Seminare dhe Institute
Mësimi 85: Doktrina e Besëlidhje 82–83


Mësimi 85

Doktrina e Besëlidhje 82–83

Hyrje

Në prill të vitit 1832, Profeti Jozef Smith dhe burra të tjerë udhëtuan drejt Indipendensit në Misuri, duke iu bindur urdhrit të Zotit për të ngritur një organizatë që të ndërtonte Sionin dhe të kujdesej për të varfrit (shih DeB 78, duke përfshirë hyrjen e seksionit). Më 26 prill, Profeti e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 82 gjatë një këshilli të priftërinjve të lartë dhe të pleqve të Kishës në Indipendens. Në këtë zbulesë, Zoti ua fali vëllezërve shkeljet e tyre dhe i paralajmëroi që të largoheshin nga kryerja e mëtejshme e mëkatit. Zoti gjithashtu i udhëzoi këta vëllezër lidhur me mënyrën se si t’i trajtonin çështjet materiale të Sionit. Katër ditë më vonë, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 83, në të cilën Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës se si të kujdeseshin për të vejat dhe jetimët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 82:1–7

Zoti i paralajmëron njerëzit që kanë marrë shumë prej Tij

Përpara orës mësimore, mblidhni disa fletë të mëdha letre dhe shenjuesa. (Më vonë në mësim, studentët do t’i përdorin këto për të bërë lista të cilat mund të tregohen që pjesa tjetër e klasës t’i shohë.)

Fillojeni orën mësimore duke u kërkuar studentëve të mendojnë rreth një rasti kur patën një mosmarrëveshje me një shok ose një pjesëtar të familjes, e cila më në fund u zgjidh.

  • Si u ndiet kur e zgjidhët mosmarrëveshjen tuaj?

Informojini studentët se për disa muaj ishin krijuar ndjenja të pakëndshme midis Sidni Rigdonit në Ohajo dhe Peshkopit Eduard Partrixh në Misuri. Në prill të vitit 1832, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës udhëtuan për në Misuri, duke iu bindur urdhrit të Zotit që ata të “ule[shin] në kuvend me shenjtorët që janë në Sion” (DeB 78:9). Kur ata mbërritën, u mbajt një këshill i priftërinjve të lartë të Kishës. Ndërmjet sesioneve të mëngjesit dhe të pasdites së konferencës, Sidni Rigdoni dhe Eduard Partrixhi i zgjidhën mosmarrëveshjet e tyre. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 82 u mor gjatë sesionit të pasdites.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 82:1. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti i tha Sidni Rigdonit dhe Eduard Partrixhit rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tyre.

  • Sipas vargut 1, cila është marrëdhënia midis faljes së të tjerëve dhe marrjes së faljes nga Zoti?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 82:2 dhe vëreni klasën të kërkojë paralajmërimin që Zoti u dha shenjtorëve.

  • Çfarë tha Zoti se do t’u vinte atyre që nuk “largoh[eshin] nga mëkati”?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa prej mëkateve të cilave mund t’i jetë referuar Zoti, shpjegoni se ndërkohë që anëtarët e Kishës shpërnguleshin në Misuri, shumë prej tyre nuk arritën t’i bindeshin këshillës së udhëheqësve të Kishës dhe disa prej tyre nuk pranuan ta jetonin ligjin e përkushtimit. Si rrjedhim, disa prej këtyre anëtarëve të Kishës ishin fajtorë për xhelozinë, lakminë dhe lënien pas dore të detyrës.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrina e Besëlidhje 82:3–4. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një arsye përse gjykimet e përmendura te vargu 2 do të vinin mbi ata që vazhdonin në mëkat.

  • Në çfarë mënyrash u kualifikuan këta shenjtorë si njerëz që e kishin marrë “dritë[n] më të madhe”?

  • Çfarë dha mësim Zoti në këto vargje rreth përgjegjshmërisë sonë për atë që Ai na ka dhënë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti kërkon shumë prej atyre të cilëve Ai u ka dhënë shumë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mendoni ju, përse prej atyre që kanë marrë më shumë nga Zoti do të kërkohet gjithashtu më shumë?

Ndajini studentët në grupe të vogla. Jepini secilit grup një fletë të madhe letre dhe një shenjues. Ftojini ata që në dy minuta të renditin sa më shumë që munden disa prej bekimeve të cilat i kanë marrë nga Zoti. Nxitini ata të përfshijnë bekime që u kanë ardhur si anëtarë të Kishës. Kur të kenë mbaruar, paraqitni listat përpara klasës dhe bëni pyetjet vijuese:

  • Si mendoni ju, përse ne kualifikohemi si njerëz “që shumë [na] është dhënë”?

  • Përderisa Zoti na ka dhënë kaq shumë, cilat janë disa gjëra që Ai kërkon prej nesh?

Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në jetë parimin nga vargu 3, kërkojuni atyre të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një prej bekimeve që kanë marrë nga Zoti. Më pas, kërkojuni të shkruajnë atë që ndiejnë se Zoti pret prej tyre të bëjnë, për shkak se e kanë marrë atë bekim. Në fund, ftojini ata të shkruajnë një përmbledhje të asaj që mund të fillojnë të bëjnë për ta përmbushur atë që pritet prej tyre.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 82:5–6, duke shpjeguar se Zoti i paralajmëroi shenjtorët që sundimi dhe fuqia e Satanit mbi tokën po rriteshin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 82:7 dhe ftojeni klasën të kërkojë një paralajmërim tjetër që Zoti e dha rreth mëkatit.

  • Sipas vargut 7, përse është e rëndësishme për ata që pendohen ta braktisin mëkatin? (Kur me vetëdije largohemi nga drejtësia drejt mëkatit, neve na “kthehen mëkatet [tona] të mëparshme”.)

  • Si mendoni ju, përse mëkatet tona të mëparshme na kthehen nëse mëkatojmë qëllimisht pasi e kemi kërkuar faljen nga Zoti? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se që të pendohemi plotësisht dhe të falemi, ne duhet t’i braktisim mëkatet tona.)

Doktrina e Besëlidhje 82:8–24

Zoti urdhëron nëntë burra që të formojnë një ndërmarrje për të drejtuar çështjet materiale të Kishës

Organizojini studentët në dyshe. Kërkojini secilës dyshe që të mendojë për dy situata në të cilat një i ri ose një e re mund të ketë nevojë për sigurinë se Perëndia i mban premtimet e Tij. (Për shembull, një e re ka një marrëdhënie të ngushtë me gjyshen e saj që po vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Kjo e re mund të ketë nevojë për t’u siguruar sërish rreth premtimeve të familjeve të përjetshme dhe Ringjalljes.) Kërkojuni studentëve t’ua tregojnë disa prej situatave të tyre klasës.

Shpjegoni se gjatë këshillit të priftërinjve të lartë në Misuri, Zoti u dha një premtim sigurues atyre që iu binden urdhërimeve të Tij. Nxitini studentët të kërkojnë të vërteta që mund t’u ofrojnë siguri atyre në situatat për të cilat diskutuan, ndërkohë që vazhdojnë të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 82.

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 82:8–9 dhe të kërkojnë atë që Zoti tha se Ai do t’u jepte shenjtorëve gjatë këtij këshilli.

  • Sipas vargut 8, çfarë tha Zoti se do t’u jepte atyre që u mblodhën në këtë këshill?

  • Nga ajo që lexoni te vargjet 8–9, cilat ishin arsyet e Tij që u dha atyre këtë urdhërim të ri? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

  • Si gjejnë zbatim këto arsye ndaj çdo urdhërimi që na jep Zoti?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 82:10. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një parim që mund të na japë vetëbesim, ndërkohë që përpiqemi fort t’u bindemi urdhërimeve të Zotit.

  • Çfarë parimi gjetët që mund t’ju japë vetëbesim kur përpiqeni fort t’i bindeni Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të tjera, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse do t’i bindemi Zotit, Ai gjithmonë do t’i mbajë premtimet e Tij për të na bekuar.)

Ftojini studentët të përsiatin përvojat që kanë pasur, të cilat u kanë treguar atyre se ky parim është i vërtetë. Jepuni atyre kohë që të shkruajnë rreth njërës prej këtyre përvojave në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ftojini disa studentë t’i tregojnë klasës përvojat e tyre. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë nga jeta juaj që e ka pohuar këtë parim.

Kujtojini studentët se kur studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 78, ata mësuan se si Zoti i urdhëroi udhëheqësit e Kishës në Kirtland të Ohajos që të formonin një ndërmarrje për t’i qeverisur shtëpitë e ruajtjes dhe veprimtaritë botuese të Kishës. Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 82:11, 15–17 duke i vënë në dijeni studentët se në këtë zbulesë Zoti drejtoi organizimin e vërtetë të ndërmarrjes – të njohur si Ndërmarrja e Bashkuar – dhe caktoi anëtarët e saj.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 82:12 dhe të kërkojnë qëllimin e Ndërmarrjes së Bashkuar. Teksa lexojnë, mund të jetë e dobishme që t’u kujtoni atyre se një nga detyrat e peshkopit është që të ndihmojë me nevojat materiale të anëtarëve të Kishës.

  • Sipas vargut 12, cili ishte qëllimi i Ndërmarrjes së Bashkuar?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 82:14, 18–19, duke kërkuar fjalë dhe fraza që e shpjegojnë më tej përse Zoti e urdhëroi formimin e Ndërmarrjes së Bashkuar.

  • Përse do të kishte qenë e rëndësishme për shenjtorët që ta zhvillonin idenë e paraqitur te vargu 19?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 82:20–24 duke shpjeguar se Zoti e përfundoi këtë zbulesë duke i paralajmëruar udhëheqësit e Kishës që të ishin besnikë ndaj besëlidhjes që do të bënin si anëtarë të Ndërmarrjes së Bashkuar.

Doktrina e Besëlidhje 83

Zoti zbulon mënyrën se si të tregohet kujdes për të vejat dhe jetimët

Informojini studentët se katër ditë pasi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 82, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë rreth mënyrës se si ta trajtonte sfidën e vështirë të përkujdesjes për nevojat materiale të shenjtorëve. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 83:1 dhe të kërkojnë se nevojat e kujt u përmendën nëpërmjet kësaj zbulese.

  • Nevojat e kujt u përmendën në këtë zbulesë?

Kujtojuni studentëve se shumë prej shenjtorëve po e jetonin ligjin e përkushtimit dhe kishin marrë një “trashëgimi” ose pronësi nga Kisha. Në këtë zbulesë Zoti zbuloi se çfarë duhej t’i ndodhte një trashëgimie të një familjeje nëse vdiste një bashkëshort ose një atë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 83:2–3 dhe të kërkojnë udhëzimet e Zotit lidhur me përkujdesjen për gratë që i kishin humbur bashkëshortët e tyre.

  • Nëse një burrë vdiste dhe bashkëshortja e tij qëndronte besnike, çfarë bekimi merrte ajo?

Shpjegoni se në kohën që u dha kjo zbulesë, shumica e grave mbështeteshin te bashkëshortët e tyre për përkrahje materiale. Të “kenë shoqërim në kishë” do të thoshte që, përderisa kishte vdekur siguruesi për bashkëshorten, Kisha do ta ndihmonte atë teksa ajo ndërmerrte e vetme rolin e siguruesit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 83:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si mund t’i ndihmojë Kisha jetimët dhe të vejat.

  • Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si ndihet Zoti rreth të vejave, jetimëve dhe gjithë atyre që janë në nevojë?

Nxitini studentët të jenë më të ndërgjegjshëm ndaj nevojave të njerëzve përreth tyre dhe të kërkojnë mënyra se si ta vënë në jetë këshillën e Zotit për t’u përpjekur për të mirën e të afërmve të tyre (shih DeB 82:19). Siç udhëzoheni nga Shpirti, përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat e mësuara në këto zbulesa.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 82:7. “Atij shpirti që mëkaton, do t’i kthehen mëkatet e mëparshme”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Riçard G. Skot

“Braktisja e mëkatit … përbën një vendosmëri të paepur, të qëndrueshme për të mos e përsëritur shkeljen. Duke e mbajtur këtë zotim, shija e hidhur që mbetet nga ai mëkat, nuk ka nevojë të përjetohet sërish. Mbajeni mend: ‘Atij shpirti që mëkaton, do t’i kthehen mëkatet e mëparshme’ [DeB 82:7]. Jozef Smithi shpalli: ‘Pendesa është diçka që nuk mund të trajtohet lehtë çdo ditë. Shkelja e përditshme dhe pendesa e përditshme nuk është … e kënaqshme në sytë e Perëndisë’ [Teachings of the Prophet Joseph Smith, sel. Joseph Fielding Smith [1976], f. 148]” (“Finding Forgiveness”, Ensign, maj 1995, f. 76).

Doktrina e Besëlidhje 82:11–12. Kujdestaritë dhe përdorimi i pseudonimeve

Në botimet e hershme të Doktrinës e Besëlidhjeve, u përdorën pseudonime, ose emra të rremë, për t’i mbrojtur Kishën dhe udhëheqësit e Kishës nga armiqtë. Kjo praktikë u përdor me emrat e anëtarëve të Ndërmarrjes së Bashkuar te Doktrina e Besëlidhje 82:11. Kështu, në disa botime të hershme të Doktrinës e Besëlidhjeve, mund të shfaqen pseudonime në tekstin që tani e përbën këtë varg. Emrat e vërtetë u rivendosën në botimet e mëvonshme.

“Kujdestaritë” ose përgjegjësitë e anëtarëve, të përmendura te vargu 11, ishin si vijon: gjashtë nga nëntë prej tyre u caktuan “kujdestarë mbi zbulesat dhe urdhërimet” (DeB 70:3 – Profeti Jozef Smith, Martin Harrisi, Oliver Kaudëri, Xhon Uitmeri, Sidni Rigdoni dhe Uilliam W. Felpsi), dy ishin peshkopë të Kishës (Eduard Partrixhi dhe Njul K. Uitni) dhe një ishte në ngarkim të shtëpisë së ruajtjes në Indipendens të Misurit (A. Sidni Gilbert).

Doktrina e Besëlidhje 82:18. “Shtëpi[a] e ruajtjes [e] Zotit”

Thënia vijuese përshkruan mënyrën se si e përdor Zoti shtëpinë e Tij të ruajtjes sot:

“Shtëpia e ruajtjes e Zotit … mund të jetë një listë e shërbimeve të vlefshme, para në një llogari bankare, ushqime në një depo apo mallra brenda një godine. Një shtëpi ruajtjeje krijohet në çastin që anëtarët besnikë i japin peshkopit nga koha, talentet, aftësitë, dhembshuria, materialet dhe mjetet e tyre financiare për t’u kujdesur për të varfrit dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë.

Shtëpia e ruajtjes e Zotit, si rrjedhim, ekziston në çdo lagje. Peshkopi është administruesi i shtëpisë së ruajtjes së Zotit. I udhëhequr nga frymëzimi i Zotit, ai ua shpërndan ofrimet e shenjtorëve të varfërve dhe nevojtarëve. Ai ndihmohet nga kuorumet e priftërisë dhe Shoqata e Ndihmës” (Providing in the Lord’s Way: A Leader’s Guide to Welfare [1990], f. 11; shih edhe LDS.org).

Doktrina e Besëlidhje 82:22. Përse urdhërohen anëtarët e Kishës që të bëhen miq me “mamonin e padrejtësisë”?

Fjala mamon nënkupton para (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mamon”, f. 110; ose scriptures.lds.org.) Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Urdhërimi i Zotit që shenjtorët duhej të bëheshin ‘miq me mamonin e padrejtësisë’, duket se është një thënie e vështirë kur nuk kuptohet siç duhet. Ai nuk nënkupton që në bërjen miq me ‘mamonin e padrejtësisë’ vëllezërit të merrnin pjesë me ta në mëkatet e tyre; t’i pranonin ata në zemrat e tyre, të lidheshin në martesë me ta dhe, si rrjedhojë, të binin në nivelin e tyre. Ata duhej të jetonin në mënyrë të tillë që paqja me armiqtë e tyre të mund të sigurohej. Ata duhej t’i trajtonin me mirësi, të ishin dashamirës me ta për aq sa do ta lejonin parimet e duhura dhe të virtytshme, por kurrë të mos përdornin fjalë të pahijshme me ta apo të pinin dhe të deheshin me ta. Nëse mund ta zbusnin paragjykimin dhe të tregonin gatishmëri për ta zëvendësuar me një shpirt mirëdashës e ta tregonin atë shpirt, kjo mund të ndihmonte për t’i larguar ata prej hidhësirës së tyre. Gjykimi duhej t’i lihej Zotit” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:323; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 179).