Mësimi 109
Doktrina e Besëlidhje 104
Hyrje
Në pranverën e vitit 1834, Kisha po kalonte vështirësi financiare dhe përpjekjet për të mbledhur fonde për lehtësimin e saj kishin dështuar. Në mars të vitit 1832, udhëheqja e Kishës në Ohajo kishte krijuar një organizatë të quajtur Ndërmarrja e Bashkuar për të administruar interesat komerciale, tregtare dhe të biznesit të Kishës në një mënyrë që do të ndihmonte në ngritjen e Sionit dhe përkujdesjen për të varfrit (shih DeB 78). Në prill të vitit 1832, Jozef Smithi dhe të tjerë ishin takuar me udhëheqësit e Kishës në Misuri dhe kishin organizuar një degë të Ndërmarrjes së Bashkuar në kontenë Xhekson (shih DeB 82). Këto dy degë – njëra në Ohajo dhe njëra në Misuri – kishin vijuar për dy vite. Në një mbledhje të mbajtur më 10 prill 1834, anëtarët e ndërmarrjes vendosën që ta shpërndanin organizatën. Megjithatë, Jozef Smithi mori një zbulesë rreth dy javë më vonë “që ndërmarrja përkundrazi të riorganizohej” dhe se “pronësitë e saj duhej të ndaheshin mes anëtarëve të ndërmarrjes si kujdestari e tyre” ([shih] hyrjen e DeB 104). Nën udhëzimin e Jozef Smithit, në këtë zbulesë, termi “Ndërmarrja e Bashkuar” më vonë u zëvendësua me “Urdhri i Bashkuar”. Zoti gjithashtu i këshilloi udhëheqësit e Kishës në lidhje me borxhet e tyre dhe i udhëzoi të gjithë anëtarët e Kishës për mënyrën se si duhej të kujdeseshin për të varfrit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 104:1–18
Zoti jep udhëzime lidhur me Urdhrin e Bashkuar
Vendosni një objekt të rëndë (të tillë si një libër ose gur të madh) përpara klasës. Ftojeni një student që ta ngrejë objektin duke përdorur vetëm një gisht. Kjo gjë duhet të jetë e vështirë ose e pamundur, por lëreni studentin që ta provojë. Pastaj lejojeni studentin që të ftojë disa shokë klase që ta ndihmojnë për të ngritur objektin. Studentët që ndihmojnë, duhet të premtojnë se do të ndihmojnë derisa objekti të jetë ngritur; edhe ata gjithashtu duhet të përdorin vetëm një gisht. Lëreni studentin e parë që të vazhdojë të ftojë më shumë studentë derisa të jenë në gjendje ta ngrenë objektin.
-
Çfarë ishte e nevojshme për ta ngritur objektin e rëndë? (Përgjigjet mund të përfshijnë punën në grup, unitetin dhe kështu me radhë.)
Shpjegoni se në fillimet e Kishës, problemet financiare ishin një barrë e rëndë për Kishën. Në mars dhe prill të vitit 1832, Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që të organizonin Ndërmarrjen e Bashkuar, anëtarët e së cilës bënë besëlidhje që të punonin së bashku dhe të ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e punëve tregtare dhe botuese të Kishës në mënyrë që të ulnin borxhin e Kishës, të kujdeseshin për të varfrit dhe të çonin përpara punën e Zotit. Ky institucion fillimisht u quajt Ndërmarrja e Bashkuar (shih hyrjen për seksionet 78, 82 dhe 104 në botimin e vitit 2013 të Doktrinës e Besëlidhjeve). Në pranverën e vitit 1834, borxhi i bëri udhëheqësit e Kishës që të merrnin parasysh shpërndarjen e ndërmarrjes. Më 23 prill 1834, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 104, në të cilën Zoti zbuloi atë që duhej të bëhej me Ndërmarrjen e Bashkuar dhe pronat e saj.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë hyrjen e Doktrinës e Besëlidhjeve 104. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë çfarë Zoti dëshironte që udhëheqësit e Kishës të bënin me Ndërmarrjen e Bashkuar. (Përpara se studentët të lexojnë, shpjegoni se Jozef Smithi më vonë udhëzoi që termi “Ndërmarrja e Bashkuar” të zëvendësohej me “Urdhrin e Bashkuar” te zbulesa e botuar.) Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 104:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë një prej arsyeve për problemet e Urdhrit të Bashkuar. Mund t’ju duhet të shpjegoni se te vargu 4, fjala zili i referohet dëshirës egoiste për të zotëruar diçka, zakonisht diçka që i përket dikujt tjetër.
-
Çfarë thyen disa prej vëllezërve për shkak të zilisë?
Kujtojuni studentëve mësimin me objekt në fillim të orës së mësimit. Kërkojuni që të marrin parasysh se çfarë do të kishte ndodhur nëse disa studentë do të premtonin që të ndihmonin, por më pas të ndërronin mendje e të vendosnin të largoheshin ndërsa objekti po ngrihej.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 104:5–10 duke shpjeguar se Zoti vendosi që pasojat për thyerjen e besëlidhjes që kishte të bënte me Urdhrin e Bashkuar, do të përfshinin të qenit të mallkuar dhe të përjashtuar nga Kisha (shih edhe DeB 78:11–12; 82:11–21).
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 104:11–13, duke kërkuar atë që Zoti tha se duhej të merrte çdo anëtar i Urdhrit të Bashkuar. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Mund t’ju duhet të shpjegoni se një kujdestar është një person të cilit i është dhënë përgjegjësi për pasurinë që i përket dikujt tjetër.
-
Sipas vargjeve 12–13, përse Zoti i caktoi një kujdestari çdo anëtari të Urdhrit të Bashkuar?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 104:14. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush e zotëronte pronën e lidhur me Urdhrin e Bashkuar.
-
Kush e zotëronte pronën që do t’u jepej anëtarëve të Urdhrit të Bashkuar? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti krijoi tokën dhe të gjitha gjërat në të janë të Tijat.)
-
Si mund të ndikojë kjo e vërtetë në mënyrën se si ju i shikoni dhe i përdorni zotërimet tuaja?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 104:15–18. Kërkojuni që të përcaktojnë mënyrën se si Zoti i udhëzoi kujdestarët e Tij që t’i përdornin gjërat e tokës.
-
Si do Zoti që të sigurohet [ndihmë] për shenjtorët e Tij?
-
Çfarë mendoni se do të thotë “që të varfërit lartësohen, në atë që të pasurit përulen”?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e kësaj thënieje, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Mënyra e Zotit qëndron në atë që njerëzit të ndihmojnë vetveten. Të varfrit lartësohen sepse ata punojnë për ndihmën e përkohshme që marrin, atyre u mësohen parime të sakta dhe ata janë në gjendje ta ngrenë veten nga varfëria në mbështetje te vetja. Të pasurit përulen sepse ata e përulin veten për t’u dhënë bujarisht nga pasuritë e tyre atyre që janë në nevojë” (“Inspired Church Welfare”, Ensign, maj 1999, f. 77).
-
Çfarë parimesh na mësojnë vargjet 17–18 rreth përgjegjësisë sonë për t’i ndihmuar të tjerët? (Studentët mund të përcaktojnë një varg parimesh, duke përfshirë sa vijon: Ne jemi përgjegjës që t’i përdorim ato që Zoti na ka dhënë, për të ndihmuar të tjerët. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Ftojini studentët të mendojnë për “të varfër[it] dhe nevojtarë[t]”, si jo vetëm ata që kanë nevojë për ndihmë financiare, por edhe ata që kanë nevojë për ndihmë shpirtërore, emocionale, mendore dhe shoqërore. Në mënyrë të ngjashme, ne mund të mendojmë për bollëkun tonë si diçka më shumë sesa thjesht paratë apo pasuritë materiale që kemi. Bollëku ynë përfshin kohën, talentet, njohurinë, dëshmitë dhe aftësitë tona.
-
Përse mendoni se është e rëndësishme që t’u japim nga bollëku ynë atyre që janë në nevojë?
-
Si mund t’i ndihmojmë të tjerët në mënyrën e Zotit?
Ftojini studentët të përsiatin mbi përpjekjet e tyre për të ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët. Kërkojuni atyre që të shkruajnë një synim për mënyrën se si do ta përdorin atë që Zoti u ka dhënë, për të ndihmuar dikë në nevojë.
Doktrina e Besëlidhje 104:19–77
Zoti jep udhëzime lidhur me Urdhrin e Bashkuar, kujdestaritë dhe thesarin
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 104:19–53 duke shpjeguar se Zoti dha udhëzime të veçanta rreth kujdestarive të caktuara anëtarëve të Urdhrit të Bashkuar. Shkruajeni sa vijon në tabelë: Doktrina e Besëlidhje 104:23, 25, 31, 33, 35, 38, 42, 46. Kërkojuni studentëve t’i lexojnë këto vargje në heshtje, duke kërkuar një model te premtimet e Zotit për çdo anëtar të urdhrit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
Pyetini studentët se cilat fjalë apo fraza përsëriten në këto vargje. Vini në dukje se fraza “për aq sa” do të thotë “në shkallën që” ose “në masën që”.
-
Çfarë mund të mësojmë nga kjo frazë rreth mënyrës se si bindja jonë ndikon në bekimet që marrim?
Shkruani në tabelë: Për aq sa jemi të përulur dhe besnikë, Zoti do të …
Pyetini studentët se si do ta plotësonin këtë parim. (Përdorni fjalët e tyre për të përfunduar parimin e paplotësuar në tabelë. Për shembull: Për aq sa jemi të përulur dhe besnikë, Zoti do t’i shumëfishojë bekimet tona.)
-
Kur keni parë ndonjë njeri të marrë bekime ngaqë ishte besnik në përgjegjësitë e tij ndaj Zotit?
Ftojini studentët të marrin parasysh mënyrën se si mund të jenë besnikë në përgjegjësitë që Zoti u ka dhënë atyre.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 104:54–77 duke shpjeguar se Zoti dha udhëzime për krijimin e thesareve për të ruajtur fondet që do të përdoreshin për përfitimin e Kishës, të tilla si shtypjen e shkrimeve të shenjta.
Doktrina e Besëlidhje 104:78–86
Zoti i udhëzon udhëheqësit e Kishës lidhur me borxhet e Urdhrit të Bashkuar
Vërini studentët të përsiatin nëse u është kërkuar ndonjëherë të bëjnë diçka që menduan se ishte e pamundur. Ftojini disa studentë që të tregojnë përvojat e tyre.
Shpjegoni se në procesin e bindjes ndaj urdhrave të Zotit, Urdhri i Bashkuar ishte futur në një borxh të madh. Një numër ngjarjesh e penguan urdhrin që t’i shlyente borxhet. Për shembull, shkatërrimi i shtypshkronjës nga turma në kontenë Xhekson të Misurit kontribuoi në vështirësitë e vazhdueshme ekonomike, dhe turmat i penguan shenjtorët të përdornin shtëpinë e ruajtjes në Indipendëns.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 104:78. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar udhëzimin e Zotit lidhur me borxhet e Kishës.
-
Çfarë i udhëzoi Zoti anëtarët e Urdhrit të Bashkuar që të bënin?
Vini në dukje se shlyerja e borxhit mund të jetë dukur e pamundur për shenjtorët, por Zoti dha udhëzime që t’i ndihmonte ata. Shkruani NËSE dhe ATËHERË në krye të dy kolonave në tabelë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 104:80–82. Vëreni gjysmën e klasës ta ndjekë, duke parë për atë që Zoti u kërkoi anëtarëve të urdhrit të bënin, në mënyrë që të merrnin ndihmën e Tij në pagimin e borxheve të tyre. Vëreni gjysmën tjetër ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti premtoi se do të bënte për t’i ndihmuar shenjtorët ndërsa paguanin borxhet e tyre. Ftojeni grupin e parë të shënojë përgjigjet e veta në tabelë nën fjalën “NËSE” dhe vëreni grupin e dytë t’i shkruajë përgjigjet e veta nën fjalën “ATËHERË”.
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 104:80–82? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë diçka pak a shumë si parimi vijues: Nëse jemi të përulur e besnikë dhe e thërrasim emrin e Zotit, atëherë Ai do të na ndihmojë që të përmbushim atë që na ka kërkuar të bëjmë.)
-
Çfarë u kërkon Zoti anëtarëve të Kishës të bëjnë sot që mund të konsiderohet sfiduese? Çfarë roli mendoni se ka përulësia, besnikëria dhe lutja në përmbushjen e gjërave që Zoti ju ka kërkuar të bëni?
-
Cili njeri nga shkrimet e shenjta është një shembull i parimit që përcaktuam te vargjet 80–82? Kë njihni ju sot që është shembull i këtij parimi?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një mënyrë se si mund të jenë më të përulur, besnikë ose plot lutje në mënyrë që Zoti të mund t’i ndihmojë të përmbushin gjërat që Ai u ka kërkuar që të bëjnë.