Mësimi 138
Doktrina e Besëlidhje 131
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 131 përmban një përmbledhje të parimeve që Profeti Jozef Smith i dha mësim ndërkohë që ishte në Ramus të Ilinoisit, më 16–17 maj 1843. Ai dha mësim rreth besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës dhe premtimit të jetës së përjetshme për besnikët. Ai dha gjithashtu mësim se i gjithë shpirti është materie.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 131:1–4
Jozef Smithi jep mësim rreth rëndësisë së besëlidhjes së martesës së përjetshme
Tregojuni studentëve një dryn të thjeshtë me kod. Ju mund ta konsideroni që ta përdorni atë për të siguruar kapakun e një kutie. Nëse nuk keni një dryn, vizatojeni një në tabelë. Ftojini një student mashkull dhe një studente femër të dalin përpara klasës. Jepini një studenti një fletë letre me pjesën e parë të kodit të numrave të shkruar në të. Jepini studentit tjetër një fletë letre me pjesën tjetër të kodit të numrave të shkruar në të. Nëse e keni sjellë një dryn në klasë, kërkojini njërit prej studentëve ta hapë drynin pa ndihmën e studentit tjetër. Më pas lërini të punojnë së bashku për ta hapur drynin.
Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë (ose shkruajeni atë në një fletë letre brenda kutisë që të dy studentët sapo e kanë hapur): Nëse dryni përfaqëson hyrjen në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, çfarë përfaqëson kodi? Vërini studentët të kërkojnë përgjigje për këtë pyetje kur studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 131.
Shpjegoni se më 16 maj 1843, Jozef Smithi udhëtoi drejt Ramusit në Ilinois. Teksa qëndronte në shtëpinë e Beniamin dhe Melisa Xhonsonit, ai kreu vulosjen e tyre si burrë e grua për përjetësi. Ai gjithashtu u mësoi atyre se si lidhet martesa e përjetshme me mbretërinë çelestiale. Këto të vërteta shënohen te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4. (Shih History of the Church, 5:391–392.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 131:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një të vërtetë që Profeti e zbuloi rreth mbretërisë çelestiale.
-
Çfarë zbuloi Jozef Smithi rreth mbretërisë çelestiale?
Shpjegoni se ne shpesh i drejtohemi marrjes së shkallës më të lartë brenda mbretërisë çelestiale si ekzaltimi ose jeta e përjetshme. Shkruani fjalën ekzaltim në tabelë. Shpjegoni se ata që e fitojnë këtë shkallë të lavdisë çelestiale, do të jetojnë si jeton Ati ynë Qiellor.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 131:2–4 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që ne duhet të bëjmë me qëllim që të fitojmë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale.
-
Çfarë nevojitet të bëjmë me qëllim që të fitojmë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Me qëllim që të fitojmë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, ne duhet të hyjmë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë në vargun 4 që, nëse nuk vulosemi në tempull nga autoriteti i duhur, ne “nuk mund të ke[mi] rritje”? (Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë varg, ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala rritje i referohet mundësisë që të vazhdojmë të kemi fëmijë në mbretërinë çelestiale.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë frazën “besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës”, shpjegoni se fjala e re në këtë kontekst do të thotë që kjo besëlidhje u rivendos rishtazi në periudhën tonë ungjillore. Fjala e përjetshme do të thotë që kjo besëlidhje themelore do të durojë gjatë gjithë përjetësisë. Kujtojini studentët që ne hyjmë në këtë besëlidhje të martesës çelestiale në tempull.)
-
Si mendoni, në çfarë mënyrash martesa çelestiale midis një burri dhe një gruaje i përgatit ata për ekzaltimin?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si na ndihmon martesa të përgatitemi për jetën e përjetshme.
“Dy arsye doktrinore detyruese na ndihmojnë të kuptojmë përse martesa e përjetshme është thelbësore në planin e Atit.
Arsyeja 1: Natyrat e shpirtit të mashkullit dhe të femrës e plotësojnë dhe e përsosin njëri-tjetrin, prandaj burrat dhe gratë janë të caktuar të përparojnë së bashku drejt ekzaltimit. …
Sipas planit hyjnor, burrat dhe gratë janë caktuar që të përparojnë së bashku drejt përsosjes dhe një plotësie të lavdisë. Për shkak të karaktereve dhe aftësive të tyre të dallueshme, meshkujt dhe femrat, secili, sjellin në një marrëdhënie martesore këndvështrime dhe përvoja të pashoqe. Burri dhe gruaja japin ndihmesa të ndryshme, por të barabarta në një bashkim dhe unitet që nuk mund të arrihen në ndonjë mënyrë tjetër. Burri e plotëson dhe e përsos gruan dhe gruaja e plotëson dhe e përsos burrin, teksa ata mësojnë nga njëri-tjetri dhe e forcojnë e bekojnë njëri-tjetrin në mënyrë reciproke. …
Arsyeja 2: Sipas planit hyjnor, duhen si një burrë ashtu edhe një grua për të sjellë fëmijë në jetën tokësore dhe që të sigurojnë kushtet më të mira për të rritur dhe edukuar fëmijët” (“Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 83–84; theksimet dhe germat kursive të hequra).
-
Sipas Plakut Bednar, përse është martesa midis një burri dhe një gruaje e nevojshme për ekzaltimin tonë?
-
Si mund të ndikojë të kuptuarit e doktrinës se martesa çelestiale është thelbësore për ekzaltimin në atë që ju kërkoni te një bashkëshort/e i/e ardhshëm/me?
-
Përse është e rëndësishme në moshën tuaj për ta bërë përparësi që të martoheni përjetësisht në tempull?
Ju mund të doni të shpjegoni se bekimet e ekzaltimit do të jenë në dispozicion të atyre që nuk e kanë mundësinë për një martesë çelestiale në këtë jetë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga libri Të Vërtetë ndaj Besimit:
“Disa anëtarë të Kishës mbeten beqarë jo për faj të tyre, megjithëse ata dëshirojnë të martohen. Në rast se e shihni veten kështu, jini të sigurt se ‘të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë’ (Romakëve 8:28). Kur qëndroni i denjë, në një ditë të ardhshme, në këtë jetë ose në tjetrën, do t’ju jepen të gjitha bekimet e një marrëdhënieje të përjetshme familjare” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 86).
-
Si mund t’ju ndihmojë mbajtja e besëlidhjeve tuaja të pagëzimit tani që të përgatiteni për të marrë bekimet e tempullit? Çfarë mund të bëjnë të rinjtë dhe të rejat tani për ta bërë martesën çelestiale në tempull një përparësi? (Ju mund të doni t’i renditni në tabelë përgjigjet e tyre.)
Nxitini studentët ta bëjnë një përparësi që të martohen për përjetësinë në tempull. Dëshmoni për bekimet që vijnë si rrjedhim i martesës çelestiale.
Doktrina e Besëlidhje 131:5–6
Profeti shpjegon shprehjen “fjala më e sigurt e profecisë”
Tregojuni studentëve një garanci ose autorizim të shkruar.
-
Cilat janë përfitimet e të pasurit të një garancie?
-
Përse do të ishte veçanërisht e vlefshme një garanci nga Ati Qiellor?
Shpjegoni se në Ramus të Ilinoisit, në mëngjesin e 17 majit 1843, Jozef Smithi dha një predikim mbi një frazë që gjendet te 2 Pjetër 1:19, e cila përfaqëson një garanci nga Perëndia (shih History of the Church, 5:392). Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 2 Pjetër 1:19 dhe të kërkojnë frazën. (“Më të vërtetuar fjalën profetike.”)
Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 131:5 dhe të kërkojnë se çfarë do të thotë fraza “fjala më e sigurt e profecisë”. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë.
-
Sipas vargut 5, çfarë i garanton Ati Qiellor një njeriu nëpërmjet fjalës më të sigurt të profecisë? (Jetën e përjetshme.)
-
Si mendoni se do të ndiheshit po ta merrnit një garanci të tillë? Përse?
Shënim: Mos spekuloni rreth individëve të gjallë të cilët mund ta kenë marrë “fjalën më të sigurt të profecisë”. Megjithatë, shkrimet e shenjta na tregojnë për disa individë të cilët e kanë marrë këtë siguri të jetës së përjetshme teksa [ishin] ende në vdekshmëri. Për shembull, Zoti ia shprehu këtë siguri Jozef Smithit (shih Doktrina e Besëlidhje 132:49) dhe Almës (shih Mosia 26:20).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 131:6 dhe vëreni klasën të kërkojë diçka që do t’ia ndalonte dikujt marrjen e jetës së përjetshme.
-
Çfarë tha Jozef Smithi se do ta bënte të pamundur që ne të shpëtoheshim ose të merrnim jetë të përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të kuptojnë se ne nuk mund të shpëtohemi në padituri. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë).
Ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues të kësaj të vërtete siç jepet nga Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për llojin e diturisë që na nevojitet me qëllim që të marrim jetë të përjetshme.
“Njohuria për ‘të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin’ (Gjoni 17:3) është njohuria më e rëndësishme në univers; ajo është njohuria pa të cilën Profeti Jozef Smith tha se askush nuk mund të shpëtohet. Mungesa e saj është padituria për të cilën flitet në zbulesën ku shkruhet: ‘Është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri’. (DeB 131:6.)” (“Except a Man Be Born Again”, Ensign, nëntor 1981, f. 14).
-
Çfarë lloj njohurie duhet të kemi me qëllim që të kemi jetë të përjetshme? Si mendoni ju, përse kjo lloj njohurie është thelbësore për shpëtim?
-
Çfarë mund të bëjmë për ta shtuar njohurinë tonë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Doktrina e Besëlidhje 131:7–8
Jozef Smithi na mëson se i gjithë shpirti është materie
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 131:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar se nga çfarë përbëhen shpirtrat.
-
Çfarë mësoni nga këto vargje? (Të gjitha krijesat përbëhen nga materie, por materia shpirtërore është “më [e] pastër [ose] më [e] përpunuar”.)
Dëshmoni për parimet e diskutuara te Doktrina e Besëlidhje 131, dhe nxitini studentët të vazhdojnë të fitojnë njohuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, që ata të mund të bëhen më shumë si Ata.