Seminare dhe Institute
Mësimi 57: Doktrina e Besëlidhje 50


Mësimi 57

Doktrina e Besëlidhje 50

Hyrje

Kur Jozef Smithi mbërriti në Kirtland të Ohajos, ai vëzhgoi se “disa nocione të panjohura dhe shpirtra të rremë kishin depërtuar mes” disa prej shenjtorëve. Ai filloi t’u jepte mësim me “kujdes dhe … urtësi” për t’i kapërcyer këto gjëra (shih History of the Church, 1:146). Plaku Parli P. Prat u kthye nga një mision dhe vëzhgoi sjellje të ngjashme në degët e Kishës jashtë Kirtlandit. Ai dhe pleq të tjerë shkuan te Jozef Smithi për të marrë udhëzim (shih History of the Church, 1:170). Në maj të vitit 1831 Profeti i kërkoi Zotit dhe mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 50. Në këtë zbulesë Zoti i udhëzoi shenjtorët që ta jepnin mësim dhe ta pranonin ungjillin me anë të Shpirtit të së vërtetës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 50:1–9

Zoti i paralajmëron pleqtë e Kishës rreth shpirtrave të rremë

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë frekuentimin e një mbledhjeje të sakramentit, në të cilën disa anëtarë në moshë të rritur të Kishës po qëndrojnë mbi karrige dhe po flasin me zë të lartë, ndërkohë që të tjerë po rrotullohen nëpër dysheme.

  • Si do të ndiheshit? Si mendoni, çfarë do t’i ndodhte Shpirtit në rrethana të tilla? (Sigurohuni që ky diskutim nuk bëhet një kritikë e feve të tjera, në të cilat njerëzit përfshihen në veprimtari të tilla.)

Shpjegoni se kur Jozef Smithi mbërriti në Kirtland për herë të parë, ai pa se disa nga shenjtorët ishin mashtruar gjatë një kohe kur ata kishin qenë pa shumë udhëheqje. Si rrjedhojë, “disa nocione të panjohura dhe shpirtra të rremë kishin depërtuar mes” tyre (History of the Church, 1:146). Anëtarët e rinj në zonën e Kirtlandit kishin prezantuar veprimtari të çuditshme, të zhurmshme dhe pështjelluese në shërbesat e tyre të adhurimit. Këto veprimtari i ngacmonin emocionet e njerëzve, por nuk ishin lartësuese. Disa nga pleqtë e Kishës nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte, kështu që i kërkuan Profetit këshillë. Ai i kërkoi Zotit dhe mori një zbulesë që do t’i ndihmonte shenjtorët ta lartësonin njëri-tjetrin, ndërkohë që jepnin mësim dhe mësonin vetë të vërteta të ungjillit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar burimin e këtij ndikimi mes shenjtorëve.

  • Cili ishte burimi i këtij ndikimi?

  • Sipas vargut 3, përse dëshiroi Satani t’i mashtronte shenjtorët?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 50:4–9 duke kërkuar paralajmërimin e Zotit rreth disa njerëzve mes anëtarëve të Kishës në Ohajo.

  • Cilat fjalë përdori Zoti për të përshkruar disa anëtarë të Kishës në këtë kohë?

  • Çfarë është një hipokrit? Si mund t’i japë hipokrizia fuqi kundërshtarit?

  • Çfarë tha Zoti se do t’u ndodhte hipokritëve? (Shih DeB 50:6, 8.)

Doktrina e Besëlidhje 50:10–36

Udhëheqësit e priftërisë udhëzohen se si të japin mësim dhe të mësojnë vetë me anë të Shpirtit

Shkruani në tabelë pyetjet vijuese:

Çfarë kërkohet për të qenë një mësues i efektshëm i ungjillit?

Çfarë kërkohet për të qenë një nxënës i efektshëm i ungjillit?

Ftojini studentët t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Shënojini pikat e tyre kryesore në tabelë nën secilën pyetje. Më pas ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni njërin grup të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–20 duke kërkuar përgjigje për pyetjen e parë. Ftojeni grupin tjetër të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–20 duke kërkuar përgjigje për pyetjen e dytë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që kanë zbuluar.

  • Çfarë elementi i mësimdhënies dhe i të mësuarit të ungjillit përsëritet në këto vargje? (Nevoja për Shpirtin.)

  • Çfarë rolesh të Frymës së Shenjtë përmenden te Doktrina e Besëlidhje 50:14? (Studentët duhet të shprehin se Fryma e Shenjtë është Ngushëlluesi dhe se Fryma e Shenjtë na mëson të vërtetën.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta jepni mësim ungjillin “me anë të Shpirtit”? (DeB 50:14). Çfarë mendoni se do të thotë të jepni mësim “me ndonjë mënyrë tjetër”? (DeB 50:17).

Ftojini studentët të mendojnë rreth mundësive që kanë për të dhënë mësim për ungjillin. Ata mund të mendojnë për mësimdhënien në shtëpi, me shokët e tyre, në seminar, në kishë ose si mësues të shtëpisë. Ftojini disa studentë të tregojnë përvoja që kanë pasur kur e kanë ndier Shpirtin t’i drejtojë në mësimdhënien e ungjillit ose në dhënien e dëshmive të tyre.

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta “prano[sh] fjalën e së vërtetës … me anë të Shpirtit të së vërtetës”? (DeB 50:19). Çfarë mendoni se do të thotë ta pranosh atë “me ndonjë mënyrë tjetër”? (DeB 50:19).

  • Çfarë mund të bëni për ta pranuar më mirë ungjillin kur ai jepet mësim me anë të Shpirtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë ngjarjen vijuese, të treguar nga Plaku Xhek H. Goslind, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të dëgjojë për ide rreth mënyrës se si mund ta pranojmë më mirë fjalën e së vërtetës me anë të Shpirtit.

Plaku Xhek H. Goslind

“Sa prej jush keni qëndruar në ‘pozicionin e mërzitur’ gjatë mbledhjes së sakramentit? Ju e dini pozicionin: i përkulur përpara tek mesi, me mjekrën të vendosur në duar, bërrylat mbi gjunjë, duke vështruar në boshllëk te dyshemeja. A ju ka shkuar në mendje se është zgjedhja juaj nëse mbledhja është interesante apo jo? …

Presidenti Spenser W. Kimball tha se adhurimi ‘është një përgjegjësi individuale dhe pavarësisht nga ajo që thuhet prej podiumit, nëse dikush dëshiron ta adhurojë Zotin në shpirt dhe në të vërtetë, ai mund ta bëjë këtë. … Nëse shërbesa është një dështim për ju, ju keni dështuar. Askush nuk mund të adhurojë për ju; ju duhet të adhuroni vetë, duke pritur për Zotin.’ (Ensign, janar 1978, f. 5.)

Një i ri e përshkroi mënyrën se si ai fillimisht e përjetoi shpirtin e adhurimit. Ai kishte qenë disi aktiv gjatë viteve të tij të Priftërisë Aarone. Kur e frekuentonte mbledhjen e sakramentit, ai zakonisht ulej në fund me një grup shokësh dhe nuk ishte një shembull nderimi. Megjithatë, një ditë, ai erdhi me pak vonesë dhe nuk kishte më karrige pranë shokëve të tij. U ul i vetëm dhe, për herë të parë në jetën e tij, i mbylli sytë gjatë lutjeve, këndoi himnet, i dëgjoi lutjet e sakramentit dhe u kushtoi vëmendje folësve. Diku rreth gjysmës së bisedës së folësit të parë, i ndjeu lotët t’i rridhnin nga sytë. Paksa i zënë ngushtë, ai me kujdes i hodhi sytë përreth; askush tjetër nuk dukej i prekur me emocion. Nuk e dinte me siguri se çfarë po i ndodhte, por përvoja ia ndryshoi jetën. Ishte gjatë asaj mbledhjeje që ai me të vërtetë e filloi përgatitjen e tij shpirtërore për misionin e tij. Ai ndjeu diçka dhe, për fat të mirë, ai veproi dhe kështu i mori ato ndjenja” (“Yagottawanna”, Ensign, maj 1991, f. 46).

Ftojini studentët të tregojnë se cilat pjesë të kësaj ngjarjeje iu bënë atyre përshtypje. Pasi disa studentë të kenë folur, ju mund të doni të sugjeroni që ata të shkruajnë një mënyrë të veçantë se si mund t’i përmirësojnë përpjekjet e tyre për të mësuar vetë me anë të Shpirtit.

Kërkojuni studentëve të përsiatin se si mund të përcaktojnë nëse po japin mësim dhe po mësojnë vetë me anë të Shpirtit. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:21–22 dhe vëreni klasën të kërkojë udhëzimin e Zotit rreth mënyrës se si ta bëjmë këtë.

  • Çfarë ndodh kur ne japim mësim dhe mësojmë vetë me anë të Shpirtit?

  • Çfarë mendoni se do të thotë shprehja të “lartësohen e gëzohen së bashku”? Kur e keni përjetuar ju këtë?

  • Si do ta përmblidhnit mësimdhënien e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 50:13–22? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur japim mësim dhe mësojmë vetë me anë të Shpirtit, ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe lartësohemi e gëzohemi së bashku. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 50:23–25. Vërini të kërkojnë për ndryshimin midis asaj që ndodh kur njerëzit japin mësim me anë të Shpirtit dhe asaj që ndodh kur njerëzit japin mësim dhe mësojnë vetë me “ndonjë mënyrë tjetër” (DeB 50:17). Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Si e përshkroi Zoti mësimdhënien që nuk lartëson?

  • Si e përshkroi Zoti mësimdhënien që “është prej Perëndisë”? (DeB 50:24). Në çfarë mënyre tha Ai që ne do të bekohemi kur e marrim një mësimdhënie të tillë?

  • Çfarë doktrine na mësohet në këto vargje? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ajo që vjen nga Perëndia, ndriçon e lartëson, por ajo që nuk është prej Perëndisë, sjell pështjellim dhe errësirë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Kur e keni ndier se diçka që e dëgjuat, patë ose përjetuat nuk ishte prej Perëndisë? Si ju ndihmoi Shpirti që ta dallonit atë?

Shpjegojuni studentëve se ata do të dëgjojnë dhe kuptojnë mesazhe që kanë për qëllim ta shkatërrojnë besimin e tyre. Parimet që po mësojnë sot, mund t’i forcojnë ata kundrejt atyre mesazheve. Ju mund të doni të tregoni një përvojë që e keni pasur, kur Shpirti ju ka ndihmuar të dalloni që një mesazh nuk ishte prej Perëndisë.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 50:26–36 duke shpjeguar se Zoti i këshilloi mbajtësit e priftërisë lidhur me fuqinë dhe përgjegjësitë që vijnë me shugurimin e tyre. Ai tha se mbajtësit e priftërisë duhet t’u shërbejnë të tjerëve dhe ta mbajnë vetveten të pastër. Kur e bëjnë këtë, Zoti do t’ju japë atyre fuqi për t’i mposhtur shpirtrat e rremë, si ata që u gjendën mes disa prej shenjtorëve në kohën kur u dha kjo zbulesë.

Doktrina e Besëlidhje 50:37–46

Zoti i nxit shenjtorët të vazhdojnë të rriten në hir e të vërtetë dhe i siguron se Ai është me ta

Paraqitni figurën Lutja Familjare (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 112; shih edhe LDS.org). Tregoni në drejtim të djalit më të vogël dhe bëni pyetjet vijuese:

Lutja Familjare
  • A e përfytyroni dot këtë djalë të vogël duke shërbyer në një mision kohëplotë kur të jetë më i rritur? Çfarë gjëje në këtë figurë sugjeron që ai do të jetë i përgatitur për të shërbyer?

  • Duke marrë parasysh punën që Zoti ka ruajtur për secilin prej nesh, në çfarë mënyrash jemi ne të ngjashëm me këtë djalë të vogël?

Vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 50:37–40 përmban këshillën e Zotit dhënë disa prej pleqve, të cilët ishin të pranishëm kur u mor kjo zbulesë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë vargun 40. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar këshillën që Zoti ua dha këtyre pleqve.

  • Sipas vargut 40, përse i quajti Zoti këta mbajtës të priftërisë “fëmijë të vegjël”? Në çfarë mënyrash jemi ne të ngjashëm me fëmijët e vegjël?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “rriteni në hir”? Çfarë mendoni se do të thotë të rriteni “në diturinë e së vërtetës”?

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth bekimeve që Shpëtimtari dëshiron që ne t’i marrim? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Shpëtimtari dëshiron që ne të rritemi në hir dhe në diturinë e së vërtetës.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:41–46. Vëreni klasën të kërkojë fjalë të ngushëllimit dhe të sigurisë që Zoti ua dha këtyre pleqve dhe neve.

  • Çfarë do të thotë për ju kur Zoti thotë: “Ju jeni të mitë”? Si mund të na ndihmojë kjo siguri që të “mos k[emi] frikë”? (DeB 50:41).

  • Çfarë premtimesh të tjera në këto vargje janë kuptimplote për ju?

Mbylleni duke dëshmuar për parimet që na u mësuan në mësimin sot. Nxitini studentët të japin mësim dhe të mësojnë vetë me anë të Shpirtit në mënyrë më tërësore.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 50. Mënyra sipas së cilës Profeti Jozef Smith e mori këtë zbulesë

Plaku Parli P. Prat dha një përshkrim të Jozef Smithit duke diktuar zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 50. Ky është një nga përshkrimet më të hollësishme që kemi për Profetin duke diktuar zbulesat. Plaku Prat tha:

Parli P. Prat:

“Secila fjali u shqiptua ngadalë dhe shumë qartë, dhe me një pushim midis secilës, aq të gjatë sa ajo të shënohej, nga një shkrues i zakonshëm, pa përdorur stenografi.

… Nuk pati kurrë asnjë ngurrim, rishikim apo lexim përsëri, me qëllim që të ruhej ideja e temës; … dhe unë isha i pranishëm që të dëshmoja diktimin e disa komunikimeve të shumë faqeve secili” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 62).

Pasi Jozef Smithi i diktonte zbulesat, ai gjithmonë e rishikonte variantin e shkruar, duke kërkuar frymëzim për të bërë ndonjë ndryshim që nevojitej.

Doktrina e Besëlidhje 50. “Nocione të panjohura dhe shpirtra të rremë” kishin ardhur mes shenjtorëve

Xhon Uitmeri i përshkroi disa prej “nocione[ve] të panjohura dhe shpirtra[ve] të rremë” (History of the Church, 1:146) mes shenjtorëve në Kirtland në pranverën e vitit 1831:

Xhon Uitmeri

“Disa njerëz patën vegime dhe nuk mund të tregonin atë që panë, disa do të imagjinonin për vete se kishin shpatën e Labanit dhe do ta ngjishnin atë [si një ushtar i hipur mbi kalë], disa do të vepronin si një indian në veprimin e heqjes së lëkurës së kokës, disa do të rrëshqisnin ose zvarriteshin dhe [mbi] dysheme, me shpejtësinë e një gjarpri, të cilin e përfundonin duke lundruar në anijen drejt lamanitëve, duke predikuar ungjillin. Dhe shumë marifete të tjera, të kota dhe të marra, që janë të pakuptueshme dhe të padobishme për t’u përmendur” (Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 305).

Doktrina e Besëlidhje 50:13–14, 17. Mësimdhënia me anë të Shpirtit të së vërtetës

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë duhet të bëjmë përpara se të mund të japim mësim me anë të Shpirtit:

Plaku Dallin H. Ouks

“Ne duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta. Ne duhet t’i studiojmë mësimet e profetëve të gjallë. Ne duhet të mësojmë vetë gjithçka që mundemi, për ta bërë veten tonë të paraqitshëm dhe të kuptueshëm. … Përgatitja është një kusht paraprak për të dhënë mësim me anë të Shpirtit” (“Teaching and Learning by the Spirit”, Ensign, mars 1997, f. 10).

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha ide dhe udhëzim për të na ndihmuar që të japim mësim me anë të Shpirtit:

Presidenti Henri B. Ajring

“Doktrina e fiton fuqinë e saj kur Fryma e Shenjtë e pohon se ajo është e vërtetë. …

Ngaqë na nevojitet Fryma e Shenjtë, ne duhet të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm që të mos shkojmë përtej mësimdhënies së doktrinës së vërtetë. Fryma e Shenjtë është Shpirti i së Vërtetës. Pohimi i tij ftohet me anë të shmangies së spekulimit ose interpretimit vetjak. Kjo mund të jetë e vështirë për t’u bërë. Ju e doni njeriun që po përpiqeni të ndikoni. Ai ose ajo mund ta ketë shpërfillur doktrinën e dëgjuar më parë. Është tunduese të provosh diçka të re ose të bujshme. Por ne e ftojmë Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë kur jemi të kujdesshëm për të dhënë mësim vetëm doktrinën e vërtetë” (“Teaching True Doctrine”, Ensign, prill 2009, f. 6).

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ilustroi ndryshimin midis mësimdhënies me anë të Shpirtit dhe mësimdhënies me anë të intelektit tonë:

Plaku Riçard G. Skot

“Disa vite më parë, pata një detyrë të caktuar në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore, të ngjashme me atë të një Presidenti të Zonës. …

Një të diel, … vizitova [një] mbledhje të priftërisë së degës ku një udhëheqës meksikan i priftërisë, i pashkolluar, i përulur, u përpoq të përçonte të vërteta të ungjillit. Ishte e dukshme se sa thellësisht ato e kishin prekur jetën e tij. Vura re dëshirën e tij të fuqishme për t’i përçuar ato parime. Ai e kuptonte se ato ishin të një vlere të madhe për vëllezërit që i donte. Ai lexoi nga manuali i mësimit, prapëseprapë mënyra e tij ishte ajo e dashurisë së pastër për Shpëtimtarin dhe për ata të cilëve u dha mësim. Ajo dashuri, çiltërsi dhe pastërti e qëllimit e lejuan ndikimin e Frymës së Shenjtë ta mbushte dhomën. …

Më pas, vizitova klasën e Shkollës të së Dielës në lagjen që frekuentonte familja ime. Një profesor mjaft i shkolluar universiteti paraqiti mësimin. Ajo përvojë ishte në një ndryshim të habitshëm me atë të përjetuar në mbledhjen e priftërisë së degës. M’u duk se mësuesi me qëllim kishte zgjedhur referenca të panjohura dhe shembuj të pazakontë për të zhvilluar temën e caktuar atij – jeta e Jozef Smithit. Pata përshtypjen e dallueshme se ai e përdori mundësinë e mësimdhënies që t’i linte përshtypje klasës për njohurinë e tij të madhe. … Ai nuk dukej se kishte aq qëllim që të përçonte parime, sa kishte pasur udhëheqësi i përulur i priftërisë. …

Përulësia e udhëheqësit meksikan të priftërisë ishte në përputhje me përdorimin e vetes së vet si një mjet për përçimin shpirtëror të së vërtetës” (“Helping Others to Be Spiritually Led” [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të SAK-ut, 11 gusht 1998], f. 10–11, LDS.org).

Doktrina e Besëlidhje 50:19–20. Marrja me Anë të Shpirtit

Presidenti J. Ruben Klark, i Presidencës së Parë, sugjeroi se ne kemi një rol të rëndësishëm që të vendosim nëse një folës jep mësim me anë të Shpirtit ose jo:

Presidenti J. Ruben Klark

“Ne mund ta dallojmë kur folësit ‘nxiten nga Fryma e Shenjtë’ vetëm kur ne vetë ‘nxitemi nga Fryma e Shenjtë’.

Në njëfarë mënyre kjo e zhvendos tërësisht përgjegjësinë nga ata tek ne për të përcaktuar se kur flasin ata në këtë mënyrë” (“When Are Church Leaders’ Words Entitled to Claim of Scripture?” Church News, 31 korrik 1954, f. 9).

Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi mbi përgjegjësinë e studentëve për të mësuar në mënyrë të efektshme:

Plaku Jozef B. Uirthlin

“Sa më shumë që anëtarët e klasës i lexojnë detyrat e tyre të caktuara për leximin e shkrimeve të shenjta, sa më shumë që ata i sjellin shkrimet e tyre të shenjta në klasë dhe sa më shumë që e diskutojnë domethënien e vërtetë të ungjillit në jetën e tyre, aq më i madh do të jetë frymëzimi, rritja dhe gëzimi i tyre ndërsa përpiqen t’i zgjidhin shqetësimet dhe sfidat e tyre vetjake” (“Teaching by the Spirit”, Ensign, janar 1989, f. 15).

A. Roxher Merrilli, presidenti i përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, theksoi nevojën themelore për ne që të mësojmë vetë me anë të Shpirtit:

A. Roxher Merril

“Unë kam arritur ta kuptoj më mirë se e çfarë rëndësie jetësore është të marrim me anë të Shpirtit. Ne shpesh përqendrohemi, në mënyrën e duhur, te rëndësia e mësimdhënies me anë të Shpirtit. Por duhet të kujtojmë se Zoti ka vendosur rëndësi të barabartë, në mos më të madhe, te marrja e mësimit me anë të Shpirtit. (Shih DeB 50:17–22.)” (“Receiving by the Spirit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 93).

Plaku Xhek H. Goslind, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi historinë vijuese për të ilustruar që secili prej nesh ka aftësinë për të zgjedhur nëse mësojmë me anë të Shpirtit ose jo:

Plaku Xhek H. Goslind

“Disa vite më parë dëgjova rreth një vëllai të mirë, i cili përshkroi sjelljen e tij ndërkohë që Presidenti Dejvid O. Mek-Kei jepte bisedën përfundimtare të një konference të përgjithshme. Ishte një pasdite e nxehtë dhe ky ishte sesioni i pestë që ai kishte frekuentuar. Ishte i ulur në ballkon dhe mendja e tij pati një problem serioz të shpërqendrimit. Ai vuri re një burrë të ulur në pjesën qendrore, të cilin e kishte zënë gjumi, me kokën të përkulur pas dhe gojën të hapur. I erdhi në mendje që, nëse do të kishte qenë mbi çatinë e Tabernakullit, ai mund të lëshonte një shuk pështyme përmes njërës prej vrimave të ajrimit drejtpërsëdrejti në gojën e atij burri që po flinte. Ç’mendim i lavdishëm! Pas mbledhjes, ai dëgjoi dy burra të flisnin rreth ndjenjave të tyre gjatë bisedës së Presidentit Mek-Kei. Ata ishin të prekur dukshëm nga ajo që kishin dëgjuar. Mendoi për veten e tij: ‘Këta burra ishin duke pasur një përvojë të mrekullueshme shpirtërore dhe çfarë po bëja unë? Po mendoja rreth lëshimit të shukave të pështymës prej çatisë!’” (“Yagottawanna”, Ensign, maj 1991, f. 46).