Mësimi 102
Doktrina e Besëlidhje 98:23–48
Hyrje
Profeti Jozef Smith e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 98 më 6 gusht 1833, rreth dy javë pasi përndjekja e shenjtorëve në Misuri ishte bërë e dhunshme. Kjo zbulesë siguroi udhërrëfim për shenjtorët që po keqtrajtoheshin. Në të Zoti u mësoi shenjtorëve se si duhet t’u përgjigjeshin armiqve të tyre.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 98:23–32
Zoti zbulon se si duhet të reagojnë shenjtorët ndaj përndjekjes
Përpara orës mësimore, bëni tri kolona në tabelë dhe emërtojini ato me titujt vijues: Ligji i Zotit për Shpagimin (DeB 98:23–32); Ligji i Zotit për Luftën (DeB 98:33–38); dhe Ligji i Zotit për Faljen (DeB 98:39–48).
Kërkojuni studentëve të përshkruajnë disa mënyra se si mund të reagojnë njerëzit kur fyhen ose lëndohen nga dikush. Shpjegoni se në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 98, Zoti jep mësim parime që mund të na ndihmojnë të dimë se si të përgjigjemi kur lëndohemi nga fjalët ose veprimet e njerëzve të tjerë. Nxitini studentët t’i kërkojnë këto parime gjatë gjithë mësimit të sotëm.
Kujtojuni studentëve se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 98 u dha në vitin 1833, pak pasi përndjekja e shenjtorëve në Misuri ishte bërë e dhunshme. Kërkojuni studentëve të kujtojnë hollësi nga mësimi i mëparshëm rreth keqtrajtimit që kishin përjetuar shenjtorët.
Ftojini studentët ta kopjojnë tabelën në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:23–27. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti u mësoi shenjtorëve rreth shpagimit. Kërkojuni atyre të vërejnë këshillën e përsëritur të Zotit në këto vargje.
-
Çfarë na mësojnë frazat e përsëritura rreth shpagimit? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat “nuk do të thoni fjalë të rënda” dhe “i bëni ballë me durim” në vargjet 23–27.)
-
Çfarë u premtoi Zoti shenjtorëve nëse ata do t’i bënin ballë me durim përndjekjes dhe nuk do të kërkonin hakmarrje?
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga fjalët e Zotit në vargjet 23–27? (Ndihmojini studentët të dallojnë parimin vijues: Nëse i bëjmë ballë me durim keqtrajtimit dhe nuk kërkojmë shpagim, Zoti do të na shpërblejë. Ftojeni një student ta shkruajë këtë të vërtetë nën titullin Ligji i Zotit për Shpagimin.)
Shpjegoni se kur u formua turma në kontenë Xhekson të Misurit, të shtunën më 20 korrik 1833, ata donin të bënin më shumë se sa [thjesht] të shkatërronin pronat. Ata gjithashtu u përpoqën që t’u bënin keq anëtarëve të Kishës. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin historik vijues dhe ftojeni klasën të dëgjojë për mënyrën se si Peshkopi Eduard Partrixh dhe Çarls Aleni, një 27 vjeçar i kthyer në besim nga Pensilvania, iu përgjigjën përndjekjes.
“Turma i kapi Peshkopin Eduard Partrixh dhe Çarls Alenin dhe i tërhoqi zvarrë përmes grumbullit të njerëzve të tërbuar, të cilët i fyen dhe i dhunuan ata përgjatë udhës drejt sheshit qendror. Atyre iu paraqitën dy alternativa: ose të hiqnin dorë nga besimi i tyre në Librin e Mormonit ose të largoheshin nga konteja. Ata nuk do ta mohonin Librin e Mormonit, as nuk do të pranonin që të largoheshin nga konteja. Peshkopi Partrixh, duke iu dhënë leja që të fliste, tha se shenjtorët kishin vuajtur përndjekje në të gjitha epokat e botës dhe se ai ishte i gatshëm të vuante për hir të Krishtit, ashtu siç kishin bërë shenjtorët në epokat e mëparshme; [ai tha] se nuk kishte bërë asgjë që duhet të fyente ndokënd dhe se, nëse e dhunonin, ata do të lëndonin një burrë të pafajshëm. Këtu zëri i tij u mbyt nga zhurma e turmës, shumë prej të cilëve po bërtitnin: ‘Thirri Perëndisë tënd të të çlirojë … !’ Të dy vëllezërve, Partrixhit dhe Alenit, iu hoqën rrobat dhe u lyen me zift, të përzier me gëlqere ose kripë potasiumi, apo me një lloj tjetër acidi që gërryente mishin, dhe një sasi puplash u shpërndanë mbi ta. Ata e duruan këtë poshtërim dhe dhunim mizor me kaq shumë nënshtrim dhe butësi saqë turma u qetësua dhe u duk e çuditur nga ajo që ata po dëshmonin. Vëllezërve iu lejua të tërhiqeshin në heshtje” (B. H. Roberts, A Comprehensive History of the Church, 1:333; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 133).
-
Çfarë ju bën përshtypje nga mënyra se si Çarls Aleni dhe Peshkopi Partrixh iu përgjigjën përndjekjes?
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 98:28–32, duke shpjeguar se Zoti i këshilloi shenjtorët se nëse një armik i kishte goditur ata tri herë pa ngjallur hakmarrjen e Perëndisë, ata duhej ta paralajmëronin armikun në emër të Zotit që të mos i godiste më. Nëse armiku vazhdonte t’i godiste ata pas këtij paralajmërimi, shenjtorët ishin të shfajësuar që ta “shpërblen[in] atë sipas veprave të tij”. Megjithatë, shenjtorëve iu tha gjithashtu se nëse i kursenin armiqtë e tyre edhe pse ata qenë të shfajësuar për shpagimin, ata do të shpërbleheshin për drejtësinë e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 98:32–38
Zoti shpjegon se kur justifikohet lufta
Kërkojuni studentëve të përsiatin nëse ata e dinë se çfarë ka thënë Zoti rreth luftës. Ju mund të bëni pyetjen vijuese:
-
Çfarë mendoni se është ligji i Zotit për luftën?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:32–34. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti u tha profetëve të lashtë rreth luftës.
-
Sipas vargut 33, cili qe ligji që iu dha profetëve të lashtë? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë nën titullin Ligji i Zotit për Luftën. Vini në dukje se Zoti ia dha këtë ligj posaçërisht njerëzve që jetuan në një kohë tjetër dhe në një kulturë të ndryshme. Megjithëse parimi i ligjit është i vërtetë, sot ne gjithashtu u nënshtrohemi ligjeve të kombeve në të cilat ne jetojmë.)
-
Çfarë duhej të bënin profetët e lashtë nëse dikush shpallte luftë kundër tyre? (Shtojeni përgjigjen në tabelë nën titullin Ligji i Zotit për Luftën.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:35–38 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti u tha profetëve të lashtë të bënin nëse oferta e tyre e paqes nuk pranohej. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth ligjit të Zotit për luftën? (Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksoni sa më poshtë: Lufta mund të justifikohet nën rrethanat e përshkruara nga Zoti. Shkruajeni këtë parim në tabelë nën titullin Ligji i Zotit për Luftën.)
Shpjegoni se shumicës prej nesh nuk do t’i duhet të vendosë nëse ne do të shkojmë në luftë kundër një kombi tjetër. Sidoqoftë, këto mësime mund të na ndihmojnë të dimë se çfarë të bëjmë në marrëdhëniet tona vetjake – për shembull, kur ne kemi mosmarrëveshje me të tjerët.
-
Bazuar në atë që kemi mësuar rreth këshillës së Zotit për luftën, çfarë duhet të bëjmë kur nuk biem dakord me të tjerët? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne duhet të kërkojmë zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet tona.)
-
Çfarë bekimesh mund të vijnë nga të kërkuarit e zgjidhjeve paqësore?
Doktrina e Besëlidhje 98:39–48
Zoti i mëson shenjtorët se si duhet t’u përgjigjen armiqve të tyre
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues:
“Në Hollandë, gjatë Luftës II Botërore, familja Kasper ten Bum e përdori shtëpinë e tyre si një vend fshehjeje për ata që ndiqeshin nga nazistët. Kjo qe mënyra e tyre për të jetuar besimin e krishterë. Katër pjesëtarë të familjes humbën jetën e tyre sepse e dhanë këtë strehim. Korri ten Bumi dhe motra e saj Betsi, kaluan muaj të tmerrshëm në kampin famëkeq të përqendrimit në Ravensbruk. Betsi vdiq atje – Korri mbijetoi.
Në Ravensbruk, Korri dhe Betsi mësuan se Perëndia na ndihmon të falim. Pas luftës, Korri qe e vendosur ta jepte këtë mesazh. Në një rast, ajo sapo i kishte folur një grupi njerëzish në Gjermani që po vuanin nga rrënimet e luftës. Mesazhi i saj qe: ‘Perëndia fal’. Qe në atë çast që besnikëria e Korri ten Bumit solli bekimin e saj.
Një burrë iu afrua asaj. Ajo e njohu atë si një nga rojet më mizorë në kamp. ‘Ju përmendët Ravensbrukun në fjalën tuaj’, tha ai. ‘Unë isha roje atje. … Por qysh nga ajo kohë, … unë jam bërë i krishterë.’ Ai shpjegoi se i kishte kërkuar falje Perëndisë për gjërat mizore që kishte bërë. Ai shtriu dorën e tij dhe pyeti: ‘A do të më falësh?’
Korri ten Bumi tha pastaj:
‘Mund të mos kenë qenë shumë sekonda që ai qëndronte atje – me dorën të shtrirë – por mua m’u dukën orë, ndërsa luftoja me gjënë më të vështirë që më ishte dashur të bëja ndonjëherë.
… Mesazhi se Perëndia fal ka një … kusht: që ne të falim ata që na kanë dëmtuar. …
… “Ndihmomë!” u luta në heshtje. “Unë mund ta ngre dorën. Kaq gjë mund ta bëj. Ti më jep ndjesinë.”
… Si e ngrirë, mekanikisht, ia shtriva dorën time asaj dore që më qe zgjatur mua. Kur e bëra këtë, ndodhi një gjë e pabesueshme. Një ndjenjë e fuqishme filloi në shpatullën time, u përhap poshtë te krahu im, hyri me forcë në duart e bashkuara. Dhe pastaj kjo ngrohtësi shëruese dukej të vërshonte në gjithë qenien time, duke më sjellë lot në sy.
“Të fal, vëlla!” thirra unë. “Me gjithë zemrën time.”
Për një çast të gjatë ne mbajtëm shtrënguar duart e njëri-tjetrit, ish-roja dhe ish-e burgosura. Unë kurrë nuk e kisha njohur dashurinë e Perëndisë aq fuqishëm si atëherë.’ [Corrie ten Boom, Tramp for the Lord (1974), f. 54–55.]” (Keith B. Mek-Mullin, “Shtegu Ynë i Detyrës”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 13).
Pasi studenti të përfundojë së lexuari, bëni pyetjen vijuese:
-
Çfarë ju bën përshtypje nga ky rrëfim?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:39–40 dhe vëreni klasën të kërkojë ligjin e Zotit për faljen.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë kur dikush kërkon falje?
-
Sipas vargut 40, sa herë duhet ta falim dikë që pendohet dhe kërkon faljen tonë? (“Deri shtatëdhjetë herë shtatë” do të thotë se ne duhet t’i falim të tjerët po aq herë sa ata pendohen dhe e kërkojnë faljen tonë pasi na kanë fyer ose lënduar. Megjithëse ne urdhërohemi që të falim, kjo nuk do të thotë se ne duhet t’i lejojmë të tjerët që të vazhdojnë të na lëndojnë.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:41–43. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që Zoti ua mësoi shenjtorëve lidhur me armiqtë e tyre që nuk do të pendoheshin. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.
-
Përse do të kishte qenë e rëndësishme që shenjtorët në Misuri t’i kuptonin këto të vërteta?
-
Si do ta përmblidhnit ligjin e Zotit për faljen? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë urdhërimin vijues: Zoti na ka urdhëruar që t’i falim armiqtë tanë. Shkruajeni këtë urdhërim në tabelë nën titullin Ligji i Zotit për Faljen.)
-
Si mendoni ju, përse ne urdhërohemi që t’i falim të tjerët edhe nëse ata nuk kërkojnë falje?
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 98:44–48, duke shpjeguar që Zoti premtoi se nëse armiqtë e shenjtorëve do të pendoheshin, ata do t’i shpëtonin hakmarrjes së Tij. (Shënim: Në vargun 44, fraza “ti nuk do të falësh” do të thotë se autorët e dhunës duhet të mbahen plotësisht përgjegjës për veprimet e tyre, jo se shenjtorët duhet të kenë ndjenja të vazhdueshme armiqësore.)
Mbylleni duke i nxitur studentët që ta ndjekin ligjin e Zotit për faljen, duke u përpjekur të falin dikë që i ka lënduar ata vetë ose njerëzit e tyre të dashur.