Seminare dhe Institute
Mësimi 8: Joseph Smith – Historia 1:21–26


Mësimi 8

Joseph Smith – Historia 1:21–26

Hyrje

Pasi Jozef Smithi e mori Vegimin e Parë në vitin 1820, ai ia tregoi përvojën e tij një predikuesi që nuk e pranoi dëshminë e tij. Përveç tij, njerëz të tjerë në komunitet e përndoqën të riun Jozef Smith. Njerëz të pozitave të larta bënë përpjekje të mëdha që ta kritikonin atë publikisht. Pavarësisht nga ky kundërshtim, Jozef Smithi qëndroi i vërtetë ndaj dëshmisë së tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Joseph Smith – Historia 1:21–23

Predikuesit dhe burra të tjerë të pozitave të larta nxitin përndjekje ndaj Jozef Smithit

Fillojeni orën e mësimit duke lexuar me zë të lartë tregimin vijues, të treguar nga Presidenti Gordon B. Hinkli, rreth një bashkëbisedimi që pati me një të ri në Londër të Anglisë. Përpara se të lexoni pjesën e parë të këtij tregimi, ftojeni klasën të përsiatë atë që ata mund të bënin nëse do të ishin në vendin e këtij të riu. (Ju mund të dëshironi t’i thoni klasës se përfundimi i këtij tregimi do të jepet më vonë në mësim.)

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ai tha: ‘Më duhet të flas me dikë. Jam krejt vetëm. …’

Dhe unë thashë: ‘Çfarë halli ke?’

Dhe ai tha: ‘Kur u bashkova me Kishën diçka më pak se një vit më parë, babai më tha të largohesha nga shtëpia e tij dhe të mos kthehesha më kurrë. Dhe nuk jam kthyer më kurrë.’

Ai vazhdoi: ‘Pak muaj më vonë klubi i kriketit, anëtar i të cilit isha, më hoqi nga lista e vet, duke më përjashtuar nga anëtarësia me djemtë, me të cilët isha rritur dhe me të cilët kisha qenë kaq i afërt e miqësor’.

Më pas ai tha: ‘Muajin që shkoi pronari më pushoi nga puna, sepse isha anëtar i kësaj kishe dhe nuk kam qenë në gjendje të gjej ndonjë punë tjetër. …

Dhe mbrëmë vajza me të cilën jam shoqëruar për një vit e gjysmë, tha se kurrë nuk do të martohej me mua ngaqë unë jam një mormon’” (“The Loneliness of Leadership” [bisedë shpirtërore në Universitetin “Brigam Jang”, 4 nëntor 1969], f. 3, speeches.byu.edu).

Pasi ta lexoni këtë tregim, ftojini disa studentë t’i përgjigjen pyetjes vijuese:

  • A e keni ndier ndonjëherë se jeni trajtuar pa mirësjellje ose jeni kritikuar për shkak të bindjeve tuaja fetare? Cila ishte gjendja? (Ju gjithashtu mund të doni t’i tregoni klasës një përvojë vetjake.)

Paraqitni figurën Vegimi i Parë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 90; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se, edhe pse Jozef Smithi u bekua shumë për shkak të dëshmisë që mori si rrjedhojë e Vegimit të Parë, ai gjithashtu u vu rëndë në provë. Nxitini studentët të marrin parasysh se çfarë mund të mësojnë nga përgjigjja e Jozef Smithit ndaj kundërshtimit që përjetoi për shkak të dëshmisë së tij.

Vegimi i Parë

Caktojini studentët që të punojnë në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojë me radhë me zë të lartë nga Joseph Smith – Historia 1:21–23. Vërini ata të kërkojnë fjalë dhe fraza që përshkruajnë kundërshtimin me të cilin u përball Jozef Smithi për shkak të dëshmisë së tij. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që gjejnë.) Pasi studentët e kanë mbaruar leximin, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë fjalësh ose frazash ju bënë përshtypje?

  • Kush e filloi shumicën e përndjekjes kundrejt Jozef Smithit në këtë kohë? (Njerëz të pozitave të larta në komunitet që shpallnin se ishin të krishterë.)

  • Teksa i merrni parasysh moshën e Jozef Smithit dhe rrethanat në jetën e tij, si mund të kishte qenë përndjekja nga këta njerëz veçanërisht e vështirë për të?

Vini në dukje fjalinë pranë fundit të Joseph Smith – Historisë 1:20 që fillon: “Duket sikur. …” Ftojini studentët ta fillojnë me këto fjalë dhe në heshtje të lexojnë pjesën tjetër të vargut, duke kërkuar arsyen që dha Jozef Smithi përse ai e kishte përjetuar këtë përndjekje në një moshë kaq të re.

Sipas Jozef Smithit, përse e përjetoi ai këtë përndjekje në një moshë kaq të re? (Satani e kuptoi se Jozef Smithi do të ishte “një shqetësues dhe një mërzitës i mbretërisë së tij” [Joseph Smith – Historia 1:20].)

Shpjegoni se, ndërkohë që studentët vazhdojnë sot studimin e tyre të Joseph Smith – Historisë, ata do të mësojnë të vërteta të rëndësishme që do t’i ndihmojnë të veprojnë lidhur me kundërshtimin dhe përndjekjen që mund të përjetojnë për shkak të bindjeve dhe veprimeve të tyre të drejta.

Joseph Smith – Historia 1:24–26

Edhe pse Jozef Smithi urrehet dhe përndiqet, ai qëndron i vërtetë ndaj dëshmisë së tij

Ngrijini lart shkrimet tuaja të shenjta dhe bëni pyetjen vijuese:

  • Kush është një njeri në shkrimet e shenjta që e admironi për shkak të karakterit të tij ose të saj apo të forcës së shembullit të tij ose të saj? (Ftojini studentët t’i shpjegojnë shkurtimisht përgjigjet e tyre.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:24. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar emrin e një njeriu, përvojat e të cilit janë të ngjashme me ato të Jozef Smithit.

  • Përse ishte Jozef Smithi në gjendje ta kthente vështrimin te përvojat e tij dhe të shihte ngjashmëri me Apostullin Pal? (Pali ishte përqeshur për dëshminë e tij për Jezu Krishtin dhe prapëseprapë qëndroi i vërtetë ndaj saj.)

  • Si mendoni, përse mund të ketë qenë e dobishme për Jozef Smithin që të kuptonte gjërat që i kishte të përbashkëta me Apostullin Pal? (Shih 2 Korintasve 11:23–27 për një përshkrim të vuajtjeve të Palit.)

  • Çfarë mësimi mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit lidhur me studimin dhe përsiatjen e përvojave të Palit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Gjatë kohëve të vështira, ne mund të marrim forcë nga shembujt e individëve besnikë në shkrimet e shenjta.)

Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë dhe shpjegoni se ajo është një shembull i një parimi. Ju mund të dëshironi t’i kujtoni studentët se doktrinat dhe parimet e ungjillit janë të vërteta themelore, të pandryshueshme, që japin udhërrëfim për jetën tonë. Për t’i ndihmuar studentët ta krahasojnë këtë parim me jetën e tyre dhe të ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e tij, bëni pyetjen vijuese:

  • Kur jeni forcuar nga studimi i përvojës së një individi besnik në shkrimet e shenjta? (Ju mund të dëshironi gjithashtu të tregoni një përvojë.)

Nxitini studentët të kthehen te shkrimet e shenjta për forcë kurdoherë që ata ndeshen me vështirësi.

Shkruajeni në tabelë thënien vijuese: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja” (Joseph Smith – Historia 1:25).

  • Çfarë ju mëson kjo frazë rreth dëshmisë së Jozef Smithit për Vegimin e Parë?

  • Si mund të fitoni dëshmi që Jozef Smithi me të vërtetë i pa Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin?

Ftojini studentët të studiojnë qetësisht në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:24–25. Vërini ata që të kërkojnë doktrina ose parime që mund të na ndihmojnë kur hasim kundërshtim ose kur po lëkunden dëshmitë tona. Ftojini ata të shënojnë atë që gjejnë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Shembuj të të vërtetave që mund të përcaktojnë studentët përfshijnë sa vijon:

Dituria që marrim nga Perëndia është e vërtetë edhe nëse bota e mohon atë.

Ne duhet të shqetësohemi më shumë rreth asaj që mendon Perëndia për ne, sesa asaj që mendojnë njerëzit.

Edhe nëse urrehemi dhe përndiqemi për shkak të dëshmive tona, ne duhet të qëndrojmë të vërtetë ndaj tyre.

Ftojini studentët të tregojnë të vërtetat që kanë përcaktuar. Nxitini ata ta dëgjojnë me kujdes njëri-tjetrin. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata t’i shënojnë të vërtetat që mësojnë nga njëri-tjetri në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Teksa studentët tregojnë për të vërtetat që kanë zbuluar, bëni pyetjet vijuese:

  • Si ishte Jozef Smithi një shembull i asaj të vërtete?

  • Si mund të jetë ajo e vërtetë e dobishme për ju?

  • Si mund të ndikojë në zgjedhjet tuaja të jetuarit e asaj të vërtete?

Lexojeni me zë të lartë pjesën e mbetur të rrëfimit të treguar nga Presidenti Hinkli rreth të riut në Londër të Anglisë, i cili hasi kundërshtim të madh për shkak të bindjeve të tij fetare:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Unë thashë: ‘Nëse kjo të ka kushtuar kaq shumë, përse nuk largohesh nga Kisha dhe kthehesh në shtëpinë e babait tënd dhe në klubin tënd të kriketit e në punën që kishte kaq shumë rëndësi për ty dhe te vajza që mendon se e do?’

Ai nuk tha asgjë për sa u duk të ishte një kohë e gjatë. Më pas, duke e ulur kokën në duar, ai qau me dënesë. Së fundi, përmes lotëve e ngriti vështrimin dhe tha: ‘Nuk mund ta bëj atë. Unë e di se kjo është e vërtetë dhe, edhe nëse do të më kushtonte jetën, unë nuk mund ta braktisja atë kurrë’” (“The Loneliness of Leadership”, f. 3–4).

Ftojini studentët të zgjedhin një nga të vërtetat që dëgjuan dhe të shkruajnë atë që do të bëjnë për ta zbatuar atë të vërtetë në jetën e tyre.

Mbylleni mësimin duke e ftuar një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:26. Kërkojuni studentëve ta ndjekin dhe të përcaktojnë parimin që Jozef Smithi e kishte mësuar të ishte i vërtetë.

  • Çfarë bekimesh i erdhën Jozef Smithit ngaqë e besoi premtimin e bërë nga Jakobi? (Ai mësoi se kur i kërkojmë me besim Perëndisë për urtësi, Ai do të na e japë atë lirisht. Ai gjithashtu mësoi se, kur veprojmë sipas premtimeve në shkrimet e shenjta, ne mund të fitojmë dëshmi për të vërtetën e tyre.)

Jepni dëshminë tuaj se, kur mirëbesojmë te Perëndia dhe besojmë e veprojmë sipas premtimeve në shkrimet e shenjta, ne do të marrim përgjigje nga Perëndia dhe do të fitojmë forcë për t’i kapërcyer sfidat që hasim.