Mësimi 160
Profeti i Gjallë
Hyrje
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bekohen që të udhëhiqen nga një profet, shikues dhe zbulues i gjallë. Në kohët e lashta, profetët u zgjodhën nga Zoti dhe u autorizuan të flisnin për Të. Po ashtu, në kohën tonë fjalët e profetit të gjallë përfaqësojnë zërin e Zotit për ne dhe për botën (shih DeB 1:37–38). Në këtë mësim, studentët do të studiojnë këshillën e kohëve të fundit nga Presidenti i Kishës, profeti i zgjedhur i Zotit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zbulesa e vazhdueshme nëpërmjet një profeti të gjallë
Shkruani në tabelë pyetjen që vijon: Cili është profeti më i rëndësishëm për ju?
Ftojeni klasën që ta përsiatë këtë pyetje dhe të dëgjojë për përgjigjen, ndërkohë që lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson.
“Profeti më i rëndësishëm, për aq sa na intereson ne, është ai që jeton në kohën dhe epokën tonë” (“Jesus Christ—Gifts and Expectations”, New Era, maj 1975, f. 17).
-
Si mendoni ju, përse profeti i gjallë është profeti më i rëndësishëm për ne?
Pasi studentët të përgjigjen, vazhdoni leximin e thënies së Presidentit Benson:
“Ky është profeti që ka udhëzimet e ditës së sotme nga Perëndia për ne. … Çdo brez ka nevojë për shkrimin e shenjtë të lashtë, së bashku me shkrimin e shenjtë të tanishëm nga profeti i gjallë. Si rrjedhim, leximi dhe përsiatja më e rëndësishme që duhet të bëni është ajo e fjalëve më të fundit, të frymëzuara nga zëdhënësi i Zotit. Kjo është arsyeja përse është thelbësore që ju të keni mundësi t’i gjeni fjalët e tij dhe t’i lexoni ato me kujdes në botimet periodike të Kishës” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, f. 17).
Shpjegoni se ne i mbështetim anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues. Megjithatë, Presidenti i Kishës është i vetmi njeri i cili autorizohet për t’i ushtruar tërë çelësat e priftërisë në tokë dhe i vetmi njeri i cili autorizohet të marrë dhe të shpallë zbulesa për të gjithë Kishën.
-
Në varësi të asaj që keni mësuar në mësimet e kohëve të fundit, kur ka shpallur Presidenti i Kishës zbulesa për të gjithë Kishën apo ka njoftuar ndryshime domethënëse në mënyrën se si vepron Kisha? (Përgjigjet mund të përfshijnë kur Presidenti Uillford Udraf botoi Manifestin lidhur me martesën me shumë gra [shih Deklarata Zyrtare 1], kur Presidenti Jozef F. Smith shpalli të vërteta të panjohura më parë rreth botës së shpirtrave pas vdekjes [shih DeB 138] dhe kur Presidenti Spenser W. Kimball shpalli se bekimet e priftërisë do të viheshin në dispozicion për të gjithë meshkujt e denjë të Kishës [shih Deklarata Zyrtare 2].)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf. Ftojeni klasën të dëgjojë për një të vërtetë që lidhet me zbulesën në kohën tonë.
“Një nga mesazhet e lavdishme të Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit është se Perëndia vazhdon t’u flasë fëmijëve të Tij! Ai nuk fshihet në qiej, por flet sot ashtu siç bënte në kohët e lashta. …
Udhëzimet e paçmueshme të Perëndisë për njerëzimin gjenden në Bibël, në Librin e Mormonit, në Doktrinën e Besëlidhjet dhe në Perlën me Vlerë të Madhe. Përveç këtyre, Zoti na flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, ashtu siç do të bëjë Ai përsëri në … konferencën e përgjithshme” (“Why Do We Need Prophets?” Ensign, mars 2012, f. 4).
-
Çfarë doktrine lidhur me zbulesën na mësoi Presidenti Uhtdorf? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë diçka të ngjashme me thënien doktrinore që vijon: Zoti vazhdon të na flasë sot nëpërmjet profetit të Tij të gjallë. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë doktrinë në tabelë.)
-
Ku mund t’i gjejmë fjalët e profetit të gjallë? (Përgjigjet mund të përfshijnë konferencën e përgjithshme, revistat e Kishës, LDS.org dhe mormonchannel.org.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e të folurit të vazhdueshëm të Zotit nëpërmjet profetit të Tij të gjallë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhon Tejlor. Kërkojini klasës të dëgjojë arsyen përse zbulesa e vazhdueshme nëpërmjet profetëve është e rëndësishme.
“Ne kërkojmë një pemë të gjallë – një burim të gjallë – inteligjencë të gjallë, që buron nga priftëria e gjallë në qiell, nëpërmjet priftërisë së gjallë në tokë. … Dhe që nga koha kur Adami mori fillimisht një komunikim nga Perëndia, … u deshën gjithmonë zbulesa të reja, të përshtatura ndaj rrethanave të veçanta në të cilat u vendosën kishat ose individët. Zbulesa e Adamit nuk e udhëzoi Noeun që ta ndërtonte arkën e tij; as zbulesa e Noeut nuk i tha Lotit që ta braktiste Sodomën; as nuk folën asnjëra prej këtyre për largimin e fëmijëve të Izraelit nga Egjipti” (në The Gospel Kingdom, përzgjedh. G. Homer Durham [1987], f. 34).
-
Sipas Presidentit Tejlor, përse kemi nevojë për një profet të gjallë? (Nëpërmjet profetit të gjallë, Perëndia na jep drejtim të posaçëm sipas nevojave dhe rrethanave të kohës.)
-
Si mund ta ndikojë të kuptuarit e nevojës për zbulesë të vazhdueshme në mënyrën se si i dëgjoni ose lexoni fjalët e profetit të gjallë?
Ndjekja e këshillës së profetit të gjallë
Për t’i ndihmuar studentët që të diskutojnë mbi këshillat e profetit të gjallë, zgjidhni një ose më shumë biseda nga konferencat e përgjithshme, të dhëna nga Presidenti i Kishës vitin e kaluar. Përgatitni një kopje të një bisede për secilin student në klasë. Jepuni studentëve kohë të kërkojnë doktrina dhe parime që profeti i gjallë po na mëson kohët e fundit.
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, u kërkoni atyre të renditin doktrina dhe parime që po na i mëson Presidenti i Kishës. Merreni parasysh t’i kërkoni një studenti t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë dhe ta ndiejnë rëndësinë e doktrinave dhe parimeve që kanë përcaktuar, bëni disa ose të gjitha pyetjet që vijojnë:
-
Cilat nga këto parime ose doktrina e ndjeni se janë veçanërisht domethënëse për ju? Përse?
-
Në çfarë mënyrash po përpiqeni ju dhe familja juaj që të ndiqni këshillën e profetit?
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ta studiojmë e zbatojmë atë që po na e mëson Presidenti i tanishëm i Kishës?
Shkruani në tabelë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët që t’iu përgjigjen atyre në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
Ftojini studentët të veprojnë sipas asaj që kanë shkruar. Dëshmoni se, ndërsa e bëjnë këtë, ata mund të kenë mirëbesim se Ati Qiellor do t’i bekojë. Nxitini studentët t’i studiojnë dhe zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme mësimet e profetëve të gjallë.
Ftojini studentët të ndajnë dëshmitë e tyre për profetët e gjallë.
Si një përfundim të këtij viti të seminarit, i nxitini studentët ta vazhdojnë studimin e shkrimeve të shenjta çdo ditë. Nëse do ta ndjekin kursin e ardhshëm të seminarit, ju mund të sugjeroni që të fillojnë të studiojnë Dhiatën e Vjetër. Ju mund të dëshironi ta ftoni një student/e të dëshmojë për bekimet që ai ose ajo ka marrë nga vazhdimësia e leximit të shkrimeve të shenjta çdo ditë edhe kur mbyllet periudha e seminarit.