Mësimi 95
Doktrina e Besëlidhje 89
Hyrje
Më 27 shkurt 1833, Jozef Smithi e pyeti Zotin në lidhje me përdorimin e duhanit nga mbajtësit e priftërisë në mbledhjet e tyre. Në përgjigje, Zoti dha zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 89, e njohur si Fjala e Urtësisë. Në të, Zoti paralajmëroi kundër përdorimit të lëndëve të dëmshme dhe nxiti përdorimin e ushqimeve të shëndetshme. Zoti gjithashtu premtoi se ata që e ndjekin Fjalën e Urtësisë, do të bekohen si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 89:1–3
Zoti paraqet zbulesën e njohur si Fjala e Urtësisë
Shkruani Fjala e Urtësisë në krye të tabelës dhe bëni pyetjet vijuese:
-
A ju është dashur t’i shpjegoni dikujt përse nuk pini alkool, çaj apo kafe, ose përse nuk pini duhan? Çfarë i thatë? Si u përgjigj personi? (Nëse e parapëlqeni, ju mund t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara orës mësimore. Në fillim të orës mësimore, ju mund t’i ndani studentët në dyshe dhe t’i ftoni ata t’u përgjigjen këtyre pyetjeve së bashku. Më pas kërkojuni atyre t’ua raportojnë disa prej përvojave të tyre të gjithë klasës.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 89. Vëreni klasën të përcaktojë rrethanat që e çuan Jozef Smithin te marrja e kësaj zbulese. Ftojini ata të raportojnë atë që gjetën.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 89:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë ose fraza që përshkruajnë qëllimet e Zotit për dhënien e kësaj zbulese.
-
Sipas vargjeve 2–3, përse u dha kjo zbulesë? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fraza “shpëtimin e përkohshëm” i referohet mirëqenies sonë fizike dhe ndikimit të saj te mirëqenia e shpirtrave tanë.)
Vini në dukje se Zoti fillimisht nuk ua dha Fjalën e Urtësisë shenjtorëve si një urdhërim (shih DeB 89:2). Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi:
“Nëse [Fjala e Urtësisë] do të ishte dhënë si një urdhërim, ajo do ta kishte sjellë çdo njeri, që ishte nën varësinë e përdorimit të këtyre gjërave të dëmshme, nën mallkim; kështu që Zoti ishte i mëshirshëm dhe u dha atyre një mundësi për ta kapërcyer, përpara se Ai t’i vinte ata nën ligj” (në Conference Report, tetor 1913, f. 14).
Shpjegoni se për shkak të kësaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i gjykojmë disa prej udhëheqësve dhe anëtarëve të hershëm të Kishës, të cilët, edhe pasi u zbulua Fjala e Urtësisë, i përdorën lëndët që janë të ndaluara sot. Gjatë gjithë historisë së hershme të Kishës, udhëheqësit i ftuan shenjtorët që ta jetonin më plotësisht Fjalën e Urtësisë. Në konferencën e përgjithshme të vjeshtës së vitit 1851, Brigam Jangu propozoi që të gjithë shenjtorët të besëlidhnin formalisht për të hequr dorë nga çaji, kafeja, duhani dhe uiski. Më 13 tetor 1882, Zoti i zbuloi Presidentit Xhon Tejlor se Fjala e Urtësisë duhej të merrej parasysh si një urdhërim. Në vitin 1919 Presidenca e Parë, nën drejtimin e Presidentit Hibër J. Grant, e bëri zbatimin e Fjalës së Urtësisë një kërkesë për marrjen e një rekomandimi të tempullit. Fjala e Urtësisë vazhdon të jetë një urdhërim i rëndësishëm sot dhe bindja ndaj tij është një kërkesë paraprake për pagëzimin, frekuentimin e tempullit, shërbimin misionar dhe shërbime të tjera të denja në Kishë.
Në tabelë, pikërisht nën frazën Fjala e Urtësisë, shkruani frazën Një Parim me një Premtim nga vargu 3, siç tregohet më poshtë. Ju mund të doni gjithashtu të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë në shkrimet e tyre të shenjta. Kjo frazë do të shërbejë si një përmbledhje për pjesën tjetër të mësimit.
Doktrina e Besëlidhje 89:4–9
Zoti i paralajmëron shenjtorët të mos i përdorin alkoolin, duhanin, çajin ose kafenë
Tregojuni studentëve një kallam peshkimi dhe disa karrema artificialë apo krimba, ose vizatoni një figurë të tyre në tabelë.
-
Në çfarë mënyrash një peshkatar e mashtron një peshk që ta kafshojë grepin?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 89:4. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar se kush paralajmëroi Zoti që do të përpiqej t’i mashtronte shenjtorët në ditët e fundit.
-
Për çfarë i paralajmëroi Zoti shenjtorët në këtë varg?
Shkruajeni në tabelë parimin vijues nën fjalën Parimi: Për shkak të planeve të liga në ditët e fundit, Zoti na paralajmëron të mos i përdorim lëndët e dëmshme. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 89:5–9 dhe të kërkojnë se për cilat lëndë i paralajmëroi Zoti shenjtorët të mos i futnin në trupat e tyre. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
-
Për cilat lëndë i paralajmëroi Zoti shenjtorët që të mos i futnin në trupat e tyre? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se udhëheqësit e Kishës kanë thënë se termi “pijet e nxehta” i referohet çajit dhe kafesë.) Në çfarë mënyrash janë këto lëndë të dëmshme?
Vini në dukje se alkooli dhe duhani kanë përdorime të dobishme si edhe të dëmshme (shih DeB 89:7–8). Sot ka lëndë të tjera që mund të keqpërdoren dhe si pasojë bëhen të dëmshme dhe varësuese. Udhëheqësit e Kishës na kanë paralajmëruar kundër përdorimit të çdo pijeje, droge, lënde kimike apo praktike të rrezikshme që shkakton një efekt “kënaqësie” ose një efekt tjetër artificial, që mund t’i dëmtojnë trupat ose mendjet tona. Disa prej këtyre përfshijnë marihuanën, drogat e forta, barna të marra me recetë ose barna që blihen pa recetë, me të cilat abuzohet, dhe lëndët kimike shtëpiake. (Shih Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 26.)
-
Përse disa njerëz mund të përpiqen që t’ju bindin të përdorni lëndë që Zoti i ka ndaluar? (Disa njerëz mendojnë se marrja e këtyre lëndëve është diçka popullore. Të tjerë kërkojnë të përfitojnë nga shitja e lëndëve varësuese të tjerëve.)
-
Në çfarë mënyrash është varësia e ngjashme me grepin që një peshkatar e përdor për të kapur peshq? Në cilat mënyra është varësia dëmtuese ndaj përparimit tonë të përjetshëm?
Ftojini disa studentë të tregojnë se si paralajmërimi për të hequr dorë prej lëndëve varësuese dhe dëmtuese, e ka bekuar jetën e tyre ose jetën e shokëve të tyre apo pjesëtarëve të familjes së tyre. Ju mund të doni të tregoni vetë përvojat tuaja. Ftojini studentët të marrin një vendim që të mos i përdorin kurrë lëndët që janë në kundërshtim me Fjalën e Urtësisë.
Doktrina e Besëlidhje 89:10–17
Perëndia na nxit të përdorim bimë, fruta, mish dhe drithëra
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 89:10–17 dhe të kërkojnë atë që Zoti na nxit të hamë. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shenjojnë atë që gjejnë.
-
Cilat ushqime sugjeron Zoti që ne t’i hamë si pjesë e Fjalës së Urtësisë?
-
Sipas vargut 11, çfarë lloj sjelljeje duhet të kemi kur i marrim këto ushqime të shëndetshme? (Ne duhet t’i marrim këto ushqime me maturi e falënderim. Mund t’ju nevojitet të sqaroni se shprehja “me maturi” do të thotë me urtësi dhe me kujdes. Një dietë tepër e bollshme apo e paekuilibruar, madje edhe e ushqimeve të mira, mund të jetë e pashëndetshme.)
-
Bazuar në ato që mësojmë në këto vargje, çfarë parimi rreth ushqimeve të shëndetshme mund ta shtojmë në tabelë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni sa vijon në tabelë nën parimin rreth lëndëve të dëmshme: Ne duhet t’i përdorim bimët, frutat, mishrat dhe drithërat me urtësi dhe falënderim.)
Shpjegoni se një shembull i përdorimit me maturi të ushqimeve mund të gjendet në udhëzimin që Zoti dha rreth mishit te vargjet 12–13. Fjala me pakicë sugjeron që mishi duhet të përdoret në një mënyrë të matur.
Doktrina e Besëlidhje 89:18–21
Zoti u premton shëndet, urtësi dhe mbrojtje atyre që i binden Fjalës së Urtësisë
Shkruani sa vijon në tabelë nën fjalën Parimi: Nëse e ndjekim Fjalën e Urtësisë dhe urdhërimet e tjera të Zotit, Zoti do të na bekojë me …
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 89:18–19. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë bekime që mund ta plotësojnë fjalinë në tabelë.
-
Çfarë bekimesh u premton Zoti atyre që e zbatojnë Fjalën e Urtësisë? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë për ta plotësuar fjalinë.)
Ju mund të doni të shpjegoni se premtimi i Zotit për shëndetin te vargu 18 nuk do të thotë që Fjala e Urtësisë është një mjekim për sëmundjet kronike ose ligështuese. Në vend të kësaj, ajo i ndihmon njerëzit që të kenë shëndetin dhe forcën më të mirë, për të cilat janë të aftë trupat e tyre.
-
Si mund të na ndihmojë mbajtja e Fjalës së Urtësisë për të fituar urtësi e dituri?
Ndihmojini studentët të kuptojnë se bindja ndaj Fjalës së Urtësisë na lejon të gëzojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë, që u zbulon besnikëve urtësi e dituri. Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të doni ta ftoni një student që ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Kam arritur të di … se një qëllim themelor i Fjalës së Urtësisë ka të bëjë me zbulesën. …
Nëse dikush ‘nën efekt’ mezi mund ta dëgjojë bisedën e thjeshtë, si mund t’iu përgjigjen ata nxitjeve shpirtërore që prekin ndjenjat e tyre më të brishta?
Aq e vlefshme sa është Fjala e Urtësisë si një ligj i shëndetit, ajo mund të jetë shumë më me vlerë për ju shpirtërisht sesa është fizikisht” (“Prayers and Answers”, Ensign, nëntor 1979, f. 20).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 89:20–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimet shtesë që vijnë nga ndjekja e Fjalës së Urtësisë.
-
Çfarë bekimesh shtesë u premton Zoti atyre që e ndjekin Fjalën e Urtësisë?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë frazën “engjëlli shkatërrues do të kalojë pranë tyre”, drejtojini ata te Doktrina e Besëlidhje 89:21, poshtëshënimi a. Shpjegoni se ky premtim i mbrojtjes hyjnore mund t’i referohet sigurisë fizike, si edhe asaj shpirtërore. Përfundojeni fjalinë në tabelë që të pasqyrojë parimin vijues: Nëse i ndjekim Fjalën e Urtësisë dhe urdhërimet e tjera të Zotit, Zoti do të na bekojë me shëndet, urtësi, forcë dhe mbrojtje.
-
Kur e keni parë premtimin te vargjet 18–21 të përmbushet në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që e njihni?
Kërkojuni studentëve që t’ia tregojnë (qoftë klasës ose një partneri) atë që mësuan ose ndien rreth Fjalës së Urtësisë, teksa e studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 89 sot. Ftojini studentët t’i përsiatin parimet dhe premtimet e shkruara në tabelë dhe të caktojnë një synim për ta jetuar më me besnikëri Fjalën e Urtësisë. Dëshmoni për bekimet që do t’iu vijnë atyre kur e jetojnë këtë ligj.