Mësimi 157
Deklarata Zyrtare 2
Hyrje
Gjatë shekullit të 20-të, puna misionare u përhap në mbarë tokën. Udhëheqësit e Kishës u lutën për udhërrëfim lidhur me kufizimet e shugurimit në priftëri dhe të ordinancave në tempull për anëtarët e Kishës me prejardhje afrikane. Një zbulesë përfundimtare i erdhi Presidentit të Kishës, Spenser W. Kimballit, dhe iu pohua këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në tempullin e Solt-Lejkut më 1 qershor 1978. Ata e shpallën zbulesën në një letër të datës 8 qershor 1978.
Sugjerime për Mësimdhënien
Deklarata Zyrtare 2
Zoti zbulon që bekimet e priftërisë dhe të tempullit mund t’i shtrihen çdo anëtari të denjë të Kishës
Ftojeni klasën të përfytyrojnë sikur kanë një mik i cili është shenjtor i ditëve të mëvonshme dhe po has vështirësi me disa pyetje rreth Kishës.
-
Çfarë do ta nxitnit mikun tuaj të bënte?
Pasi studentët të jenë përgjigjur, lexoni me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:
“Miq të mi të dashur, ne jemi njerëz që bëjmë pyetje sepse e dimë se kërkimi çon tek e vërteta. …
… Kërkimi është vendlindja e dëshmisë. Disa mund të ndihen në siklet ose të padenjë sepse kanë pyetje zhbiruese në lidhje me ungjillin, por ata nuk duhet të ndihen ashtu. Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie; është një pararendëse e rritjes.
Perëndia na urdhëron të kërkojmë përgjigje për pyetjet tona (shih Jakobi [Bibël] 1:5–6) dhe lyp vetëm që të kërkojmë ‘me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht[in]’ (Moroni 10:4). Kur bëjmë kështu, e vërteta e të gjitha gjërave mund të na shfaqet ‘nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë’ (Moroni 10:5).
Mos kini frikë; bëni pyetje. Jini kureshtarë, por mos dyshoni! Gjithmonë kapuni fort te besimi dhe te drita që tashmë keni marrë” (“Pasqyrimi në Ujë” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 1 nëntor 2009], LDS.org).
-
Çfarë na mësoi Presidenti Uhtdorf që mund ta ndihmojë dikë, i cili ka pyetje rreth Kishës?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë tregimin vijues të dy njerëzve, Elvesio dhe Ruda Martins, të cilët kërkuan ta merrnin dhe ta kuptonin të vërtetën duke bërë pyetje:
“Në një natë të kthjellët prilli të vitit 1972 … Elvesio Martins mendoi rreth kërkimit të familjes së tij për të vërtetën. Ai dhe gruaja e tij, Ruda, kishin hulumtuar shumë besime fetare, por asnjë nuk dukej se e mbushte zbrazëtinë e tyre shpirtërore. ‘Fola me Perëndinë atë natë, duke i kërkuar ndihmë’, thotë ai” (“Elder Helvécio Martins of the Seventy”, Ensign, maj 1990, f. 106).
Pak ditë më vonë, misionarët erdhën në shtëpinë e tyre në Rio-de-Zhanejro në Brazil. Plaku Martins kujtoi: “Në çastin kur ata dy djem të rinj vunë këmbë në apartamentin tonë, gjithë zymtësia ime dhe shqetësimi im shpirtëror u zhdukën menjëherë dhe u zëvendësuan nga një qetësi dhe kthjelltësi që tani e di se erdhi nga ndikimi i Shpirtit të Shenjtë” (me Mark Grover, The Autobiography of Elder Helvécio Martins [1994], f. 43).
Ndërsa Elvesio dhe Ruda, që janë me prejardhje afrikane, bashkëbiseduan me misionarët, Elvesio pyeti për rolin e njerëzve me ngjyrë në Kishë. Çifti Martins mësoi se në atë kohë rregulli i Kishës i kufizonte meshkujt me ngjyrë me prejardhje afrikane nga të qenit të shuguruar në priftëri. Kjo i çoi ata që t’u bënin misionarëve pyetje të mëtejshme.
-
Nëse do të kishit qenë në vend të familjes Martins, çfarë pyetjesh mund të kishit pasur kur mësuat për kufizimin e priftërisë?
Paraqitni deklaratën e mëposhtme, e cila është pjesë e hyrjes së Deklaratës Zyrtare 2. (Ju mund të doni të bëni kopje të kësaj hyrje për studentët, nëse ata nuk e kanë botimin e vitit 2013 të shkrimeve të shenjta.) Ftojeni një student ta lexojë deklaratën me zë të lartë dhe vëreni klasën të kërkojë përgjigjet e pyetjeve që njerëzit mund të kenë rreth kufizimit të priftërisë.
“Libri i Mormonit na mëson se ‘të gjithë janë njësoj para Perëndisë’ duke përfshirë ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ (2 Nefi 26:33). Gjatë historisë së Kishës, njerëz të çdo race dhe etnie në shumë vende janë pagëzuar dhe kanë jetuar si anëtarë besnikë të Kishës. Gjatë kohës që Jozef Smithi jetoi, disa anëtarë meshkuj me ngjyrë të Kishës u shuguruan në priftëri. Herët në historinë e saj, udhëheqësit e Kishës ndaluan së dhëni priftërinë meshkujve me ngjyrë me prejardhje afrikane. Analet e Kishës nuk ofrojnë ide të qarta lidhur me fillimet e kësaj praktike.”
-
Cilat pyetje rreth kufizimit të priftërisë mund të marrin përgjigje nëpërmjet kësaj deklarate?
Vini në dukje rreshtin që thotë se “analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me fillimet e kësaj praktike”. Sigurohuni që studentët e kuptojnë se, ndërkohë që disa njerëz mund të sugjerojnë arsye përse meshkujt me prejardhje afrikane nuk shuguroheshin në priftëri për njëfarë kohe, ato arsye mund të mos jenë të sakta. Deklarata e sapolexuar paraqet qëndrimin zyrtar të Kishës.
Ftojeni një student tjetër të lexojë paragrafin vijues duke përshkruar atë që bëri familja Martins pasi mësoi rreth ungjillit të rivendosur:
Familja Martins u pagëzua më 2 korrik 1972 dhe shërbeu besnikërisht në Kishë. Kur djali i tyre më i madh, Markusi, mori bekimin e tij patriarkal, atij iu premtua se do të predikonte ungjillin. Edhe pse kufizimi i priftërisë në atë kohë nuk e lejonte Markusin që të shërbente një mision kohëplotë, prindërit e tij hapën një llogari kursimesh për misionarin. Në vitin 1975, Kisha shpalli se një tempull do të ndërtohej në San-Paolo të Brazilit. Për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve, Motra Martins shiti bizhuteritë e saj. Vëllai Martins shërbeu besnikërisht si anëtar i komitetit të reklamimit për tempullin. Familja Martins i bëri këto sakrifica edhe pse besonin se nuk do ta kishin mundësinë për të marrë ordinanca priftërie në tempull.
-
Si mendoni ju, përse familja Martins ishte e gatshme të pagëzohej dhe të shërbente besnikërisht në Kishë, edhe pse ata u ndikuan nga kufizimi i priftërisë në atë kohë?
Ndërsa studentët e diskutojnë këtë pyetje, lexoni me zë të lartë përgjigjen e Vëllait Martins:
“‘Ne e kishim gjetur të vërtetën dhe asgjë nuk do të na ndalonte për ta jetuar atë’. … Kur Shpirti ju thotë se ungjilli është i vërtetë, … si mund ta mohosh atë?’” (në “Elder Helvécio Martins of the Seventy”, f. 106).
Vini në dukje se, ngaqë familja Martins kishte marrë dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ata ishin në gjendje të ecnin përpara, t’i mirëbesonin Zotit, pavarësisht nga gjërat që nuk i kuptonin.
-
Si mund të shërbejë familja Martins si shembull për ju kur keni pyetje? (Ne mund të mbahemi fort tek ajo që tashmë dimë dhe të qëndrojmë të fortë derisa të na vijë njohuria e mëtejshme.)
Shpjegoni se përveç familjes Martins, mijëra njerëz me prejardhje afrikane në kombe të ndryshme kishin arritur ta dinin vërtetësinë e ungjillit të rivendosur në dhjetëvjeçarët që paraprinë zbulesën e vitit 1978. Udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti morën një mori letrash nga të kthyer në besim të papagëzuar në Nigeri dhe Gana, të cilët kërkonin që misionarët të dërgoheshin në Afrikë. Për vite, udhëheqësit e Kishës plot lutje e morën në shqyrtim çështjen, por e ndien se koha nuk kishte ardhur ende për të dërguar misionarë në Afrikë, ku anëtarët vendorë nuk do të ishin në gjendje të kryesonin ose të kryenin ordinanca.
Informojini studentët se Deklarata Zyrtare 2 përmban shpalljen zyrtare të një zbulese që Presidenti Spenser W. Kimball mori më 1 qershor 1978. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë nën frazën “Të Dashur Vëllezër”. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që udhëheqësit e Kishës thanë se kishin dëshmuar.
-
Çfarë kishin dëshmuar udhëheqësit e Kishës kudo në tokë?
-
Me çfarë u frymëzuan udhëheqësit e Kishës ndërsa dëshmuan zgjerimin e punës së Zotit? (Me një dëshirë për t’ua shtrirë të gjitha bekimet e ungjillit të gjithë anëtarëve të denjë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin pasues (duke filluar me “Të ndërgjegjshëm për premtimet”). Ftojeni klasën të kërkojë se si vepruan udhëheqësit e Kishës lidhur me dëshirat e tyre të frymëzuara.
-
Si vepruan Presidenti Spenser W. Kimball dhe udhëheqës të tjerë të Kishës lidhur me dëshirat e tyre të frymëzuara?
-
Çfarë na mëson kjo rreth profetëve? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Profetët kërkojnë udhërrëfimin e Zotit në drejtimin e Kishës.)
Vini në dukje frazën “Të ndërgjegjshëm për premtimet e bëra nga profetët”.
-
Çfarë na mëson kjo frazë dhe fjalia me të cilën ajo fillon, rreth asaj që udhëheqësit e Kishës dinin lidhur me kufizimin e priftërisë? (Ata e dinin se një ditë, të gjithë meshkujt e denjë do të kishin mundësinë për ta marrë priftërinë.)
Shpjegoni se për shumë vite përpara vitit 1978, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e kishin diskutuar kufizimin e priftërisë dhe ishin lutur rreth saj. Udhëheqësit e Kishës ndien se nevojitej zbulesë me qëllim që të ndryshohej kufizimi, i cili ishte vendosur për më shumë se një shekull. Për ca kohë pyetja rëndonte shumë në mendjen e Presidentit Kimball dhe ai shkonte shpesh i vetëm në tempull për t’u lutur rreth saj.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy paragrafët pasues, duke filluar me “Ai i ka dëgjuar lutjet tona”. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar përgjigjen e Zotit ndaj lutjeve të Presidentit Kimball, të këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe të anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
-
Cila ishte përgjigjja e Zotit ndaj lutjeve të profetëve të Tij?
-
Çfarë mund të na mësojë kjo rreth mënyrës se si e drejton Zoti Kishën e Tij? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë profetëve të Tij.)
Shpjegoni se kjo zbulesë pati një ndikim të thellë te njerëzit në mbarë botën. Ftojeni një student të lexojë se si reaguan Elvesio Martins dhe gruaja e tij, Ruda, kur mësuan rreth saj:
“Nuk mund ta përmbaja emocionin. Ruda dhe unë shkuam në dhomën e gjumit, ramë në gjunjë dhe u lutëm. Ne derdhëm lot teksa e falënderonim Atin tonë në Qiell për një ngjarje të cilën vetëm e kishim ëndërruar. Dita me të vërtetë kishte ardhur, dhe në jetën tonë të vdekshme” (Autobiography, f. 69–70). Familja Martins u vulos në tempull. Biri i tyre, Markusi, ishte anëtari i parë i Kishës me prejardhje afrikane që shërbeu një mision pas zbulesës për t’i dhënë fund kufizimit të priftërisë. Elvesio Martins u bë një udhëheqës vendor i priftërisë dhe më së fundi u thirr për të shërbyer si anëtar i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve.
Shpjegoni se pak kohë pasi u mor zbulesa që i dha fund kufizimit të priftërisë, në Afrikë u dërguan misionarë. Që atëherë tempuj janë ndërtuar në atë kontinent dhe qindra mijëra njerëz atje kanë marrë ordinancat e ungjillit për veten e tyre dhe për paraardhësit e tyre të vdekur.
Vini në dukje se studentët mund të pyesin përse Kisha nuk i shuguroi në priftëri për njëfarë kohe burrat me prejardhje afrikane. Ftojini ata të marrin parasysh se si mund t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje.
Pohoni se është e përshtatshme që t’u shpjegoni të tjerëve se ne nuk e dimë përse filloi kufizimi i priftërisë. Përveç kësaj, ne mund të tregojmë dhe të dëshmojmë për të vërtetat që i dimë vërtet. (Ju mund të dëshironi t’u referoheni të vërtetave të shkruara në tabelë.) Përfundoni duke i ftuar studentët të ndajnë ndjenjat dhe dëshmitë e tyre. Ju gjithashtu mund të dëshironi të ndani dëshminë tuaj.