Seminare dhe Institute
Mësimi 134: Doktrina e Besëlidhje 127; 128:1–11


Mësimi 134

Doktrina e Besëlidhje 127; 128:1–11

Hyrje

Doktrina e Besëlidhje 127 përmban një letër nga Profeti Jozef Smith, të datës 1 shtator 1842, e cila i udhëzoi shenjtorët të mbanin anale për pagëzimet që kryenin për të vdekurit. Rreth një javë më vonë, Jozefi shkroi një letër tjetër mbi temën e pagëzimit për të vdekurit.Doktrina e Besëlidhje 128 e përmban këtë letër, e cila na mëson arsyen përse i mbajmë analet e ordinancave shpëtuese.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 127:1–4

Jozef Smithi përlëvdohet në përndjekje dhe mundim

Fillojeni orën mësimore duke paraqitur një enë të madhe, të tejdukshme të etiketuar vdekshmëria dhe një kanë me ujë të etiketuar mundimet. Pyetini studentët se çfarë mundimesh kanë përjetuar apo i kanë parë të tjerët të përjetojnë. Për secilin mundim që përmendin, derdhni pak ujë nga kana në enën e tejdukshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 127:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar çfarë mundimi po përjetonte Jozef Smithi në Navu në vitin 1842. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se, në maj të vitit 1842, Liburn W. Bogsi, ish-guvernatori i Misurit që nxori urdhrin e shfarosjes ndaj shenjtorëve, u plagos nga një i ashtuquajtur vrasës i panjohur. Autoritetet e Misurit e akuzuan Jozef Smithin se kishte organizuar dikë që të vriste Bogsin dhe u përpoqën ta sillnin Profetin sërish në Misuri për gjyq. Jozef Smithi qe larguar nga Misuri vite më parë dhe po jetonte në zonën e Navusë të Ilinoisit në atë kohë. Duke e ditur se po të kthehej në Misuri ai do të vritej, Profeti iu shpëtoi zyrtarëve të Misurit për njëfarë kohe për t’iu shmangur arrestimit të paligjshëm. Në janar të vitit 1843, u vendos se procedurat për arrestimin e Jozef Smithit dhe për t’ia dorëzuar atë shtetit të Misurit ishin të paligjshme.

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 127 ishte një letër që Jozef Smithi ua shkroi anëtarëve të Kishës teksa lëvizte nga një vend në tjetrin për t’iu shmangur arrestimit nga zyrtarët e Misurit. Kjo letër u lexua nga shenjtorët në Navu disa ditë më vonë.

Tregojuni studentëve dy topa pothuajse të së njëjtës madhësi, njëri që pluskon dhe tjetri që nuk pluskon. (Për shembull, ju mund të përdorni një top golfi plastik të zbrazët dhe një top golfi të rregullt.) Vendosini të dy topat në një enë me ujë dhe bëni pyetjen vijuese:

  • Si mund të përfaqësojnë këta dy topa mënyrat e ndryshme se si njerëzit reagojnë ndaj mundimeve?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 127:2. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si reagoi Jozefi ndaj mundimeve.

  • Cili top e përfaqëson më mirë reagimin e Jozef Smithit ndaj mundimit? Përse?

  • Si e dinte Jozefi se ai do të triumfonte mbi mundimet dhe rreziqet e tij?

  • Sipas asaj që Jozefi u shkroi shenjtorëve, çfarë mund të na ndihmojë ta durojmë mundimin? (Pasi studentët të përgjigjen, përmblidhini thëniet e tyre duke shkruar parimin vijues në tabelë: Mirëbesimi tek Ati Qiellor mund të na ndihmojë ta durojmë mundimin.)

Ftojini studentët të mendojnë rreth një njeriu që e njohin (ose për të cilin kanë mësuar), i cili qe në gjendje ta duronte mundimin sepse ai ose ajo i mirëbesoi Atit Qiellor. Kërkojini disa studentëve të shpjegojnë se për kë menduan dhe se si mirëbesimi tek Ati Qiellor e ndihmoi këtë njeri ta duronte mundimin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 127:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Profeti u tha shenjtorëve. Ftojini studentët të përcaktojnë dhe të tregojnë për fraza që janë domethënëse për ta.

  • Sipas vargut 3, përse duhet të jenë shenjtorët të gëzuar gjatë mundimit?

  • vargun 4, çfarë u premton Zoti atyre që e durojnë përndjekjen?

  • Si ju ka ndihmuar mirëbesimi tek Ati Qiellor që të duroni kohë të vështira në jetën tuaj?

Doktrina e Besëlidhje 127:5–12

Profeti Jozef Smith i këshillon shenjtorët të mbajnë anale për pagëzimet që kryejnë për të vdekurit

Kujtojini studentët që, gati një vit e gjysmë përpara se Jozef Smithi ta shkruante këtë letër, Zoti u kishte thënë shenjtorëve që ordinanca e pagëzimit për të vdekurit duhej të kryhej në tempull (shih DeB 124:30). Megjithatë, Zoti i lejoi shenjtorët të kryenin pagëzime për të vdekurit në lumin dhe rrëketë aty pranë për një periudhë të shkurtër kohore. Zoti u tha atyre se, pasi tempulli të ishte gati, ordinanca e pagëzimit për të vdekurit do të ishte e pranueshme vetëm nëse kryhej në tempull. Shenjtorët filluan të kryenin pagëzime për të vdekurit në Tempullin e Navusë në nëntor të vitit 1841.

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth herës së fundit që morën pjesë në pagëzime për të vdekurit. Ftojini ata që ta përshkruajnë përvojën, duke përfshirë nëse dikush ishte ulur pranë vaskës gjatë pagëzimeve.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 127:5–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se kush nevojitet të jetë i pranishëm kur kryhen pagëzimet për të vdekurit. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjetën.

  • Sipas vargut 7, përse është e rëndësishme që një regjistrues të jetë një dëshmitar okular për pagëzimet?

Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Ordinancat e tempullit që i kryejmë në tokë, janë …

Ftojini studentët ta plotësojnë thënien duke u bazuar te vargjet 5–9. (Studentët duhet ta plotësojnë këtë thënie që të jetë e ngjashme me të vërtetën vijuese: Ordinancat e tempullit që i kryejmë në tokë, janë lidhëse në qiell.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që ordinancat e tempullit do të jenë lidhëse në qiell?

  • Si mund t’ju ndihmojë njohja e kësaj të vërtete që ta përmbushni përgjegjësinë tuaj për të kryer ordinanca në tempull për “të vdekurit tuaj”?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 127:10–12, duke shpjeguar se Jozef Smithi donte t’u mësonte shenjtorëve më shumë rreth pagëzimit për të vdekurit, por ngaqë rrinte i fshehur nuk mund ta bënte këtë. Ai premtoi t’u shkruante shenjtorëve letra të tjera rreth pagëzimeve për të vdekurit dhe çështjeve të tjera të rëndësishme.

Doktrina e Besëlidhje 128:1–11

Jozef Smithi shpjegon përse ne i mbajmë analet për ordinancat e shpëtimit

Rreth një javë pasi e shkroi letrën te Doktrina e Besëlidhje 127, Jozefi u shkroi një letër tjetër shenjtorëve lidhur me pagëzimet për të vdekurit. Kjo letër tani përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 128.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 128:1–5, duke shpjeguar që Jozefi dha mësim se duhet të caktohen regjistrues vendorë për të dëshmuar dhe për ta regjistruar ordinancën e pagëzimit për të vdekurit. Ai gjithashtu dha mësim se duhej të caktohej një regjistrues i përgjithshëm për t’i përmbledhur analet vendore në një anal të përgjithshëm të kishës.

Tregoni një pasaportë (ose një figurë të një pasaporte). Pyesni se çfarë lloj privilegjesh ka të drejtë të ketë mbajtësi i pasaportës.

  • Përse pasaporta e një njeriu tjetër nuk do t’ju kualifikojë të hyni në një shtet tjetër?

  • Çfarë mund të ndodhte nëse do të përpiqeshit të hynit në një shtet tjetër, por informacioni brenda pasaportës suaj nuk do të ishte i plotë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 128:6–7. Vëreni klasën të kërkojë se cilat anale do të përdoren për të përcaktuar nëse kualifikohemi që të pranohemi në praninë e Perëndisë. Ftojini ata të raportojnë atë që gjetën. Vini në dukje se Gjoni dhe Jozef Smithi përmendën anale të shumta: “librat u hapën” dhe “një libër tjetër, që [është] libri i jetës”.

  • Sipas vargut 7, cilët janë librat e parë të përmendur nga Gjoni? (Analet e mbajtura në tokë.)

  • Cili është libri i jetës? (Anali i mbajtur në qiell.)

  • Çfarë shënohen në këta libra? (Veprat tona.)

  • Çfarë veprash duhet të shënohen në librat me qëllim që të pranohemi në praninë e Perëndisë?

Pasi studentët të kenë dhënë mendimet e tyre lidhur me këtë pyetje, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Presidenti Bojd K. Paker

“Ordinancat dhe besëlidhjet bëhen kualifikimet tona për t’u pranuar në praninë [e Perëndisë]” (“Covenants”, Ensign, maj 1987, f. 24).

  • Sipas thënies së Presidentit Paker, çfarë do të ndodhë në ditën e gjykimit nëse analet e një njeriu treguan se ai ose ajo nuk e ka marrë kurrë ordinancën e pagëzimit?

Shkruani frazën vijuese në tabelë: Çfarëdo që lidhni në tokë, do të lidhet në qiell. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 128:8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si ua shpjegoi Profeti Jozef Smith këtë thënie shenjtorëve. Teksa studentët i raportojnë gjetjet e tyre, zëvendësojeni fjalën lidhni me fjalën regjistroni dhe lidhet me regjistrohet në tabelë.

  • Çfarë mësojmë nga vargu 8 rreth regjistrimit të ordinancave që marrim? (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “personin e tyre” u drejtohet njerëzve që pagëzohen për veten e tyre dhe fraza “përfaqësuesve të tyre” u drejtohet atyre që pagëzohen si mëkëmbës.)

Shkruani sa vijon në tabelë: Kur një ordinancë kryhet nga dhe mbahet një i duhur, ordinanca është lidhëse në tokë dhe në qiell.

  • Sipas vargut 8, çfarë nevojitet të ndodhë me qëllim që ordinancat të jenë lidhëse në tokë dhe në qiell? (Teksa studentët përgjigjen, ftojeni një student ta plotësojë të vërtetën në tabelë si vijon: Kur një ordinancë kryhet nga autoriteti i priftërisë dhe mbahet një anal i duhur, ordinanca është lidhëse në tokë dhe në qiell.)

  • Çfarë shprese mund t’iu japë ky parim atyre që vdesin pa një njohuri për ungjillin?

  • Çfarë përgjegjësie kemi ne për ta përmbushur këtë parim?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 128:9. Vëreni klasën të kërkojë atë që tha Jozef Smithi rreth këtij parimi.

  • Çfarë ka bërë Zoti në çdo periudhë ungjillore të priftërisë? (Zoti e ka autorizuar të paktën njërin prej shërbëtorëve të Tij që të mbajë dhe të përdorë çelësat vulosës të priftërisë.)

  • Sipas vargut 9, çfarë ndodh kur një ordinancë kryhet nga autoriteti i priftërisë dhe mbahet një anal i duhur? (Ajo bëhet ligj në tokë e në qiell dhe nuk mund të anulohet nëse personi që e merr atë jeton denjësisht.)

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 128:10–11 duke shpjeguar se, ashtu sikurse Shpëtimtari ia dha çelësat vulosës të priftërisë Pjetrit, Ai i ka dhënë çelësat përsëri në kohën tonë.

Për ta mbyllur mësimin, shkruani në tabelë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’u përgjigjen atyre në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

Si lidhen me njëri-tjetrin pagëzimet për të vdekurit dhe çelësat vulosës?

Çfarë jeni të frymëzuar të bëni për shkak të asaj që keni mësuar sot?

Ftojini disa studentë që t’i thonë klasës atë që shkruan. Ju mund të doni gjithashtu të jepni dëshminë tuaj rreth kryerjes së pagëzimeve për të vdekurit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Pjesëmarrja e udhëheqësve të hershëm të Kishës me Mejsënat

Edhe pse Profeti Jozef Smith dhe shumë anëtarë të Kishës u larguan nga Misuri në vitin 1839, përndjekja nga njerëzit në Misuri vazhdoi ta ndiqte Profetin, ndërkohë që punonte për të ndërtuar qytetin e Navusë në Ilinois. Në fillim të vitit 1842, Jozef Smithi dhe disa qytetarë të tjerë të Navusë u bashkuan me një organizatë vëllazërore, të quajtur Mejsënat. Ata mund ta kenë bërë këtë për të vendosur dhe forcuar marrëdhëniet me udhëheqës të shtetit dhe të kombit, të cilët ishin anëtarë të Mejsënave dhe që mund të ndihmonin për t’i mbrojtur shenjtorët kundrejt kërcënimeve të vazhdueshme nga përndjekësit e tyre në Misuri. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 264.)

Doktrina e Besëlidhje 127:5. “Pagëzimi për të vdekurit”

Plaku W. Grent Bangërtër, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi se ne kryejmë pagëzime për ata që janë fizikisht të vdekur, por të cilët janë ende gjallë në shpirt:

Plaku W. Grent Bangërtër

“Kujtofshim gjithmonë se ne i kryejmë ordinancat e tempullit për njerëzit dhe jo për emrat. Ata, të cilët i quajmë ‘të vdekur’, janë të gjallë në shpirt dhe janë të pranishëm në tempull” (“What Temples Are For”, Ensign, maj 1982, f. 72).