Mësimi 108
Doktrina e Besëlidhje 103
Hyrje
Në një mbledhje të këshillit të lartë të Kirtlandit më 24 shkurt 1834, Parli P. Prat dhe Liman Uajti, kërkuan udhëzim lidhur me mënyrën se si shenjtorët në Misuri mund të merrnin ndihmë të përkohshme dhe të rifitonin zotërimin e tokave të tyre në kontenë Xhekson. Në të njëjtën ditë, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 103, në të cilën Zoti premtoi se toka e Sionit do të shëlbehej. Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës që të mblidhnin rezerva dhe rekrutë për të ndihmuar shenjtorët në Misuri. Ky grup u bë i njohur si Kampi i Sionit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 103:1–20
Zoti premton se Sioni do të shëlbehet
Fillojeni orën mësimore duke bërë pyetjen vijuese:
-
Çfarë armiqsh kanë të drejtët sot?
Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth mënyrës se si armiqtë e Zotit po kërkojnë të pengojnë përparimin e tyre shpirtëror.
-
Si mendoni ju, përse armiqtë e Zotit janë në gjendje të pengojnë përparimin shpirtëror të disa prej njerëzve të Zotit?
Ndërsa studentët fillojnë studimin dhe diskutimin e sotëm për Doktrinën e Besëlidhjet 103, nxitini ata të kërkojnë parime që do t’i ndihmojnë të mposhtin armiq të tillë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 103. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar arsyen përse Parli P. Prati dhe Liman Uajti kishin ardhur në Kirtland të Ohajos nga Misuri.
-
Përse Vëllai Prat dhe Vëllai Uajt kishin ardhur në Kirtland?
Shpjegoni se Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 103 në të njëjtën ditë që këta dy udhëheqës u takuan me të dhe me këshillin e lartë në Kirtland.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 103:1–4. Vëreni klasën të kërkojë dy arsyet përse Zoti i lejoi armiqtë e Tij të përndiqnin shenjtorët në Misuri.
-
Sipas vargjeve 3–4, cilat janë dy arsyet pse Zoti i lejoi armiqtë e Tij të përndiqnin shenjtorët? (Një arsye ishte që t’i lejonte përndjekësit të “mbush[n]in masën e paudhësive të tyre, që kupa e tyre të mund të [ishte] plot” – ose me fjalë të tjera, që t’i justifikonte gjykimet e Tij mbi të ligjtë. Një arsye tjetër ishte që të ndëshkonte shenjtorët e pabindur.)
-
Sipas vargut 4, përse shenjtorët kishin nevojë të ndëshkoheshin? Cili mendoni se është kuptimi i frazës “ata nuk ua vunë veshin tërësisht”? (Ata nuk qenë plotësisht të bindur ndaj Zotit.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 103:5–7. Vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti u mësoi shenjtorëve se duhej të bënin për të triumfuar kundër armiqve të Tij. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala triumfoj do të thotë të jesh më i fortë se një kundërshtar ose të jesh fitues.)
-
Nëse shenjtorët do të ndiqnin këshillat e Zotit “që nga [ai] çast”, çfarë bekimi do të merrnin ata? (Ata do të triumfonin kundër armiqve të Zotit “që nga [ai] çast”.)
-
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si ne mund të triumfojmë kundër ndikimeve të botës? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Kur ne fillojmë të ndjekim këshillat e Zotit, ne marrim forcë që të fillojmë të triumfojmë kundër botës.)
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 103:8–10. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti paralajmëroi se do të ndodhë, nëse ne zgjedhim të mos i bindemi fjalëve të Tij.
-
Cilat janë disa pasoja të zgjedhjes për të mos iu bindur të gjitha fjalëve të Zotit? (Studentët mund të përcaktojnë parime të ndryshme, duke përfshirë sa më poshtë: Nëse nuk i bindemi urdhërimeve të Zotit, bota do të triumfojë ndaj nesh. Nëse nuk i mbajmë të gjitha fjalët e Zotit, ne e humbasim aftësinë për të qenë një dritë për të tjerët.)
-
Si mendoni ju, përse dikush që është i pabindur ose vetëm pjesërisht i bindur ndaj Zotit mund të mos jetë në gjendje të triumfojë kundër armiqve të Zotit?
-
Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si njerëzit mund të arrijnë fitore ndaj një armiku të Zotit duke u përpjekur që t’iu binden fjalëve të Zotit? (Shembujt mund të përfshijnë njerëz që, nëpërmjet bindjes, kanë marrë forcë nga Zoti për ta mposhtur varësinë apo për ta jetuar ungjillin pasi kanë jetuar sipas një mënyre jetese si të botës.)
Ju mund të doni të shpjegoni se ndonëse ne mund të mos jemi përsosmërish të bindur ndaj të gjitha fjalëve të Zotit, nëse përpiqemi me zell për t’iu bindur Atij dhe pendohemi sinqerisht kur dështojmë, Zoti do të na ndihmojë të triumfojmë kundër armiqve të Tij.
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një parim që ata mund të fillojnë ta ndjekin “që nga ky çast” për të dëgjuar më mirë këshillat e Zotit.
Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 103:11–20 duke shpjeguar që Zoti u premtoi shenjtorëve se pas mundimeve të tyre, Sioni do të shëlbehej me anë të fuqisë së Tij. Megjithatë, nëse shenjtorët do t’i ndotnin trashëgimitë e tyre, ato do t’u hiqeshin atyre.
Doktrina e Besëlidhje 103:21–40
Zoti zbulon mënyrën se si do të shëlbehet toka e Sionit
Përpara orës mësimore, bëni një tabelë që thotë NEVOJITEN VULLNETARË! Paraqiteni atë atje ku studentët mund ta shohin. Përveç kësaj, përgatitni në një copë letre lajmërimin e mëposhtëm:
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 103:21–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi udhëheqësit e Kishës të bënin për ta shëlbyer tokën e Sionit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Kërkojini një studenti të qëndrojë pranë tabelës që thotë NEVOJITEN VULLNETARË! Jepini studentit/es lajmërimin që përgatitët përpara orës mësimore dhe kërkojini atij apo asaj ta lexojë atë me zë të lartë. Më pas bëjini klasës pyetjet vijuese:
-
A mendoni se do të kishit qenë i gatshëm të shkonit në kontenë Xhekson për t’i ndihmuar shenjtorët? Përse po ose përse jo?
Shpjegoni se grupi i burrave që Jozef Smithi do t’i udhëhiqte për në Misuri, me kohën u njohën si Kampi i Sionit. (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se kamp është një fjalë tjetër për ushtri [shih Noah Webster, An American Dictionary of the English Language, faksimile e botimit të parë (1828; ribot., 1967), “Camp”].) Anëtarët e Kampit të Sionit kishin dy qëllime kryesore. Së pari, ata duhej t’u sillnin furnizime shenjtorëve në Misuri për t’u dhënë ndihmë dhe për t’u mundësuar atyre që të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të blinin tokë tjetër. Së dyti, ashtu siç qenë autorizuar nga guvernatori Daniel Danklin i Misurit, pasi milicia e shtetit të Misurit t’i kishte shoqëruar sërish shenjtorët për në kontenë Xhekson, anëtarët e Kampit të Sionit do të liheshin atje që të ndihmonin për ruajtjen e rregullit dhe të paqes.
-
Nëse do të kishit qenë anëtar i Kishës gjatë kësaj kohe, çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur rreth daljes vullnetar për t’u bashkuar me Kampin e Sionit?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 103:20.
-
Në ç’mënyrë premtimi në këtë varg, do të ndikonte në vendimin tuaj për të dalë vullnetarë?
Shpjegoni se bashkimi me Kampin e Sionit kërkonte largimin nga përgjegjësitë e familjes dhe të punës, për të marshuar rreth 1450 kilometra përmes kushteve torturuese në një mjedis armiqësor dhe të rrezikshëm. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 103:27–28. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i tha atyre që do të bashkoheshin me Kampin e Sionit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
-
Çfarë mendoni se do të thotë fraza “ta japë jetën e tij për hirin tim”?
-
Sipas këtyre vargjeve, si e quan Zoti dikë që është i/e gatshëm/me ta japë jetën e tij apo të saj për hir të Zotit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni sa vijon në tabelë: Dishepujt e Jezu Krishtit janë të gatshëm ta japin jetën e tyre për hir të Tij.)
Vini në dukje se për shenjtorët në Kampin e Sionit, mundësia e humbjes së jetës së tyre qe e vërtetë. Ndërsa ne mund të mos hasim të njëjtin rrezik, kjo e vërtetë ende mund të gjejë zbatim për ne. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien që vijon, nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të dëgjojë një mënyrë se si të gjithë ne mund ta japim jetën tonë për hir të Zotit.
“Për shumë prej nesh … ajo që kërkohet nuk është të vdesim për Kishën, por të jetojmë për të. Për shumë njerëz, të jetuarit e një jete si të Krishtit çdo ditë mund të jetë edhe më e vështirë se dhënia e vetë jetës” (“Discipleship”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 22; [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, “Të Jesh Dishepull”, f. 28]).
-
Si mendoni ju, përse mund të jetë edhe më e vështirë që të jetosh për Zotin sesa të vdesësh për Të?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 103:30–34, duke kërkuar se sa shumë vullnetarë dëshironte Zoti për Kampin e Sionit.
-
Sa vullnetarë donte Zoti? (500.) Cili qe numri minimal që kërkoi Zoti? (100.)
Shpjegoni se në fund të mbledhjes së këshillit të lartë në të cilën udhëheqësit e Kishës diskutuan për situatën e shenjtorëve në Misuri, Jozef Smithi tha se ai do të udhëtonte për në Sion dhe do të ndihmonte që ta shëlbente atë. Afërsisht 30 apo 40 nga burrat e pranishëm dolën gjithashtu vullnetarë. Pastaj Zoti caktoi 8 burra që të shkonin nëpër bashkësitë e Kishës për të rekrutuar vullnetarë për Kampin e Sionit dhe të kërkonin ndihma në ushqime dhe para për shenjtorët në Misuri (shih DeB 103:37–40). Rreth 200 njerëz shkuan me Kampin e Sionit, duke përfshirë disa gra dhe fëmijë.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 103:35–36. Kërkojini klasës të përcaktojë atë që shenjtorët kishin nevojë të bënin, me qëllim që të kishin sukses në përpjekjet e tyre për ta shëlbyer Sionin.
-
Bazuar në premtimin e Zotit në këto vargje, çfarë parimi mund të mësojmë rreth mënyrës se si ne mund ta marrim të gjithë fitoren dhe lavdinë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: E gjithë fitorja dhe lavdia do të vijë nëpërmjet zellit, besnikërisë dhe lutjeve tona të besimit.)
Dëshmoni se ne do të arrijmë fitore mbi armiqtë e Zotit kur ne të përpiqemi me zell dhe besnikëri për t’iu bindur të gjitha fjalëve të Zotit. Nxitini studentët të zbatojnë “që nga ky çast” atë që kanë shkruar në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.