Seminare dhe Institute
Mësimi 121: Kisha Zhvendoset drejt Misurit Verior


Mësimi 121

Kisha Zhvendoset drejt Misurit Verior

Hyrje

Në vitet 1837 dhe 1838, Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë e udhëhoqën Kishën përgjatë një periudhe të vështirë. Si rrjedhim i shqetësimit ekonomik, lakmisë, ankimit dhe përndjekjes, 10 deri në 15 përqind e shenjtorëve në Kirtland të Ohajos dhe në Misurin verior e braktisën Kishën, duke përfshirë disa udhëheqës të njohur të Kishës. Shenjtorët besnikë në Ohajo filluan të lëviznin për t’u bashkuar me ata në Misurin verior. Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë dhe mësojnë nga ngjarjet historike dhe iu jep atyre ide të reja për zbulesat e marra gjatë kësaj periudhe.

Sugjerime për Mësimdhënien

Braktisja dhe qyteti i Far-Uestit

Gjatë një periudhe braktisjeje dhe përndjekjeje, shenjtorët besnikë lëvizin drejt Misurit verior

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: A na ndihmojnë vështirësitë dhe sprovat që ta forcojmë besimin tonë apo na shkaktojnë që ta humbasim besimin? Ju gjithashtu mund të doni të vizatoni një hartë në tabelë duke treguar vendndodhjen e Kirtlandit të Ohajos dhe të kolonive të tjera në Misurin verior.

hartë, nga Ohajo deri në Misuri

Fillojeni orën mësimore duke i ftuar studentët t’i përgjigjen pyetjes në tabelë. Pasi studentët t’i kenë dhënë idetë e tyre, shpjegoni se në vitet 1837 dhe 1838, një periudhë sprovash i bëri shumë shenjtorë të përballeshin pikërisht me këtë pyetje. Shpjegoni se, në këtë mësim, studentët do të mësojnë rreth këtyre ngjarjeve të vështira dhe mënyrës se si shenjtorët iu përgjigjën atyre. Ftojini studentët të përsiatin se si reagimi ynë ndaj sprovave mund ta forcojë ose dobësojë besimin tonë te Jezu Krishti.

Ju mund t’u shpjegoni gjithashtu studentëve se ky mësim mund t’i ndihmojë ata të kuptojnë rrethanat historike të zbulesave që do t’i studiojnë te Doktrina e Besëlidhje 113–123.

Tregoni Misurin në hartë. Shpjegoni se, kur shenjtorët u dëbuan nga konteja Xhekson në Misuri në vitin 1833, qytetarët e kontesë fqinje, kontesë Klei, i mirëpritën shumë prej tyre dhe iu dhanë atyre ndihmë, duke parashikuar që shenjtorët do të qëndronin vetëm përkohësisht. Megjithatë, pasi shenjtorët kishin jetuar atje për gati tre vjet, këta qytetarë filluan t’i shtynin ata që të largoheshin nga konteja.

Tregoni Kirtlandin e Ohajos në hartë. Shpjegoni se në vitin 1837, viti pasi u përkushtua Tempulli i Kirtlandit, shenjtorët përjetuan sprova që e vunë në provë besimin e tyre. Një numër i shenjtorëve e braktisën Kishën dhe u larguan prej saj, duke përfshirë disa udhëheqës të njohur të Kishës.

ikona e fletushkësNdajeni klasën në dy grupe. Siguroni një kopje të njërës prej përmbledhjeve historike vijuese për secilin grup. (Nëse keni një klasë të madhe, ju mund të doni t’i ndani studentët në katër ose gjashtë grupe dhe jepini secilit grup një kopje të njërës prej përmbledhjeve. Kjo do të lejojë që më shumë studentë të marrin pjesë në diskutim.) Ftojeni secilin grup të lexojë së bashku përmbledhjen dhe të diskutojë për pyetjet në fund të përmbledhjes. Caktoni një njeri në secilin grup që ta udhëheqë diskutimin dhe ndihmojeni grupin të shkruajë një parim për t’ia treguar klasës më vonë.

Përmbledhja Historike 1 – Braktisja në Kirtland

Në vitin 1837, shenjtorët në Kirtland të Ohajos përjetuan disa probleme financiare. Për t’i ndihmuar shenjtorët që të ishin më të mbështetur te vetja lidhur me financat e tyre, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës themeluan një kompani të ngjashme me një bankë dhe e quajtën atë Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit. Për shkak të një depresioni ekonomik mjaft të përhapur gjatë kësaj kohe, shumë banka falimentuan anembanë kombit. Edhe Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit falimentoi në vjeshtën e vitit 1837. Dyqind investues në bankë humbën pothuajse gjithçka, së bashku me Jozef Smithin i cili pësoi humbjet më të mëdha. Edhe pse Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit nuk financohej nga Kisha, disa prej shenjtorëve e shihnin atë si një bankë të Kishës ose si bankën e Profetit dhe e fajësuan Jozef Smithin për problemet e tyre financiare. Disa madje filluan ta quanin atë një profet të rënë. Por pavarësisht nga falimentimi i bankës, shumë të tjerë, të cilët i humbën paratë, vazhduan me besim dhe qëndruan të vërtetë ndaj Profetit. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 171–173.)

Një shpirt i braktisjes dhe ankimit u përhap mes shumë prej shenjtorëve. Brigam Jangu përshkroi një rast kur disa nga udhëheqësit e Kishës dhe shenjtorët u mblodhën që ta mohonin Jozef Smithin dhe të caktonin një profet të ri:

Presidenti Brigam Jang

“Disa nga Të Dymbëdhjetët, dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe të tjerë nga Autoritetet e Kishës, mbajtën një këshill në dhomën e sipërme të Tempullit. Pyetja e shtruar për ta ishte të përcaktonin se si mund të hiqej Profeti Jozef dhe Dejvid Uitmeri të caktohej Presidenti i Kishës. … Unë u ngrita dhe në një mënyrë të qartë e bindëse u thashë atyre se Jozefi ishte një Profet dhe unë e dija atë, dhe se ata mund ta shanin e përgojonin atë sa të donin, [por] nuk mund ta shkatërronin caktimin e Profetit nga Perëndia; ata vetëm mund të shkatërronin vetë autoritetin e tyre, të prisnin lidhjen që i mbante ata të bashkuar me Profetin dhe me Perëndinë, dhe të fundoseshin për vete në ferr” (Manuscript History of Brigham Young, 1801–1844, bot. Elden Jay Watson [1968], f. 15–16).

Deri në qershor të vitit 1838, afërsisht 200 ose 300 braktisës e kishin lënë Kishën, duke përfshirë katër Apostuj, Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe një anëtar i Presidencës së Parë (shih Church History in the Fulness of Times, f. 177). Megjithatë, shumica e shenjtorëve iu përgjigj kësaj periudhe të vënies në provë me besim, pothuaj siç bëri Brigam Jangu. Ata u forcuan nga Zoti dhe mbetën të vërtetë ndaj dëshmive të tyre. Shumë prej atyre që u larguan nga Kisha gjatë kësaj periudhe të braktisjes, më vonë u kthyen dhe kërkuan që të ribashkoheshin sërish me Kishën e Zotit. Mes tyre ishin Oliver Kaudëri, Martin Harrisi, Luk Xhonsoni dhe Frederik G. Uilliamsi.

Në mes të këtyre vështirësive në Kirtland, disa braktisës kërkuan ta vrisnin Jozef Smithin. I paralajmëruar nga Shpirti, ai dhe Sidni Rigdoni u larguan gjatë natës më 12 janar 1838. Armiqtë e tyre i ndoqën për disa ditë, por Zoti i mbrojti. Ata mbërritën me familjet e tyre në Far-Uest të Misurit më 14 mars 1838.

Diskutoni si grup për pyetjet vijuese:

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto ngjarje historike?

  • Çfarë do të kishit bërë që të mbeteshit besnikë ndaj Profetit gjatë kësaj kohe të ankimit?

  • Kur e ka forcuar besimin tuaj te Shpëtimtari durimi i një sprove me besim?

  • Në ç’mënyra ka qenë ndjekja e profetit një mbrojtje shpirtërore për ju?

Përmbledhja Historike 2 – Udhëheqja në Misurin Verior

Në verën e vitit 1836, kur qytetarët e kontesë Klei në Misuri po i shtynin shenjtorët të gjenin një vendosje më të përhershme, Xhon Uitmeri dhe Uilliam W. Felpsi, të dy këshilltarë në presidencën e kunjit të Misurit, përdorën paratë e Kishës për të blerë tokë në një vend të quajtur Far-Uest në Misurin verior. Megjithatë, kur ua ofruan ngastrat e tokës shenjtorëve që po vinin, ata ua shitën tokën për një përfitim të vogël, të cilin e mbajtën për vete. Të zemëruar me këtë dhe fyerje të tjera, këshilli i lartë në Misuri e hoqi presidencën e kunjit nga pozita.

Jozef Smithi e përkrahu veprimin e këshillit dhe Uilliam W. Felpsi u fye. Në nëntor të vitit 1838, Vëllai Felps shkroi një aktbetim kundër Profetit. Ky aktbetim luajti rol që Jozef Smithi dhe të tjerët të arrestoheshin dhe futeshin në Burgun Liberti gjatë dimrit. Vëllai Felps u shkishërua nga Kisha pak kohë pas kësaj.

Në burg, Jozef Smithi dhe ata që ishin me të, vuajtën jashtëzakonisht, jo vetëm nga kushtet e dhunshme të burgimit të tyre, por edhe nga lajmet për shenjtorët që po dëboheshin nga shtëpitë e tyre dhe po dhunoheshin në shumë mënyra. Turmat në Misuri, të pakontrolluara nga guvernatori, shkatërruan pronat dhe njerëzit, duke përfshirë masakrën e 17 vetave te një mulli që ishte pronë e një burri të quajtur Xhejkëb Han.

Uilliam W. Felpsi vuajti shpirtërisht për veprimet e tij dhe i shkroi Jozef Smithit një letër duke i kërkuar falje një vit më vonë. Profeti shkroi si përgjigje:

Profeti Jozef Smith

“Është e vërtetë që ne kemi vuajtur shumë si pasojë e sjelljes tënde. …

Gjithsesi, kupa u pi, vullneti i Atit tonë u krye dhe ne jemi ende gjallë, gjë për të cilën falënderojmë Zotin. …

Duke besuar se rrëfimi juaj është i vërtetë dhe pendesa juaj e sinqertë, unë do të jem i lumtur që edhe një herë t’ju jap dorën e djathtë në shoqërim dhe të gëzoj në kthimin e djalit plangprishës. …

‘Eja, vëlla i dashur, përderisa lufta kaloi,

Sepse miqtë e fillimit, janë përsëri miq më në fund’” (në History of the Church, 4:163, 164).

Diskutoni si grup për pyetjet vijuese:

  • Përse është e vështirë ta falni një shok që ju ka tradhtuar dhe ju bëri të vuani?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit?

  • Çfarë mësimesh të tjera mund të mësojmë nga kjo përvojë?

Pasi grupet të kenë pasur kohë për të lexuar dhe diskutuar përmbledhjet historike, ftojini ata t’i tregojnë klasës historinë që e kanë lexuar dhe parimet që i kanë përcaktuar. Ndërsa japin mësim, kërkojuni atyre t’i shkruajnë parimet në tabelë. Këto parime mund të përfshijnë sa vijon: Kur zgjedhim t’iu përgjigjemi sprovave me besim në vend të dyshimit, dëshmitë tona mund të forcohen; kur e mbështetim profetin dhe e ndjekim këshillën e tij, ne marrim siguri shpirtërore që na lidh me Perëndinë (shih përmbledhjen historike 1). Kur i falim të tjerët, Zoti mund t’i shërojë marrëdhëniet tona (shih përmbledhjen historike 2).

Teksa studentët përcaktojnë parimet, bëni pyetje që ndjekin ecurinë, për t’i ndihmuar ata ta kuptojnë dhe ta ndiejnë rëndësinë e këtyre të vërtetave. Këto pyetje mund të përfshijnë sa vijojnë:

  • Përse është ky parim i rëndësishëm për ne që ta mbajmë mend?

  • Si do t’ia shpjegonit këtë të vërtetë një shoku?

  • Kur keni përjetuar ose parë një shembull të këtij parimi?

Për t’i ndihmuar studentët t’i zbatojnë të vërtetat që kanë mësuar, kërkojuni atyre të përzgjedhin një ose dy prej parimeve që i kanë përcaktuar grupet. Më pas ftojini ata të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Çfarë do të bëj unë ndryshe për shkak të parimit ose parimeve që mësova sot?

Ngjarjet që çuan drejt dëbimit të shenjtorëve nga Misuri verior

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse kanë parë ndonjëherë një anëtar të Kishës të bëjë një zgjedhje që e bëri një njeri tjetër të kishte një përshtypje negative për Kishën. (Mos u kërkoni që t’i tregojnë përvojat e tyre.) Ju gjithashtu mund të doni t’u kërkoni studentëve të marrin parasysh se si vetë veprimet e tyre kanë ndikuar në përshtypjet e njerëzve të tjerë për Kishën.

  • Përse është e rëndësishme për ne të mendojmë rreth mënyrës se si veprimet ose fjalët tona japin një pasqyrë për Kishën?

ikona e fletushkësShpjegoni se në vitin 1838 veprimet dhe fjalët e disa anëtarëve të Kishës i shtuan ndjenjat negative që disa qytetarë të Misurit kishin kundrejt shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Jepuni studentëve kopje të përmbledhjes historike vijuese dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar gjërat që disa shenjtorë i thanë ose i bënë, të cilat e dëmtuan Kishën dhe anëtarët e saj. Merrni parasysh ta ftoni studentin që të ndalojë pas çdo paragrafi. Në çdo ndalesë, bëjuni studentëve pyetjen vijuese:

  • Çfarë thanë ose bënë disa prej shenjtorëve që shkaktoi reagime negative ndaj Kishës?

Në vitet 1837 dhe 1838, disa anëtarë të pakënaqur dhe të shkishëruar të Kishës, që jetonin mes shenjtorëve në Far-Uest, filluan të ngrinin padi gjyqësore kundër Kishës e udhëheqësve të saj dhe ta ngacmonin Kishën. Disa prej shenjtorëve filluan të bëheshin të paduruar me këta të shkëputur. Në qershor të vitit 1838, Sidni Rigdoni foli me gjaknxehtësi në atë që është bërë i njohur si “Predikimi i Kripës”. Ai përdori Mateun 5:13 dhe tha se, në qoftë se kripa e humbet shijen e saj, ajo nuk shërben më për asgjë dhe duhet të flaket tej, duke nënkuptuar se ata që ishin larguar nga Kisha, duhej të flakeshin nga mesi i shenjtorëve. Përveç kësaj, 84 anëtarë të Kishës nënshkruan një dokument duke i urdhëruar braktisësit të largoheshin nga konteja. Dy javë më vonë, më 4 korrik, Sidni Rigdoni dha një fjalim në të cilin ai premtoi se shenjtorët do ta mbronin vetveten edhe sikur të arrihej te një “luftë e shfarosjes”. Edhe pse të dy këto fjalime dukej se e kundërshtonin udhëzimin e Zotit që të “bë[nin] apel për paqe” (DeB 105:38), që të dy fjalimet u botuan dhe shkaktuan panik të madh mes njerëzve që nuk ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 191–192.)

Më 6 gusht 1838, kur një grup shenjtorësh u përpoqën të votonin në Galatin të Misurit, ata u shtynë mënjanë nga një grup misurianësh; dhe një burrë vendor e goditi njërin nga shenjtorët. Shenjtorët u ndeshën me ta dhe një numër burrash u plagosën nga të dy palët. Kjo ngjarje çoi në mosmarrëveshje e kërcënime shtesë dhe në rritjen e keqkuptimit midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe fqinjëve të tyre në Misuri.

Gjatë kësaj kohe, një i kthyer në besim, i quajtur Sampson Avardi, administroi betime të fshehta ndaj atyre që do të bashkoheshin me të në formimin e një grupi plaçkitësish, të quajtur danitët. Avardi i udhëzoi ata që t’i vidhnin e plaçkitnin misurianët, duke thënë se kjo do të ndihmonte për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Avardi i bindi pasuesit e tij që udhëzimet e tij po vinin nga Presidenca e Parë. E vërteta u zbulua më vonë dhe Avardi u shkishërua. Veprimet e Avardit shkaktuan dëm të rëndësishëm ndaj imazhit të Kishës dhe luajtën rol në çuarjen drejt burgimit të Profetit në Burgun Liberti.

Në tetor të vitit 1838, një betejë midis disa prej anëtarëve të Kishës dhe burrave të milicisë së Misurit la disa njerëz të vdekur nga secila palë. Raporte të tepruara të betejës mbërritën te guvernatori Liburn W. Bogsi, guvernatori i shtetit të Misurit, i cili më pas nxori atë që është bërë i njohur si urdhri i shfarosjes: “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen ose të nxirren jashtë nga shteti, nëse është e domosdoshme, për të mirën e përgjithshme” (cituar te History of the Church, 3:175). Shpejt, qyteti i Far-Uestit u rrethua nga një milici që i tejkaloi forcat e shenjtorëve pesëfish. Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u burgosën në Burgun Liberti, ku ata qëndruan gjithë dimrin. Pjesa tjetër e shenjtorëve u detyruan të largoheshin nga shteti.

  • Përse mund të jetë e rëndësishme për ne që të kuptojmë se një pjesë e përndjekjes që e vuajtën shenjtorët, u shkaktua nga veprimet e anëtarëve të Kishës?

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto ngjarje rreth mënyrës se si vetë veprimet dhe fjalët tona mund të ndikojnë te të tjerët? (Teksa studentët përgjigjen, theksojeni parimin vijues: Veprimet dhe fjalët tona mund të ndikojnë se si të tjerët e shohin Kishën e Jezu Krishtit. Ju mund të doni t’u kërkoni studentëve ta lexojnë Almën 39:11.)

Ftojini disa studentë të tregojnë përvoja që kanë pasur, kur i kanë parë fjalët ose veprimet e një njeriu tjetër të ndikojnë te dikush tjetër për të pasur një pikëpamje pozitive për Kishën.

Mbylleni duke iu drejtuar sërish pyetjes që e shkruat në tabelë përpara orës mësimore. Ftojini studentët të tregojnë se çfarë kanë mësuar sot rreth mënyrës se si përgjigjja jonë ndaj sfidave dhe sprovave mund ta forcojë ose dobësojë besimin tonë. Jepni dëshminë tuaj për fuqinë e të qëndruarit besnikë ndaj ungjillit gjatë kohëve të vështirësisë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Përshkrime të periudhës së braktisjes në Kirtland

Gjatë vitit 1837 një shpirt i zymtë i brengosi disa anëtarë të Kishës në Kirtland të Ohajos:

“Në këtë kohë shpirti i spekulimit për toka dhe prona të të gjitha llojeve, i cili ishte kaq mbizotërues anembanë tërë kombit, po hidhte rrënjë të thella në Kishë. Teksa frytet e këtij shpirti, dyshimet e liga, ankimi, mungesa e unitetit, përçarja dhe braktisja ndoqën njëra-tjetrën me një vazhdimësi të shpejtë dhe dukej sikur të gjitha fuqitë e tokës dhe të ferrit po e bashkonin ndikimin e tyre në një mënyrë të veçantë për ta përmbysur Kishën menjëherë dhe për të arritur në një mbarim përfundimtar” (History of the Church, 2:487).

Eliza R. Snou, e cila po jetonte në Kirtland në këtë kohë dhe më vonë shërbeu si presidentja e dytë e Shoqatës së Ndihmës, e përshkroi këtë periudhë në Kirtland:

Eliza R. Snou

“Shumë njerëz që kishin qenë të përulur dhe besnikë në përmbushjen e çdo detyre – të gatshëm të shkonin e të vinin në çdo thirrje të Priftërisë – po bëheshin arrogantë në shpirtin e tyre dhe ishin ngritur në kryelartësinë e zemrave të tyre. Ndërsa shenjtorët përqafuan dashurinë dhe shpirtin e botës, Shpirti i Zotit u tërhoq prej zemrave të tyre dhe ata u mbushën me krenari e urrejtje kundrejt atyre që e ruajtën integritetin e tyre moral” (Biography and Family Record of Lorenzo Snow [1884], f. 20).

Brigam Jangu e përshkroi klimën në Kishë gjatë vitit 1837 dhe përpjekjet e tij për ta mbrojtur Profetin Jozef Smith:

Presidenti Brigam Jang

“Në këtë kohë shpirti i spekulimit, pakënaqësisë dhe braktisjes, i përvetësuar nga shumë prej Të Dymbëdhjetëve dhe i cili kaloi përmes gjithë Kuorumeve të Kishës, mbizotëroi kaq gjerësisht sa ishte e vështirë për këdo që ta shihte me qartësi shtegun për ta ndjekur.

… Kjo ishte një krizë kur toka dhe ferri dukej sikur u bashkuan për ta përmbysur Profetin dhe Kishën e Perëndisë. Gjunjët e shumë prej burrave më të fortë në Kishë u dobësuan.

Gjatë këtij rrethimi prej errësirës unë qëndrova pranë Jozefit dhe, me të gjithë urtësinë dhe fuqinë që Perëndia më kishte dhuruar, veprova me të gjitha energjitë e mia për ta mbështetur shërbëtorin e Perëndisë dhe për t’i bashkuar kuorumet e Kishës” (Manuscript History of Brigham Young 1801–1844, bot. Elden Jay Watson [1968], f. 15, 16–17).

Faktorët që luajtën rol në problemet financiare në Kirtland

Në vitin 1837, lakmia i pushtoi zemrat e disa anëtarëve të Kishës dhe madje të disa udhëheqësve të njohur të Kishës në Kirtland. Paratë prej ari dhe argjendi ishin të rralla. Njerëzit përdornin kartëmonedha nga një numër bankash të zonës. Për t’i ndihmuar shenjtorët që të ishin financiarisht më të mbështetur te vetja, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës themeluan një kompani të ngjashme me një bankë, të quajtur Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit. Shumë shenjtorë blenë aksione në bankën e re. Brenda disa muajsh të hapjes së dyerve të kompanisë, një krizë financiare, e quajtur më vonë si paniku i vitit 1837, filloi në Nju-Jork-Siti dhe u shpërnda drejt perëndimit, duke çuar në falimentimin e qindra bankave, përfshirë Shoqërinë e Sigurisë së Kirtlandit.

Faktorë të tjerë luajtën rol në paqëndrueshmërinë e Shoqërisë së Sigurisë së Kirtlandit. Shumë banka të tjera nuk pranuan t’i merrnin bankënotat e Shoqërisë së Sigurisë si oferta të ligjshme dhe gazetat antimormone i damkosën paratë si të pavlefshme. Për më tepër, kapitali i shoqërisë ishte kryesisht në formën e tokës; shoqëria nuk zotëronte shumë para të ngurtë, të tillë si ari dhe argjendi, për të plotësuar ndonjë kërkesë të madhe për shlyerjen e bankënotave të saj. Armiqtë e Kishës siguruan mjaft bankënota për të filluar një dyndje drejt bankës, duke e detyruar shoqërinë që ta pezullonte pagesën në ar dhe argjend ndaj klientëve të saj vetëm pak javë pasi ishin lëshuar bankënotat e para. Si rrjedhim, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni u paditën për dhunim të statuteve bankare të Ohajos dhe u hodhën në gjyq. Jozefi dhe Sidni u gjobitën me nga 1000 dollarë.

Jozef Smithi bëri gjithçka mundi që t’i bindte investuesit që të jepnin më shumë fonde për ta mbështetur bankën, por më së fundi ai ua ktheu drejtimin e saj të tjerëve. Megjithatë, kjo nuk arriti ta zgjidhte problemin. Drejtuesit e papërvojë dhe të pandershëm e dëmtuan dhe më tej qëndrueshmërinë e bankës. Uoren Parishi, sportelisti i bankës dhe shkruesi personal i Jozefit, vodhi mbi 20000 dollarë.

Një shpirt në rritje i spekulimit në Kirtland gjithashtu iu shtua problemeve ekonomike të Kishës. Me vlefshmërinë e parave të hamendësuara, të cilat ata i morën borxh nga banka, shumë njerëz u futën në borxh për të blerë tokë për ta rishitur me një përfitim të konsiderueshëm.

Në vjeshtën e vitit 1837, Shoqërisë së Sigurisë së Kirtlandit iu desh t’i mbyllte dyert e saj. Qindra individë humbën pothuajse gjithçka që kishin investuar, me Jozef Smithin duke pësuar humbjet më të mëdha. Ngaqë Shoqëria e Sigurisë konsiderohej nga shumë vetë të ishte një bankë e Kishës ose banka e Profetit, disa prej shenjtorëve fajësuan Jozef Smithin për problemet e tyre financiare dhe madje filluan ta thërrisnin atë një profet të rënë. Të tjerë, të cilët gjithashtu i humbën paratë, vazhduan me besim dhe qëndruan të vërtetë ndaj Profetit. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 171–173.)