Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 84–87 (Njësia 18)
Hyrje
Ky mësim do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më tej doktrinën e priftërisë dhe ta shpjegojnë atë. Ai gjithashtu u jep studentëve një mundësi për të treguar atë që mësuan këtë javë nga studimet e tyre mbi mënyrën se si mund të veprojmë më mirë si mjete të Perëndisë dhe se si ta lartësojmë priftërinë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shënim: Në përgatitjen e këtij mësimi, ftojeni një student t’i sjellë klasës një kopje të një linje të autoritetit të priftërisë (të një pjesëtari të familjes ose ndoshta të tyren). Një kopje e linjës vetjake të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke të një anëtari mund të merret nga sektori i Dokumenteve të Anëtarësisë dhe Statistikave të Kishës, duke dërguar me postë elektronike një kërkesë në adresën lineofauthority@ldschurch.org, duke shkruar PLA në rreshtin e lëndës. Një përgjigje e automatizuar do të dërgojë një formular për ta plotësuar dhe kthyer.
Doktrina e Besëlidhje 84
Zoti përcakton linjën e priftërisë së Moisiut
Ndihmojini studentët të rishikojnë disa terma që i mësuan këtë javë duke i ndarë studentët në dyshe. Në secilën dyshe, kërkojini një studenti të largohet nga tabela në mënyrë që ai ose ajo të mos ketë mundësi ta shohë atë. Shpjegoni se ju do të shkruani në tabelë një fjalë ose frazë kyçe duke e lidhur atë me një doktrinë bazë të ungjillit. Studentët që po e shikojnë tabelën, do t’ua përkufizojnë ose përshkruajnë qetësisht atë fjalë ose frazë kyçe partnerëve të tyre dhe partnerët e tyre do të përpiqen ta gjejnë fjalën ose frazën. Më pas studentët do të këmbejnë rolet dhe ju do ta vazhdoni veprimtarinë duke shkruar një fjalë ose frazë të re në tabelë.
Fillojeni veprimtarinë dhe shkruani në tabelë fjalën priftëri. Pasi studentët ta kenë përcaktuar këtë fjalë, vazhdojeni veprimtarinë duke përdorur fjalët dhe frazat vijuese: ordinancë, Priftëria Aarone, besëlidhje, Priftëria Melkizedeke, ordinanca shpëtuese. (Nëse mendoni se do të ishte e dobishme, ju mund të doni të ndaleni pas përcaktimit të çdo fjale ose termi kyç dhe shkurtimisht të rishikoni përkufizimin e tij si klasë. Përkufizime të shkurtra për disa prej tyre janë në dispozicion në veprimtarinë përputhëse në Njësinë 18: Dita 1, në udhëzuesin e studimit për studentët e seminarit që studiojnë në shtëpi. Për shpjegime më të hollësishme, shih “Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë” ose “Ordinancat dhe Besëlidhjet” te seksioni Doktrinat Bazë në shtojcën në fund të këtij manuali.) Pasi të mbarohet veprimtaria, bëni pyetjen vijuese:
-
Cilat ordinanca të ungjillit janë ordinanca shpëtuese? (Teksa studentët përgjigjen, shkruajini ordinancat vijuese në tabelë: pagëzimi, konfirmimi, dhënia e Priftërisë Melkizedeke [për meshkujt], dhurimi [indaumenti] i tempullit dhe vulosja në tempull.)
Shpjegoni që Doktrina e Besëlidhje 84 na mëson se dëshira e Moisiut ishte t’i ndihmonte njerëzit e tjerë të afroheshin më pranë Perëndisë nëpërmjet ordinancave shpëtuese të priftërisë. Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 84:6–17 për të zbuluar se si mund ta gjurmonte Moisiu autoritetin e tij të priftërisë deri tek Adami, i cili e mori atë nga Perëndia.
-
Çfarë mund të mësojmë rreth priftërisë nga këto vargje? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë të vërtetën vijuese: Priftëria vjen nga Perëndia dhe jepet me anë të vënies së duarve nga ata që kanë autoritetin.)
Në këtë pjesë të mësimit, ftojeni studentin të tregojë shembullin e një linje të autoritetit, qoftë duke e lexuar atë apo duke e shkruar atë në tabelë. Ndihmojini studentët të kuptojnë se një linjë e autoritetit të priftërisë tregon se si autoriteti i priftërisë është dhënë nga një mbajtës i priftërisë tek një tjetër, nga Jezu Krishti deri te një mbajtës i priftërisë sot.
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që mbajtësit e priftërisë të jenë në gjendje ta gjurmojnë autoritetin e tyre të priftërisë deri te Perëndia? (Shih Hebrenjve 5:4.)
-
Çfarë përvojash keni pasur që e forcuan dëshminë tuaj për priftërinë?
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë betimin dhe besëlidhjen e priftërisë te Doktrina e Besëlidhje 84:33–44.
-
Çfarë u premton Zoti atyre që e marrin priftërinë dhe e lartësojnë thirrjen e tyre? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse ata, të cilët marrin priftërinë, i lartësojnë thirrjet e tyre, Perëndia do t’i shenjtërojë dhe do t’iu japë atyre gjithçka që Ai ka.)
-
Cilat janë disa mënyra se si mbajtësit e Priftërisë Aarone i lartësojnë thirrjet e tyre në priftëri?
-
Kur jeni bekuar ngaqë një mbajtës i priftërisë e ka lartësuar thirrjen e tij?
Për t’i ndihmuar studentët të tregojnë disa nga idetë që kanë fituar gjatë studimit të tyre këtë javë, ju mund të doni të bëni disa nga pyetjet ose të gjitha pyetjet vijuese. (Shënim: Teksa përgatiteni për këtë pjesë të mësimit, ju mund të doni të rishikoni ditën 2 të kësaj njësie në udhëzuesin e studimit për studentët e seminarit që studiojnë në shtëpi.)
-
Çfarë mësuat rreth rëndësisë për t’ia vënë veshin me zell fjalës së Perëndisë? (Shih DeB 84:43–45; 54–58.)
-
Çfarë ndryshimi ka sjellë në jetën tuaj studimi dhe vënia në jetë me besnikëri e fjalës së Perëndisë?
-
Çfarë përgjegjësie kemi ne ndaj njerëzve në tokë? (Shih DeB 84:61–62, 85–88.)
-
Si mund të ndihmoni për ta përmbushur përgjegjësinë për t’ia çuar ungjillin të gjithë botës?
Doktrina e Besëlidhje 87
Jozef Smithi profetizon se luftë do të derdhet mbi të gjitha kombet
Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë çka mësuan rreth profecisë që përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 87.
-
Si e forcoi studimi nga ana juaj të kësaj zbulese besimin tuaj se Zoti mund të na i zbulojë ngjarjet e ardhshme nëpërmjet profetëve të Tij?
-
Si e forcon Doktrina e Besëlidhje 87 dëshminë tuaj se Jozef Smithi është një profet i vërtetë?
Pohoni se çdo profeci te Doktrina e Besëlidhje 87 është përmbushur ose do të përmbushet. Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 87:8, që të mësojnë atë që Zoti na drejtoi të bënim me qëllim që ne do të jemi të përgatitur për luftërat dhe fatkeqësitë që do të jenë mbi tokë në ditët e fundit.
-
Çfarë na urdhëron Zoti të bëjmë? (Ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Ne duhet të qëndrojmë në vende të shenjta dhe të mos lëvizemi derisa të vijë Zoti.)
-
Cilat janë disa vende të shenjta që mund të na sigurojnë paqe dhe siguri?
-
Si jeni ndier të bekuar me paqe ose siguri nëpërmjet qëndrimit në njërin prej këtyre vendeve të shenjta?
Mbylleni këtë mësim duke dëshmuar për të vërtetat që keni diskutuar.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 88–89)
Që t’i përgatitni studentët për studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 88–89, ju mund të doni t’i ftoni ata që të marrin në shqyrtim sa vijon: A jeni ndier ndonjëherë i vetëm ose i shqetësuar që Ati Qiellor nuk i dinte rrethanat ose nevojat tuaja vetjake? Ndërsa studioni Doktrinën e Besëlidhjet 88, kërkoni përgjigjet e Zotit ndaj ndjenjave të tilla. Çfarë “djallëzi[sh] dhe plane[sh] … ekzistojnë në zemrat e njerëzve komplotues” (DeB 89:4) në ditët e fundit? Teksa e studioni Doktrinën e Besëlidhjet 89, kërkoni këshillën që dha Zoti, e cila mund t’ju mbrojë nga ato djallëzi dhe plane.