Mësimi 35
Doktrina e Besëlidhje 29:1–29
Hyrje
Pak përpara një konference të Kishës që u mbajt më 26 shtator 1830, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë në prani të gjashtë pleqve. Nëpërmjet zbulesës, këta pleq mësuan rreth mbledhjes së të zgjedhurve të Shpëtimtarit përpara Ardhjes së Tij të Dytë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 29:1–13
Zoti dëshmon për Shlyerjen e Tij dhe dëshirën e Tij për ta mbledhur popullin e Tij
Përpara orës mësimore shkruani sa vijon në tabelë: “Gëzohuni në zemrat tuaja e ngazëllehuni” (DeB 29:5).
-
Përse ndonjëherë është e vështirë t’i bindeni kësaj këshille? Cilat janë disa mënyra që keni gjetur për t’iu bindur kësaj këshille?
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 29:1–3 përmban fjalët e Shpëtimtarit që mund të na ndihmojnë të “gëzoh[emi] në zemrat [tona] e ngazëlleh[emi]”.
Paraqitni fotografinë Krishti me Fëmijët (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 47; shih edhe LDS.org) dhe, nëse është e mundur, një fotografi të një klloçke që mbledh zogjtë e saj. Pyesni nëse ndonjëri mund të shpjegojë se si dhe përse një klloçkë i mbledh zogjtë e saj. (Nëse studentët nuk e dinë, shpjegoni se kur një klloçkë e ndien rrezikun, ajo i thërret zogjtë e saj. Kur ata i afrohen, ajo i mbledh nën krahët e saj për t’i mbrojtur.) Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:2.
-
Në ç’mënyrë është Shpëtimtari i ngjashëm me një klloçkë që po i mbledh dhe mbron zogjtë e saj?
-
Çfarë duhet të bëjnë zogjtë me qëllim që të mblidhen të sigurt nën mbrojtjen e krahëve të nënës së tyre? (Nëse është e nevojshme, vini në dukje se zogjtë duhet të bëjnë përpjekjen për të shkuar te nëna e tyre.)
Shkruani sa vijon në tabelë: Jezu Krishti do të na mbledhë kur ne …
-
Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 29:2, çfarë duhet të bëjmë për t’u mbledhur nga Shpëtimtari? (Përdorini përgjigjet e studentëve për të plotësuar parimin në tabelë: Jezu Krishti do të na mbledhë kur ne e dëgjojmë zërin e Tij, e përulim veten tonë dhe e thërrasim Atë në lutje.)
Shpjegoni se që nga fillimi profetët kanë profetizuar në lidhje me mbledhjen e Izraelit. Shtëpia e Izraelit – populli i besëlidhur i Zotit – do të mblidhet në ditët e fundit përpara ardhjes së Krishtit (shih Nenet e Besimit 1:10). Zoti e mbledh popullin e tij kur ata ushtrojnë besim tek Ai dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë e ta ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e këtij parimi, diskutoni pyetjet vijuese:
-
Cilat janë disa nga mënyrat se si ne e dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit? (Përgjigjet mund të përfshijnë që ne mund ta dëgjojmë zërin e Tij nëpërmjet shkrimeve të shenjta, mësimeve të profetëve e apostujve të gjallë dhe frymëzimit të Frymës së Shenjtë.)
-
Si është i ndryshëm vënia vesh ndaj zërit të Shpëtimtarit nga thjesht të dëgjuarit e zërit të Tij?
-
Si mendoni, përse ne kemi nevojë të jemi të përulur me qëllim që të mblidhemi nga Shpëtimtari?
Ftojini studentët të mendojnë për rastet kur ata janë ndier pranë Shpëtimtarit nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, ndjekjes së fjalëve të profetëve të gjallë apo lutjes drejtuar Atit Qiellor. Jepuni disa studentëve mundësinë që t’i tregojnë këto përvoja, duke u kujtuar atyre se disa përvoja janë tepër të shenjta apo vetjake për t’u treguar.
Referojuni shkrimit të shenjtë që shkruat në tabelë përpara orës mësimore.
-
Si mund t’ju ndihmojë mendimi i të qenit të mbledhur nga Shpëtimtari që të gëzoheni në zemrat tuaja dhe të ngazëlleheni?
Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 29:1, 3. Kërkojini klasës ta ndjekë duke kërkuar një arsye për të gëzuar në zemrën tonë dhe për t’u ngazëllyer. Pastaj u kërkoni studentëve të përcaktojnë një parim nga këto vargje që shpjegon përse ne mund të gëzohemi në zemrat tona e ngazëllehemi.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë parimin që kanë përcaktuar. (Përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Për shkak se Shpëtimtari shleu për mëkatet tona, ne mund të gëzohemi në zemrat tona dhe të ngazëllehemi.)
-
Në ç’mënyrë dëshmia e Shlyerjes së Jezu Krishtit solli lumturi në jetën tuaj? (Pasi studentët t’i jenë përgjigjur kësaj pyetje, ju mund të doni të jepni edhe përgjigjen tuaj.)
Shpjegoni se një mënyrë se si Shpëtimtari e mbledh popullin është nëpërmjet përpjekjeve tona për ta përhapur ungjillin. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 29, Ai u foli nëpërmjet Jozef Smithit gjashtë pleqve dhe i urdhëroi ata që të shpallin ungjillin e Tij.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 29:4–6. Nxitini të kërkojnë fjalë dhe fraza që lidhen me punën misionare. Më pas bëni pyetjet vijuese:
-
Cilat fjalë dhe fraza gjetët? Çfarë ju mësojnë këto fjalë dhe fraza rreth përvojës së ndarjes së ungjillit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar shpjegimin e Shpëtimtarit për atë që këta gjashtë pleq po thirreshin për të bërë dhe përse.
-
Çfarë i thirri Shpëtimtari këta gjashtë pleq të bënin? (“Të bëni[n] të ndodhë mbledhja e të zgjedhurve të [Tij].”) Si i përshkroi Shpëtimtari të zgjedhurit e Tij? (Ata që e “dëgjojnë zërin [e Tij] dhe nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre”.)
-
Në ç’mënyrë ndihmojnë misionarët për të bërë të ndodhë mbledhja e të zgjedhurve?
Shpjegoni se kur u dha kjo zbulesë, anëtarësia e Kishës ishte e vogël. Shenjtorët ishin të gjendje të “mblidhe[shin] në një vend” (DeB 29:8). Megjithatë, ndërsa Kisha rritej, Zoti i urdhëroi shenjtorët të mblidheshin në vende të ndryshme. Sot ne mblidhemi në kunjet e Sionit atje ku jetojmë.
-
Në çfarë vendesh mblidhemi ne sot? (Përgjigjet mund të përfshijnë shtëpitë tona, godinat e mbledhjeve dhe tempujt.)
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 29:9–13 duke shpjeguar se në këto vargje Shpëtimtari shpalli se Ai do të vijë sërish në tokë me fuqi dhe lavdi. Ushtritë që do të vijnë me Shpëtimtarin në lavdi në Ardhjen e Tij të Dytë, do të jenë shenjtorë besnikë që kanë jetuar në të gjitha periudhat e kohës në historinë e tokës. Të drejtët që kanë vdekur, do të ringjallen dhe të ligjtë do të shkatërrohen. Jezu Krishti do të “banoj[ë] në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet” (DeB 29:11).
Doktrina e Besëlidhje 29:14–21
Jezu Krishti përshkruan disa nga shenjat që do të paraprijnë Ardhjen e Tij të Dytë
Shpjegoni se mbledhja e Izraelit është pjesë e përgatitjes sonë për kthimin e Shpëtimtarit. Zoti ka zbuluar shenja të tjera që do të ndodhin përpara Ardhjes së Tij të Dytë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 29:14–21 duke kërkuar shenjat që do të ndodhin përpara Ardhjes së Dytë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto shenja në shkrimet e tyre të shenjta ose t’i renditin në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Përpara se studentët t’i lexojnë këto vargje, theksoni se ne nuk e dimë se si ose kur do të përmbushen këto profeci.
Pasi studentët të kenë pasur kohë t’i studiojnë këto vargje, vini në dukje se, megjithëse këto shenja do të vijnë për shkak të ligësisë, ato do të ndikojnë te të gjithë njerëzit në tokë, edhe tek të drejtët. Ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:
“Në lidhje me ardhjen e Birit të Njeriut … është ide e rreme që shenjtorët do t’u shpëtojnë gjithë gjykimeve ndërsa të ligjtë vuajnë; sepse gjithë mishi i nënshtrohet vuajtjes dhe ‘shenjtorët … mezi do të shpëtojnë’ [shih DeB 63:34]; përsëri shumë prej shenjtorëve do të shpëtojnë, sepse i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij [shih Habakuku 2:4]; përsëri shumë prej të drejtëve do të bien pre e sëmundjes, murtajës etj., për shkak të dobësisë së mishit, dhe përsëri do të shpëtohen në Mbretërinë e Perëndisë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 268).
-
Përse do të donit të mblidheshit si një nga të zgjedhurit e Shpëtimtarit kur të ndodhin këto gjëra?
Vini në dukje se, në qoftë se kemi besim te Jezu Krishti dhe e ndjekim Atë, ne mund të kemi gjithmonë paqe, madje në kohë si ato që përshkruhen në këtë zbulesë. Për ta theksuar këtë të vërtetë, ju mund t’i ftoni studentët të lexojnë disa ose të gjitha vargjet vijuese: Gjoni 14:27; 16:33; Doktrina e Besëlidhje 59:23.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:17. Vëreni klasën të kërkojë pasojat e mospranimit për t’u penduar.
-
Cila është pasoja e mospranimit për t’u penduar? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Nëse nuk pendohemi, gjaku shlyerës i Jezu Krishtit nuk do të na pastrojë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë parim te Doktrina e Besëlidhje 29:17.)
Sigurojini studentët se përgatitja më e rëndësishme që ne mund të bëjmë për Ardhjen e Dytë, është të vijmë te Shpëtimtari, të pendohemi dhe të pastrohemi prej mëkateve tona. Ftojini studentët të mendojnë nëse kanë nevojë të pendohen për ndonjë gjë dhe çfarë duhet të bëjnë për t’u pastruar nga mëkati.
Doktrina e Besëlidhje 29:22–29
Shpëtimtari zbulon të vërteta rreth asaj që do të ndodhë pas Mijëvjeçarit, duke përfshirë Gjykimin Përfundimtar
Caktojini çdo studenti një prej fragmenteve vijuese nga Doktrina e Besëlidhje 29: vargun 22, vargun 26, ose vargjet 27–28. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje vargun ose vargjet që u caktohen dhe të përcaktojnë një gjë që do të ndodhë në fund të Mijëvjeçarit. (Për ata studentë që iu është caktuar të studiojnë Doktrina e Besëlidhje 29:26, ju mund të doni të shpjegoni se Mikaeli, kryeengjëlli, është Adami. Shih DeB 107:54.) Pasi studentët të kenë pasur kohë që të shqyrtojnë vargun apo vargjet që iu caktuan, vërini të raportojnë atë që kanë zbuluar, duke filluar me vargun 22.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 29:27 dhe vëreni klasën të kërkojë bekimin që u jepet të drejtëve në Gjykimin Përfundimtar.
-
Çfarë bekimi do të na vijë nëse jemi mbledhur te Shpëtimtari? (Studentët duhet të dallojnë doktrinën vijuese: Ata që kanë jetuar drejtësisht dhe vijnë te Jezu Krishti do të marrin jetë të përjetshme. Ju mund të doni t’i nxitni që ta shenjojnë këtë të vërtetë te Doktrina e Besëlidhje 29:27.)
Përfundoni duke vendosur në tabelë fotografinë e Jezu Krishtit me fëmijët. Më pas shkruani në tabelë fjalën Unë. Ftojini studentët të mendojnë se ku do ta vendosnin fjalën Unë nëse zëvendësimi i saj përfaqëson afërsinë e tyre me Shpëtimtarin. Kërkojuni studentëve të tregojnë përvoja që i kanë pasur kur kanë ndjekur nxitjet që i kanë sjellë më pranë Shpëtimtarit. Ftojini të zgjedhin një gjë që do ta bëjnë për të vepruar sipas asaj që kanë mësuar sot dhe për t’u afruar më pranë Tij.