një dekadë në disa zona të tjera midis udhëheqësve dhe anëtarëve, të cilët e justifikuan të vepruarit kështu për shkak të paqartësive dhe trysnive të krijuara nga kjo përplasje e nivelit të lartë midis ligjeve të papëlqyera dhe doktrinave që ata i nderonin. …

Zemra ime copëtohet kur lexoj për rrethana në të cilat bashkëshortet dhe fëmijët u përballën me zgjedhjen e tmerrshme të gënjenin për vendndodhjen ose ekzistencën e një bashkëshorti apo babai nga njëra anë ose nga ana tjetër të thoshin të vërtetën dhe ta shikonin atë teksa përfundonte në burg. … Një baba në burg ua hiqte kafshatën nga tryeza dhe zjarrin nga vatra. Këto zgjedhje të vështira përfshinin përplasjen midis emocioneve dhe nevojave të tilla themelore si zotimin ndaj së vërtetës përkundrejt nevojës për shoqërimin e të dashurve dhe ndihmesës ndaj të ftohtit e urisë.

Zemra ime ndjen keqardhje edhe për udhëheqësit e Kishës, të cilët ishin zënë ngushtë midis përkushtimit të tyre ndaj së vërtetës dhe përkushtimit të tyre ndaj grave dhe fëmijëve e ndaj njëri-tjetrit. Të thoje të vërtetën mund të nënkuptonte të tradhtoje një mirëbesim ose një kauzë ose të dërgoje një vëlla në burg. …

Nuk di çfarë të mendoj për gjithë këtë, përveçse jam i lumtur që nuk kam hasur trysnitë që hasën këta njerëz të mirë. Zemra ime ndien keqardhje për trimërinë dhe sakrificat e tyre, ndaj të cilave unë jam një përfitues i drejtpërdrejtë. Unë nuk do t’i gjykoj ata. Ai gjykim i përket Zotit, i cili i njeh të gjitha rrethanat dhe zemrën e pjesëtarëve, një nivel kuptueshmërie dhe urtësie që nuk i afrohen madje as historianët më të ditur” (“Gospel Teachings about Lying”, Clark Memorandum [Botim periodik i shkollës së juridikut J. Ruben Klark të Universitetit “Brigam Jang”], pranverë 1994, f. 16–17).

Që në vitin 1904, Kisha ka shkishëruar çdo anëtar të saj që ka kryer ose ka hyrë në martesa me shumë gra (shih Conference Report, prill 1904, f. 75). Në vitin 1998, Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli pozicionin e Kishës mbi praktikën e martesës me shumë gra:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Kjo Kishë nuk ka të bëjë fare me ata që e praktikojnë poligaminë. … Nëse ndonjë nga anëtarët tanë gjendet duke praktikuar martesën me më shumë se një grua, ai shkishërohet, ndëshkimi më i rëndë që Kisha mund të japë. Jo vetëm që ata përfshihen kështu në shkelje të drejtpërdrejtë të kodit civil, por ata po shkelin ligjin e kësaj Kishe” (“What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71).

Fjalime nga Presidenti Uillford Udraf. Zoti kurrë nuk do ta lejojë Presidentin e Kishës të na udhëheqë në udhë të gabuar

Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, tregoi një përvojë që ai pati me Presidentin Hibër J. Grant, i cili qe Presidenti i Kishës në atë kohë:

Presidenti Marion G. Romni

“Duke qëndruar pranë meje, ai vendosi krahun e tij mbi shpatullën time dhe tha: ‘Biri im, mbaje gjithmonë syrin te Presidenti i Kishës dhe nëse ndonjëherë ai të thotë të bësh diçka dhe është e gabuar, dhe ti e bën, Zoti do të të bekojë për këtë’. Pastaj me një të shkelur të syrit, ai tha: ‘Por ti nuk ke pse shqetësohesh. Zoti kurrë nuk do ta lejojë zëdhënësin e tij ta udhëheqë popullin në udhë të gabuar’” (në Conference Report, tetor 1960, f. 78).

Deklarata Zyrtare 1. Për më shumë informacion

Për më shumë informacion rreth Deklaratës Zyrtare 1, shkoni te Gospel Topics [Tema të Ungjillit] në LDS.org dhe kërkoni për “plural marriage” [“martesa me shumë gra”] ose “polygamy [poligamia].”