Seminare dhe Institute
Mësimi 69: Doktrina e Besëlidhje 64:1–19


Mësimi 69

Doktrina e Besëlidhje 64:1–19

Hyrje

Më 27 gusht 1831 Profeti Jozef Smith dhe një numër pleqsh sapo ishin kthyer në Ohajo nga udhëtimi i tyre për të përkushtuar tokën dhe vendin e tempullit në Sion ose në Indipendëns të Misurit. Gjatë udhëtimit të tyre për në Misuri dhe në kthim, disa nga pleqtë kishin mosmarrëveshje me njëri‑tjetrin dhe përjetuan ndjenja grindjeje, por pjesa më e madhe qenë në gjendje të pajtoheshin me njëri‑tjetrin. Më 11 shtator Profeti mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 64. Kjo zbulesë mbulon Doktrinën e Besëlidhjet 64:1–19, në të cilën Zoti flet për gatishmërinë e Tij që t’i falë shërbëtorët e Tij. Ai gjithashtu i urdhëron anëtarët e Kishës që ta falin njëri‑tjetrin.

Shënim: Mësimi 70 siguron një mundësi që dy studentë të japin mësim. Nëse nuk e keni bërë këtë tashmë, ju mund të doni të përzgjidhni tani dy studentë dhe t’iu jepni atyre kopje të pjesëve të caktuara të mësimit 70, që ata të mund të përgatiten.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 64:1–7

Zoti i garanton pleqtë për gatishmërinë e Tij që të falë

Përpara orës mësimore shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Kur jeni ndier i lënduar për shkak të fjalëve apo veprimeve të një personi tjetër?

Si u përgjigjët në atë situatë?

Fillojeni orën mësimore duke i ftuar studentët të përsiatin pyetjet në tabelë.

Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 64 Zoti na mëson se si të përgjigjemi kur të tjerët na kanë lënduar. Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 64 më 11 shtator 1831, rreth dy javë pasi ai dhe një grup pleqsh ishin kthyer në Ohajo nga Indipendënsi në Misuri. Këta pleq dhe anëtarë të tjerë të Kishës kishin përjetuar vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve dhe ndjenjave të grindjes mes disa prej anëtarëve të grupit. Në këtë zbulesë Zoti tha: “Ka mes jush nga ata që kanë mëkatuar” (DeB 64:3).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 64:1–4 dhe vëreni klasën të kërkojë fraza që përshkruajnë mënyrën se si Zoti do t’u përgjigjej atyre që kishin mëkatuar. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat që gjejnë.

  • Si tha Zoti se do t’u përgjigjej anëtarëve të Kishës që kishin mëkatuar?

  • Çfarë na mësojnë këto përgjigje rreth Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti është i dhembshur, zemërbutë dhe i mëshirshëm. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Përse kjo e vërtetë mund të ketë qenë domethënëse për anëtarët e Kishës që kishin përjetuar vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve dhe ndjenjave fyese? Përse kjo e vërtetë rreth Shpëtimtarit ka rëndësi për ju?

Shpjegoni se në këtë kohë disa anëtarë të Kishës, përfshirë disa pleq që kishin udhëtuar me Jozef Smithin, ishin bërë kritikues ndaj Jozef Smithit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 64:5–6. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që tha Zoti rreth Jozef Smithit. Përpara se studenti të lexojë, shpjegoni se të kërkosh rast kundër dikujt, siç shprehet në vargun 6, do të thotë të gjesh gabim te dikush.

  • Çfarë tha Zoti për Jozef Smithin? (Jozef Smithi mbante çelësat e mbretërisë së Zotit dhe ishte shërbëtori i Zotit. Disa njerëz kishin gjetur gabime te Jozefi.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 64:7 duke kërkuar për diçka tjetër që tha Zoti për Jozef Smithin.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky varg për Jozef Smithin? (Jozef Smithi kishte mëkatuar, por Zoti ishte i gatshëm ta falte atë. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë fragment, ju mund të doni të vini në dukje se si të gjithë njerëzit, Jozef Smithi kishte dobësi dhe duhej të kërkonte faljen e Zotit për mëkatet e tij. Megjithatë, ai nuk qe fajtor për mëkate të rënda.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth asaj që duhet të bëjmë për të marrë faljen e Zotit?

Doktrina e Besëlidhje 64:8–19

Zoti i urdhëron shërbëtorët e Tij që ta falin njëri-tjetrin

Nëse është e mundur, paraqitni një fotografi të një gjarpri helmues që jeton në zonën tuaj ose një fotografi të një plage të shkaktuar nga kafshimi i një gjarpri helmues.

  • Përveçse do të ndienit dhimbje fizike, çfarë emocionesh mendoni se do të ndienit, nëse do të kafshoheshit nga një gjarpër helmues?

Shpjegoni se dikush në këtë situatë mund: 1) ta ndiqte gjarprin dhe ta vriste nga zemërimi apo frika, ose 2) të merrte masa të menjëhershme për ta nxjerrë helmin nga trupi i vet.

  • Si mendoni, cili nga këto dy drejtime veprimi është më i mençur? Përse?

Shpjegoni se zgjedhjet e një personi pasi merr një kafshim helmues, mund të krahasohen me zgjedhjet tona kur ndihemi të lënduar për shkak të fjalëve apo veprimeve të një personi tjetër. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 64:8. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar pasojat që hasën disa dishepuj të Zotit, për shkak se nuk pranuan ta falnin njëri‑tjetrin. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 8? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur nuk pranojmë t’i falim të tjerët, ne i sjellim brengosje vetes. Merreni parasysh t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë parim me fjalët e tyre në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mund të brengoset një person ngaqë nuk i fal të tjerët? Në ç’mënyrë është kjo e ngjashme me pasojat e një personi që ndjek një gjarpër me zile që sapo e ka kafshuar atë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 64:9. Ftojeni klasën të përcaktojë një pasojë tjetër të mosfaljes së të tjerëve.

  • Sipas vargut 9, cila është një pasojë tjetër e mospranimit për të falur të tjerët? (Nëse nuk i falim të tjerët, ne mbetemi të dënuar përpara Zotit. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)

Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të doni t’i kërkoni një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Dejvid E. Sorensen

“Mund të jetë shumë e vështirë t’ia falim dikujt dhembjen që na ka shkaktuar, por kur e bëjmë këtë, arrijmë të kemi para vetes një të ardhme më të mirë. Të ligat që të tjerët na kanë bërë, nuk e kontrollojnë më jetën tonë. Kur i falim të tjerët, ne bëhemi të lirë të zgjedhim si do ta jetojmë jetën tonë. Falje do të thotë që problemet e së kaluarës nuk e diktojnë më fatin tonë dhe ne mund të përqendrohemi tek e ardhmja, duke pasur dashurinë e Perëndisë në zemrën tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 12).

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë dhe zbatojnë urdhërimin e Zotit për të falur të gjithë njerëzit, lexoni shembujt vijues dhe bëni pyetjet që vijojnë:

  1. Një e re është e lënduar dhe e turpëruar pasi ka mësuar se disa nga bashkëmoshatarët e saj kanë përhapur thashetheme për të. Më vonë, disa nga këta bashkëmoshatarë i kërkojnë falje, por të tjerët nuk e bëjnë. E reja i fal ata që kanë kërkuar falje, por mban mëri ndaj të tjerëve.

    Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 64:10–11. Kërkojuni të mendojnë se si lidhen këto vargje me shembullin që ju keni lexuar.

    • Çfarë urdhërimi jep Zoti në vargun 10? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë urdhërimin vijues: Zoti na urdhëron t’i falim të gjithë njerëzit.)

    • Si lidhet ky urdhërim me të renë në shembull? Si mendoni, përse është e rëndësishme që t’i falim të gjithë njerëzit pavarësisht nëse kërkojnë falje për keqbërjet e tyre?

  2. Një i ri nuk i bindet një urdhërimi. Ai lutet për falje dhe e diskuton problemin me peshkopin e tij. Megjithatë, edhe pasi peshkopi e siguron të riun se ai është penduar plotësisht, i riu vazhdon të ndihet i padenjë për shkak të mëkatit të tij të kaluar.

    • Si lidhet urdhërimi për t’i falur të gjithë njerëzit me të riun në këtë shembull? Pse duhet ta falim veten tonë?

  3. Një e re ndihet e trishtuar dhe e pështjelluar për shkak të veprimeve të babait të saj. Ai e ka braktisur familjen e tij. Përpara se të largohej, ai rrallë tregonte dashuri për familjen dhe shpesh ishte mizor. Ajo nuk e kupton përse babai i saj vepronte në këtë mënyrë dhe ka ndjenja zemërimi ndaj tij. Ajo e di se duhet të përpiqet ta falë atë, por mendon se nuk mundet.

    • Si mund ta ndihmojë këtë të re këshilla e Zotit në vargun 11, që ta falë babanë e saj? Si gjejmë ne ndihmë kur e lemë Perëndinë të jetë gjykatësi i atyre që na kanë lënduar?

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh nëse ka ndonjë njeri që ata kanë nevojë ta falin. Pranojeni se ka raste që mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë të falësh një tjetër. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli. Vëreni klasën të dëgjojë për atë që mund të bëjnë, në qoftë se po hasin vështirësi për ta falur dikë.

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Unë ju lutem që t’i kërkoni Zotit forcë për të falur. … Mund të mos jetë e lehtë dhe mund të mos vijë shpejt. Por nëse do ta kërkoni me sinqeritet dhe do ta kultivoni atë, ajo do të vijë” (“Of You It Is Required to Forgive”, Ensign, qershor 1991, f. 5).

  • Çfarë na këshilloi Presidenti Hinkli të bëjmë nëse po hasim vështirësi për ta falur dikë? Si mendoni, në ç’mënyrë të luturit për forcë mund të na ndihmojë të falim?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 64:12–14 duke shpjeguar që Zoti dha mësim se zgjedhja jonë për t’i falur të tjerët nuk i çliron ata nga përgjegjësia për veprimet e tyre. Ata janë ende përgjegjës ndaj Zotit për gabimet që kanë bërë. Te Doktrina e Besëlidhje 64:15–17 ne shohim se Zoti i fali veçanërisht dy nga shërbëtorët e Tij, Isak Morlin dhe Eduard Partrixhin, për shkak se ishin penduar për mëkatet e tyre.

Paraqitni një fotografi të Jezu Krishtit. Vini në dukje të vërtetën e parë që shkruat në tabelë në fillim të orës mësimore: Zoti është i dhembshur, zemërbutë dhe i mëshirshëm. Dëshmoni se kur falim, ne bëhemi më shumë si Shpëtimtari.

Ftojini studentët të përsiatin se si mund t’i zbatojnë parimet e faljes që kanë mësuar sot. Jepuni studentëve kohë që të shkruajnë atë që do të bëjnë për t’i vënë në jetë këto të vërteta dhe që të shënojnë ndonjë mbresë që e kanë marrë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 64:8. Ne brengosemi vetë kur nuk i falim të tjerët

Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi për dy burra që e lënduan veten e tyre dhe shumë të tjerë për shkak të mosgatishmërisë së tyre për të falur:

Plaku Dejvid E. Sorensen

“U rrita në një qytet të vogël bujqësor ku uji ishte jeta e komunitetit. Më kujtohen njerëzit e qytetit tonë që vazhdimisht prisnin, shqetësoheshin dhe luteshin për shiun, për të drejtat e vaditjes dhe për ujin në përgjithësi. …

Nën stresin dhe tensionin e klimës sonë, ndonjëherë njerëzit nuk silleshin gjithmonë ashtu siç duhej. Ndonjëherë, fqinjët do të grindeshin për ndonjë fermer që merrte më shumë ujë nga kanali vaditës. Kështu filloi grindja midis dy burrave që banonin pranë kullotës tonë malore, të cilët unë do t’i quaj Çeti dhe Uollti. Këta dy fqinjë filluan të ziheshin për ujin e kanalit vaditës që e kishin të përbashkët. Në fillim qe një grindje pa zarar, por me kalimin e viteve këta dy burra i lejuan mosmarrëveshjet e tyre të ktheheshin në fyerje dhe më pas në debate të ashpra – madje deri në kërcënime.

Një mëngjes korriku që të dy burrat vunë re se po u mbarohej uji. Secili shkoi në kanal për të parë se ç’kishte ndodhur, secili duke hamendësuar se ujin e kishte vjedhur tjetri. Arritën tek porta e shkarkimit në të njëjtën kohë. U këmbyen fjalë zemërimi; një përleshje pasoi. Uollti ishte një burrë trupmadh dhe shumë i fortë. Çeti ishte trupvogël, i ashpër dhe kokëfortë. Kur grindja arriti kulmin, lopatat që burrat kishin në duar filluan të përdoreshin si armë. Aksidentalisht Uollti e goditi Çetin në njërin sy me lopatë, duke ia verbuar syrin.

Muajt dhe vitet kaluan, por prapëseprapë Çeti nuk mund të harronte, as të falte. Zemërimi që ai ndjeu për humbjen e syrit, i ziente përbrenda dhe urrejtja e tij u bë më e madhe. Një ditë, Çeti shkoi në plevicën e tij, mori një pushkë nga mbajtësja e saj, i hipi kalit dhe u nis drejt portës shkarkuese të kanalit. Ai vendosi një pritë në kanal dhe e largoi rrjedhën e ujit nga ferma e Uolltit, duke e ditur se Uollti do të vinte menjëherë për të parë se ç’kishte ngjarë. Më pas Çeti u fsheh pas një shkurreje dhe priti. Kur erdhi Uollti, Çeti e qëlloi dhe e vrau. Më pas hipi në kalë, u kthye në shtëpi dhe i telefonoi shefit të policisë për ta informuar se sapo kishte qëlluar Uolltin.

Babait tim iu kërkua që të ishte në jurinë që do të gjykonte Çetin për vrasjen. Babai hoqi dorë vetë duke qenë se ai kishte qenë mik i të dy burrave dhe i familjeve të tyre për një kohë të gjatë. Çeti u gjykua e u shpall fajtor për vrasje dhe iu dha dënimi me burgim të përjetshëm.

Pas shumë vitesh, bashkëshortja e Çetit erdhi tek babai im dhe e pyeti nëse ai do të nënshkruante një peticion drejtuar guvernatorit për të kërkuar amnisti për bashkëshortin e saj, shëndeti i të cilit tani ishte përkeqësuar pasi kishte bërë kaq shumë vite burg. Babai e nënshkroi peticionin. Disa net më vonë, dy nga djemtë e rritur të Uolltit u shfaqën në portën tonë. Ata qenë shumë të zemëruar dhe të shqetësuar. Ata thanë që, për shkak se babai e kishte nënshkruar peticionin, shumë të tjerë e kishin nënshkruar atë. Ata i kërkuan babait ta hiqte emrin e tij nga peticioni. Ai tha ‘jo’. Ai mendonte se Çeti ishte një njeri i rrënuar e i sëmurë. Ai kishte vuajtur gjithë ato vite burg për atë krim të tmerrshëm, të kryer për motive pasioni. Ai donte ta shihte Çetin të kishte një funeral dhe varrim të përshtatshëm pranë familjes së tij.

Djemtë e Uolltit shpërthyen në zemërim dhe thanë: ‘Në qoftë se ai lirohet nga burgu, ne do të bëjmë që ai dhe familja e tij ta pësojnë’.

Më në fund Çeti u lirua dhe u lejua të kthehej në shtëpi dhe të vdiste pranë familjes së tij. Fatmirësisht, nuk pati më dhunë midis familjeve. Babai im shpesh shprehte keqardhje se sa tragjike ishte që Çeti dhe Uollti, këta dy fqinjë dhe shokë fëmijërie, kishin rënë preh e zemërimit të tyre dhe e kishin lejuar të shkatërronte jetën e tyre. Sa tragjike është që pasioni i çastit u lejua të dilte jashtë kontrollit – duke marrë përfundimisht jetën e të dy burrave – thjesht, sepse të dy burrat nuk mund ta falnin njëri-tjetrin për një sasi të vogël uji për vaditje. …

… Kur dikush na ka lënduar vetë ne ose njerëzit që ne i duam, ajo dhembje mund të jetë thuajse dërrmuese. Mund të duket sikur ajo dhembje apo padrejtësi është gjëja më e rëndësishme në botë dhe se nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të kërkojmë hakmarrje. Por Krishti, Princi i Paqes, na mëson një mënyrë më të mirë. Mund të jetë shumë e vështirë t’ia falim dikujt dhembjen e madhe që na ka shkaktuar, por kur e bëjmë këtë, arrijmë të kemi para vetes një të ardhme më të mirë. Të ligat që të tjerët na kanë bërë, nuk e kontrollojnë më jetën tonë. Kur i falim të tjerët, ne bëhemi të lirë të zgjedhim si do ta jetojmë jetën tonë. Falje do të thotë që problemet e të kaluarës nuk diktojnë më fatin tonë dhe ne mund të përqendrohemi tek e ardhmja duke pasur dashurinë e Perëndisë në zemrat tona” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign, maj 2003, f. 10–11, 12).

Doktrina e Besëlidhje 64:12–14. “Duhet ta sillni [atë] përpara kishës”

Mësimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 64:12–14 tregojnë se falja jonë ndaj të tjerëve nuk i çliron ata nga pasojat për veprimet e tyre. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Riçard G. Skot

“Nëse si një viktimë e pafajshme ju kanë bërë padrejtësi të madhe, mos mbani ndjenja urrejtjeje e zemërimi ndaj asaj që duket të jetë e padrejtë. Faleni fajtorin edhe kur jeni i pafajshëm. Që ta bëni këtë mund të kërkojë një përpjekje të jashtëzakonshme nga ana juaj. Një falje e tillë është më e vështira, por është shtegu i sigurt drejt paqes dhe shërimit. Nëse kërkohet ndëshkim për një shkelje të rëndë ndaj jush, lërjani atë Kishës dhe autoriteteve civile. Mos e ngarkoni jetën tuaj me mendime të shpagimit. Mulliri i drejtësisë së Zotit bluan ngadalë, por bluan tmerrësisht mirë. Në planin e Zotit asnjë njeri nuk do t’u shpëtojë pasojave të shkeljeve të pazgjidhura të ligjeve të Tij. Në kohën e tij dhe në mënyrën e Tij do të kërkohet pagesë e plotë për veprimet e liga të papenduara” (“Paqe e Ndërgjegjes dhe Paqe e Mendjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 16–17).

Plaku Dejvid E. Sorenson, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi në mënyrë të ngjashme:

Elder Dejvid E. Sorensen

“Do të doja ta bëja të qartë se falja e mëkateve nuk duhet të ngatërrohet me tolerancën ndaj së ligës. Në fakt, në Përkthimin prej Joseph Smith-it Zoti tha: ‘Gjykoni me gjykim të drejtë’. [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:1 (në Biblën në anglisht Mateu 7:1, poshtëshënimi a.] Shpëtimtari na kërkon që ta braktisim e ta luftojmë të ligën në të gjitha format e saj dhe, edhe pse duhet ta falim një fqinj që na lëndon, ne ende duhet të punojmë në mënyrë pozitive për ta parandaluar përsëritjen e asaj padrejtësie. Një grua e cila keqtrajtohet nuk duhet të kërkojë hakmarrje, por as nuk duhet të ndiejë se nuk mund të marrë masa për ta parandaluar keqtrajtimin e mëtejshëm. Një person biznesi, i trajtuar në mënyrë të pandershme në një veprim financiar, nuk duhet ta urrejë personin që u tregua i pandershëm, por ai mund të marrë masat e duhura për ta ndrequr atë padrejtësi. Falja nuk na kërkon ta pranojmë apo ta tolerojmë të ligën. Ajo nuk na kërkon ta shpërfillim padrejtësinë që shohim në botën përreth nesh apo në vetë jetën tonë. Por ndërsa luftojmë kundër mëkatit, ne nuk duhet ta lejojmë zemërimin apo inatin që të kontrollojë mendimet ose veprimet tona” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 12).