Mësimi 92
Doktrina e Besëlidhje 88:41–69
Hyrje
Ky është mësimi i dytë i katër mësimeve nga Doktrina e Besëlidhje 88. Pjesa e zbulesës së diskutuar në këtë mësim u dha në një konferencë të priftërinjve të lartë në Kirtland të Ohajos, më 27 e 28 dhjetor të vitit 1832. Ajo përfshin shpjegimin e Jezu Krishtit lidhur me mënyrën se si Perëndia i qeveris krijesat e Tij dhe një ftesë për ne që t’i afrohemi Atij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 88:41–50
Shpëtimtari zbulon se të gjitha gjërat qeverisen nga ligji hyjnor
Paraqitni një figurë të yjeve, të tillë si Zoti i Krijoi të Gjitha Gjërat (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 2; shih edhe LDS.org), ose vizatoni disa yje në tabelë.
-
A i keni parë ndonjëherë yjet dhe menduat rreth Perëndisë dhe krijimeve të Tij? Çfarë pyetjesh ose mendimesh keni përsiatur kur ia keni ngulur sytë qiellit?
Vini në dukje se kur njerëzit sjellin ndërmend pafundësinë e krijimeve të Perëndisë, ata nganjëherë ndihen të vegjël dhe të parëndësishëm. Ata mund të pyesin veten nëse Perëndia është i vetëdijshëm për ta. Tregojuni studentëve që kur t’i diskutojnë vargjet në mësimin e sotëm, ata do të shohin se, edhe pse Perëndia qeveris një numër të pafundëm krijimesh anembanë qiejve, Ai është i vetëdijshëm për secilin prej nesh dhe dëshiron që të na afrohet ne.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:41. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si ky varg tregon se Perëndia ka fuqinë që t’i qeverisë të gjitha krijimet e Tij dhe ende është i vetëdijshëm për secilin prej nesh individualisht.
-
Si e tregon ky varg se Perëndia ka fuqinë që të jetë i vetëdijshëm për secilin prej nesh dhe për nevojat tona?
Ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:42–45. Kërkojini klasës të përcaktojë se si Perëndia i qeveris krijimet e Tij.
-
Si i qeveris Perëndia krijimet e Tij? (Me anë të ligjeve të Tij.)
Ftojini studentët të mendojnë rreth njërit prej krijimeve të Perëndisë që i mahnit ata. Ftojini disa studentë t’i shprehin mendimet e tyre. Si shembull, ju mund të paraqitni një objekt ose fotografi që përfaqëson një prej krijimeve të Perëndisë dhe të shpjegoni përse ai krijim ju mahnit.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:46–47 dhe të kërkojnë se çfarë shohim kur i vështrojmë krijimet e Perëndisë.
-
Çfarë shohim kur e vështrojmë edhe krijimin më të vogël të krijimeve të Perëndisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të shprehin parimin vijues: Kur i vështrojmë krijimet e Perëndisë, ne kuptojmë madhështinë dhe fuqinë e Tij. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
-
Si ndikojnë në dëshminë tuaj për Perëndinë krijimet që i shihni në qiejt dhe mbi tokë?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:48–50. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojini njërit prej tyre që t’i përmbledhë vargjet me fjalët e veta.
Doktrina e Besëlidhje 88:51–61
Zoti tregon një shëmbëlltyrë të njerëzve duke punuar në fushë dhe që u vizituan me radhë nga zotëria i tyre
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 88:51–60 përmban një shëmbëlltyrë që na ndihmon t’i kuptojmë ndërveprimet e Perëndisë me mbretëritë, ose botët, që Ai i ka krijuar. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:51–55. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që njeriu në shëmbëlltyrë e urdhëroi secilin prej shërbëtorëve të tij të bënte dhe atë që ai i premtoi secilit prej shërbëtorëve të tij.
-
Çfarë i urdhëroi burri të bënin shërbëtorët e tij? Çfarë u premtoi ai shërbëtorëve të tij? (Ai i urdhëroi që të punonin në fushën e tij. Ai premtoi se do ta vizitonte secilin prej tyre me radhë.)
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 88:56–60 duke shpjeguar se në shëmbëlltyrë, zoti i fushës e vizitoi secilin prej shërbëtorëve të tij kur ishte radha e tyre. Secili prej shërbëtorëve e “mor[i] dritën e fytyrës së zotit të tyre, çdonjëri në orën e tij” (DeB 88:58).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:61. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që kjo shëmbëlltyrë na mëson rreth mënyrës se si Perëndia ndërvepron me mbretëritë që Ai i ka krijuar.
-
Çfarë na mëson kjo shëmbëlltyrë rreth mënyrës se si Perëndia ndërvepron me mbretëritë që Ai i ka krijuar? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë doktrinën vijuese: Perëndia do ta vizitojë secilën prej mbretërive të Tij dhe banorët e tyre në kohën e Tij. Shkruajeni këtë doktrinë në tabelë.)
Doktrina e Besëlidhje 88:62–69
Perëndia premton të na afrohet ne kur ne i afrohemi Atij
Vini në dukje se Zoti ka ardhur te mbretëria e Tij në këtë tokë dhe se Ai do të vijë përsëri e do të mbretërojë këtu gjatë Mijëvjeçarit. Te Doktrina e Besëlidhje 88:62–69, Zoti jep mësim se çfarë mund të bëjmë me qëllim që Ai të na afrohet ne tani. Ftojini studentët të përsiatin pyetjet vijuese:
-
Sa pranë Zotit ndiheni ju? A do të donit të ndiheshit më pranë Atij?
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:62–63, duke kërkuar gjërat që mund të bëjmë për ta ftuar Zotin që të na afrohet ne.
-
Çfarë parimi na mësojnë këto vargje rreth afrimit pranë Zotit? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Nëse i afrohemi Zotit, atëherë Ai do të na afrohet ne.)
-
Çfarë fjalësh te vargu 63 na mësojnë rreth mënyrës se si mund t’i afrohemi Zotit? (Kërkoni, lypni dhe trokisni.)
Vini në dukje se fjalët: kërkoni, lypni dhe trokisni, janë fjalë veprimi.
-
Cilat janë disa veprime që ju kanë ndihmuar të kërkoni, lypni dhe trokisni me qëllim që t’i afroheni më shumë Zotit?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë një mënyrë se si ata mund t’i afrohen Zotit, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:
“Unë shoh se kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket sikur asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon dhe asnjë zë hyjnor nuk po flet, që unë jam shumë, shumë larg. Nëse e zhys veten time në shkrimet e shenjta, largësia zvogëlohet dhe shpirtmëria kthehet” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 67).
Për t’i ndihmuar studentët që ta rritin kuptueshmërinë e tyre për mënyrën se si Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve të tyre, lexojeni me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:64–65. Vërini studentët t’ju ndjekin dhe të kërkojnë premtimin e Shpëtimtarit për ne nëse i lutemi Atit në emrin e Tij.
-
Te ky varg, çfarë na mëson Shpëtimtari rreth mënyrës se si Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve tona? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve tona në mënyrat që Ai e di se janë më të mirat për ne. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, ju mund të doni t’iu jepni atyre një kopje të thënies vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien dhe kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që ne duhet të bëjmë kur Ati Qiellor i përgjigjet një lutjeje në një mënyrë që është e ndryshme nga ajo që shpresojmë ose presim.
“Është aq e vështirë kur një lutje e sinqertë për diçka që e dëshironi vërtet shumë, nuk merr përgjigje siç e dëshironi ju. Është e vështirë të kuptoni përse ushtrimi nga ju i një besimi të thellë dhe të sinqertë në një jete plot bindje nuk e sjell rezultatin e dëshiruar. … Ndonjëherë është e vështirë të dalloni se çfarë është më e mira ose e përshtatshme për ju ndër kohëra. Jeta juaj do të jetë më e lehtë kur e pranoni se ajo që Perëndia bën në jetën tuaj, është për të mirën tuaj të përjetshme” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 9; [Konferenca e Përgjithshme prill 2007, “Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, f. 6–7]).
Merrni parasysh të ftoni disa studentë të tregojnë një përvojë që e kanë pasur kur Ati Qiellor iu është përgjigjur lutjeve të tyre me atë që ishte më e mira për ta. Ju mund të doni gjithashtu të tregoni një përvojë tuajën.
Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 88:66, ne mësojmë se një mënyrë se si Perëndia komunikon me ne është “si zëri i dikujt duke thirrur në shkretëtirë”. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:66, duke kërkuar mënyrën se si na arrin zëri i Perëndisë.
-
Sipas këtij vargu, si është zëri i Perëndisë si “zëri i dikujt duke thirrur në shkretëtirë”?
-
Kur e keni ndier se Perëndia ka qenë pranë jush ndonëse nuk e kini parë Atë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:67–69. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyra shtesë se si mund t’i afrohemi Zotit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse syri im drejtohet te lavdia e Perëndisë, atëherë …
Kërkojuni studentëve ta plotësojnë thënien duke përdorur atë që kanë mësuar nga vargu 67. Thënia mund të jetë si vijon: Nëse syri im drejtohet te lavdia e Perëndisë, atëherë unë do të mbushem me dritë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë parim sikurse shfaqet te Doktrina e Besëlidhje 88:67.
-
Çfarë mendoni se do të thotë për syrin tuaj që të “drejtohet te lavdia [e Zotit]”? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ata mund të përmendin shembuj të ndryshëm, të veçantë. Sigurohuni që ata e kuptojnë se, në përgjithësi, fraza do të thotë që të jemi të përkushtuar tërësisht ndaj veprës dhe qëllimeve të Perëndisë.)
-
Mendoni rreth njerëzve që i njihni, të cilët duket se janë të mbushur me dritën e Zotit. Në çfarë mënyre e shihni këtë dritë brenda tyre?
-
Sipas vargut 68, çfarë nevojitet të bëjmë që mendja jonë të jetë e drejtuar te Perëndia? (Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se fraza “shenjtërojeni veten tuaj” i referohet nevojës sonë për t’u pastruar e dëlirësuar nga mëkati. Ne bëhemi të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë kur pendohemi për mëkatet tona, i marrim ordinancat e priftërisë dhe i mbajmë besëlidhjet tona.)
Ftojini studentët të rilexojnë doktrinat dhe parimet që keni shkruar në tabelë. Më pas kërkojuni atyre të përfytyrojnë sikur ua kanë ngulur vështrimin yjeve me një shok ose shoqe që mendon se Perëndia nuk është i vetëdijshëm për të. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që ata do t’i thonin shokut ose shoqes së tyre, duke përdorur parimet në tabelë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë se çfarë kanë shkruar. Ju mund të doni ta mbyllni duke lexuar thënien në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Ju mund të jepni edhe dëshminë tuaj për ndikimin e Perëndisë në jetën tuaj, kur keni bërë përpjekje për t’iu afruar Atij.
“Vëllezër e motra të mia të dashura, … nganjëherë ne mund të ndihemi … të parëndësishëm, të padukshëm, të vetmuar ose të harruar. Por gjithmonë kujtoni – ju keni rëndësi për Të! …
Perëndia ju sheh jo vetëm si një qenie të vdekshme në një planet të vogël që jeton për një stinë të shkurtër – Ai ju sheh ju si fëmijën e Tij. Ai ju sheh ju si qenia që jeni të aftë dhe të projektuar që të bëheni. Ai dëshiron që ta dini se ju keni rëndësi për Të” (“Ju Keni Rëndësi për Të”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 22).