Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 3–7; 10; Joseph Smith – Historia 1:66–67 (Njësia 3)
Hyrje
Gjatë këtij mësimi studentët do të studiojnë kryesisht nga Doktrina e Besëlidhje 10, që iu zbulua Profetit Jozef Smith pas humbjes së 116 faqeve të dorëshkrimit të Librit të Mormonit. Përpara kësaj zbulese, Moroni i kishte marrë fletët dhe Urimin e Thumimin prej Jozef Smithit dhe Profeti e kishte humbur fuqinë për të përkthyer për njëfarë kohe. Pasi fletët u rikthyen, Zoti e urdhëroi Jozefin të mos e përkthente sërish pjesën e fletëve që i përkiste faqeve të humbura të dorëshkrimit. Zoti gjithashtu zbuloi komplotin e Satanit për të shkatërruar veprën dhe na mësoi se si mund ta mposhtim Satanin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 3; 10
Satani kërkon ta shkatërrojë Jozef Smithin dhe veprën e Perëndisë
Ftojeni një student të shpjegojë rrethanat e humbjes së 116 faqeve të dorëshkrimit. Më pas diskutoni pyetjet vijuese:
-
Nga ajo që mësuat duke studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 3, përse Jozef Smithi këmbënguli duke i bërë Perëndisë të njëjtën pyetje, edhe pas marrjes së një përgjigjeje të qartë?
-
Si mendoni ju, çfarë mësoi Jozef Smithi nga kjo përvojë?
-
Çfarë të vërtetash mësuat nga përvoja e Jozefit, të cilat mund t’ju ndihmojnë kur përjetoni shtytje nga të tjerët për të bërë diçka që nuk është e drejtë?
Paraqitni një lak ose kurth (apo vizatoni një figurë të njërit prej tyre në tabelë). Kërkojuni disa studentëve të përmbledhin atë që mësuan nga studimi i tyre i Doktrinës e Besëlidhjeve 10 rreth mënyrës se si Satani kishte për qëllim të ngrinte një kurth për Jozef Smithin me 116 faqet e humbura të dorëshkrimit.
Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 10:20–29, Zoti përshkroi ata që iu dorëzuan ndikimit të Satanit për të marrë 116 faqet e dorëshkrimit dhe se si Satani ishte në gjendje të ngrinte një kurth për ta.
Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni një student në secilën dyshe të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 10:20–29, duke kërkuar atë që na mësojnë këto vargje rreth synimeve të Satanit. Vëreni studentin tjetër të lexojë të njëjtat vargje, duke kërkuar mënyrën se si Satani përpiqet t’i përmbushë synimet e tij. Kur të kenë mbaruar, ftojini studentët në secilën dyshe që t’i raportojnë njëri-tjetrit. Pas një kohe të mjaftueshme, bëjini klasës pyetjet vijuese:
-
Çfarë mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 10:20–29 rreth qëllimeve të Satanit? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që ata të kuptojnë se Satani dëshiron që të shkatërrojë veprën e Zotit dhe shpirtrat tanë. Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në tabelë. Ju gjithashtu mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që na e mësojnë këtë të vërtetë në vargjet 22–23 dhe 27.)
-
Nga ajo që lexoni në këto vargje, si kërkon Satani të shkatërrojë veprën e Zotit dhe shpirtrat tanë? (Ai përdor mjete të tilla si mashtrimin, zemërimin, lajkat dhe gënjeshtrat. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto mjete të kundërshtarit në shkrimet e tyre të shenjta.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë e ndiejnë rëndësinë e kësaj të vërtete, ftojini ata të diskutojnë pyetjet vijuese me partnerët e tyre (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë ose të përgatitni një fletushkë përpara se të fillojë ora mësimore):
-
Çfarë prove keni parë që Satani ende përdor mashtrimin, zemërimin, lajkat dhe gënjeshtrat për të shkatërruar veprën e Zotit dhe shpirtrat e njerëzve?
-
Si mund të na ndihmojë të qenit të vetëdijshëm për synimet dhe metodat e Satanit që t’i shmangim dhe t’u shpëtojmë kurtheve të tij?
Ftojini studentët të përsiatin se cilat metoda të kundërshtarit, të renditura te Doktrina e Besëlidhje 10:20–29, i kanë ndier ose parë, si edhe çfarë mund të bëjnë ata për t’i shmangur ose për t’u shpëtuar kurtheve të Satanit.
Shpjegoni se në këtë zbulesë, Zoti dha një urdhërim dhe një premtim lidhur me përpjekjet tona për t’iu shmangur ndikimit të Satanit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 10:5 dhe vëreni klasën të kërkojë si urdhërimin e Zotit ashtu edhe premtimin e Tij.
Shkruani sa vijon në tabelë: Kur , ne do të kemi fuqi për .
Pyetini studentët: Si do ta plotësonit këtë parim sipas vargut 5? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë se kur lutemi gjithmonë, ne do të kemi fuqi për ta mposhtur Satanin dhe ata që i shërbejnë atij.)
Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 10:38–45. Më pas ftojeni një student të shpjegojë se si e zhdëmtoi Zoti humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 10:43, duke kërkuar një të vërtetë të rëndësishme që Zoti donte që Jozef Smithi ta kuptonte. (Ndërsa studentët japin idetë e tyre, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë: Urtësia e Perëndisë është më e madhe se djallëzia e djallit. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala djallëzia i drejtohet përdorimit të dredhive për t’i mashtruar njerëzit.)
Bëni pyetjet vijuese:
-
Si e pasqyron këtë të vërtetë plani i Zotit për ta zëvendësuar dorëshkrimin e humbur?
-
Si ju ndihmon juve të dini se urtësia e Perëndisë është më e madhe sesa djallëzia e Satanit?
Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 10:44–45, duke kërkuar provë të mëtejshme të së vërtetës së shkruar në tabelë.
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 10:44–45, përse ishin fletët e vogla me vlerë më të madhe sesa përmbledhja e Mormonit e fletëve të mëdha që ishte në 116 faqet e humbura? (Fletët e vogla përmbanin një rrëfim të mirëfilltë të gjërave shpirtërore. 116 faqet e humbura përmbanin një rrëfim të përmbledhur të ngjarjeve historike.)
-
Si ju ndihmon t’i mirëbesoni më plotësisht Perëndisë, njohuria se Ai përgatiti një udhë që të zhdëmtonte për 116 faqet e humbura të dorëshkrimit?
Doktrina e Besëlidhje 4–7
Zoti i këshillon Jozefin Smithin dhe Oliver Kaudërin që të mos kenë dyshim ose frikë
Ftojini studentët që të raportojnë shkurtimisht disa nga të vërtetat rreth zbulesës vetjake që i mësuan teksa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 6. Ftojini ata të përsiatin mbi përvojat kur e kanë ndier mendjen e tyre të ndriçohet dhe u ndien plot paqe rreth diçkaje për të cilën po luteshin. Ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës për përvojat e tyre.
Kujtojuni studentëve se si pjesë e studimit të tyre për fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë te Doktrina e Besëlidhje 6:36, ata shkruan një bisedë të shkurtër duke përshkruar mënyrat për ta jetuar këshillën e Zotit që u dha në atë varg. Ftojini ata të lexojnë me zë të lartë, njëzëri Doktrinën e Besëlidhjet 6:36. Ju mund ta përsëritni këtë që t’i ndihmoni ata për ta mësuar atë përmendsh. Më pas, kërkojuni disa studentëve, atyre që ndihen rehat për ta bërë këtë gjë, që të japin bisedat e tyre. Ju mund të doni të jepni dëshminë tuaj rreth mënyrës se si ju ka ndihmuar Zoti ta kapërceni dyshimin ose frikën në të shkuarën.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 8–9; 11–16)
Çfarë është shpirti i zbulesës? Si e dalloni kur po merrni zbulesë nga Perëndia? Shpjegoni se në njësinë tjetër, studentët do të mësojnë rreth parimeve të zbulesës që do t’i bekojnë ata teksa kërkojnë udhërrëfim nga Perëndia në jetën e tyre.