Mësimi 72
Doktrina e Besëlidhje 66
Hyrje
Pasi Uilliam E. Mek-Lelini u pagëzua në verën e vitit 1831, ai pranoi një thirrje për të predikuar ungjillin. Në tetor ai udhëtoi për në Ohajo për të marrë pjesë në një konferencë të Kishës. Atje ai takoi Profetin Jozef Smith dhe më 29 tetor 1831 ai i kërkoi Jozef Smithit ta pyeste Zotin në emër të tij. Në përgjigje të kësaj kërkese Zoti i dha Jozef Smithit zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 66. Kjo zbulesë përmban këshilla të veçanta lidhur me qëndrimin shpirtëror të Vëllait Mek-Lelin, thirrjen e tij për të predikuar ungjillin dhe potencialin e tij për të marrë bekime të mëdha.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 66:1–3
Zoti shpall se Uilliam E. Mek-Lelin është bekuar për shkak se e ka pranuar ungjillin
Përpara orës mësimore, kopjojeni skemën vijuese në tabelë.
Kur fillon ora mësimore, ftojini studentët të shqyrtojnë skemën në tabelë. Kërkojuni të përsiatin në heshtje se ku do ta vendosnin veten e tyre në skemë. Gjithashtu sugjeroni që ata të marrin në shqyrtim se në cilin drejtim po lëvizin – më pranë Perëndisë apo më larg prej Tij. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrat se si mund të afrohemi më pranë Perëndisë.
“Nëse doni të qëndroni afër me dikë që ka qenë i dashur për ju, por nga i cili jeni larguar, ju e dini se si ta bëni atë. Ju do të gjenit një mënyrë për t’i folur atij, do ta dëgjonit atë dhe do të zbulonit mënyra për të bërë gjëra për njëri-tjetrin. Sa më shpesh që të ndodhte ajo, sa më shumë që të zgjaste, aq më e thellë do të ishte lidhja e dashurisë. Nëse do të kalonte shumë kohë pa folur, pa dëgjuar dhe pa bërë gjë, lidhja do të dobësohej.
Perëndia është i përkryer e i plotfuqishëm, dhe unë e ju jemi të vdekshëm. Por Ai është Ati ynë, Ai na do dhe na ofron të njëjtën mundësi për t’u afruar më pranë Tij, ashtu siç do të bënte një mik i dashur. Dhe ju do ta bëni këtë pothuaj në të njëjtën mënyrë: duke folur, duke dëgjuar dhe duke bërë” (“To Draw Closer to God”, Ensign, maj 1991, f. 66).
-
Sipas Presidentit Ajring, si mund të afrohemi më pranë Perëndisë? Si mendoni, çfarë do të thotë të flasësh, të dëgjosh dhe të bësh?
Shpjegoni se në ditët e hershme të Kishës një burrë i quajtur Uilliam E. Mek-Lelin u afrua më pranë Perëndisë kur mësoi rreth ungjillit të rivendosur. Ai u pagëzua më 20 gusht 1831. Shpejt pas kësaj ai u shugurua një plak dhe e shoqëroi Hajrëm Smithin për disa javë si misionar. Në tetor të vitit 1831 ai udhëtoi drejt Ohajos për një konferencë të Kishës. Ndërsa ishte atje, ai u takua me Profetin Jozef Smith. Më 29 tetor Vëllai Mek-Lelin u lut në fshehtësi, duke i kërkuar Zotit që nëpërmjet Jozef Smithit t’u jepte përgjigje pesë pyetjeve të veçanta. Pa ia treguar pyetjet Jozef Smithit, Vëllai Mek-Lelin kërkoi një zbulesë. Ndërsa Profeti diktonte zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhjet 66, Vëllai Mek‑Lelin zbuloi që secila prej pyetjeve të tij kishte marrë përgjigje. Zoti i dha atij udhëzime dhe paralajmërime që ta ndihmonte të qëndronte besnik dhe përfundimisht të merrte jetë të përjetshme.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 66:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar arsyet përse Zoti e bekoi Vëllanë Mek‑Lelin në kohën e kësaj zbulese.
-
Përse Vëllai Mek-Lelin kishte qenë në gjendje të merrte bekime nga Zoti? (Ngaqë ishte larguar prej mëkateve të tij, i kishte pranuar të vërtetat e Zotit dhe kishte marrë plotësinë e ungjillit.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 66:3 duke kërkuar atë që tha Zoti se Vëllai Mek‑Lelin nevojitej ende të bënte. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që mësojnë.
-
Si mendoni, çfarë do të thotë të jesh “i pastër, por jo i tëri”? (Mund t’ju nevojitet t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se, edhe pse Vëllai Mek‑Lelin kishte bërë përparim të madh dhe ishte bekuar për përpjekjet e tij, ai kishte ende nevojë të pendohej për disa mëkate.)
-
Çfarë mund të mësojmë nga këshilla e Zotit në vargun 3? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ne urdhërohemi që të pendohemi për të gjitha mëkatet tona. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)
-
Përse është e rëndësishme që të pendohemi për të gjitha mëkatet tona dhe jo vetëm për disa prej tyre?
Ftojini studentët të lexojnë sërish në heshtje vargun 3 duke kërkuar atë që do të bënte Zoti për ta ndihmuar Uilliam Mek-Lelinin të pendohej për të gjitha mëkatet e tij.
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth mënyrës se si do të na ndihmojë Zoti me pendimin tonë? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Zoti do të na i tregojë gjërat për të cilat ne kemi nevojë të pendohemi. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
-
Cilat janë disa nga mënyrat se si Zoti mund të na i tregojë gjërat për të cilat kemi nevojë të pendohemi?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring. Vëreni klasën të dëgjojë për një mënyrë se si mund t’i kërkojmë Zotit që të na ndihmojë të pendohemi.
“Një nga pyetjet që duhet t’i bëjmë Atit tonë Qiellor në lutje të fshehtë është kjo: ‘Çfarë kam bërë ose nuk kam bërë sot, që nuk të kënaq Ty? Sikur vetëm ta di, unë do të pendohem me të gjithë zemrën time pa u vonuar.’ Ajo lutje e përulur do të marrë përgjigje” (“Do Not Delay”, Ensign, nëntor 1999, f. 34).
Nxitini studentët të mendojnë për bekimet që ata kanë marrë kur janë larguar nga mëkati dhe e kanë pranuar ungjillin. Ftojini ata të kërkojnë të dinë gjërat për të cilat kanë nevojë të pendohen, që të marrin bekime edhe më të mëdha.
Doktrina e Besëlidhje 66:4–13
Zoti e urdhëron Uilliam E. Mek-Lelinin të shpallë ungjillin, të braktisë të gjithë padrejtësinë dhe të vazhdojë besnik deri në fund
Drejtojuni sërish premtimit të Zotit për t’i treguar Uilliam E. Mek-Lelinit mëkatet për të cilat kishte nevojë të pendohej. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 66:4. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar se çfarë tjetër i premtoi Zoti Vëllait Mek-Lelin se do t’i tregonte. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Përse është një bekim të dimë vullnetin e Perëndisë për ne?
Ndajeni klasën në dyshe. Vërini dyshet të lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 66:5–9 duke kërkuar çfarë donte Zoti që të bënte Vëllai Mek-Lelin. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
-
Sipas vargjeve 8–9, çfarë bekimesh do të merrte Vëllai Mek-Lelin nëse do të vepronte besnikërisht sipas vullnetit të Zotit? (Zoti do të ishte me të dhe do ta bekonte që të ishte i aftë të forconte besnikët dhe të shëronte të sëmurët.)
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth bekimeve që mund të marrim kur e ndjekim vullnetin e Zotit për ne? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi besnikë në bërjen e vullnetit të Zotit, Ai do të jetë me ne dhe do të na bekojë që të mund të përmbushim atë që Ai kërkon prej nesh.) Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Shpjegoni se përveçse Zoti i dha udhëzime Vëllait Mek-Lelin për atë duhej të bënte, Zoti i dha atij një paralajmërim. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy fjalitë e para të Doktrinës e Besëlidhjeve 66:10. Përpara se ai ose ajo të lexojë, vini në dukje se fjalia e parë përfshin fjalën rëndohesh. Shpjegoni që diçka na rëndon, në qoftë se ajo e bllokon udhën tonë ose e bën një detyrë shumë të vështirë për ta përmbushur.
-
Zoti e urdhëroi Vëllanë Mek-Lelin të “braktis[ë] gjithë padrejtësinë”. Si do ta pengonte padrejtësia ose mëkati Vëllanë Mek-Lelin nga puna misionare? Si na pengon padrejtësia shpirtërisht?
Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Zoti dëshiron që ne t’i braktisim të gjitha gjërat që e pengojnë përparimin tonë shpirtëror.
Nxitini studentët që në heshtje të marrin në shqyrtim gjërat në jetën e tyre që mund t’i pengojnë ata.
Lexoni me zë të lartë fjalinë e tretë të Doktrinës e Besëlidhjeve 66:10 dhe ftojeni klasën të kërkojë një paralajmërim të veçantë që Zoti ia dha Vëllait Mek-Lelin.
-
Sipas vargut 10, me çfarë tundimi kishte hasur vështirësi Vëllai Mek‑Lelin?
-
Nga vargu 10, çfarë mund të mësojmë rreth njohurisë së Zotit për secilin prej nesh? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti i njeh sfidat dhe tundimet tona të veçanta, ashtu siç i njihte Ai sfidat dhe tundimet e Vëllait Mek-Lelin. Merreni parasysh t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë pranë vargut 10.)
-
Si mendoni, përse është e rëndësishme të kuptojmë se Zoti i njeh sfidat dhe tundimet tona të veçanta?
Vini në dukje se përveç njohjes së sfidave dhe tundimeve tona, Zoti i njeh anët e forta dhe aftësitë tona. Ai di çdo gjë për secilin prej nesh. Kur e kuptojmë se Ai na do dhe na njeh përsosmërisht, ne mund të kërkojmë dhe të ndjekim vullnetin e Tij me vetëbesim dhe mund të mirëbesojmë tek Ai.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 66:11–13. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar këshillat shtesë që Zoti ia dha Uilliam Mek-Lelinit. Gjithashtu vëreni klasën të kërkojë bekimet që premtoi Zoti nëse Vëllai Mek-Lelin do t’i ndiqte ato këshilla. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Sipas vargut 12, çfarë duhet të bëjmë që të marrim jetë të përjetshme? (Ndihmojini studentët të pranojnë që nëse vazhdojmë me besnikëri deri në fund, ne do të marrim jetë të përjetshme. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
-
Çfarë do të thotë për ju të jeni besnikë deri në fund?
Shpjegoni se kur u dha kjo zbulesë, Vëllai Mek-Lelin kishte marrë një dëshmi për ungjillin e rivendosur. Pasi u dha kjo zbulesë, ai dëshmoi për thirrjen profetike të Jozef Smithit. Ai tha: “Jozef Smithi është një Profet i vërtetë … i Zotit dhe … ka fuqi dhe merr zbulesa nga Perëndia” (Letër nga Uilliam E. Mek-Lelini për të afërmit, 4 gusht 1832, Arkivat RLDS, f. 4; cituar në M. Russell Ballard, “What Came from Kirtland” [mbledhje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 6 nëntor 1994], f. 8, speeches.byu.edu). Vëllai Mek-Lelin shërbeu besnikërisht për disa vite dhe u thirr të shërbente si një nga anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në këtë periudhë ungjillore. Megjithatë, ai nuk vazhdoi me besnikëri deri në fund. Në fakt, ai u kthye kundër Profetit Jozef Smith dhe u shkishërua në vitin 1838. Ju mund të doni të lexoni me zë të lartë paragrafin vijues:
“Ndërsa Jozefi ishte në burg në Riçmond të Misurit, Mek-Lelini që ishte një burrë i fortë dhe aktiv, shkoi te sherifi dhe i kërkoi privilegjin që ta rrihte Profetin. Leja iu dha me kushtin që Jozefi do të ndeshej. Sherifi e bëri të njohur … kërkesën e zjarrtë të Mek‑Lelinit, me të cilën Jozefi ra dakord, nëse i hiqeshin prangat. Më pas Mek‑Lelini pranoi të ndeshej vetëm nëse do të kishte një kopaçe, gjë me të cilën Jozefi u tregua plotësisht i gatshëm; por sherifi nuk do t’i lejonte të luftonin në kushte të tilla të pabarabarta” (“History of Brigham Young”, Millennial Star, 17 dhjetor 1864, f. 808).
Drejtojeni vëmendjen e studentëve te skema në tabelë dhe sugjeroni që ata të marrin edhe një herë në shqyrtim se ku do ta vendosnin veten e tyre në atë skemë. Kërkojuni që të përsiatin pyetjen vijuese:
-
Çfarë do të bëni që të afroheni më pranë Perëndisë dhe të vazhdoni besnikërisht deri në fund?
Dëshmoni për doktrinat dhe parimet që keni diskutuar dhe nxitini studentët të veprojnë në bazë të tyre.