Seminare dhe Institute
Mësimi 111: Doktrina e Besëlidhje 106:1–107:20


Mësimi 111

Doktrina e Besëlidhje 106:1–107:20

Hyrje

Më 25 nëntor 1834, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 106. Në këtë zbulesë, Zoti e thirri Uorren A. Kaudërin, një vëlla më i madh i Oliver Kaudërit, që të kryesonte mbi Kishën në Fridom të Nju-Jorkut dhe në komunitetet përreth. Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 107 rreth prillit të vitit 1835, kur të gjithë anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve po përgatiteshin për të shërbyer në misione, në lindje të Shteteve të Bashkuara. Në një deklaratë të shkruar, të Dymbëdhjetët thanë: “Koha kur ne do të jemi gati për t’u ndarë është pranë; dhe vetëm Perëndia e di se kur do të takohemi përsëri; prandaj ne ndiejmë që t’i kërkojmë atij, të cilin e kemi pranuar si Profetin dhe Shikuesin tonë, që ai ta pyesë Perëndisë nga ana jonë dhe të marrë një zbulesë, … që ne të mund ta kemi parasysh kur të jemi të ndarë, që zemrat tona të mund të ngushëllohen” (në History of the Church, 2:209–210). Zbulesa u shënua në vitin 1835, por “analet historike pohojnë se shumica e vargjeve 60 deri në 100 përfshijnë një zbulesë të dhënë nëpërmjet Jozef Smithit më 11 nëntor 1831” (hyrja e DeB 107). Ky është mësimi i parë i tre mësimeve në këtë manual mbi Doktrinën e Besëlidhjet 107.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 106

Zoti e thërret Uarren Kaudërin si priftin e lartë kryesues në Fridom të Nju-Jorkut

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata kanë mbështetur një peshkop apo një president të ri të degës.

  • Si mendoni se u ndie ai person kur u mbështet?

Shpjegoni se në vitin 1834, Kisha përjetoi rritje domethënëse në Fridom të Nju-Jorkut, disi më pak se 200 milje (afro 320 kilometra) larg nga Kirtlandi i Ohajos. Zoti thirri një udhëheqës priftërie që të kryesonte mbi anëtarët atje. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 106:1–3.

  • Çfarë e udhëzoi Zoti Uorren Kaudërin të bënte?

Shpjegoni se ndjenjat e Vëllait Kaudëri mund të kenë qenë të ngjashme me ato të një peshkopi apo presidenti të ri të degës sot. Zoti tha fjalë ngushëlluese teksa Vëllai Kaudëri pranoi thirrjen e tij të re. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 106:6. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të zbulojë arsyen përse Zoti ishte i kënaqur me Vëllain Kaudëri.

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “iu përkul skeptrit tim”? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni të shpjegoni se një skeptër është një shkop që mbahej nga mbretërit dhe mbretëreshat. Ai është simbol i autoritetit.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “e veçoi veten nga dredhitë e njerëzve”?

Në tabelë, shkruani Nëse , atëherë . Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 106:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën dhe premtimet e Zotit për Vëllain Kaudëri. Ftojini studentët ta shkruajnë atë që zbulojnë, duke shkruar një parim “nëse-atëherë” në shkrimet e tyre të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë parimet që kanë përcaktuar. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Nëse e përulim veten tonë përpara Zotit, atëherë Ai do të ketë mëshirë për ne, do të na lartësojë dhe do të na japë hir dhe siguri.)

  • Në çfarë mënyrash Zoti i lartëson ata që e përulin veten e tyre përpara Tij?

Dëshmoni se ne mund t’i marrim bekimet e premtuara Uorren Kaudërit nëse e përulim veten tonë përpara Zotit.

Doktrina e Besëlidhje 107:1–20

Zoti jep mësim rreth Priftërisë Melkizedeke dhe asaj Aarone

Shpjegoni se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 107, ndihmoi për të qartësuar organizimin dhe përgjegjësitë e Presidencës së Parë, Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve.

Lexojeni përshkrimin vijues të një profeti të Dhiatës së Vjetër. Ftojini studentët të hamendësojnë se kë mendojnë ata që po përshkruani.

Ky profet “ishte një njeri i besimit, që solli drejtësi; dhe kur ishte fëmijë, ai e kishte frikë Perëndinë dhe u zuri gojën luanëve dhe e fiku fuqinë e zjarrit” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:26 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta; (f. 219)]). Si mbreti i Salemit, ai “vendosi paqe në tokë në ditët e tij; prandaj ai u quajt princi i paqes” (Alma 13:18). Profeti Abraham i pagoi atij të dhjetat (shih Alma 13:15).

Pasi disa studentë të përpiqen të gjejnë emrin e këtij profeti, shkruani Melkizedeku në tabelë. Vërini studentët ta shqyrtojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:1–4 duke kërkuar atë që na mësojnë këto vargje rreth Melkizedekut.

  • Si quhej Priftëria Melkizedeke përpara kohës së Melkizedekut? Pse ajo tani quhet Priftëria Melkizedeke?

Shkruajeni në tabelë parimin vijues: Priftëria Melkizedeke është sipas urdhrit të Birit të Perëndisë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë te vargu 3.

  • Çfarë na sugjeron ky parim rreth mënyrës se si mbajtësit e priftërisë duhet t’i përmbushnin përgjegjësitë e tyre?

Si pjesë të këtij diskutimi, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Presidenti Bojd K. Paker

“Kur autoriteti i priftërisë ushtrohet siç duhet, mbajtësit e priftërisë bëjnë atë që Ai [Jezu Krishti] do të bënte nëse Ai do të ishte i pranishëm” (“ Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 7).

Renditni në tabelë organizatat vijuese të Kishës: Shoqata e Ndihmës, Shkolla e së Dielës, Të Rinjtë, Të Rejat dhe Fillorja. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:5, 8–9, duke kërkuar fjalë dhe fraza që na mësojnë se si lidhen këto organizata me Priftërinë Melkizedeke. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë është një shtesë? (Një pjesë e trupit, e tillë si një krah ose një këmbë.)

  • Sipas vargut 8, çfarë të drejte dhe autoriteti mban Priftëria Melkizedeke? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, ju mund të doni ta shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Priftëria Melkizedeke mban të drejtën e kryesimit, fuqisë dhe autoritetit mbi gjithë detyrat në Kishë, dhe autoritetin për të administruar në gjërat shpirtërore. Shpjegoni se “administr[imi i] gjëra[ve] shpirtërore” përfshin administrimin e bekimeve, ordinancave dhe besëlidhjeve.)

Shpjegoni se presidenca e përmendur në vargun 9 është Presidenca e Parë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:10 dhe vëreni klasën të kërkojë se kush tjetër ka të drejtën për të kryesuar nën drejtimin e Presidencës së Parë. Ndërsa studentët raportojnë atë që mësojnë, ndihmojini të kuptojnë se presidencat e kunjit dhe peshkopatat janë shembuj të kryesimit të priftërinjve të lartë në vetë pozitën e tyre, nën udhëheqjen e Presidencës së Parë.

Referojuni emrave të organizatave që keni shkruar në tabelë. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë marrëdhënien midis këtyre organizatave dhe udhëheqësve të priftërisë në kunj dhe lagje, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef F. Smith:

Presidenti Jozef F. Smith

“Nuk ka qeveri në Kishën e Jezu Krishtit të ndarë ose të veçuar, mbi ose jashtë Priftërisë së shenjtë apo autoritetit të saj. … [Organizatat ndihmëse] nuk janë jashtë, as mbi të, as përtej shtrirjes së saj. Ata e pranojnë parimin e Priftërisë. Kudo që ato janë, ato ekzistojnë gjithmonë me synimin e arritjes së disa gjërave të mirave; shpëtimin e shpirtit të dikujt, të përkohshëm ose shpirtëror” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 341–342).

Ftojini studentët ta shqyrtojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:18–19 për të zbuluar atë autoritet shtesë që mban Priftëria Melkizedeke.

  • Sipas vargut 18, çfarë autoriteti mban Priftëria Melkizedeke? (Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese ndërkohë që studentët e përcaktojnë atë: Priftëria Melkizedeke mban çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të Kishës.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë të vërtetë, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith. Vëreni klasën të dëgjojë për bekimet shpirtërore që vijnë nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke.

Profeti Jozef Smith

“[Priftëria Melkizedeke] është kanali nëpërmjet të cilit zbulohet nga qielli gjithë njohuria, doktrina, plani i shpëtimit dhe çdo çështje e rëndësishme” (në History of the Church, 4:207).

  • Cilat bekime shpirtërore të përshkruara te vargu 19 ju lënë mbresë? Përse?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se ata që e mbajnë Priftërinë Melkizedeke duhet ta përdorin atë për t’i ndihmuar njerëzit e tjerë që të marrin bekime, të tilla si dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe bekimet e tempullit.

  • Cilat janë disa prej bekimeve që keni marrë nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke?

Shpjegoni se Zoti përshkroi të vërteta të zbuluara edhe rreth autoritetit të Priftërisë Aarone. Ftojini tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 107:13–14, 20. Kërkojini klasës t’i ndjekë dhe të përcaktojë autoritetin që mban Priftëria Aarone.

  • Çfarë autoriteti mban Priftëria Aarone? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Priftëria Aarone mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të administrimit të ordinancave të jashtme.)

  • Cila ordinancë përmendet te vargu 20? Cilat ordinanca të tjera të jashtme administrohen nga autoriteti i Priftërisë Aarone? (Sakramenti.)

  • Cilat janë disa prej bekimeve që keni marrë nëpërmjet Priftërisë Aarone?

Shkruani sa më poshtë si tituj në tabelë:

Detyrat e Priftërisë Melkizedeke Detyrat e Priftërisë Aarone

Përpara orës mësimore, shkruajini detyrat e mëposhtme të priftërisë në copa të veçanta letre: dhjak, mësues, prift, peshkop, plak, prift i lartë, patriark, i Shtatëdhjetë, Apostull. Vendosini letrat në një enë në mënyrë rastësore.

Në këtë pikë të mësimit, ndajini letrat midis disa studentëve. Ftojini studentët të vijnë te tabela dhe ta vendosin secilën detyrë nën titullin e saktë.

Disa studentë mund të thonë se detyra e peshkopit është një detyrë e Priftërisë Melkizedeke. Nëse e bëjnë këtë, ftojeni njërin prej tyre ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:13, 15. Kërkojuni studentëve t’i përdorin këto vargje për të përcaktuar se ku duhet ta vendosin detyrën e peshkopit në tabelë. Shpjegoni se detyra e peshkopit është një detyrë në Priftërinë Aarone. Një peshkop është presidenti i Priftërisë Aarone dhe prifti i lartë kryesues në lagjen e tij. (Vini re se thirrja e pasardhësve të drejtpërdrejtë të Aaronit, siç përmendet te vargjet 16–17, trajtohet te Doktrina e Besëlidhje 68:15–21 dhe mësimi 74.)

Sigurohuni që detyrat të vendosen saktësisht në tabelë. (Detyrat në Priftërinë Melkizedeke janë: plak, prift i lartë, patriark, i Shtatëdhjetë dhe Apostull. Detyrat në Priftërinë Aarone janë: dhjak, mësues, prift dhe peshkop.) Shpjegoni se këto lista do t’i përgatitin studentët për dy mësimet e ardhshme, në të cilat ata do të mësojnë më shumë rreth detyrave të priftërisë.

Përfundojeni duke i ftuar studentët të japin dëshmitë e tyre lidhur me atë që kanë mësuar dhe ndier në klasë sot.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 107:1. Cila është marrëdhënia midis Priftërisë Aarone dhe Priftërisë Melkizedeke?

Profeti Jozef Smith dha mësim:

Profeti Jozef Smith

“Megjithëse janë dy Priftëri, përsëri Priftëria Melkizedeke e përfshin Priftërinë Aarone ose Levitike dhe është kreu i madh, dhe mban autoritetin më të lartë që i përket Priftërisë dhe çelësat e Mbretërisë së Perëndisë në të gjitha epokat e botës deri në brezat më të fundit në tokë, dhe është kanali nëpërmjet të cilit zbulohet nga qielli gjithë njohuria, doktrina, plani i shpëtimit dhe çdo çështje e rëndësishme” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 112).

“Gjithë priftëria është Melkizedeke; por ka pjesë ose shkallë të ndryshme të saj. … Të gjithë profetët e patën Priftërinë Melkizedeke” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 113).

Doktrina e Besëlidhje 107:8-9, 18. Çelësat e priftërisë

“Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë udhëheqësve të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë. Ushtrimi i autoritetit të priftërisë qeveriset nga ata që i mbajnë çelësat e tij (shih DeB 65:2; 81:2; 124:123). Ata që mbajnë çelësat e priftërisë, kanë të drejtën të kryesojnë dhe drejtojnë Kishën brenda një juridiksioni.

Jezu Krishti mban të gjithë çelësat e priftërisë që i përkasin Kishës së Tij. Ai i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Apostulli më i vjetër i gjallë, Presidenti i Kishës, është i vetmi person në tokë i autorizuar të ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë (shih DeB 43:1–4; 81:2; 107:64–67, 91–92; 132:7).

Të Shtatëdhjetët veprojnë me caktim dhe me delegim të autoritetit nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Presidentët e Zonave caktohen të administrojnë zonat nën autorizimin e Presidencës së Parë dhe të Të Dymbëdhjetëve. Presidenca e Të Shtatëdhjetëve veçohet dhe i jepen çelësat për të kryesuar mbi Kuorumet e Të Shtatëdhjetëve.

Presidenti i Kishës iu delegon çelësa priftërie udhëheqësve të tjerë të priftërisë, që ata të mund të kryesojnë në fushat e tyre të përgjegjësisë. Çelësat e priftërisë iu jepen presidentëve të tempujve, të misioneve, të kunjeve dhe të distrikteve; peshkopëve; presidentëve të degëve dhe presidentëve të kuorumeve. Ky autoritet kryesues është i vlefshëm vetëm për përgjegjësitë e caktuara dhe brenda juridiksionit gjeografik të thirrjes së secilit udhëheqës. Kur udhëheqësit e priftërisë lirohen nga thirrjet e tyre, ata nuk i mbajnë më çelësat shoqërues.

Këshilltarët e udhëheqësve të priftërisë nuk marrin çelësa. Ata veçohen dhe funksionojnë në thirrjet e tyre me anë të caktimit dhe autoritetit të deleguar.

Të gjitha organizatat ndihmëse të lagjes e të kunjit veprojnë nën drejtimin e peshkopit ose të presidentit të kunjit, i cili mban çelësat për të kryesuar. Presidentët e organizatave ndihmëse dhe këshilltarët e tyre nuk marrin çelësa. Ata marrin autoritet të deleguar për të funksionuar në thirrjet e tyre” (Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 2.1.1).

Doktrina e Besëlidhje 107:8–12. Presidenca e Parë, presidenca e Priftërisë Melkizedeke

“Profeti Jozef Smith dha mësim se Zoti e zbulon vullnetin e Tij nëpërmjet presidencës së Priftërisë Melkizedeke, domethënë Presidencës së Parë: ‘Priftëria e Lartë Melkizedeke nuk është asgjë tjetër veçse Priftëria e Birit të Perëndisë; … ka ordinanca të caktuara që i përkasin Priftërisë, nga të cilat rrjedhin rezultate të caktuara; dhe Presidentët apo Presidencat janë mbi Kishën; dhe zbulesat e mendjes dhe vullnetit të Perëndisë për Kishën, duhet të vijnë nëpërmjet Presidencës. Ky është rregulli i qiellit dhe fuqia e privilegji i kësaj Priftërie’ (në History of the Church, 2:477)” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 263).

Doktrina e Besëlidhje 107:18. Priftëria Melkizedeke mban “çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të kishës”

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

Presidenti Spenser W. Kimball

“[Priftëria Melkizedeke] është mjeti me anë të të cilit Zoti vepron nëpërmjet burrave për të shpëtuar shpirtra. Pa këtë fuqi të priftërisë, njerëzit janë të humbur. Vetëm nëpërmjet kësaj fuqie njeriu ‘mba[n] çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të kishës’, duke i mundësuar atij që të marrë ‘mistere[t e] mbretërisë së qiellit, t’i bëjë qiejt të hapen’ për të (shih DeB 107:18–19), duke i mundësuar atij të hyjë në një besëlidhje të re dhe të përjetshme të martesës dhe ta ketë bashkëshorten dhe fëmijët e tij të lidhur me të në një lidhje të përjetshme, duke i mundësuar atij të bëhet një patriark për pasardhësit e tij përgjithmonë dhe duke i mundësuar atij të marrë një plotësi të bekimeve të Zotit” (“The Example of Abraham”, Ensign, qershor 1975, f. 3; shih edhe Doctrine and Covenants Institute Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 263).

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për bekimet shpirtërore të lidhura me Priftërinë Melkizedeke:

Plaku Xhefri R. Holland

“Unë kam parë fuqinë e Perëndisë të shfaqet në shtëpinë time dhe në shërbesën time. Unë kam parë të ligën të qortohet dhe elementët të kontrollohen. Unë e di se çdo të thotë të lëvizësh male vështirësie dhe të ndash më dysh Dete të Kuqe kërcënuese. Unë e di çdo të thotë kur engjëlli shkatërrues ‘kalo[n] pranë tyre’ [DeB 89:21]. Të kesh marrë autoritetin dhe ta kesh provuar fuqinë e ‘Priftërisë së Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë’ [shih DeB 107:1–3], është bekimi më i madh për mua dhe familjen time, për të cilin mund të shpresoja ndonjëherë në këtë botë. Dhe kjo, në fund të fundit, është kuptimi i priftërisë në çdo aspekt të jetës së përditshme – aftësia e saj e pakrahasueshme, e pafund, e vazhdueshme për të bekuar” (“Our Most Distinguishing Feature”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 45; [Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, “Tipari Ynë më Dallues”, f. 53–54]).