Mësimi 19
Joseph Smith – Historia 1:68–75; Doktrina e Besëlidhje 13
Hyrje
Më 5 maj 1829, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri shkuan në pyllin pranë fermës së Jozefit në Harmoni të Pensilvanisë, që t’i kërkonin Zotit, pas përkthimit të një fragmenti në Librin e Mormonit që theksonte rëndësinë e ordinancës së pagëzimit. Ndërsa po luteshin, atyre iu shfaq Gjon Pagëzori si një personazh i ringjallur. Ai u dha atyre Priftërinë Aarone, i udhëzoi që të pagëzonin njëri-tjetrin në lumin Saskehana aty pranë dhe më pas i udhëzoi që të shuguronin njëri-tjetrin në Priftërinë Aarone. Fjalët e Gjonit drejtuar Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit shënohen te Doktrina e Besëlidhje 13. Pas pagëzimit të tyre, Jozefi dhe Oliveri u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe përjetuan bekime të mëdha.
Sugjerime për Mësimdhënien
Joseph Smith – Historia 1:68–72; Doktrina e Besëlidhje 13
Gjon Pagëzori u jep Priftërinë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit
Shkruajini pyetjet vijuese në tabelë përpara fillimit të orës mësimore ose i jepni ato në një fletushkë për secilin student (mos përfshini përgjigjet). Teksa studentët vijnë në klasë, ftojini ata t’u përgjigjen pyetjeve në një copë letër ose në fletushkat e tyre. Po të jetë nevoja, sugjeroni që ata të përdorin Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta te kombinimi tresh (shih “Priftëri Aarone”) për të gjetur përgjigjet e duhura. Ju mund të dëshironi të pritni derisa studentët t’i kenë shënuar përgjigjet e tyre, përpara se ta filloni takimin tuaj shpirtëror.
(Përgjigjet: 1) Joseph Smith – Historia ose Doktrina e Besëlidhje 13; 2) 15 maj 1829 [shih Joseph Smith – Historia 1:72]; 3) Gjon Pagëzori [shih Joseph Smith – Historia 1:72]; 4) Me anë të vënies së duarve [shih Joseph Smith – Historia 1:68, 71]; 5) Gjon Pagëzori u tha se ata më vonë do të merrnin Priftërinë Melkizedeke nga Apostujt Pjetër, Jakob e Gjon [shih Joseph Smith – Historia 1:72].)
Pas takimit shpirtëror, kërkojuni studentëve që të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e parë. Pasi t’i jenë përgjigjur kësaj pyetje siç duhet, caktojini studentët të punojnë në çifte dhe të kontrollojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e tjera. Udhëzojini të përdorin Joseph Smith – Historinë 1:68–72 dhe përshkrimin nga Oliver Kaudëri që pason Joseph Smith – Historinë. Ju mund të dëshironi të ecni nëpër klasë që t’i ndihmoni studentët të gjejnë përgjigjet e duhura.
Pas një kohe të mjaftueshme, rishikoni përgjigjet së bashku si klasë. Teksa i shikoni këto përgjigje së bashku, ndihmojini studentët që të përcaktojnë e kuptojnë doktrinat vijuese: Gjon Pagëzori rivendosi Priftërinë Aarone në tokë (shih Joseph Smith – Historia 1:72). Priftëria jepet me anë të vënies së duarve (shih Joseph Smith – Historia 1:68, 71). Gjithashtu, ndërkohë që rishikoni përgjigjet e studentëve, shpjegoni se Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri e morën Priftërinë Melkizedeke nga Pjetri, Jakobi e Gjoni më vonë në maj të 1829-ës (shih Larry C. Porter, “The Restoration of the Aaronic and Melchizedek Priesthoods”, Ensign, dhjetor 1996, f. 30–47).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:68. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që po bënin Jozefi dhe Oliveri, që i bëri ta pyesnin Zotin rreth pagëzimit për heqjen e mëkateve.
-
Sipas këtij vargu, çfarë i bëri Jozefin dhe Oliverin që të kërkonin rreth pagëzimit për heqjen e mëkateve? (Ata po përkthenin Librin e Mormonit dhe hasën mësime lidhur me pagëzimin për heqjen e mëkateve.)
Vini në dukje se rivendosja e Priftërisë Aarone është kaq e rëndësishme sa fjalët e Gjon Pagëzorit u përfshinë te Doktrina e Besëlidhje si seksioni 13. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 13. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë se si rivendosja e Priftërisë Aarone i dha përgjigje lutjes së Jozefit dhe Oliverit për të ditur më shumë rreth pagëzimit për heqjen e mëkateve.
-
Në çfarë mënyrash rivendosja e Priftërisë Aarone i dha përgjigje lutjes së Jozefit dhe Oliverit për të ditur më shumë lidhur me pagëzimin për heqjen e mëkateve?
Në tabelë, vizatoni një figurë të thjeshtë të një dere me një vrimë çelësi.
-
Cili është qëllimi i një dere? (Ndërsa studentët e diskutojnë këtë pyetje, ndihmojini të kuptojnë se një derë qëndron në hapjen e një udhe kalimi drejt një vendndodhjeje tjetër. Përveç kësaj, një derë mund të na mbajë jashtë ose të na lejojë të hyjmë brenda.)
Tregojuni studentëve një komplet çelësash (ose vizatoni një figurë të thjeshtë të një çelësi në tabelë) dhe bëni pyetjen vijuese:
-
Si lidhet një çelës me funksionin e një dere? (Një çelës e hap ose mbyll një derë. Kur e përdorim një çelës për ta hapur një derë, ai bën të mundur që ne të kalojmë përmes dhe të përjetojmë atë që është në anën tjetër.)
Shpjegoni se Zoti i përdor çelësat si një simbol për të përfaqësuar autoritetin e priftërisë, i cili shkyç ose hap për ne udhën që të marrim mundësi dhe bekime të përjetshme. Ftojini studentët të kërkojnë Doktrinën e Besëlidhjet 13:1 duke parë për çelësat që lidhen me Priftërinë Aarone. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza në shkrimet e tyre të shenjta teksa i gjejnë ato.
-
Cilët çelësa, tha Gjon Pagëzori, mban Priftëria Aarone? (Priftëria Aarone mban çelësat e shërbesës së engjëjve, të ungjillit të pendimit dhe të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve. Ju mund të dëshironi të ftoni një student për ta shkruar këtë thënie në tabelë nën figurën e derës.)
Për t’i ndihmuar studentët që t’i kuptojnë më mirë këta çelësa të Priftërisë Aarone dhe bekimet që çelësat i bëjnë të gjindshme për anëtarët e Kishës, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Merrni parasysh që të bëni një kopje të vogël të kësaj thënieje për secilin student që ta mbajë brenda shkrimeve të tij ose të saj të shenjta.)
“Çfarë do të thotë që Priftëria Aarone mban [çelësin e] ‘ungjillit të pendimit e të pagëzimit dhe të heqjes së mëkateve’? Kuptimi gjendet në ordinancën e pagëzimit dhe në sakramentin. Pagëzimi është për heqjen e mëkateve dhe sakramenti është një ripërtëritje e besëlidhjeve dhe bekimeve të pagëzimit. Që të dyja duhet të paraprihen nga pendimi. …
Askush nga [ne] nuk ka jetuar pa mëkat që nga pagëzimi [ynë]. Pa disa masa për pastrimin e mëtejshëm pas pagëzimit tonë, secili prej nesh është i humbur prej gjërave shpirtërore. …
Ne urdhërohemi të pendohemi për mëkatet tona dhe të vijmë te Zoti me një zemër të thyer e një shpirt të penduar dhe të marrim sakramentin në përputhje me besëlidhjet e tij. Kur ne i ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit në këtë mënyrë, Zoti e ripërtërin ndikimin pastrues të pagëzimit tonë. …
Ne nuk mund ta mbivlerësojmë rëndësinë e Priftërisë Aarone në këtë gjë. Gjithë këto hapa jetësorë, që lidhen me heqjen e mëkateve, kryhen nëpërmjet ordinancës shpëtuese të pagëzimit dhe ordinancës ripërtëritëse të sakramentit. Këto ordinanca, që të dyja, kryhen nga mbajtës të Priftërisë Aarone nën drejtimin e këshillit të peshkopit, të cilët ushtrojnë çelësat e ungjillit të pendimit e të pagëzimit dhe të heqjes së mëkateve” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Ensign, nëntor 1998, f. 37–38).
-
Si na ndihmojnë çelësat e Priftërisë Aarone që të marrim bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit?
-
Sipas Plakut Ouks, kush i drejton çelësat e ungjillit të pendimit e të pagëzimit në secilën lagje?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë çelësin e shërbesës së engjëjve, ftojeni një student të lexojë shpjegimin vijues nga Plaku Ouks:
“Si një mbajtës i ri [në moshë] i Priftërisë Aarone, nuk mendova se do të shihja një engjëll dhe pyesja veten se çfarë lidhje kishin shfaqje të tilla me Priftërinë Aarone.
Por shërbesa e engjëjve mund të jetë edhe e padukshme. Mesazhet engjëllore mund të jepen nga një zë apo thjesht nga mendimet ose ndjenjat e komunikuara mendjes” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, f. 39).
Ftojeni një student të vijë përpara klasës dhe të ngrejë lart figurën I Ri Duke u Pagëzuar (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 103; shih edhe LDS.org) dhe Bekimi i Sakramentit (nr. 107), nëse janë në dispozicion.
-
Si mund t’i ndikojë mendimet ose veprimet tuaja të kuptuarit e çelësave të Priftërisë Aarone kur ju e përgatitni, administroni ose e merrni sakramentin çdo javë?
Ftojini të rejat në klasë të tregojnë ndjenjat e tyre rreth Priftërisë Aarone dhe bekimeve që ajo sjell në jetën e tyre. Gjithashtu mund të dëshironi të tregoni përse ju vetë e vlerësoni rivendosjen e Priftërisë Aarone.
Joseph Smith – Historia 1:73–75
Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri përjetojnë bekime të mëdha pas pagëzimeve të tyre
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:73. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë fjalë dhe fraza që përshkruajnë atë që Jozefi dhe Oliveri përjetuan pasi u pagëzuan. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fjalë dhe fraza në shkrimet e tyre të shenjta.
-
Çfarë ra mbi Jozefin dhe Oliverin pasi u pagëzuan?
Ngaqë Jozefi dhe Oliveri nuk e kishin marrë ende dhuratën e Frymës së Shenjtë, ajo që përjetuan në këtë rast ishte fuqia e Frymës së Shenjtë. Jozefi dhe Oliveri do ta merrnin Priftërinë Melkizedeke për dhënien e dhuratës së Frymës së Shenjtë në një kohë të mëvonshme (shih Joseph Smith – Historia 1:70; shih edhe Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Frymë e Shenjtë”, scriptures.lds.org).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:74. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një bekim të veçantë që Jozefi dhe Oliveri e morën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Pasi studentët të kenë raportuar atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Fryma e Shenjtë na ndihmon të kuptojmë domethënien dhe qëllimin e shkrimeve të shenjta.
-
Si mendoni, përse kemi nevojë që Fryma e Shenjtë të na ndihmojë të kuptojmë shkrimet e shenjta?
-
Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë ta kuptoni “domethënien dhe qëllimin e vërtetë” të shkrimeve të shenjta?
Ftojini studentët të harxhojnë pak minuta duke shkruar në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për ta ftuar ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërkohë që studiojnë shkrimet e shenjta.