Mësimi 55
Doktrina e Besëlidhje 47–48
Hyrje
Në mars të vitit 1831, pothuajse një vit pas organizimit të Kishës, Profeti Jozef Smith mori zbulesat që tani shënohen si seksionet 47 dhe 48 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Përpara kësaj kohe Oliver Kaudëri kishte vepruar si historian dhe shkrues analesh për Kishën. Në këtë rol ai mbajti një anal të zbulesave që kishte marrë Profeti. Megjithatë, Oliver Kaudëri kishte qenë në mision që nga mesi i tetorit të vitit 1830 dhe, si rrjedhim, nuk ishte në gjendje të vazhdonte si historian dhe shkrues analesh. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 47 Zoti thirri Xhon Uitmerin që ta zëvendësonte Oliverin në këtë detyrë. Gjatë kësaj kohe, shenjtorët në Ohajo gjithashtu kërkuan udhëzim lidhur me mënyrën se si t’i ndihmonin anëtarët e Kishës që po largoheshin nga Nju-Jorku. Në këtë zbulesë që tani përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 48, Zoti i udhëzoi shenjtorët ta ndanin tokën e tyre me ata që ishin në nevojë dhe të përgatiteshin për të ngritur themelin e Sionit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 47
Zoti e cakton Xhon Uitmerin që të shkruajë një histori të Kishës
Kërkojuni studentëve të mendojnë për përvoja të rëndësishme shpirtërore që i kanë pasur, të cilat mendojnë se janë të vlefshme për t’u kujtuar. (Për shembull, ata mund të mendojnë për ngjarje të tilla si një përkushtim tempulli apo një mbledhje e Kishës, ose ata mund të reflektojnë rreth një kohe kur morën një përgjigje ndaj një lutjeje apo e ndien praninë e Frymës së Shenjtë.) Ftojini disa studentë që t’i tregojnë këto përvoja. Bëjuni secilit prej këtyre studentëve pyetjet vijuese:
-
Përse ishte kuptimplote për ju kjo përvojë?
-
Si mendoni, përse është e rëndësishme ta mbani mend këtë përvojë?
-
Si mund t’i bekojë pasardhësit tuaj një anal i kësaj përvoje?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 47. Vëreni klasën ta ndjekë atë duke kërkuar atë që Zoti e thirri të bënte Xhon Uitmerin. Më pas ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 47:1 duke kërkuar atë që Zoti e përshkroi si të dobët. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që mësojnë. (Ju mund të doni t’i kujtoni studentët se, në një zbulesë të mëparshme, Zoti tha: “Do të ketë një anal të mbajtur mes jush” [DeB 21:1]. Shpjegoni se në Kishë sot, Presidenca e Parë thërret një Historian dhe Shkrues Analesh të Kishës [zakonisht i quajtur si Historiani i Kishës] dhe e paraqet atë burrë për një votë mbështetjeje.)
-
Si mendoni, përse është e rëndësishme që të shkruhen anale të historisë së Kishës?
-
Cilat janë disa ngjarje nga historia e Kishës që ju kanë frymëzuar veçanërisht?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Marlin K. Xhensen, i Të Shtatëdhjetëve, që shërbeu si Historiani i Kishës nga viti 2005 deri në 2012:
“Ka ngjarje të tjera të madhërishme në historinë tonë të cilat meritojnë të njihen dhe të mësohen në kishë dhe në shtëpi. Mësimet e Kirtlandit, sprovat e Misurit, triumfet e dëbimi përfundimtar i shenjtorëve nga Nauvuja dhe shtegtimi drejt perëndimit i pionierëve janë histori që i frymëzojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme në çdo tokë dhe gjuhë. Por ka histori po aq emocionuese rreth ngritjes e përparimit të Kishës dhe ndikimit të ungjillit në jetën e anëtarëve të thjeshtë në çdo komb të prekur nga ungjilli i rivendosur. Këto nevojitet të shkruhen dhe të ruhen gjithashtu.
… Shumë prej ngjarjeve më të madhërishme të Kishës përmbahen në historitë vetjake e familjare dhe këto janë një pjesë e trashëgimive tona individuale e familjare” (“There Shall Be a Record Kept among You”, Ensign, dhjetor 2007, f. 31).
-
Si mendoni, përse kanë rëndësi historitë vetjake e familjare?
Drejtojuni përvojave të studentëve të kujtuara në fillim të orës mësimore. Kërkojuni të përfytyrojnë se fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre po i lexojnë historitë e tyre vetjake të atyre përvojave. Ftojeni secilin student të përsiatë pyetjet vijuese:
-
Cilën pjesë të përvojës do ta theksonit? Çfarë do të dëshironit të ndiente dhe dinte familja juaj si rezultat i leximit të përvojës suaj?
Shpjegoni se parimet që ndoqi Xhon Uitmeri si Historiani dhe Shkruesi i Analeve të Kishës, gjithashtu mund të zbatohen për historitë tona vetjake dhe familjare. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 47:4 për të mësuar atë që Zoti premtoi nëse Xhon Uitmeri do të ishte besnik në përpjekjet e tij.
-
Çfarë i premtoi Zoti Xhon Uitmerit? (Zoti premtoi se Ngushëlluesi – Fryma e Shenjtë – do ta ndihmonte atë në përpjekjen e tij për ta shkruar historinë e Kishës.)
-
Si mund ta përqasim këtë me përpjekjet tona për t’i mbajtur historitë vetjake e familjare? (Ndihmojini studentët të dallojnë parimin vijues: Nëse jemi besnikë në përpjekjet tona për t’i mbajtur historitë vetjake e familjare, Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Si mund ta ndihmojë Fryma e Shenjtë një njeri ndërkohë që ai ose ajo e mban një histori vetjake ose familjare?
Ndërkohë që studentët e diskutojnë këtë pyetje, ndihmojini të kuptojnë se Fryma e Shenjtë mund të sjellë gjëra në kujtesën tonë (shih Gjoni 14:26) dhe mund të na ndihmojë të shkruajmë rreth ngjarjeve dhe situatave në një mënyrë që do t’i bekojë anëtarët e familjes dhe të tjerët.
Nxitini studentët të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë, ndërkohë që i mbajnë historitë e tyre vetjake e familjare.
Doktrina e Besëlidhje 48
Zoti i udhëzon shenjtorët në Ohajo për t’i ndihmuar ata që po vinin nga Nju-Jorku
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se shenjtorëve në një zonë të largët iu është dashur të shpërngulen nga shtëpitë e tyre. Udhëheqësit e Kishës u kanë kërkuar familjeve të studentëve të sigurojnë ushqime dhe strehim për disa muaj për disa nga familjet e shpërngulura.
-
Çfarë pyetjesh dhe shqetësimesh mund të keni ju dhe familja juaj rreth kësaj kërkese?
-
Çfarë shqetësimesh dhe ndjenjash mendoni se do të kishin ata njerëz që po vinin në shtëpinë tuaj?
Ftojini studentët të kthehen te Harta 3 (“Zona e New York-ut, Pennsylvania-s dhe Ohio-s në SHBA”) në seksionin e Hartave të Historisë së Kishës në shkrimet e tyre të shenjta. Kërkojuni të gjejnë në hartë Fajetin e Nju-Jorkut dhe Kirtlandin e Ohajos dhe përcaktoni largësinë e përafërt midis këtyre qyteteve (rreth 400 kilometra). Kujtojini studentët që në dhjetor të vitit 1830 Zoti i urdhëroi shenjtorët në Nju‑Jork që të lëviznin për në Ohajo (shih DeB 37:3).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 48:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti u tha shenjtorëve në Ohajo të bënin për anëtarët e Kishës që po lëviznin për në krahinë. Më pas kërkojuni studentëve të raportojnë atë që kanë mësuar.
-
Çfarë i urdhëroi Zoti që të bënin shenjtorët në Ohajo? (Ai i urdhëroi ata që kishin tokë për ta ndarë atë me shenjtorët që po lëviznin për në zonë.) Cili është një parim që mund ta mësojmë nga ky urdhërim? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Zoti i urdhëron shenjtorët e ditëve të mëvonshme që të ndajnë atë që kanë me njerëzit nevojtarë. Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se jo të gjithë shenjtorët në Ohajo kishin tokë për ta ndarë dhe se disa prej anëtarëve nga Nju-Jorku iu kërkua ta blinin tokën e tyre.)
-
Cilat janë disa mënyra se si mund t’u japim nga ajo që kemi të tjerëve?
Kërkojuni studentëve të tregojnë për përvoja që kanë pasur kur ata kanë dëshmuar njerëz duke u dhënë njerëzve nevojtarë. Ju gjithashtu mund t’i ftoni të përshkruajnë raste kur kanë përfituar nga zemërgjerësia dhe shërbimi i dikujt tjetër.
Për të dhënë një shembull të ndihmës së dhënë njerëzve nevojtarë, kërkojini një studenti të lexojë tregimin vijues nga Presidenti Tomas S. Monson rreth një përvoje që pati ai me klasën e tij të Fillores kur ishte djalë i vogël:
“Ne ndërmorëm një projekt për t’i kursyer qindarkat për atë që duhej të ishte një festë madhështore e Krishtlindjes. Motra Gerç mbajti një shënim të kujdesshëm të përparimit tonë. Si djem me orekse tipike, ne i konvertuam në mendjet tona shumat monetare në keke, biskota, torta dhe akullore. Kjo do të ishte një ngjarje e lavdishme. Kurrë më parë nuk kishte sugjeruar ndonjë nga mësuesit tanë për një mbrëmje shoqërore siç do të ishte kjo.
Muajt e verës u venitën drejt muajve të vjeshtës. Vjeshta u kthye në dimër. Qëllimi i mbrëmjes sonë ishte arritur. Klasa ishte rritur. Mbizotëronte një shpirt i mirë.
Askush prej nesh nuk do ta harrojë atë mëngjes të zymtë kur mësuesja jonë e dashur na shpalli se kishte vdekur nëna e njërit prej shokëve të klasës sonë. Menduam për vetë nënat tona dhe se sa të rëndësishme ishin ato për ne. Ndiem për Billi Devenportin hidhërim të sinqertë për humbjen e tij të madhe.
Mësimi atë të diel ishte nga libri i Veprave të Apostujve, kapitulli 20, vargu 35: ‘Kujto[ni] fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!”’ Në përfundim të paraqitjes së një mësimi të përgatitur mjaft mirë, Lusi Gerçi na foli lidhur me gjendjen ekonomike të familjes së Billit. Ishin kohët e Depresionit dhe paratë mezi gjendeshin. Me një shkëlqim në sy, ajo tha: ‘Si do të donit ta ndiqnit këtë mësim të Zotit tonë? Si do të ndiheshit nëse i merrnim të ardhurat për festën tonë dhe, si klasë, ua jepnim familjes Devenport si një shprehje të dashurisë sonë?’ Vendimi ishte i njëzëshëm. E numëruam me shumë kujdes çdo qindarkë dhe e vendosëm shumën përfundimtare në një zarf të madh. Një kartolinë e bukur u ble dhe u shkrua me emrat tanë.
Ky veprim i thjeshtë i mirësisë na lidhi së bashku të gjithëve” (“Your Personal Influence”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 21–22).
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim? Si mund ta bekojnë mirësia dhe shërbimi jetën e dhënësit si edhe të marrësit?
Ftojini studentët të tregojnë një përvojë që e kanë pasur kur ata i kanë ndihmuar (ose kanë parë njerëz të tjerë të ndihmojnë) njerëzit në nevojë. Nxitini studentët të mendojnë rreth një mënyre se si ata mund ta ndihmojnë dikë brenda javës që vjen.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 48:4–6 duke shpjeguar se Zoti donte që shenjtorët të përgatiteshin për të blerë tokë kur Ai të zbulonte vendndodhjen e qytetit të Sionit ose të Jerusalemit të Ri. Zoti i urdhëroi shenjtorët që t’i kursenin tërë të ardhurat që mundeshin, në përgatitje për ngritjen e themelit të atij qyteti (shih DeB 48:4–6). Thojuni studentëve se ata do të mësojnë më shumë rreth përpjekjeve të shenjtorëve për ta ngritur qytetin e Sionit në mësimet e ardhshme.