Seminare dhe Institute
Mësimi 44: Doktrina e Besëlidhje 39–40


Mësimi 44

Doktrina e Besëlidhje 39–40

Hyrje

Në janar të vitit 1831, një shërbestar protestant, i quajtur Xhejms Kovel, u takua me Jozef Smithin në Fajet të Nju-Jorkut dhe “lidhi besën me Zotin se do t’i bindej çdo urdhërimi që Zoti do ta jepte nëpërmjet shërbëtorit të tij, Jozefit” (shih Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 233–234). Përgjigjja e Zotit shënohet te Doktrina e Besëlidhje 39. Në këtë zbulesë, Zoti i bëri thirrje Xhejms Kovelit të pagëzohej dhe të predikonte plotësinë e ungjillit në Ohajo. Megjithatë, ditën pasi u diktua zbulesa, Xhejms Koveli u largua nga Fajeti dhe “u kthye te parimet dhe njerëzit e tij të mëparshëm” (History of the Church, 1:145). Zoti atëherë u dha një zbulesë Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit, duke shpjeguar përse Koveli nuk u ishte bindur urdhërimeve të dhëna atij. Zbulesa shënohet te Doktrina e Besëlidhje 40.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 39:1–12

Jezu Krishti e fton Xhejms Kovelin që ta pranojë ungjillin e Tij dhe të pagëzohet

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se atyre iu është dhënë një dhuratë nga një prind ose një njeri tjetër i dashur. Ndërsa e hapin dhuratën, ata zbulojnë se është diçka që me të vërtetë e dëshirojnë.

  • A do ta pranonit këtë dhuratë? A ka ndonjë arsye përse ju nuk do të zgjidhnit ta pranonit dhuratën?

  • A mund të mendoni për disa dhurata ose oferta nga Ati Qiellor që fëmijët e Tij kanë zgjedhur të mos i pranonin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 39:1–3. Vëreni klasën të kërkojë atë që disa njerëz zgjodhën të mos e pranonin.

  • Çfarë zgjodhën këta njerëz që të mos e pranonin?

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta pranosh Jezu Krishtin?

  • Nga ajo që dini rreth shërbesës së Shpëtimtarit në tokë, cilat ishin disa nga arsyet që populli i Tij nuk e pranoi Atë?

Shkruajeni në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse e pranojmë Jezu Krishtin, Ai do të …

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 39:4. Ftojeni klasën ta ndjekë duke kërkuar se si thënia në tabelë mund të plotësohej për të formuar një parim. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që mësojnë.

Vini në dukje se, edhe pse vargu thotë “bijtë”, Zoti na ka mësuar se gratë mund të bëhen bijat e Jezu Krishtit (shih DeB 25:1). Më pas plotësoni thënien në tabelë si vijon: Nëse e pranojmë Jezu Krishtin, Ai do të na japë fuqi që të bëhemi fëmijët e Tij.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të bëhemi fëmijë të Jezu Krishtit, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith. (Ju mund të doni ta shkruani këtë thënie në tabelë përpara orës mësimore ose t’ua jepni atë studentëve si një fletushkë).

Presidenti Jozef Filding Smith

“Shpëtimtari bëhet Ati ynë, në kuptimin në të cilin kjo shprehje përdoret në shkrimet e shenjta, sepse ai na ofron jetë, jetë të përjetshme, nëpërmjet shlyerjes që bëri për ne” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:29).

Shpjegoni se në Librin e Mormonit ne mësojmë se ata që i kanë zemrat të ndryshuara nëpërmjet besimit në emrin e Jezu Krishtit, janë të lindur shpirtërisht prej Tij. Ata bëhen bijtë dhe bijat e Tij (shih Mosia 5:7). E thënë thjesht, bijtë dhe bijat e Krishtit janë “ata që e kanë pranuar ungjillin e Jezu Krishtit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fëmijë të Krishtit”, scriptures.lds.org).

  • Sipas thënies së Presidentit Smith, përse mund të bëhemi fëmijë të Jezu Krishtit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 39:5–6 duke kërkuar se si mund ta pranojmë Jezu Krishtin dhe të përfitojmë nga ajo që Ai na ofron, që ne të mund të bëhemi fëmijët e Tij.

  • Nisur nga ajo që kemi mësuar nga këto vargje, si do ta shpjegonit çfarë duhet të bëjmë për t’u bërë fëmijë të Jezu Krishtit?

Shpjegoni se fjalët e Zotit në këto vargje iu drejtuan Xhejms Kovelit, i cili kishte qenë një shërbestar mjaft i respektuar metodist për rreth 40 vjet. Pikërisht përpara se Jozef Smithi ta merrte këtë zbulesë, Xhejms Koveli kishte mësuar rreth ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Edhe pse nuk ishte anëtar i Kishës, ai kishte lidhur besë t’i bindej cilitdo urdhërim që e merrte nëpërmjet Jozef Smithit. (Vini në dukje se kërkimi i kohëve të fundit ka hedhur dritë lidhur me identitetin e burrit për të cilin u dha kjo zbulesë. Nëse studentët nuk e kanë botimin më të fundit të shkrimeve të shenjta [botimi në anglisht i vitit 2013], hyrja e seksionit nuk do ta pasqyrojë informacionin më të fundit.)

  • Duke e ditur që Xhejms Koveli nuk ishte anëtar i Kishës kur u mor kjo zbulesë, si mund të kenë gjetur zbatim tek ai mësimet në vargjet 5–6?

  • Përse mund të kishte kërkuar besim të madh për Xhejms Kovelin që ta pranonte Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij e të pagëzohej? (Si shërbestar, nëse Xhejms Koveli do të pagëzohej, ai do të duhej të hiqte dorë nga pozitat, shoqëritë dhe të ardhurat që i kishte krijuar për më shumë se 40 vjet.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 39:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar provë që Zoti e njihte Xhejms Kovelin. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë mësuar, bëjuni pyetjet vijuese:

  • Nëse do të kishit qenë në gjendjen e Xhejms Kovelit, si mund të ishit ndier pasi t’i dëgjonit këto fjalë? Përse?

  • Çfarë tha Zoti rreth gjendjes së zemrës së Xhejms Kovelit në këtë kohë? Çfarë mendoni se do të thotë që zemra e tij ishte “tani e drejtë përpara” Zotit? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë fjalën tanivargun 8.)

  • Sipas vargut 9, përse Xhejms Koveli e kishte mohuar Zotin shumë herë?

Kopjojeni figurën vijuese në tabelë:

Nëse do të …

Atëherë …

Ftojini tre studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 39:10–12. Përpara se të fillojnë leximin, vëreni gjysmën e klasës të kërkojë atë që Zoti e udhëzoi të bënte Xhejms Kovelin. Vëreni gjysmën tjetër të kërkojë atë që Zoti i premtoi Xhejms Kovelit se do të merrte, nëse i bindej Zotit.

Ndërkohë që studentët raportojnë atë që kanë mësuar, shkruajini përgjigjet e tyre nën kreun e duhur të tabelës. Për t’i ndihmuar studentët t’i analizojnë këto vargje, bëni pyetjen vijuese:

  • Në çfarë mënyrash do të merrte Xhejms Koveli bekime më të mëdha dhe do të bënte një punë më të madhërishme, nëse e pranonte ftesën e Zotit për t’u pagëzuar? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti i ofroi Xhejmsit plotësinë e ungjillit, e cila përfshinte përgjegjësi dhe bekime që ai nuk i kishte më parë, të tilla si dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe shugurimin në priftëri.)

Vini në dukje fjalën nëse te Doktrina e Besëlidhje 39:10 dhe 11. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë fjalë në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Cila është domethënia e fjalës nëse në këto vargje? (Bekimet e premtuara Xhejms Kovelit nga Zoti ishin të kushtëzuara nga sa Xhejmsi ia vinte veshin zërit të Zotit.)

  • Cilin parim mund të mësojmë nga përdorimi prej Zotit i fjalës nëse në këto vargje? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Bekimet e premtuara nga Zoti janë të kushtëzuara nga sa ia vëmë veshin zërit të Tij. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh në heshtje disa nga bekimet që Zoti ua ka premtuar atyre. Më pas kërkojuni të përsiatin pyetjen vijuese:

  • Çfarë kushtesh ka vënë Zoti mbi ju përpara se të mund t’i merrni ato bekime?

Doktrina e Besëlidhje 39:13–24

Xhejms Koveli thirret për të predikuar plotësinë e ungjillit në Ohajo

Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 39:13–24 duke i njoftuar studentët se Zoti e thirri Xhejms Kovelin që ta predikonte ungjillin në Ohajo. Zoti i dha atij udhëzime rreth asaj që do të jepte mësim dhe mënyrës se si do ta jepte atë mësim.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 39:22. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si ky varg lidhet me parimet që tashmë i keni diskutuar në këtë mësim.

  • Si mendoni se mund të përgjigjeshit nëse nuk ishit një anëtar i Kishës dhe udhëzimet në këtë zbulesë do t’ju ishin dhënë juve?

Doktrina e Besëlidhje 40

Zoti zbulon përse Xhejms Koveli i mohoi fjalët e Tij

Informojini studentët se ditën pasi u diktua zbulesa e njohur si Doktrina e Besëlidhje 39, Xhejms Koveli u largua nga Fajeti në Nju-Jork dhe “u kthye te parimet dhe njerëzit e tij të mëparshëm” (History of the Church, 1:145). Zoti i zbuloi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit arsyen përse Xhejms Koveli nuk iu bind udhëzimeve të Zotit dhe nuk i mori bekimet e përvijuara te seksioni 39.

Ftojini tre studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 40:1–3. Vëreni klasën t’i ndjekë duke kërkuar arsyen përse Xhejms Koveli nuk ia vuri veshin zërit të Zotit.

  • Krahasoni Doktrinën e Besëlidhjet 40:1 me Doktrinën e Besëlidhjet 39:8. Si kishte ndryshuar zemra e Xhejms Kovelit?

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 40:2, përfundimisht çfarë e çoi Xhejms Kovelin që ta mohonte fjalën e Zotit?

  • Çfarë parimesh mund të përcaktoni te vargu 2? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të dallojnë se frika e përndjekjes dhe përkujdesjet e botës mund të na shkaktojnë që ta mohojmë fjalën e Perëndisë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Cilat janë disa përkujdesje të botës që mund të mos i lejojnë njerëzit ta ndjekin Zotin?

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta disa gjëra që i kanë frikë ose disa përkujdesje të botës, të cilat mund të mos i lejojnë ta ndjekin Jezu Krishtin dhe ta jetojnë ungjillin e Tij. Më pas kërkojuni studentëve të shkruajnë se çfarë mund të bëjnë për të pasur besim që t’i kapërcejnë frikën ose përkujdesjet e tyre. Nxitini ata të veprojnë sipas asaj që kanë shkruar.

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh atë që kanë mësuar, shkruani fjalën nëse në tabelë. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë lidhje ka kjo fjalë me Xhejms Kovelin?

  • Çfarë lidhje ka kjo fjalë me ne?

Për ta mbyllur mësimin, ftojini disa studentë të tregojnë rreth një rasti kur kanë marrë një bekim nga Zoti ngaqë iu bindën kushteve që bashkëlidheshin me atë bekim. Ju mund të dëshironi gjithashtu të jepni dëshminë tuaj për bekimet që i marrim kur i zbatojmë urdhërimet.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 39. Xhejms Koveli

Kopja më e hershme e Doktrinës e Besëlidhjeve 39 vuri në dukje vetëm që ishte një zbulesë e dhënë për dikë të quajtur Xhejms. Kopja e botuar e zbulesës e zgjeroi emrin e marrësit si “Xhejms (K.)”. Në botimin e vitit 1835 të Doktrinës e Besëlidhjeve, emri i tij u përcaktua si “Xhejms Kovili”. Në botimin e vitit 1981 të Doktrinës e Besëlidhjeve, ai u përcaktua si një shërbestar baptist. Megjithatë, kërkimi i kohës së fundit tregon se kjo zbulesë iu dha Xhejms Kovelit, i cili ishte një shërbestar metodist.

Doktrina e Besëlidhje 40. Përse Xhejms Koveli i mohoi fjalët e Zotit?

Në vitin 1831 disa anëtarë të Kishës së Bashkuar Metodiste nuk besonin në ripagëzimin; as nuk besonin se ndonjë njeri kishte fuqinë për ta dhënë Frymën e Shenjtë. Xhejms Koveli, i cili ishte një shërbestar metodist, mund të jetë shqetësuar nga urdhri për t’u ripagëzuar (shih DeB 39:10). Përveç kësaj, Xhejms Koveli kishte kaluar shtatë vjet si një kalorës qarkor (një shërbestar udhëtues) në kushte primitive dhe të egra. Ai kishte hequr dorë nga pjesëmarrja në qarkun predikues në vitin 1797. Kur Zoti e thirri të nisej për në mision, Koveli mund ta ketë ndjerë se detyra e caktuar për të udhëtuar drejt kufirit që të predikonte, ishte një sakrificë shumë e madhe. Kjo mund të jetë pjesë e “përkujdesje[ve] të botës” (DeB 40:2) që e bënë atë ta mohonte besëlidhjen që kishte bërë.