Seminare dhe Institute
Mësimi 17: Doktrina e Besëlidhje 9


Mësimi 17

Doktrina e Besëlidhje 9

Hyrje

Në prill të vitit 1829 Oliver Kaudërit iu premtua gjithashtu se mund të kishte dhuntinë për të përkthyer (shih DeB 6:25–29). Më vonë Oliveri u udhëzua lidhur me marrjen e zbulesës në procesin e përkthimit (shih DeB 8:1–4) dhe u përpoq të përkthente. Edhe pse në dukje e filloi mirë, ai nuk “vazhdo[i] siç fillo[i]” (DeB 9:5). Profeti Jozef Smith mori një zbulesë që shpjegonte arsyen përse përpjekjet e Oliverit për të përkthyer nuk kishin qenë të suksesshme. Në atë zbulesë Zoti tha se nuk ishte më e domosdoshme për Oliverin që të përkthente. Zoti gjithashtu dha këshillë shtesë lidhur me marrjen e zbulesës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 9:1–6, 11

Zoti shpjegon përse Oliver Kaudëri e pati të vështirë të përkthente

Kërkojuni studentëve të përmendin disa vendime të rëndësishme që do t’i bëjnë gjatë vitit të ardhshëm. Më pas kërkojuni të renditin vendime të rëndësishme që do t’i marrin gjatë 5 deri në 10 viteve të ardhshme. Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth njërit prej këtyre vendimeve në lidhje me pyetjen vijuese.

  • Si do t’ju ndihmonte të kërkuarit e udhërrëfimit nga Zoti që ta merrni këtë vendim?

Pasi të jenë përgjigjur një ose dy studentë, njoftojini studentët se në këtë mësim ata do të mësojnë rreth një përvoje që pati Oliver Kaudëri kur po përpiqej të përkthente. Nxitini studentët të kërkojnë doktrina e parime ndërkohë që studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 9, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të marrin e të dallojnë udhërrëfimin e Zotit, teksa marrin vendime të rëndësishme.

Kujtojini studentët se Zoti i kishte dhënë Oliverit dhuntinë e përkthimit dhe lejen për të përkthyer nëse dëshironte ta bënte këtë gjë (shih DeB 6:25–28). Zoti i tha Oliverit se kjo dhunti e përkthimit do të vinte nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë (shih DeB 8:1–2). Përpjekja e Oliverit për të përkthyer filloi mirë, por më në fund ai nuk ishte i suksesshëm. Pas përpjekjes së Oliverit për të përkthyer, Jozef Smithi mori zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 9.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 9:1–4 dhe vëreni klasën të kërkojë punën që Zoti e thirri të bënte Oliverin në vend që të përkthente.

  • Çfarë pune i kërkoi Zoti Oliverit të bënte?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 9:5–6, 11. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar arsyet përse Oliveri nuk ishte i suksesshëm kur u përpoq të përkthente.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë frazën “ti nuk vazhdove siç fillove” (DeB 9:5), ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues nga Presidenti Jozef Filding Smith:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Dështimi i Oliverit erdhi, sepse ai nuk vazhdoi siç e filloi dhe ngaqë detyra ishte e vështirë, besimi i tij e braktisi atë” (Church History and Modern Revelation [1953], 1:51).

  • Sipas Presidentit Smith, përse nuk ishte Oliveri në gjendje të vazhdonte siç e kishte filluar? (Besimi i tij u lëkund.)

  • Cilat janë disa mënyra që frika, ose një mungesë e besimit, mund të na pengojnë nga marrja ose të vepruarit sipas zbulesës nga Zoti?

  • Çfarë mund të na mësojë përvoja e Oliverit rreth mënyrës se si të marrim zbulesë nga Zoti? (Një parim që studentët mund ta përcaktojnë është që për të marrë zbulesë, ne duhet të veprojmë me besim. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Në procesin e zbulesës dhe të marrjes së vendimeve të rëndësishme, frika luan një rol shkatërrues, nganjëherë paralizues. Oliver Kaudërit, i cili e humbi mundësinë që vjen vetëm një herë në jetë, sepse nuk e kapi atë në kohën e duhur të mundësisë, Zoti i tha: ‘Ti nuk vazhdove siç fillove’. A iu duket kjo e njohur atyre që janë ndriçuar dhe më pas iu nënshtruan mendimeve të rishfaqura apo dyshimeve të përsëritura? …

… Pasi e keni marrë mesazhin, pasi e keni paguar çmimin për ta ndier dashurinë e Tij dhe për ta dëgjuar fjalën e Zotit, ecni përpara. Mos kini frikë, mos u lëkundni, mos kini mëdyshje, mos u ankoni. … Largojeni frikën tuaj dhe turruni me të dyja këmbët” (“Cast Not Away Therefore Your Confidence”, Ensign, mars 2000, f. 10).

  • Kur keni marrë përgjigje nga Zoti dhe vepruat sipas asaj pa asnjë ngurrim? (Sigurohuni që studentët të kuptojnë se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër vetjake apo të brendshme.)

Doktrina e Besëlidhje 9:7–10

Zoti zbulon parimet që drejtojnë zbulesën

Shpjegoni se Zoti zbuloi një parim të rëndësishëm lidhur me mënyrën se si ta kërkojmë drejtimin e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 9:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një arsye tjetër përse Oliveri pati vështirësi për ta marrë ndihmën e Zotit në përpjekjet e tij për të përkthyer.

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 9:7, çfarë mendoi Oliveri se ishte e vetmja gjë që do t’i nevojitej të bënte që të merrte zbulesë ndërkohë që përkthente?

  • Çfarë i mësoi Zoti Oliverit se duhej të bënte përpara se të kërkonte për udhërrëfim?

Teksa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata ta shenjojnë këshillën e Zotit në shkrimet e tyre të shenjta. Që t’i ndihmoni studentët ta analizojnë kuptimin e këtyre vargjeve, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta “studiosh atë tërësisht në mendjen tënde”? (Të marrësh parasysh vendime dhe mundësi, t’i peshosh me kujdes zgjedhjet e mundshme.) Si e keni bërë këtë kur ju është dashur të merrni vendime?

  • Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 9:8, çfarë na nevojitet të bëjmë pasi ta kemi studiuar çështjen që po marrim parasysh? (Të vendosim se cilën zgjedhje e besojmë të jetë e drejtë dhe më pas t’ia çojmë vendimin tonë Atit Qiellor në lutje.)

  • Çfarë mësimi mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 9:8 rreth asaj që Zoti pret nga ne, kur i kërkojmë drejtimin dhe udhërrëfimin e Tij? (Studentët mund të përgjigjen me diçka të ngjashme me të vërtetën vijuese: Marrja dhe dallimi i zbulesës kërkon përpjekje nga ana jonë. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë të vërtetë, bëni pyetjen vijuese:

  • Si mendoni, në çfarë mënyre studimi i një çështjeje në mendjen tuaj mund t’ju ndihmojë që të merrni zbulesë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si kjo e vërtetë mund të lidhet me situata në jetën e tyre, lexoni shembujt vijues. Pas secilit shembull, ftojini studentët të shpjegojnë se si individët e përshkruar mund t’i përdorin të vërtetat e dhëna te Doktrina e Besëlidhje 9:7–8 për të marrë zbulesë.

  1. Një i ri merr një ofertë për një punë të mirë, por ajo kërkon që ai të punojë të dielën. Ai po përpiqet të vendosë nëse ta pranojë ose jo punën.

  2. Një e re ka qenë duke menduar rreth shoqeve me të cilat shoqërohet dhe rreth ndikimit negativ që ato kanë tek ajo. Ajo dëshiron që të mos shoqërohet më me to, por nuk e di mënyrën më me takt për t’u larguar prej tyre.

  3. Një e re po merr parasysh se çfarë duhet të bëjë pasi të mbarojë shkollën e mesme. E di se dëshiron të vazhdojë arsimimin e saj, por nuk është e sigurt se cilin institucion arsimor duhet të ndjekë.

Pasi t’i diskutoni këta shembuj me klasën, lejojini studentët të mendojnë rreth përvojës së tyre me këtë parim duke shkruar në tabelë pyetjen vijuese: Kur e keni ndier se përpjekja nga ana juaj ju ka ndihmuar që të merrni zbulesë nga Zoti?

Ftojini studentët ta përsiatin këtë pyetje për një çast. Më pas bëjuni pyetje disa studentëve që janë të gatshëm t’ua tregojnë përvojat e tyre pjesës tjetër të klasës.

Ftojini studentët të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 9:8 duke kërkuar mënyrën se si Oliveri mund ta dinte nëse përfundimi ose vendimi i tij ishte i drejtë.

  • Çfarë mund të mësojmë nga vargu 8 rreth mënyrës se si Zoti iu përgjigjet pyetjeve tona? (Zbulesa mund të vijë nëpërmjet ndjenjave tona, teksa i kërkojmë Zotit udhërrëfim. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

Ju mund të dëshironi të sqaroni se djegia në kraharor, e premtuar Oliverit, është vetëm një mënyrë që Shpirti mund ta pohojë një zgjedhje të duhur. Pohimet e Shpirtit mund të vijnë në një larmi mënyrash, të cilat janë vetjake dhe të thella.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si Zoti mund të na bëjë ta “ndie[jmë] që [një vendim] është [i] drejtë” (DeB 9:8), ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues nga Plaku Riçard G. Skot:

Plaku Riçard G. Skot

“Ndjenja e paqes është dëshmimi më i zakonshëm pohues që përjetoj unë personalisht. Kur kam qenë i shqetësuar shumë rreth një çështjeje të rëndësishme, duke u përpjekur pa sukses për ta zgjidhur atë, unë i vazhdova ato përpjekje me besim. Më vonë, ka ardhur një paqe gjithëpushtuese, duke m’i qetësuar shqetësimet e mia, ashtu siç ka premtuar Ai” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 10).

  • Kur e keni ndier Zotin t’jua pohojë një vendim që e keni marrë? Si u ndiet rreth atij pohimi? (Kujtojuni studentëve që nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër vetjake apo të brendshme.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 9:9. Kërkojuni studentëve të dallojnë fraza që përshkruajnë mënyrën se si mund të dimë nëse një vendim që e kemi bërë, nuk është i saktë. Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë frazën “mpirje të mendimit”, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, në të cilën ai shpjegon një mënyrë se si mund të përjetohet mpirja e mendimit:

Plaku Riçard G. Skot

“Ajo [mpirje e mendimit], për mua, është një ndjenjë turbulluese, shqetësuese” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, f. 10).

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që kanë mësuar rreth marrjes së zbulesës që mund t’i ndihmojë të marrin vendime të rëndësishme.

Doktrina e Besëlidhje 9:12–14

Zoti e nxit Oliverin që të vazhdojë në punën që është thirrur të bëjë

Kujtojini studentët për thirrjen e Oliverit që të ishte një shkrues për Profetin (shih DeB 9:1, 4). Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 9:12–14 duke kërkuar fjalë ose fraza që Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri mund t’i kenë gjetur inkurajuese në këtë kohë. Ftojini studentët të tregojnë fjalë dhe fraza që i gjejnë domethënëse dhe të shpjegojnë përse.

Për ta mbyllur këtë mësim, ju mund të dëshironi të jepni dëshminë tuaj që ne mund të marrim zbulesë personale, kur i ndjekim parimet që përmblidhen te Doktrina e Besëlidhje 9.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 9:7–9. Dallimi i përgjigjeve për lutjet

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillë përse ne nganjëherë ndiejmë sikur nuk e kemi marrë një përgjigje të menjëhershme ndaj lutjes:

Plaku Riçard G. Skot

“Çfarë bëni kur jeni përgatitur me kujdes, jeni lutur me zjarr, pritët një kohë të arsyeshme për përgjigje dhe ende nuk ndieni asnjë përgjigje? Ju mund të dëshironi të shprehni falënderime kur ajo ndodh, sepse është provë e mirëbesimit të Tij. Kur po jetoni të denjë e zgjedhja juaj është në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit dhe nevojitet të veproni, bëjeni me mirëbesim. Ndërsa jeni të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit, një nga dy gjërat do të ndodhë vërtet në kohën e duhur: ose do të vijë mpirja e mendimit, duke treguar një zgjedhje jo të duhur, ose do të ndihet paqja apo djegia në kraharor, duke pohuar se zgjedhja juaj ishte e saktë. Kur jetoni me drejtësi dhe po veproni me mirëbesim, Perëndia nuk do t’ju lërë të vazhdoni për shumë kohë pa një mbresë paralajmëruese, në qoftë se keni marrë vendimin e gabuar” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 10).

Doktrina e Besëlidhje 9:7–9. Çfarë është një djegie në kraharor?

Plaku Dallin H. Ouks shpjegoi:

Plaku Dallin H. Ouks

“Kam takuar njerëz që më thanë se ata nuk e kanë pasur kurrë një dëshmim nga Fryma e Shenjtë, sepse nuk e kanë ndier kurrë kraharorin e tyre të ‘digjet përbrenda’ tyre.

Çfarë do të thotë një ‘djegie në kraharor’? A nevojitet të jetë një ndjenjë e nxehtësisë fizike, si djegia e prodhuar nga lëndët djegëse? Nëse ai është kuptimi, unë nuk e kam pasur kurrë një djegie në kraharor. Sigurisht, fjala ‘djegie’ në këtë shkrim të shenjtë nënkupton një ndjenjë rehatie dhe qetësie. Ai është dëshmimi që e marrin shumë njerëz. Ajo është mënyra se si vepron zbulesa.

Në të vërtetë, zëri i qetë, i vogël është pikërisht i tillë, ‘i qetë’ dhe ‘i vogël’” (“Teaching and Learning by the Spirit”, Ensign, mars 1997, f. 13).