Mësimi 32
Doktrina e Besëlidhje 25
Hyrje
Përndjekja ndaj Profetit Jozef Smith dhe anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit vazhdoi gjatë verës së 1830-ës. Bashkëshortja e Jozefit, Ema, u pagëzua më 28 qershor, por përndjekja e anëtarëve e vonoi konfirmimin e saj deri në gusht 1830. Nga fundi i qershorit, midis pagëzimit dhe konfirmimit të Emës, Jozefi mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 25. Në të, Zoti i dha Emës fjalë ngushëllimi si dhe udhëzime lidhur me përgjegjësitë e saj në familje dhe në Kishë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 25:1–3
Zoti i drejtohet Ema Smithit si një zonjë e zgjedhur
Përpara orës mësimore, ftoni tre studentë që të njihen me përmbledhjet e mëposhtme të jetës dhe karakterit të Ema Smithit, bashkëshortes së Profetit Jozef. Fillojeni orën mësimore duke i ftuar këta tre studentë t’i tregojnë klasës atë që kanë mësuar rreth Ema Smithit. Ju mund të doni të paraqitni një fotografi të Ema Smithit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 88; shih edhe LDS.org).
-
Ema e ndihmoi Jozef Smithin gjatë përkthimit të Librit të Mormonit.
Pak pasi Ema Hejl u martua me Jozef Smithin, engjëlli Moroni i tha Jozefit se kishte ardhur koha që ai të merrte fletët e arta. Në orët e para të mëngjesit, më 22 shtator 1827, Jozefi dhe Ema udhëtuan së bashku në një karro për te kodra Kumora, ku Jozefi mori fletët. Për shkak të përndjekjes në Nju‑Jork Jozefi dhe Ema u shpërngulën në Harmoni të Pensilvanisë, ku përfundimisht blenë tokë nga prindërit e Emës. Atje në Harmoni, Profeti filloi të përkthente fletët. Për njëfarë kohe, Ema veproi si shkruese ndërsa Jozefi përkthente. Deri në këtë pikë, Jozefi ishte urdhëruar se nuk duhej t’ia tregonte fletët askujt, madje as Emës. Megjithëse Ema i vështronte fletët të shtrira në tavolinë, të mbuluara me një cohë pëlhurë, ajo kurrë nuk e ngriti cohën për t’i parë ato.
-
Ema përjetoi tragjedi, dëshpërim dhe përndjekje.
Ndërsa jetonte në Harmoni të Pensilvanisë, Ema lindi një djalë të quajtur Alvin, i cili nuk jetoi gjatë. Vetë Ema u sëmur shumë rëndë dhe Jozefi pati frikë se ajo nuk do të jetonte. Kur u shërua, ajo dëgjoi lajmin dërrmues se 116 faqet e përkthyera të dorëshkrimit ishin humbur nga miku i Jozefit, Martin Harrisi. Edhe pse kishte shëndet të dobët, Ema e ngushëlloi bashkëshortin e saj zemërthyer, i cili e kishte humbur fuqinë për të përkthyer. Së bashku, ata pritën vullnetin e Zotit për përkthimin e fletëve. Më vonë ajo u detyrua të largohej nga shtëpia e saj në Harmoni për shkak të kërcënimeve nga njerëz keqdashës.
-
Ditën që u pagëzua Ema, Jozefi u arrestua.
Në qershor 1830 Jozefi dhe një grup i vogël besimtarësh ndërtuan një pritë në një përrua pranë Kollsvillit në Nju-Jork, për të krijuar një pellg mjaft të thellë për të kryer pagëzime. Megjithatë, një turmë e shembi pritën përpara se të mund të kryhej ndonjë pagëzim. Ditën tjetër, shenjtorët e rindërtuan pritën dhe kryen pagëzime për 13 njerëz, duke përfshirë Ema Smithin. Atë natë, pikërisht përpara se të kryheshin konfirmimet, Jozefi u arrestua me akuzën e “të qenit një person shqetësues” (History of the Church, 1:88). Ai u gjykua dhe u la i lirë, por menjëherë pas gjyqit ai u arrestua sërish me të njëjtën akuzë, nga një oficer i një konteje fqinje. Ai u lirua sërish. Për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm ndaj përpjekjeve të tyre misionare, anëtarëve të Kishës iu desh t’i shtynin mbledhjet e konfirmimit. Ema nuk u konfirmua anëtare e Kishës dhe nuk iu dha dhurata e Frymës së Shenjtë deri në fillim të gushtit. Në fund të qershorit, në periudhën midis pagëzimit dhe konfirmimit të saj, Jozefi mori një zbulesë drejtuar Emës, e cila tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 25.
-
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje rreth Ema Smithit ndërsa mësuat për disa nga përvojat e saj?
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 25:1–3 duke kërkuar fjalë dhe fraza që mund të kenë qenë ngushëlluese për Emën. Ftojini disa studentë të raportojnë atë që gjetën dhe të shpjegojnë përse mendojnë se këto fjalë dhe fraza mund të kenë qenë ngushëlluese për të.
-
Si ju ndihmon njohuria se ju jeni një bir apo bijë në mbretërinë e Zotit gjatë kohëve të vështira?
-
Çfarë i premtoi Zoti Emës nëse ajo do të ishte besnike dhe do të “ec[te] në shtigjet e virtytit”?
-
Si mendoni, çfarë do të thotë të “ecë[sh] në shtigjet e virtytit”? Si mund të mbrohet një person ngaqë ecën në shtigjet e virtytit?
Tërhiqeni vëmendjen e studentëve te fraza “zonjë e zgjedhur” te Doktrina e Besëlidhje 25:3. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shenjojnë këtë frazë. Shpjegoni se kur u organizua Shoqata e Ndihmës në 1842, (më shumë se një dekadë pasi u dha kjo zbulesë), Ema Smithi u thirr të ishte presidentja e parë e organizatës. Me atë rast, Profeti Jozef Smith lexoi zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 25. Pastaj ai shpjegoi se Ema qe “e zgjedhur” ngaqë ajo ishte “zgjedhur për një punë të caktuar … dhe se zbulesa u përmbush atëherë me thirrjen [e saj] në Presidencën e Shoqatës, duke qenë e shuguruar më parë për të sqaruar Shkrimet e Shenjta” (në History of the Church, 4:552–553).
Doktrina e Besëlidhje 25:4–16
Ema Smith merr këshillë lidhur me familjen e saj dhe detyrat në Kishë
Shkruani në tabelë fjalët që vijojnë dhe ftojini studentët t’i kopjojnë ato në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:
Këshillë |
Thirrje |
Premtim |
---|---|---|
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 25:4–16 dhe të kërkojnë fraza ose ide që kanë lidhje me tri kategoritë e shkruara në tabelë. (Ata mund ta bëjnë këtë individualisht ose me një partner.) Kërkojuni ta shkruajnë atë që kanë zbuluar nën kategorinë e duhur. (Për shembull, në vargun katër, udhëzimi i Zotit për Emën që të “mos mërmërit[ë]” ngaqë nuk i kishte parë fletët, mund të kategorizohet si këshillë.) Pas një kohe të mjaftueshme, caktojini studentët t’i diskutojnë pyetjet vijuese në grupe të vogla. Ju mund t’i shkruani pyetjet në tabelë ose t’i përgatitni ato si fletushka për secilin grup. Ju gjithashtu mund të doni të caktoni një udhëheqës diskutimi në secilin grup për të bërë pyetje dhe për të nxitur pjesëmarrjen e secilit student.
-
Cilat nga frazat ose idetë që ju përcaktuat tregon se Zoti e njihte dhe e donte Ema Smithin? Shpjegoni se si çdo frazë apo ide është provë e dashurisë së Zotit.
-
Doktrina e Besëlidhje 25:16 përmban shpalljen e Zotit se Ai kishte për qëllim që këshillat dhe premtimet në këtë seksion të gjejnë zbatim edhe për ne. Cilët janë disa mësime që mund t’i nxirrni nga fjalët e Zotit për Emën? (Ndërsa i përcaktoni këto të vërteta, shkruajini ato.)
Pasi grupet të diskutojnë përgjigjet e tyre për këto pyetje, kërkojuni t’i raportojnë klasës parimet që kanë gjetur te Doktrina e Besëlidhje 25:4–16. Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë disa ose të gjitha sa më poshtë (megjithëse ato mund të formulohen ndryshe):
Ne duhet t’i lëmë mënjanë gjërat e botës dhe të kërkojmë atë që është e përjetshme.
Kur e adhurojmë Zotin nëpërmjet muzikës së drejtë, Ai do të na bekojë.
Ne mund të gjejmë gëzim dhe ngushëllim kur kapemi pas besëlidhjeve që i kemi bërë me Perëndinë.
Nëse do t’i mbajmë vazhdimisht urdhërimet e Perëndisë, ne do të marrim një kurorë drejtësie.
Ndërkohë që studentët raportojnë të vërtetat që kanë gjetur, diskutojini përgjigjet e tyre me klasën. Ndiqni drejtimin e Shpirtit teksa ftoni studentë të shpjegojnë atë që kanë gjetur dhe të japin ide ose shembuj. Pyetjet dhe udhëzimet më poshtë mund të jenë të dobishme ndërkohë që e drejtoni këtë diskutim.
Ne duhet t’i lëmë mënjanë gjërat e botës dhe të kërkojmë atë që është e përjetshme (shih DeB 25:10).
-
Si mendoni, përse këshilla për t’i vënë gjërat e përjetshme përpara gjërave të kësaj bote mund të ketë qenë e dobishme për Emën, veçanërisht si bashkëshortja e Jozef Smithit? (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se Ema Hejli u rrit në një shtëpi të begatë, por pasi u martua, shpesh jetonte në kushte shumë të varfra.)
-
Në ç’mënyrë këshilla për t’i vënë gjërat e përjetshme përpara gjërave të botës mund të jetë e dobishme për ne sot?
-
Cilat janë disa gjëra të botës që njerëzit priren t’i vendosin përpara Perëndisë?
-
Çfarë mund të bëjmë për të kërkuar gjërat që janë të përjetshme?
Ftojini studentët të përsiatin nëse janë duke vendosur ndonjë gjë të botës përpara Perëndisë.
Kur e adhurojmë Zotin përmes muzikës së drejtë, Ai do të na bekojë (shih DeB 25:12).
-
Sipas këtij vargu çfarë është një gjë me të cilën Zoti kënaqet? Çfarë thotë Ai për bekimet që vijnë përmes “këng[ës së] të drejtëve”?
-
Çfarë bekimesh keni marrë ju si rezultat i adhurimit të Zotit nëpërmjet muzikës së duhur?
Merreni parasysh t’i ftoni studentët të vendosin një synim për të dëgjuar muzikë të denjë dhe të përshtatshme. Nxitini ata të shohin për bekimet që do të vijnë ndërsa ndjekin këtë synim.
Ne mund të gjejmë gëzim dhe ngushëllim kur kapemi pas besëlidhjeve që kemi bërë me Perëndinë (shih DeB 25:13).
Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “kapu pas besëlidhjeve” do të thotë të qëndrojmë afër ose të mbahemi te premtimet që i kemi bërë me Perëndinë.
Mendoni për dikë që e njihni, që ka qëndruar besnik ndaj besëlidhjeve të tij ose të saj, edhe gjatë kohëve të vështira.
-
Si ka qenë ajo besnikëri një bekim për të?
-
Si jeni bekuar për shkak se keni qenë besnik ndaj besëlidhjeve që keni bërë?
Ftojini studentët të mendojnë rreth mënyrës se si mund të gëzohen në zemrat e tyre dhe të qëndrojnë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre.
Nëse do t’i mbajmë vazhdimisht urdhërimet e Perëndisë, ne do të marrin një kurorë drejtësie (shih DeB 25:15).
Shpjegoni se fraza “një kurorë drejtësie do të marrësh”, i referohet marrjes së ekzaltimit në mbretërinë çelestiale (shih edhe DeB 29:13).
-
Në ç’mënyrë ky premtim mund ta ndihmojë dikë që ka kaluar ose po kalon kohë të vështira?
-
Përse është e rëndësishme të jesh i bindur vazhdimisht dhe jo thjesht herë pas here?
Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si ata mund të përmirësohen që të jenë vazhdimisht të bindur. Ju mund të doni t’u kërkoni atyre që t’i shkruajnë mendimet e tyre në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Pasi t’i keni diskutuar me klasën këto të vërteta nga Doktrina e Besëlidhje 25, ftojini studentët të marrin parasysh plot lutje dhe të shkruajnë atë që ndiejnë se Zoti do të donte që ata të bënin, bazuar në atë që mësuan sot në klasë. Nxitini të veprojnë sipas këtyre mbresave.