Seminare dhe Institute
Mësimi 156: Organizatat dhe Programet e Kishës


Mësimi 156

Organizatat dhe Programet e Kishës

Hyrje

Ndërsa Kisha ka vazhduar të rritet, Zoti i ka frymëzuar udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës që të vënë në përdorim organizata dhe programe brenda Kishës për t’i bekuar shenjtorët. Kur disa nga këto organizata dhe programe u krijuan fillimisht, nuk nevojiteshin patjetër, por, ndërsa Kisha është rritur, ato janë bërë vendimtare në punën e Zotit për shpëtimin e fëmijëve të Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Organizatat dhe programet e Kishës na ndihmojnë që të përgatitemi e të përparojmë drejt jetës së përjetshme

Fillojeni orën mësimore duke u kërkuar studentëve të përfytyrojnë sikur një shoqe nuk dëshiron të shkojë në mbledhjet dhe veprimtaritë e Të Rejave. Ajo thotë se nuk janë mjaft argëtuese dhe se janë harxhim i kotë i kohës së saj.

Pasi ta paraqitni këtë shembull, kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim në heshtje atë që mund të thonë për ta ndihmuar këtë shoqe ta kuptojë qëllimin e mbledhjeve dhe veprimtarive të Të Rejave.

  • Çfarë do të thoshit se është qëllimi i organizatave të Të Rinjve dhe Të Rejave?

  • Si mund t’i ndihmojë njohja e qëllimit të një organizate ata që janë pjesë e saj?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moisiun 1:39, duke kërkuar qëllimin e Atit Qiellor në gjithçka që Ai bën. Ftojini studentët të raportojnë mbi atë që gjejnë. Ju mund të keni nevojë t’i kujtoni studentët se pavdekësia i referohet gjendjes së të jetuarit përgjithmonë në një gjendje të ringjallur. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen, pavarësisht nga ligësia apo drejtësia e tyre në këtë jetë. Jeta e përjetshme i referohet të jetuarit përgjithmonë si familje në prani të Perëndisë dhe të bërjes si Ai. Sikurse pavdekësia, jeta e përjetshme bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Megjithatë, ajo gjithashtu kërkon “bindje[n tonë] ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit” (Nenet e Besimit 1:3).

  • Nëse qëllimi i Atit Qiellor është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij, cili është qëllimi i Kishës?

Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ndihmon Atin Qiellor që të bëjë të ndodhë jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij. Më pas, pyetni:

  • Cilat janë disa mënyra se si Kisha ndihmon që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Atit Qiellor?

Shpjegoni se Kisha ka një numër organizatash – të quajtura organizata ndihmëse të priftërisë – dhe programe të tjera që na ndihmojnë të përparojmë drejt jetës së përjetshme. Ftojini studentët të përmendin disa prej tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë Shoqatën e Ndihmës, Të Rinjtë, Të Rejat, Filloren dhe Shkollën e së Dielës, dhe programe të tilla si mbrëmja familjare dhe Seminaret e Institutet e Fesë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si na ndihmojnë organizatat dhe programet e Kishës të mësojmë dhe të përparojmë në ungjill në mënyrë që të marrim jetë të përjetshme, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Shpjegoni se kjo thënie është rreth programeve të seminarit dhe të institutit, por parimi që na mëson mund të gjejë zbatim edhe për organizatat ndihmëse dhe programet e tjera të Kishës.

Presidenti Bojd K. Paker

“Këto programe u filluan kur ishin të mira, por nuk nevojiteshin patjetër. Atyre iu dha koha për të lulëzuar dhe për t’u rritur drejt një mburoje për Kishën. Tani ato bëhen një dhuratë nga Perëndia për shpëtimin e Izraelit të tanishëm në kohën më sfiduese” (“Teach the Scriptures” [bisedë drejtuar arsimtarëve fetarë të SAK-ut, 14 tetor 1977], f. 3, LDS.org).

  • Si ju ka ndihmuar seminari që të përgatiteni për disa prej sfidave të jetës?

ikona e fletushkësShpjegoni se Zoti i ka frymëzuar organizatat dhe programet e shumta në Kishë që të na përgatitin për sfidat e jetës dhe që të na ndihmojnë të përparojmë drejt jetës së përjetshme. Për t’i ndihmuar studentët që të diskutojnë për ndihmën që marrin nga disa prej organizatave dhe programeve të Kishës, ndajeni klasën në gjashtë grupe. Jepini secilit grup një kopje të pyetjeve vijuese (ose shkruajini ato në tabelë) dhe një nga përmbledhjet historike vijuese. Kërkojuni studentëve që t’i studiojnë përmbledhjet në grupet e tyre dhe të përgatiten për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Si filloi kjo organizatë apo ky program?

Si mendoni se na përgatit që të përballemi me sprovat dhe sfidat e kohës sonë?

Si mendoni se na ndihmon që të përparojmë drejt jetës së përjetshme?

Shkolla e së Dielës

Në vitin 1849, një anëtar i Kishës, i quajtur Riçard Ballentajn, ndjeu se fëmijët kishin nevojë për një vend që të mësonin ungjillin në ditën e Shabatit. Ndërkohë, shenjtorët në Britaninë e Madhe po bënin tashmë klasa të Shkollës të së Dielës, dhe Vëllai Ballentajn filloi klasën e parë të Shkollës të së Dielës në Juta, në lagjen e tij në Solt-Lejk-Siti, në dhjetor të vitit 1849. Pak kohë pas kësaj, lagje të tjera filluan të zbatonin të njëjtën praktikë, secila duke përdorur programin e vet mësimor. Në vitin 1867, udhëheqësit e Kishës formuan Bashkimin Deseret të Shkollës të së Dielës i cili nxiti njëtrajtshmëri në programin mësimor. Deri në vitin 1870 ishin formuar më shumë se 200 klasa të Shkollës të së Dielës. Sot, lagjet dhe degët kanë klasa të shumta të Shkollës të së Dielës.

Të Rejat

Presidenti Brigam Jang u takua me bijat e tij në shtëpinë e tij më 28 nëntor 1869, dhe u kërkoi atyre të ishin udhëheqëse për t’i ndihmuar bashkëmoshataret e tyre që të fitonin dëshmi për ungjillin, të ishin të thjeshta në veshjet dhe veprimet e tyre, dhe të shmangnin prirjet dhe sjelljet si të botës. Në vitin 1870 u formua një organizatë zyrtare e të rejave për t’i nxitur këto synime. Kjo organizatë më së fundi u bë e njohur si Shoqata e Përmirësimit të Përbashkët të Të Rejave [Young Women’s Mutual Improvement Association] (YWMIA), e cila më vonë ndryshoi në Të Rejat. Në fillimin e viteve 1970, udhëheqëset paraqitën programin e Përparimit Personal. Në vitin 1985, ato paraqitën vlerat dhe temën e Të Rejave.

Të Rinjtë

Shoqata e Përmirësimit të Përbashkët të Të Rinjve [Young Men’s Mutual Improvement Association] (YMMIA) u organizua më 10 qershor 1875, nën drejtimin e Presidentit Brigam Jang. Kjo organizatë kishte si qëllim t’i ndihmonte të rinjtë të zhvilloheshin shpirtërisht dhe intelektualisht, si edhe t’u siguronte atyre veprimtari argëtuese. Në vitin 1913, Kisha u bë bashkëpjesëmarrëse me organizatën Skautistët e Amerikës në Shtetet e Bashkuara. Në nivel ndërkombëtar, janë krijuar bashkëpjesëmarrje me programe të tjera skautizmi atje ku është e mundur. Pësoi ndryshime edhe emri i organizatës, fillimisht duke u ndryshuar në Priftëria Aarone – MIA [Shoqata e Përmirësimit të Përbashkët], më pas Priftëria Aarone dhe më pas në Të Rinjtë. Në vitin 2001, udhëheqësit e Kishës paraqitën programin Detyra ndaj Perëndisë.

Fillorja

Në vitin 1877, Orelia Spenser Roxhers “ndjeu fuqishëm se duhej të bëhej diçka rreth sjelljes së djemve të lagjes së banimit, të cilët vraponin lirisht përmes qytetit ditë e natë. Ajo mendoi se shumë prej këtyre fëmijëve nuk po u mësoheshin parimet dhe vlerat bazë [që t’i përgatitnin ata] si në njohuri apo sjellje për ta çuar përpara ungjillin, ose edhe që të ishin prindër apo qytetarë të mirë” (“History of Primary”, lds.org/callings/primary/getting-started/history-of-primary). Ajo u takua me Eliza R. Snoun, e cila në atë kohë ishte duke shërbyer si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe ato morën leje nga Presidenti Xhon Tejlor që të organizonin një Fillore në Farmington të Jutës, nën drejtimin e Peshkopit Xhon Hes. Mbledhja e parë e Fillores, e mbajtur më 25 gusht 1878, u përbë nga 224 djem e vajza. Në vitin 1880 u thirr një presidente e përgjithshme e Fillores dhe klasat e Fillores filluan të organizoheshin në shumë lagje.

Seminaret dhe Institutet e Fesë

Në vitin 1888 Kisha themeloi një Këshill të përgjithshëm për Arsimimin dhe akademitë e Kishës dhe krijoi klasa fetare për të siguruar një themel shpirtëror për të mësuarin laik, për ata që nuk i ndiqnin akademitë e Kishës. Në vitin 1912, Xhozef F. Merill, një profesor dhe anëtar i Kishës, paraqiti një plan për t’i lejuar studentët në shkollat publike që të ndiqnin klasa fetare si pjesë e ditës së tyre shkollore. [Programi] u quajt seminar dhe klasat e para u mbajtën pranë shkollës së mesme “Granit” në Solt-Lejk-Siti të Jutës, me 70 studentë të regjistruar. Ndërkohë që programi i seminarit u përhap, një program i ngjashëm u themelua për të rinjtë e moshës universitare. Ai u quajt Instituti Shenjtor i Ditëve të Mëvonshme për Fenë dhe klasat e institutit filluan në 1926 në Moskë të Ajdahos. Në fillim të viteve 1950, në Kaliforni filloi një program i seminarit herët në mëngjes, në vitet 1960 filloi programi i seminarit të studimit në shtëpi dhe seminaret e institutet e fesë kanë vazhduar të zgjerohen anembanë botës.

Mbrëmja Familjare

Presidenti Jozef F. Smith dha mësim se programet e Kishës duhet të jenë “shtesa të mësimdhënieve dhe trajnimeve tona në shtëpi. Asnjë fëmijë ndër njëqind nuk do të shkonte në udhë të gabuar, nëse mjedisi, shembulli dhe trajnimi në shtëpi do të ishin në harmoni me të vërtetën në Ungjillin e Krishtit” (“Worship in the Home”, Improvement Era, dhjetor 1903, f. 138). Në vitin 1909, Kunji Granit në Solt-Lejk-Siti, në Juta, filloi një program javor të mbrëmjes së shtëpisë, për të cilin Presidenti Smith tha se ishte i frymëzuar. Në vitin 1915, Presidenca e Parë rekomandoi që mbrëmjet mujore të shtëpisë të pranoheshin kudo në Kishë. Presidenca e Parë premtoi: “Nëse shenjtorët i binden kësaj këshille [për ta respektuar mbrëmjet e shtëpisë], ne premtojmë se do të vijnë bekime të mëdha. Dashuria në shtëpi dhe bindja ndaj prindërve do të rriten. Besimi do të zhvillohet në zemrat e rinisë së Izraelit dhe ata do të fitojnë fuqi për të luftuar ndikimin dhe tundimet e liga që i sulmojnë ata” (në James R. Clark, përmb., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. [1965–1975], 4:339). Pesëdhjetë vjet më vonë, Kisha botoi manuale për familjet që t’i përdornin në udhëzimet javore të ungjillit. Në vitin 1970 udhëheqësit e Kishës i përcaktuan mbrëmjet e të hënave për mbrëmjen familjare dhe shpallën se asnjë veprimtari tjetër e Kishës nuk duhej të mbahej atë natë.

Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni studentëve në secilin grup që të përmbledhin historinë e organizatës apo programit që iu caktua atyre dhe të shpjegojnë përgjigjet e tyre për pyetjet që diskutuan.

Shpjegoni që çdo organizatë dhe program i Kishës fillimisht funksionoi i pavarur. Ndërsa Kisha u zgjerua jashtëzakonisht në vitet 1950, udhëheqësit e Kishës e panë të nevojshme që të vlerësonin se si organizatat e Kishës po i arrinin synimet e Kishës. Ata vendosën t’i përmbledhin dhe bashkërendojnë të gjitha organizatat dhe programet e Kishës si në administrim ashtu dhe në përzgjedhjen e programit mësimor. Këto ndryshime i ndihmuan organizatat dhe programet që t’i përmbushnin më mirë nevojat e ndërlikuara të Kishës në rritje dhe ta forconin familjen. Nën këtë përpjekje bashkërenduese të gjitha organizatat e Kishës veprojnë nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë, të cilët mbajnë çelësat për të kryesuar.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Brus R. Mek–Konki

“Bashkërendimi është ai sistem i administrimit të kishës në të cilin ne i marrim të gjitha programet e Kishës, i sjellim ato te një pikë përqendrimi, i mbështjellim në një paketë, i vëmë në veprim si një program, i përfshijmë të gjithë anëtarët e Kishës në atë veprim – dhe e bëjmë të gjithë atë nën drejtimin e priftërisë” (Let Every Man Learn His Duty [broshurë, 1976], f. 2).

Shkruani në tabelë parimin vijues: Kur marrim pjesë në organizata dhe programe të Kishës, ne marrim bekimet që janë të arritshme nëpërmjet tyre. Më pas shkruani në tabelë pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’i përgjigjen atyre në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Si e kanë bekuar jetën tuaj organizatat dhe programet e Kishës? Në ç’mënyrë e ka bekuar jetën tuaj Detyra ndaj Perëndisë apo Përparimi Personal?

Si do të merrni pjesë në mënyrë më të plotë te Të Rinjtë ose Të Rejat? Në Shkollën e së Dielës? Po në mbrëmjen familjare? Në seminar?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë se çfarë kanë shkruar. Ju gjithashtu mund të jepni mendimet tuaja rreth mënyrës se si organizatat e Kishës e bekojnë jetën tuaj dhe ju ndihmojnë ju dhe familjen tuaj të përparoni drejt jetës së përjetshme.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Rëndësia e seminarit

Presidenti Tomas S. Monson përshkroi rëndësinë e seminarit:

Presidenti Tomas S. Monson

“Përveçse të ndiqni mbledhjet tuaja të së dielës dhe aktivitetet gjatë mbrëmjeve të javës, kur të keni mundësinë që të përfshiheni në seminar, qoftë herët në mëngjes ose gjatë orëve të lira mësimore, shfrytëzojeni atë mundësi. Shumë prej jush po e frekuentojnë tani seminarin. Ashtu si me çdo gjë në jetë, shumë prej asaj që do të merrni nga përvoja juaj në seminar, varet nga qëndrimi juaj dhe gatishmëria për t’u mësuar. Qoftë qëndrimi juaj një qëndrim përulësie dhe dëshire për të mësuar. Sa mirënjohës jam për mundësinë që pata kur isha adoleshent për të frekuentuar seminarin herët në mëngjes, sepse ai luajti një rol jetik në zhvillimin tim dhe në zhvillimin e dëshmisë sime. Seminari mund të ndryshojë jetën” (“Besoni, Binduni dhe Duroni”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 128).