Mësimi 131
Doktrina e Besëlidhje 124:1–21
Hyrje
Kur Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 124 më 19 janar 1841, shenjtorët kishin qenë në Navu të Ilinoisit për gati dy vjet. Pas përndjekjeve dhe vështirësive që patën përjetuar, shenjtorët tani kishin një vend ku ata mund të mblidheshin e të ngrinin një qytet në paqe. Doktrina e Besëlidhje 124 është zbulesa e parë që Jozef Smithi e mori në Navu, e cila do të pranohej si shkrim i shenjtë. Ky seksion do të ndahet ndërmjet tri mësimeve. Ky mësim diskuton vargjet 1–21. Në këto vargje, Zoti urdhëroi që një shpallje t’u dërgohej sundimtarëve të tokës lidhur me Rivendosjen e ungjillit dhe kunjin e Sionit në Navu. Ai gjithashtu i përgëzoi dhe iu dha këshillë udhëheqësve të hershëm të Kishës.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 124:1–14
Zoti urdhëron që një shpallje e ungjillit t’u dërgohet sundimtarëve të tokës
Shkruajeni fjalën I fortë në tabelë. Pyetini studentët se çfarë lloj njeriu, sipas standardeve të botës, konsiderohet zakonisht të jetë i fortë. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë nën fjalën I fortë. Shkruajeni fjalën I dobët në tabelë. Pyetini studentët se çfarë tiparesh, sipas standardeve të botës, lidhen zakonisht me të qenit i dobët.
-
Në çfarë mënyrash përpiqet bota ta bëjë një të ri ose të re të ndihet i/e dobët sipas standardeve të botës?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:1, duke kërkuar atë që Zoti e përshkroi si të dobët. Ftojini studentët të raportojnë atë që zbuluan.
-
Në çfarë mënyrash mund të kishte qenë Jozef Smithi i dobët kur ai u thirr ta rivendoste ungjillin? Sipas vargut 1, përse Zoti do të thërriste të dobëtin për ta bërë punën e Tij? (Teksa studentët përgjigjen, përmblidhini përgjigjet e tyre duke shkruar në tabelë një parim të ngjashëm me sa vijon:Zoti e tregon urtësinë e Tij nëpërmjet gjërave të dobëta të tokës.)
-
Në çfarë mënyrash e vuri në dukje Zoti urtësinë e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith?
-
Si i lartësoi Zoti aftësitë e Jozef Smithit?
Kërkojuni studentëve të përmendin disa nga thirrjet ose detyrat që mund të marrin, ndërkohë që ata janë ende në rininë e tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë mësues shtëpie, anëtare e presidencës së një klase ose anëtar i presidencës së një kuorumi, misionar/e, të flasin në një mbledhje sakramenti ose ta shoqërizojnë dikë në lagjen ose degën e tyre.)
Drejtojuni parimit të shkruar në tabelë dhe bëni pyetjet vijuese:
-
Si mund të na ndihmojë të mbajturit mend të kësaj të vërtete kur marrim thirrje dhe detyra të ndryshme për të shërbyer në Kishë?
-
Si jeni bekuar ju nga ata që i kanë shërbyer besnikërisht Zotit, edhe pse ata mund të jenë parë si të dobët në sytë e botës?
Kujtojini studentët se, gjatë dimrit të viteve 1838–1839, shenjtorët u larguan me të shpejtë nga Misuri dhe u vendosën në Ilinois pranë lumit Misisipi. Atje shenjtorët filluan të ngrenë qytetin e Navusë. Pasi kishin duruar përndjekje dhe shumë vështirësi, shenjtorët më së fundi kishin një vend ku ata mund të mblidheshin dhe të ngrinin një qytet në paqe. Në dhjetor të vitit 1840, parlamenti i shtetit të Ilinoisit miratoi një akt themelues për qytetin e Navusë, i cili i lejoi shenjtorët të organizonin një qeveri vendore, të ngrinin një universitet dhe madje të formonin një milici vendore.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:2–3. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë çfarë donte Zoti që Jozef Smithi të bënte tani që shenjtorët ishin vendosur në Navu. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza këtë kunj te vargu 2 i referohet Navusë.)
-
Çfarë e thirri Zoti Jozef Smithin të bënte? (Të bënte një shpallje të ungjillit drejtuar sundimtarëve të tokës.)
Ftojini studentët të harxhojnë pak minuta duke shkruar në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do të përfshinin në një shpallje të ungjillit drejtuar sundimtarëve të tokës. Për t’i ndihmuar studentët, ju mund të doni t’u kërkoni atyre që të përsiatin për atë që e dinë se është e vërtetë në ungjill, dhe sugjeroni që të përfshijnë një dëshmi për ato të vërteta në shpalljet e tyre. Pas disa minutash, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që shkruan.
Kërkojuni studentëve të përmendin mënyrat e ndryshme në të cilat ne mund ta ndajmë ungjillin me njerëz të tjerë. (Shembujt mund të përfshijnë ndarjen nëpërmjet mediave shoqërore, shkrimin e një dëshmie në Librin e Mormonit dhe më pas t’ia jepni atë libër një shoku, dhe të ftuarit të dikujt në kishë ose në seminar.) Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.
-
Cilat kanë qenë disa nga mënyrat më të efektshme sipas të cilave ju u keni treguar njerëzve të tjerë për ungjillin?
Shkruani në tabelë dy titujt vijues: Si? dhe Përse?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:4–8. Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë se si donte Zoti që të shkruhej shpallja dhe vëreni gjysmën tjetër të kërkojë arsyen përse Zoti donte që të shkruhej shpallja. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i studiuar vargjet, ftojini disa prej tyre që të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë nën titullin e duhur atë që zbuluan.
Ftojini studentët të përcaktojnë një parim nga vargu 4, i cili na mëson se si do Zoti që ta ndajmë ungjillin me njerëz të tjerë. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë diçka të ngjashme me parimin vijues: Ne duhet ta shpallim ungjillin me zemërbutësi dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta shpallim ungjillin me zemërbutësi? Çfarë mendoni se do të thotë ta shpallim ungjillin me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë?
-
Referojuni listës në tabelë mbi mënyrat se si ta ndani ungjillin. Si mund ta ndajmë ungjillin me zemërbutësi dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë duke i përdorur këto metoda?
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:9 dhe të kërkojnë atë që Zoti tha se Ai do të bënte kur shenjtorët ta shpallnin ungjillin.
Ftojini studentët të përcaktojnë një doktrinë të dhënë mësim te vargu 9, lidhur me atë që Zoti mund të bëjë për ata që e dëgjojnë ungjillin. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë diçka të ngjashme me të vërtetën vijuese: Zoti mund t’i zbutë zemrat e atyre që e dëgjojnë ungjillin.
-
Si mund të lidhet kjo doktrinë me të vërtetën rreth mënyrës se si duhet ta shpallim ungjillin me zemërbutësi dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë?
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 124:10–14 duke shpjeguar që Zoti tha se Ai do t’u bënte thirrje sundimtarëve të tokës që t’u jepnin ndihmë shenjtorëve ndërkohë që shenjtorët u shpallnin atyre ungjillin. Përveç kësaj, Zoti e urdhëroi Robert B. Tomsonin ta ndihmonte Jozef Smithin që të shkruante proklamatën për ungjillin.
Shpjegoni që, edhe pse puna e shkrimit të kësaj proklamate filloi pak kohë pasi u mor zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 124, disa faktorë penguan që ajo të mos përfundohej dhe botohej deri disa vite më pas. Robert B. Tomsoni vdiq shtatë muaj pasi filloi shkrimi. Vdekja e tij, koha e përkushtuar për ndërtimin e Tempullit të Navusë dhe detyrimet e tjera e penguan përfundimin e proklamatës përpara vdekjes së Profetit Jozef Smith. Proklamata më në fund u përfundua nga Parli P. Prati dhe u botua si një pamflet në Nju-Jork-Siti më 6 prill 1845, dhe nga Millennial Star më 22 tetor 1845. (Shih Ezra Taft Benson, “A Message to the World”, Ensign, nëntor 1975, f. 32–34.)
Doktrina e Besëlidhje 124:15–21
Zoti u jep udhëzime udhëheqësve të Kishës në Navu
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur dikush u bëri atyre një përgëzim të sinqertë. Ftojini disa studentë t’i tregojnë përvojat e tyre dhe përse këto përgëzime ishin domethënëse për ta.
Shpjegoni se Zoti iu drejtua disa individëve në këtë zbulesë dhe i përgëzoi duke nxjerrë në pah pikat e tyre të forta dhe ndihmën e tyre. Ftojini studentët të studiojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 124:15–20 dhe të kërkojnë atë që tha Zoti rreth këtyre individëve. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shenjojnë frazat që iu bëjnë përshtypje. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’i drejtohen një ortaku dhe të tregojnë atë që zbuluan, duke përfshirë se cila thënie iu bëri përshtypje dhe përse.
Ju mund të doni të vini në dukje se te Doktrina e Besëlidhje 124:19 Zoti shpalli që tre burra besnikë, të cilët kishin vdekur kohët e fundit (Dejvid W. Pateni, Eduard Partrixhi dhe Jozef Smith Plaku, babai i Profetit) ishin marrë në praninë e Zotit.
Ftojini studentët të shqyrtojnë se çfarë tha Zoti rreth Hajrëm Smithit dhe Xhorxh Millerit te Doktrina e Besëlidhje 124:15, 20.
-
Si ndihet Zoti rreth atyre që kanë integritet moral? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Zoti i do dhe ka besim tek ata që kanë integritet të zemrës. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që na e mësojnë këtë parim te vargjet 15 dhe 20.)
-
Si do ta përkufizonit integritetin e zemrës?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Për mua, integritet moral do të thotë të bëjmë gjithmonë atë që është e drejtë dhe e mirë, pavarësisht nga pasojat e menjëhershme. Do të thotë të jemi të drejtë nga vetë thellësia e shpirtit tonë, jo vetëm në veprimet tona por, më e rëndësishmja, në mendimet tona dhe në zemrat tona. Integriteti moral vetjak nënkupton një besueshmëri dhe pakorruptueshmëri të atillë, saqë ne jemi të paaftë të jemi të gënjeshtërt ndaj një mirëbesimi ose besëlidhjeje” (“Personal Integrity”, Ensign, maj 1990, f. 30).
-
Bazuar në përkufizimin e Plakut Uirthlin, si mendoni ju, përse Zoti i do ata që kanë integritet të zemrës?
Ftojini studentët që të përsiatin mbi një aspekt të jetës së tyre, në të cilin ata mund të kenë më shumë integritet moral. Nxitini ata të caktojnë një synim vetjak për ta përmirësuar integritetin e tyre moral në atë fushë.
Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat që studentët i mësuan sot.